Mentor Kikia: Vetëm Papa mbeti pa e përshëndetur marrëveshjen për Reformën Zgjedhore

Pas arritjes së konsensusit mes qeverisë dhe opozitës për reformën zgjedhore, duke se kjo marrëveshje ka ngecur sërish.

Kryeministri Edi Rama sot kërcënoi Lulzim Bashën se do ta grisë marrëveshjen nëse do të sillen kushte të tjera.

Për të folur për këtë çështje, në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan ishte kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, e cila u pyet disa herë përse ka ngecur marrëveshja për reformën.

Gazetari dhe kryeredaktori i Klan Plus, Mentor Kikia tha se arritjen e marrëveshjes për reformën zgjedhore e përshëndetën të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë, madje ironikisht u shpreh se ka mbetur vetëm Papa Francesku pa e përshëndetur.

Kryetarja e LSI u shpreh se pas arritjes së kësaj marrëveshje, nga mazhoranca ka një lloj nervozizmi.

Monika Kryemadhi: Pas dakordësimit të 5 Qershorit kemi një lloj nervozizmi nga pala tjetër. Çdo gjë ka nisur rrugën e duhur politikisht, pavarësisht se nga ana ekonomike ka bërë që shqiptarët të ndjejnë një presion që vjen në xhepat e tyre. Unë nuk kam përgjigje për këtë. Jam e bindur që Rama do ta votojë me atë që do të dakordësohet në këshillin politik. Reforma zgjedhore është një nga hallkat e një zinxhiri shumë të madh që ka sot Shqipëria.

Mentor Kikia: U bë marrëveshja, u përshëndet, vetëm Papa mbeti pa e përshëndetur. Pse nuk ecet në fillin e marrëveshjes?

Monika Kryemadhi: E para njëherë, nuk është marrëveshje është dakordësi për të vendosur rregullat e lojës. 

Rikthim në koalicion me PS-në? Kryemadhi: Vetëm nëse jam çmendur…

Opozita do të shkojë e bashkuar në zgjedhje. Për këtë Monika Kryemadhi kujtoi marrëveshjen e nënshkruar më 23 Prill të të gjitha partive të opozitës, të cilat kanë marrë angazhimin të marrin pjesë në zgjedhje si front i bashkuar opozitar.

Kryemadhi deklaroi gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan se në këtë listë mund të vijnë edhe parti të tjera që duan një parlament demokratik.

E pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse ka ndonjë shans për t’u kthyer në koalicion me PS-në, Kryemadhi tha: “Vetëm nëse unë jam e çmendur”, duke mohuar në këtë mënyrë rikthimin në një koalicion me selinë rozë.

Blendi Fevziu: Gjithë opozita e bashkuar do të shkojë në një listë ose koalicion të përbashkët?

Monika Kryemadhi: Patjetër, në një koalicion të madh.

Blendi Fevziu: Do të hapeni dhe për parti të tjera që duan t’i bashkohen kësaj listës së madhe?

Monika Kryemadhi: Patjetër.

Blendi Fevziu: Me çfarë kriteresh?

Monika Kryemadhi: Me kritere shumë të thjeshta, për t’i ofruar shqiptarëve një parlament të denjë.

Blendi Fevziu: Kjo marrëveshje me PD është definitive, apo po e zgjati Rama mund të kaloni andej?

Monika Kryemadhi: Është definitive dhe janë njohur strukturat më tej.

Blendi Fevziu: Ju si LSI do të shkoni me PD… me partitë e tjera nuk keni po them ndonjë shans të riktheheni tek Rama në një koalicion të mundshëm?

Monika Kryemadhi: Vetëm nëse unë jam e çmendur dhe që jam një njeri që nuk e mbaj fjalën. Unë shquhem që jam një njeri që e mbaj fjalën.

Mentor Kikia: Jeni çmendur nja dy herë.

Skënder Brataj: Rritja e numrit të të infektuarve, shkak i lehtësimit të masave

Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj thotë se rritja e numrit të personave të infektuar me Covid-19 gjatë javëve të fundit, është si rezultat i lehtësimit të masave.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Brataj u shpreh se koronavirusi ka ndryshuar formën e shfaqjes, por nuk ka ulur virulencën.

“Ka një shqetësim, ka frikë dhe ankth sepse numrat flasin. Nuk është gjë që nuk e prisnim. Më e ekzagjeruar është fakti i mosrespektimit të masave. Është lirimi i masave që ndikon në hapjen e virusit. Është akoma agresiv. Ka ndryshuar disi forma e shfaqjes, nuk mund të themi që ka ulur virulencën. Ka shenja pak më agresive, por kjo nuk vërteton virulencën”.

Sipas drejtorit të Urgjencës Kombëtare, numri i të infektuarve që është shfaqur së fundmi ka të bëjë me fillimin e lehtësimit të masave kufizuese gjatë mesit të muajit Maj.

Ndërsa rezultatet e hapjes totale që ndodhi në fillim të Qershorit, pritet të shihen në fillim të muajit Korrik.

“Nuk është e njëjta gjë siç ishte në fillim. Ne vazhdojmë te kemi ato hijet mbi virusin. Duhet të bashkëjetojmë me virusin. Të bashkëjetosh do të thotë të respektosh rregullat. Këtë që ne shohim sot është si rezultat i lirimit të masave të Majit. Lirimi i masave të fillim Qershorit do ta shohim në fillim të Korrikut”, deklaroi Skënder Brataj.

Brataj: Në këto momente as që bëhet fjalë për rikthimin e karantinës

Tashmë që vendi është kthyer pothuajse në normalitet, ku çdo gjë është rihapur bëhet akoma më e vështirë mbrojtja ndaj Covid-19.

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan për të folur rreth situatës së fundit të koronavirusit në vend, në një kohë ku kemi rritje të madhe rastesh infektimi dhe humbje jete.

Brataj deklaroi që për momentin, karantina është një opsion që nuk diskutohet mes ekspertëve, duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë rimbyllje në kushtet ku jemi.

“Normal që qytetarët duhet të dinë, ka karantinë, s’ka karantinë se kjo është pyetja që na bëjnë më shumë. Nuk mendohet që të bëjmë karantinë. Në këto momente as që bëhet fjalë”, tha Brataj.

Mirëpo, skenari i karantinës do të bëhej realitet, sipas drejtorit të Urgjencës, vetëm në rastet kur do të tejmbusheshin spitalet. Megjithatë Brataj u shpreh se asnjë ekspert nuk mendon se situata do të arrijë deri aty.

“Skenari i karantinës është në qoftë se numri i pacientëve arrin aq shumë në spital sa i saturon të gjitha burimet që kemi në dispozicion që nuk mendojmë se do të arrijë deri aty”, tha Brataj, i cili shtoi se gjëja pozitive e ditëve të fundit është fakti që kohëzgjatja e  të sëmurit është më e shkurtër seç ishte në fillim.

Sipas Bratajt, fasha më në rrezik është mosha e thyer, prandaj ata duhet të qëndrojnë në shtëpi. Ai deklaroi se maska në ambientet e mbyllura është e detyrueshme. /tvklan.al