Të ftuar në Opinion: Grida Duma, Armand Shkullaku, Artan Hoxha, Baton Haxhiu, Arbjan Mazniku dhe Iris Luarasi.

“Kollovari i Vuçiçit dhe i degjeneruari i Veliajt”, mesazhi që mbërriti në celularin e Fevziut

Mbrëmjen e së enjtes në emisionin Opinion në Tv Klan u diskutuan se sa vota marrin partitë politike në çdo qark të vendit.

Por gjatë llogarive që bënte çdo panelist i ftuar në emision, në telefonin e drejtuesit Blendi Fevziut mbërriti një mesazh, mesa duket nga një militant partie, ku përmendte analistin Baton Haxhiu dhe nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës Arbjan Mazniku, për të cilët shprehte pakënaqësinë e prezencës së tyre në Opinion.

Blendi Fevziu: Kam një mesazh për të kuptuar në fakt, se po e shihja tani, është për të kuptuar se si njerëzit nuk pranojnë kurrë mendimin kundër. Duan të dëgjojnë vetëm të tyren. Thotë dikush, s’e di kush është, s’e njoh si numër: Pse fton kollovarin e Vuçiçit dhe të degjeneruarin e Veliajt. Kjo – thotë – tregon që ju keni kthyer televizion”. Shef 2 veta këtej, nuk shef 3 veta këtej….

Armand Shkullaku: Ose ndoshta është me PD-në.

Blendi Fevziu: Dhe ato nuk i quan…

Armand Shkullaku: Jo…

Grida Duma: Problemi është që e ka urrejtjen shumë më të madhe.

Blendi Fevziu: Pse me urrejtje veprohet? Këtu veprohet me logjikë jo me urrejtje.

Armand Shkullaku: Militanti s’ka logjikë.

Blendi Fevziu: Gjysma e mesazheve thonë pse merr Artan Hoxhën ose merr Shkullakun, gjysma thotë… Po për të kuptuar pse nuk bëhet votim, sepse njerëzit humbin logjikën dhe fillojnë flasin kështu.  

Mazniku: PS në 25 Prill fiton nga 73 deri në 78 mandate

Arbian Mazniku, nënkryetar i Bashkisë Tiranë, ka bërë sot parashikimin për zgjedhjet e 25 Prillit. I ftuar sot në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Mazniku u shpreh se Partia Socialiste do të marrë 73 deri në 78 deputetë.

Sipas tij se PS nuk do të marrë më pak se 73 deputetë, pasi sipas tij veprimet që ka bërë qeveria kanë rezultuar të suksesshme.

Blendi Fevziu: Ka një konsum të Partisë Socialiste në këtë 8-vjeçar? Ka një pakënaqësi, si u del juve në sondazhe?

Arbian Mazniku: Tani, përsëritja e veprimeve tona ka dhënë rezultat në secilin lart. Ne kemi bërë një fushatë ka një rritje të votave, ata kanë bërë një fushatë kanë marrë më pak vota. Përsëritja e veprimeve që ne bëjmë është përsëritje me trend rritës. Partia Socialiste në zgjedhjet e ardhshme do të marrë nga 73 në 78 deputetë. Dyshemeja 73, tavani do jetë 78.

Blendi Fevziu: Qenke rakorduar me Batonin….

Arbian Mazniku: Nuk jemi rakorduar.

Baton Haxhiu: As që jam takuar fare.

Arbian Mazniku: Unë them që 73-shi do jetë dyshemeja…

Artan Hoxha: Një sondazh bëjnë.

Armand Shkullaku: Nuk ka nevojë për rakordim se…

Zgjedhjet 2021| Artan Hoxha: Sa i mundshëm është rrotacioni politik

Pas 8 viteve të qeverisjes së majtë të Partisë Socialiste, opozita synon që të realizojë rrotacionin politik. Por sa e mundshme është kjo, duke pasur parasysh që në zgjedhjet e vitit 2017, Partia Demokratike humbi një pjesë të votuesve të cilët nuk dolën për të votuar.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, analisti Artan Hoxha u shpreh se humbja e votave të PD-së në vitin 2017 tregoi një fluiditet brenda së djathtës.

Ai ka shtruar pyetjen nëse i njëjti fenomen mund të ndodhë edhe brenda Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 Prillit 2021. E në këtë aspekt, duke iu referuar historisë, ai nuk e përjashton një tezë të tillë.

“A ka mundësi që të ketë fluiditet majtas? Po ti hyjmë dhe më përpara zgjedhjeve, kemi parë dhe fluiditet majtas, kështu që gjërat nuk janë të ngrira. Ka një përqindje jo të vogël të elektoratit shqiptar që ndryshon votën, i përshtatet kohës ose për çështje fryme ose për çështje pragmatizmi individual, e lëviz votën”, u shpreh analisti Artan Hoxha.

Analiza e Baton Haxhiut: Si ndryshon rezultati në 2021 dhe pse PD ka humbur shumë vota

Analisti Baton Haxhiu ka analizuar rezultatet e zgjedhjeve të fundit dhe ka bërë një parashikim se si mund të jetë rezultati i zgjedhjeve të vitit 2021.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Haxhiu tha se PD ka humbur shumë elektorat nga PR dhe LSI. Po ashtu ai analizoi dhe rënien e votave në zgjedhjet e fundit duke thënë se ka ndikuar dhe ikja e Berishës nga drejtimi i partisë.

Fenomenet që kanë dëmtuar partinë Demokratike është LSI dhe Partia Republikane. Këto janë parti pa bazë ideologjike dhe pa frymë. LSI dhe PR kanë gërryer elektoratin PD, duke punësuar njerëz.

Rënia në 2013 dhe në 2017 erdhi nga pakënaqësia e PD për LSI, pasi të mirat e pushtetit i mori LSI dhe betejën e zhvilloi PD. Po ashtu një nga problemet e PD është dhe largimi i liderit historik dhe gati emërimin e Bashës në krye të PD”, tha analisti.

Për zgjedhjet e 25 Prillit, Baton Haxhiu tha se do ketë një rritje të PD dhe rënie të PS, por jo ndryshim pushtetet.

“Rezultati në zgjedhjet e 2021 do të jetë ndryshe. PR në këto zgjedhje do të ketë 1 deputet dhe votat do të shkojnë tek PD. Dhe LSI do të ketë diçka më shumë se 2009 dhe një pjesë e votave do të shkojnë tek PD. PS mund të humbasë 2 ose 3 deputetë dhe do të mbetet mbi 70 mandate”, shtoi Baton Haxhiu.