Opinion – Ngrihet SPAK, kë do të arrestojë?

Opinion – Ngrihet SPAK, kë do të arrestojë?

Autori: Blendi Fevziu

21:00 19/12/2019

Të ftuar: Artan Hoxha, Afrim Krasniqi, Prec Zogaj, Jordan Daci, Ermal Vija dhe Enton Abilekaj. Në lidhje direkte Ylli Manjani.

Krasniqi: Ne Vetting ka vendime selektive, nderhyrje politike dhe lobingje

Me ngritjen e SPAK (Struktura e Posaçme Antikorrupsion), që do të hetojë korrupsionin në nivele të larta, pritshmëritë e publikut janë të mëdha për një drejtësi të reformuar.

Pikërisht për këtë temë është diskutuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Politologu Afrim Krasniqi tha se vendimin e sotëm për zgjedhjen e kreut të SPAK, e shikon si rezultat të lobingjeve. Sipas tij, edhe në proceset e Vettingut ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, ka vendime selektive.

“Në momentin që do fillojë SPAK, s’merret më njeri me Vettingun. Vettingu nuk është më lajm në media. Por në fakt çfarë ka ndodhur me Vettingun? Ne bëjmë monitorim në procese dhe na ndodh që disa individëve ju shkon procesi 20 muaj për t’u gjykuar. Disave ju shkon 20 ditë. Dhe aty ka vendime selektive për të cilat nëse do respektohej i njëjti standard për të gjithë, ne sot do kishim 15 prokurorë në detyrë. Dhe do kishim një numër të madh strukturash të kaluara. Ka disa ndërhyrje. Ka ndërhyrje politike, por ka edhe lobingje. Për shembull, edhe vendimin sot në SPAK për kryetarin, unë e kam parë rezultat të një lobingu shumë të fortë midis prokurorëve me njëri-tjetrin, jo lobing të madh të politikës. Sidomos në KPK, ata komisionerët publikë kanë ndikim të gjithë faktorëve, dhe janë pranuar tashmë dhe nga raporte. Politika është gjithmonë e përfshirë”, deklaroi politologu Afrim Krasniqi.

Duke folur për SPAK dhe arrestimet e bujshme që priten, Afrim Krasniqi bëri paralelizmin me drejtësinë e re në Kroaci dhe Rumani, për ta krahasuar me punën që duhet të bëjë SPAK në vendin tonë për të fituar besimin e qytetarëve.

“Goditja e parë ishte ish-Kryeministri. Së fundmi është dënuar me 2.5 vite. Thelbi i kroatëve ishte i tillë: Ne do japim një shembull publik, që të fitojmë besimin e publikut. Dhe ata dhanë një goditje të madhe. Pasi kapi Kryeministrin, kapi në nivele të larta politikanë e deputetë, po nuk shkoi tek ç’na kanë lënë dosje ata Kontrollit të Lartë të Shtetit, por u morën me dosje korruptive të zyrtarëve të lartë. Në Rumani e njëjta gjë. Por kush është problemi kryesor? Në Rumani, për shembull, politika bëri një cikël katarsisi dhe politika u bashkua dhe shkarkoi prokurorin. E njëjta gjë do ndodhë në Shqipëri. Ne jemi nga vendet me elitën politike më të korruptuar. Në fazën e parë, pasi do presin si do reagojë, politikanët në Shqipëri do bëhen me njëri-tjetrin kundër SPAK”, tha Krasniqi.

Ligji i KÇK dhe SPAK-u, Manjani: Është si puna e “halli im p*llon hallin tënd”

Dosjet e nxehta që do të hetojë SPAK, Prokuroria së Posaçme Antikorrupsion, është diskutuar gjerësisht në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, në një lidhje direkte me emisionin, theksoi puna e SPAK mund të bjerë ndesh me ligjin e KÇK (Kap Ç’a të Kapësh) që ka hartuar Qeveria.

Sipas ish-ministrit Manjani, Kryeministri do të ketë mundësi të shkarkojë prokurorin e SPAK në bazë të ligjit të KÇK-së, në rastet kur ka pakënaqësi nga ky prokuror. Nëse një gjë e tillë do të ndodhë, theksoi Manjani, atëherë do të rrëzohet edhe funksioni për të cilin është ngritur SPAK.

Në qoftë se nisma e Kryeministrit për KÇK shkon deri në fund, natën e mirë SPAK-ut. Ku ka SPAK që të hetojë Kryeministrin pas kësaj? I shkon Kryeministri për ta shkarkuar. A e ke lexuar ligjin e KÇK? Ligji i KÇK është që në qoftë se mua s’më pëlqen prokurori për çështjen që ke nisur, ministri i Drejtësisë ose ministri i Brendshëm raporton.. Ligji i KÇK-së është si puna e hallit, halli im “pallon” tatin. Kjo është gjithë muhabeti. Me akt normativ po hedh poshtë Kushtetutën. Ka dhe një instrument të tretë që ëhstë inspektori i përgjigh4rhsmë është njeriu zyrtari që bën inspektimet”, u shpreh ish-ministri Manjani. 

SPAK, Artan Hoxha: Media do ketë shumë probleme, kjo është më e frikshmja…

Mbrëmjen e sotme në “Opinion” diskutimi është përqendruar në zhvillimin e fundit, atë të ngritjes së SPAK.

Gazetari Ermal Vija, ndër të tjera u shpreh se një nga kriteret që u është kërkuar tre kandidatëve që do të merrnin drejtimin e SPAK, ka qenë marrëdhënia e drejtpërdrejtë me publikun përmes medias, për çështjet që kanë ndjeshmëri të lartë.

Nga ana tjetër gazetari Artan Hoxha u shpreh se mediat, në momentin që SPAK do të fillojë të funksionojë, do të ketë shumë probleme.

“Mediat, në momentin që SPAK do të fillojë të funksionojë, me Byronë Kombëtare të Hetimit, do të ketë probleme shumë të mëdha, jo probleme, po them probleme shumë të mëdha, do t’i kemi seriozisht. Për mua kjo është më e frikshmja…”

Artan Hoxha zbulon çfarë detyre ka mbajtur prokurori Kraja në vitin 2001

Prokurori Arben Kraja u zgjodh sot drejtuesi i SPAK, Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.

Ai është më i vjetri në moshë nga të gjithë anëtarët e tjerë të SPAK dhe me eksperiencë më të madhe se kolegët e tjerë.

Por cilat kanë qenë detyrat e rëndësishme që ka mbajtur dhe dosjet që ka hetuar ky prokuror?

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetari Artan Hoxha tregoi se Arben Kraja ka qenë drejtor i Njësisë Antikorrupsion gjatë qeverisjes së Kryeministrit Ilir Meta në periudhën 2001-2002.

Kraja është edhe prokurori që ka hetuar dosjen e rrugës “Durrës-Kukës” ku ka qenë i pandehur Lulzim Basha.

Është më i vjetri në moshë dhe ka më eksperiencë nga këta. Kur ka nisur punën në ‘87 ka mbaruar Fakultetin Ekonnomik, e ka të dytë Juridikun. Ajo që kam parë tek Kraja, ka një veçanti, ka një pikë kontakti me këto që i quajmë ‘peshqit e mëdhenj’. Në vitin 2001-2002 ka qenë drejtori i Njësisë Antikorrupsion të Kryeministrit Ilir Meta. Më mbrapa e kemi tek çështja ‘Durrës-Kukës’. Vazhdimisht ka hetuar krimin ekonomik, ky është marrë kryesisht me atë sektor. Mes të gjithëve, ai më duket më elokuenti sepse ka qenë në detyra të tilla. Produkti i gjithë çështjeve që shikon sot, ne nuk kemi zyrtarë të dënuar”, u shpreh gazetari Artan Hoxha.

Ngritja e SPAK, Manjani: Të bën gjëmën, është institucion “monstër”

Ish- ministri i drejtësisë, Ylli Manjani, në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” ka folur mbi ngritjen e  SPAK.

Manjani tha se është një institucion që duhet përshëndetur teksa shtoi se për fajtorët është një institucion “monstër”.

“Ideja e krijimit të SPAK është që të krijohet një bërthamë e fortë shtetërore, e super mbrojtur, e pavarur në ekstrem edhe nga Prokuroria, e paguar mirë, që të kishte funksion luftën kundër korrupsionit dhe beteja me krimin e organizuar.

Dy detyrat themelore janë që të hetoje korrupsionin si vepër penale ndaj zyrtarëve dhe gjyqtarëve, e dyta është të hetojë veprat penale që bën krimi i organizuar, dhe e treta që disa zyrtarë të lartë, që prej presidentit e të gjithë me radhë, këto SPAK i heton për çdo vepër penale që ata mund të bëjnë.

Nuk ka kufizim, për veprat penale… të bën gjëmën, është institucion monstër për fajtorët dhe është diçka për tu përshëndetur”, u shpreh Manjani. 

Tërmeti i pasdites, flet sizmiologu: Kishte zgjatshmëri, por magnituda 4.3 nuk shkakton dëme

Sizmiologu Rrapo Ormeni, në një lidhje telefonike për emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka thënë së tërmeti i pasdites të së enjtes me magnitudë 4.3 nuk shkaktoi asnjë rrezik dhe banorët nuk duhet të frikësohen. Sipas tij, këto lëkundje sizmike ishin pasgoditje të tërmetit të fortë të 26 Nëntorit.

Sizmiologu Ormeni shpjegoi se tërmete me magnitudë të tillë nuk shkaktojnë probleme as në epiqendrën e tyre, e aq më pak në Tiranë ku vala e goditjes vjen një shkallë e gjysmë më e vogël.

Rrjeti sizmiologjik ka regjistruar tërmet sot, pra pasgoditje, i cili është regjistruar 10 km në veri të Durrësit, pra është në serinë e pasgoditjeve të 26 Nëntorit, në një thellësi 30 km nën tokë me magnitudë 4.3 të shkallës Rihter. Tërmeti kishte një zgjatshmëri më të madhe se pasgoditjet e tjera. Nuk ka vend për alarm se tani po bie një në 3-4 ditë me magnitudë 4.

Kjo magnitudë është normale, e rendit 4. Këto po vijnë duke u zvogëluar si shpejtësi, por edhe në magnitudë. Herë pas here do të ndodhin të këtij niveli. Një tërmet i tillë i madh, pasgoditjet zgjasin për periudha të gjata, zgjasin me muaj. Nuk ka vend për panik. Ky nivel magnitude nuk shkakton dëme as në zonën epicentrale, aq më tepër të ketë panik në Tiranë që vjen një shkallë e gjysmë më i vogël. Edhe pasgoditje e tjera nuk patën asnjë efekt në Tiranë”, u shpreh sizmologu Ormeni. /tvklan.al

Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

21:00 19/12/2019

Grupi

Kallezo