Eksperti analizoi sjelljen e Metës, ndërhyn Fevziu: Nuk i nxjerr dot, mos u ngatërro me atë histori

Një kamera speciale që zbulon ndjenjat dhe reagimet e njerëzve është mjeti më i fundit që përdorin studiuesit që mbledhin të dhëna dhe analizojnë sjelljet.

Eksperti Blerim Gjeladini nga “Terra Data Analytics”, në një lidhje direkte për emisionin Opinion ka thënë se përmes një kamera të tillë, që zbulon sjelljet dhe ndjenjat e njerëzve, ka analizuar Presidentin Ilir Meta në intervistën që ka dhënë për gazetarin Blendi Fevziu disa kohë më parë.

Por rezultatet e këtyre gjetjeve nuk janë bërë publike.

Blerim Gjeladini: Ne kemi bërë analizën e intervistës së Presidentit, nëse ju kujtohet ka qenë me juve kur ju kam nisur edhe kemi bërë analizë të…

Blendi Fevziu: Epo s’i nxjerr dot ato unë. Mos u ngatërro me atë histori tani.

Baton Haxhiu: Analizën e Presidentit Meta?

Blendi Fevziu: Po, por jo të tanishmes.

Blerim Gjeladini: Po. Ishte kur nuk e dekretoi ministrin e Jashtëm, edhe kjo ishte pjesë e hobit.

Blendi Fevziu: Pra nuk ishte e kontraktuar, u bë thjesht për kënaqësi për ta parë.

Arlinda Dudaj: Dhe çfarë u zbulua?

Blendi Fevziu: Nuk ta themi tani çfarë u zbulua, pse kaq kollaj zbulohen gjërat.

Fevziu tregon historinë me artikullin në gazetë: Kjo është një idiotësi

Gazetari dhe moderatori i emisionin “Opinion”, Blendi Fevziu, ka treguar sot një rast të manipulimit të lajmit dhe se si shpërndahet e pavërteta. Fevziu tha se para pak ditësh gazeta “Koha Jonë” kishte publikuar një lajm të vitit 1993, ku flitej për arrestimin e Aleksandër Frangaj dhe Martin Lekaj, të cilët qëndruan për një periudhë të shkurtër kohore në arrest shtëpie.

Por titulli i gazetës ishte lexuar të nesërmen në televizion dhe shumë e kishin menduar si të vërtetë dhe kishin shkruar në Facebook, se përse mbahej i fshehtë arrestimi i Frangaj. Më tej drejtuesi i “Opinion” tha se kjo histori është një idiotësi dhe jo thjesht një manipulim i të vërtetës.

Blendi Fevziu: Do t’u tregoj një histori të para pak kohëve. Nuk e di ma autorizon apo jo. Është një histori interesante, për të kuptuar si reagojmë. Është një histori shumë komike. Nikoll Lesi riboton shkrimet më të rëndësishme të gazetës “Koha Jonë” ndër vite. Dhe poston një shkrim të vitit 1993, kur Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka u arrestuan dhe u vendosën në arrest shtëpie.

Titulli ishte  “Aleksandër Frangaj në arrest shtëpie” dhe nën titulli ishte “Ne nuk do të dorëzohemi, do të qëndrojmë përball presionit e bla bla bla” dhe ishte teksti që thoshte “Azem Hajdari shkoi t’i takonte Aleksandër Frangajn në shtëpi…”. Në mëngjes ky titull u lexua në televizion, brenda ditës ishin mbi tetë statuse që thoshin: Pse nuk tregoni që Aleksandër Frangaj është në arrest shtëpi por mbahet e fshehtë. Tani ishte… e ka ripublikuar shkrimin tani në vitin 2020. Njerëzit kanë dëgjuar titullin në televizion dhe e kanë menduar si të vërtetë. Kjo nuk është manipulim, por është idiotësi.

Baton Haxhiu: Po cili është qëllimi i botimit të këtij shkrimi. E para, e para…

Blendi Fevziu: Kjo është puro idiotësi.

Baton Haxhiu: Në një botë normale….

Ori Nebiaj: Po ky është terreni i mediave sociale, injoranca.

Baton Haxhiu: Në një botë normale ajo gazetë nuk do të ekzistonte nëse do të botonte diçka të tillë. Sepse kur boton diçka të tillë duhet të kesh një arsye.