Bojaxhi: Po shkatërrohet historia për të ndërtuar objekte komerciale

Aktivisti Gjergj Bojaxhi ishte i ftuar këtë të martë në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku u shpreh se në vendin tonë po shkatërrohet historia për të bërë ndërtime komerciale.

Bojaxhi u shpreh se vitin e fundit në Tiranë janë hequr me dhjetëra monumente kulture.

“Shqipëria është i vetmi vend ku monumentet e kulturës hiqen nga listat. Nuk ka asnjë vend, ku një objekt është pjesë e një kompleksi dhe ikën nga monument kulture. Nuk ka një liste monumentesh kulture. Vetëm në vitet e fundit në Tiranë janë hequr me dhjetëra monumente kulture. Nuk është problemi vetëm i teatrit sepse teatri është vetëm një simbolikë, një fenomen sepse këtu po shkatërrohen historia, trashëgimia e kryeqytetit, por edhe e Shqipërisë për të bërë objekte komerciale dhe për të ndërtuar”, tha Bojaxhi.

Aktivisti shtoi ndër të tjera se nuk ka një faqe në internet për monumentet e kulturës pasi është hequr lista.

Mazniku hedh poshtë pretendimet: Nuk pati asnjë person brenda teatrit gjatë shkatërrimit

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, është shprehur këtë të martë se nuk ka pasur asnjë person brenda godinës së Teatrit Kombëtar gjatë momentit të shembjes.

Ai tha se deklaratat e artistëve për persona brenda gjatë shkatërrimit janë të pavërteta. Po ashtu, Mazniku theksoi se janë hequr të gjitha rekuizitat dhe janë depozituar në një vend të sigurt.

Blendi Fevziu: Ka pasur një pretendim dhe nga zoti Budina është konfirmuar që ka pasur njerëz brenda?

Arbjan Mazniku: E pavërtetë. Është 100% e pavërtetë.

Blendi Fevziu: Zoti Budina pretendon që ka qenë Neritan Liçaj dhe disa persona të tjerë.

Arbjan Mazniku: Neritanin a e patë teksa po dilte nga objekti.

Blendi Fevziu: Është shembur duke lënë brenda rekuizitat, dokumentet dhe madje sot pashë foto të regjistrimeve të teatrove përpara se të filloheshin nga televizioni. Thënë ndryshe gjithë trashëgimia e 70 viteve.

Gjergj Bojaxhi: E gjitha e hequr me fadroma.

Arbjan Mazniku: Të gjitha rekuizitat janë hequr dhe depozituar.

Blendi Fevziu: Edhe shiritat e regjistrimeve?

Arbjan Mazniku: Çdo gjë. Të gjitha pjesët janë hequr, janë stivosur. Pasi është goditur elementi i parë, janë marrë 6 orë për të zbrazur gjithë teatrin.

Debati Bojaxhi-Mazniku:Cila procedurë? Që te kjo zona e zezë do bëj ça të dua dhe ju si qytetarë s’dini gjë deri sa ta bëj?

Mbrëmjen e kësaj të marte në emisionin “Opinion” në Tv Klan, përballë njëri-tjetrit në një debat për Teatrin Kombëtar dhe vendimin për ta shembur, ishte aktivisti Gjergj Bojaxhiu dhe nënkryetari i bashkisë së Tiranës Arbjan Mazniku.

Bojaxhiu i është drejtuar Maznikut duke e pyetur nëse në planin urbanistik të Tiranës ekziston ndërtimi që duan të bëjnë apo jo, ndërsa ai u përgjigj se plani urbanistik nuk merret me objekte specifike.

Gjergj Bojaxhiu: Zoti Mazniku, qëparë përmendët që meqë keni fituar votat do i bëni këto gjëra… Në planin urbanistik të Tiranës, ekziston kjo gjë që doni të bëni?

Arbjan Mazniku: Plani urbanistik nuk merret me objekte specifike.

Gjergj Bojaxhiu: Merret me zona, në gjithë këto konsultime që ju keni bërë, kjo zonë dhe zona të tjera në qendër të Tiranës ku po bëni kulla, nuk janë pjesë e planit urbanistik, nuk ka asnjë shenjë që thotë ‘këtu do ndërtohet diçka me intensitet’.

Arbjan Mazniku: Ka një procedurë, ka një rregullore.

Gjergj Bojaxhiu: Kjo nuk është procedurë, kjo është anashkalim dhe mashtrim i qytetarëve.

Arbjan Mazniku: Është procedurë.

Gjergj Bojaxhiu: Cila procedurë? Që tek kjo zona do e lë të zezë dhe do bëj ça të dua dhe ju si qytetarë s’dini gjë deri sa ta bëj?

Arbjan Mazniku: Jo, s’është ajo.

Gjergj Bojaxhiu: Po cila është?

Arbjan Mazniku: Procedura thotë sipas nenit kaq, kjo zonë zhvillohet me këtë rregull.

Gjergj Bojaxhiu: Ku nuk ka asnjë gjë në plan urbanistik që tregon se ajo zonë ndërtohet me kulla?!

Arbjan Mazniku: Sigurisht që ka!

Gjergj Bojaxhiu: Tani dhe një pyetje tjetër. Çfarë do bëhet me pronën publike që është mbrapa teatrit?

Arbjan Mazniku: Kjo është një procedurë që Këshilli Bashkiak me kryetarin e bashkisë dhe institucionet, kur të gjejnë momentin….

Gjergj Bojaxhiu: Domethënë tani do bëjmë teatër me lekët tona dhe prona publike nga mbrapa do fluturojë?!

Arbjan Mazniku: Jo, Tirana është e ndarë për këtë çështje në dy element… 5200 metra truall i teatrit dhe 1250 kilometra katrorë të cilat zhvillohet sipas planit rregullues që ka qyteti.. Çfarë do ndodhë më këtë është një çështje që në këtë moment nuk ka më lidhje me teatrin.

Blendi Fevziu: Pyetja që po bën Bojaxhiu është që a  u shemb teatri për t’i hapur vend kullave pas teatrit?

Gjergj Bojaxhiu: Çfarë do ndodhi me pronën publike dhe çfarë do ndodhë me pedonalen? Do vazhdojmë ta kemi?

Arbjan Mazniku: Po.

Gjergj Bojaxhiu: Prona pas teatrit nuk do tjetërsohet? Do ngelet pronë e qytetarëve të Tiranës? Nuk do tjetërsohet në asnjë lloj forme?

Arbjan Mazniku: Jo nuk do tjetërsohet, ne mund ta zhvillojmë pronën…

Blendi Fevziu: A e keni në plan ta jepni me përqindje që një privat nesër ta zhvillojë dhe t’ju japë përqindje sipas formulës?1

Arbjan Mazniku: Ketë nuk e vendos unë, vendimin e merr Këshilli Bashkiak.

Blendi Fevziu: Këshilli Bashkiak është 100% i juaji…

Gjergj Bojaxhiu: Cili Këshill? Ata që votuan 100% për të prishur teatrin?

Arbjan Mazniku: Të gjitha opsionet e zhvillimit të çdo prone në Tiranë janë aty për të gjykuar në moment që ka një plan për ta zhvilluar…

A.Bejtja: Për teatrin dhe të vras në mënyrë figurative/B.Haxhiu: Çfarë gabimi bëra?

Shembja e Teatrit Kombëtar ishte një nga temat që u diskutua këtë të martë në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Diskutimet u shoqëruan me një debat mes analistëve Andi Bejtja dhe Baton Haxhiu.

Gjatë fjalës së tij, Bejtja citoi një arkitekt italian, i cili thoshte për Teatrin Kombëtar se, “është një punë e njohur botërisht e përsosmërisht arkitektonike italiane e admiruar dhe botuar në shumë libra shkencorë si një nga shembujt e parë në Europë të parafabrikatëve të bërë në Milano dhe të montuar në patentë ekskluzive në vitin 1938 në Tiranë asokohe”.

Për këtë fakt, teatri sipas analistit është një trashëgimi kulturorePrandajBejtja i kërkoi Haxhiut që atë mos bënte debat mbi teatrin dhe i tha që të mos bënte gabim të mendonte pro prishjes së teatrit.

Sipas tij, çështja e teatrit është shumë e rëndësishme për të si një qytetar i Tiranës dhe në mënyrë figurative iu drejtuar Haxhiut duke i thënë se, “për këtë edhe të vras”.

Andi Bejtja: Kjo është qartë fare se është trashëgimi kulturore që duhet ruajtur. A ka teatër aty brenda, a s’ka teatër aty, a lozin aty, kjo për mua nuk ka shumë rëndësi.

Baton Haxhiu: Kjo është temë tjetër çfarë po thua ti.

Andi Bejtja: Për mua ka shumë rëndësi dhe po të them mos hy te kjo fushë.

Baton Haxhiu: Pse?

Andi Bejtja: Sepse kemi mendim ndryshe dhe unë të vlerësoj si qytetar dhe mos bëj gabim të mendosh si këta që mendojnë të jesh pro shembjes së teatrit.

Baton Haxhiu: Çfarë gabimi bëra?

Andi Bejtja: Mos e bëj këtë gabim sepse… Kjo për mua si qytetar i Tiranës ka shumë rëndësi pasi unë për këtë edhe të vras, ta them në mënyrë figurative.

Blendi Fevziu: Bejtja thuaje edhe njëherë?

Andi Bejtja: Në mënyrë figurative. Kjo për mua ka shumë rëndësi, kështu që mos hy tek kjo fushë./tvklan.al