32 urdhër-arrestet e SPAK, Daci: Kanë lidhje me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Nuredin Dumanit

Të ftuar: Fatjona Medini, Julian Kasapi, Spartak Koka, Eugen Beci Në lidhje nga SPAK – Glidona Daci Pjesa e dytë të ftuar: Enton Abilekaj, Ervis Iljazaj Ne skype: Dashnor Sula, Edi Paloka

Gazetarja e Tv Klan, Glidona Daci ka dhënë më shumë detaje në lidhje me goditjen e SPAK të 8 grupeve të mëdha kriminale.

Nëpërmjet një lidhje Skype për emisionin “Opinion”, Gaci ka thënë se 32 urdhër-arrestet që janë firmosur nga Prokuroria e Posaçme dhe janë firmosur më pas nga Gjykata, kanë lidhje me ngjarjet ku Duumani ka qenë i përfshirë drejtpërdejtë.

Blendi Fevziu: Cila është lidhja mes 32 personave?

Glidona Daci: Lidhja është e konfirmuar tashmë dhe nga dosja e Prokurorisë së Posaçme. Është Nuredin Dumani që u zbërthye nga ana e Prokurorisë së Elbasanit, e cila më pas i drejtoi dosjen SPAK-ut me 6 ngjarje kriminale ku ngriti dhe akuzën e grupit të strukturuar kriminal pasi Dumani nisi të fliste dhe të tregonte jo vetëm ngjarjet ku ka qenë vetë i përfshirë, por edhe ngjarje të tjera kriminale për të cilat ai kishte dijeni. Në dosjen hetimore, janë 17 akuza të ngritura në ngarkim të Nuredin Dumanit, ku ai ka treguar edhe persona të tjerë përgjegjës, qoftë edhe porositës apo edhe persona që ka qenë bashkëautorë në krim. Nuredin Dumani ka treguar gjithashtu dhe një sërë detajesh edhe për dosjet të cilat kanë të bëjnë që nga viti 2011 deri në 2022 ku ai rezulton dhe vetë i përfshirë.

Blendi Fevziu: I bie që Nuredin Dumani ka folur për gjithçka që ka ditur jo vetëm një ngjarje të vetme?

Glidona Daci: Është Nuredin Dumani si person i cili ka marrë porosi, ka kryer ekzekutime dhe ka treguar dhe për ngjarje të tjera për të cilat ka pasur dijeni. Aktualisht janë 32 urdhërarreste që janë firmosur nga Prokuroria e Posaçme dhe janë firmosur më pas nga Gjykata, që kanë lidhje me ngjarjet ku Dumani ka qenë i përfshirë drejtpërdejtë.

Blendi Fevziu: Pra, të 32 arrestime kanë lidhje me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Dumanit?

Glidona Daci: Kanë lidhje me përfshirjen e drejtpërdrejtë të tij ku ai ka dhënë detajet dhe kur është rekrutuar nga personazhe të tjerë të botës së krimit. Nuredin Dumani i ka treguar me detaje përballë grupit të hetimit fillimisht në Prokurorinë e Elbasanit dhe më pas dosja ka kaluar në Prokurorinë e Posaçme, ku tashmë kemi dhe 32 urdhërarrestet.

Artan Hoxha deklaratë të fortë: Talo Çela mund të jetë vrarë

Dosja e bujshme e SPAK e emërtuar “Plumbi i Artë” që ka zbardhur një seri ngjarjesh kriminale pas dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumani, është diskutuar në emisionin Opinion në Tv Klan.

Gazetari Artan Hoxha, në një lidhje me Skype për Opinion, nënkuptoi se Talo Çela mund të jetë vrarë, duke thënë se “nuk besoj se do kemi mundësi më ta shikojmë imazhin e tij”.

“Kam dyshime se Talo Çela nuk do kemi më mundësinë ta intervistojmë por as të shohim imazhin e tij. Dhe besoj që kjo gjë ka ndodhur pas momentit që Nuredin Dumani është arrestuar. Unë dyshoj që nuk kemi për ta parë më. Uroj që ta kem gabim, por kam shumë dyshime që ne nuk do kemi mundësinë të bëjmë atë që bëri Taku, ta intervistojmë Talo Çelën”, u shpreh Artan Hoxha.

Publikohet foto e Nuredin Dumanit që mbushte makinën me karburant para se të vriste vëllain e Talo Çelës

Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës, u vra më 17 Nëntor 2020 në një lokal në zonën e Bradasheshit në Elbasan. Nuredin Dumani, së bashku me Besmir Xhixhën dhe Enver Divën, janë akuzuar për vrasjen e Bujar Çelës.

Nuredin Dumani, i penduar i drejtësisë, ka rrëfyer vetë se si e kreu këtë krim. Por përpara vrasjes ai kishte furnizuar me karburant makinën e vjedhur Mercedes që përdorte.

Për herë të parë, gazetari Spartak Koka ka publikuar në emisionin Opinion në Tv Klan foton e Nuredin Dumanit duke furnizuar makinën me karburant. Personi në foto është punonjësi i karburantit, ndërsa brenda mjetit vetë Nuredin Dumani.

Ky i fundit ka paguar me një kartëmonedhë 50 Euro, dhe pikërisht nga kjo kartëmonedhë hetuesit zbuluan Dumanin. Në kartëmonedhën 50 Euro, përmes ekspertizës shkencore, u zbulua shenja e gishtit të dorës së majtë të Dumanit.

Spartak Koka nxjerr videon e vrasjes/ Si u eliminuan Lulzim Bitri e Ardian Çollaku. Kush ishte personi i 3 që shpëtoi

Gazetari dhe drejtuesi i emisionit Uniko, Spartak Koka, ka publikuar në emisionin Opinion në Tv Klan pamjet e vrasjes së Lulzim Bitrit dhe Ardian Çollakut, ngjarje e ndodhur më 5 Tetor 2021 në Elbasan.

Në këto pamje, dy viktimat qëndrojnë qetësisht në këmbë duke biseduar me njëri-tjetrin. Aty afrohet makina e autorëve, një mjet tip Benz, të cilën vërtiten përreth karburantit, me gjasë për t’u siguruar për dy objektivat e tyre.

Më pas ndalojnë shumë pranë Lulzim Bitrit dhe Ardian Çollakut. Nga dera e parë e pasagjerit zbret njëri prej vrasëse dhe qëllon me breshëri arme. Del edhe personi i dytë nga makina dhe qëllon në drejtim të shënjestrave. Të dy, Lulzim Bitrit dhe Ardian Çollaku mbetën të vrarë.

Gazetari Spartak Koka deklaroi se bashkë me dy viktimat ishte edhe një person i tretë, Florenc Çekrezi. Ky person i shpëtoi atentati, duke mos e prekur asnjë plumb.

Gazetari Koka deklaroi se Florenc Çekrezi, bazuar në dëshminë e Nuredin Dumanit para hetuesve të SPAK, ka qenë personi që vendosi tritolin në shtëpinë e Talo Çelës.

Kujtojmë se Florenc Çekrezi u arrestua sot si pjesë e operacionit të SPAK për goditjen e 8 bandave kriminale që veprojnë në 3 qytete.

Florenc Çapja i dërgon mesazh në celular gazetarit Spartak Koka

Teksa në emisionin “Opinion” po diskutohej në lidhje me 32 urdhërarrestet e nxjerra nga SPAK, gazetari Spartak Koka ka bërë publik mesazhin që i ka ardhur në numrin e punës të një personi që pretendon se është Florenc Çapja i cili është i shpallur në kërkim.

Spartak Koka: Kemi një informacion të fundit, njëri prej personave i cili është i akuzuar dhe i shpallur në kërkim si i përfshirë dhe porositës, bëhet fjalë për ngjarjen të cilën shpjegon Nuredin Dumani se ka marrë një porosi nga Florenc Çapja, Vis Kurçari, Bled Muçja dhe Eljo Bitri që të vriste dhëndrin e ish-kryetari të bashkisë së Elbasanit, Sokol Sanxhaktarin në shumën prej 200 mijë eurosh pasi ishte lidhje  e Suel Çelës dhe ku Dumani shpjegon me detaje. Më shkruan në numrin e punës të emisionit “Uniko” një person i cili thotë se është Florenc Çapja.

Blendi Fevziu: Ai thotë që është?

Spartak Koka: Florrenc Çapja aktualisht po ndjek emisionin live.

Blendi Fevziu: Me çfarë numri, a është në Dubai?

Spartak Koka: Dhe thotë që unë këta persona kurrë në jetën time nuk i kam takuar dhe me këta persona, me asnjërin prej tyre, as nuk kam folur dhe as nuk i kam parë asnjëherë. E ka fjalën për Nuredin Dumanin dhe Enrik Hoxhën. As nuk kam folur në telefon dhe as nuk i kam takuar kurrë.

Blendi Fevziu: Pretendon se është Florenc Çapja?

Spartak Koka: Po.

Spartak Koka zbulon arsyen: Përse u prish miqësia e dy shokëve Talo Çela dhe Nuredin Dumani

Talo Çela dhe Nuredin Dumani, të konsideruar si vrasës me pagesë, dikur kanë qenë miq të ngushtë ndërsa prej disa vitesh tentojnë të vrasin njëri-tjetrin apo bashkëpunëtorët e tyre.

Nuredin Dumani u arrestua para më shumë se 1 muaji, ndërsa Talo Çela vijon të jetë në kërkim nga policia si një nga personat më të rrezikshëm.

Gazetari Spartak Koka, i ftuar në emisionin Opinion, ka zbardhur pjesë të dëshmisë që Nuredin Dumani ka rrëfyer përpara hetuesve të SPAK, si i penduar i drejtësisë dhe që ka treguar shumë ngjarje kriminale.

Në këtë rrëfim të tij, ndër të tjera i jepet përgjigje edhe pyetjes përse është prishur miqësia midis Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës?

“Ne kemi bërë pyetje vazhdimisht gjatë këtyre viteve përse është prishur miqësia e Nuredin Numanit me Talo Çelën, dy shok të ngushtë dhe ai jep sqarimin në këtë dëshmi. Pas vrasjes së Andi Zylyfit, djalit të hallës së Erion Alibej. Në vitin 2019-të pasi kam dalë nga burgu më ndodhi një konflikt me Talo Çelën pas vrasjes së Andi Zylyfit e ndjeva veten të përdorur për arsyen se Benzi që u përdor për ngjarjen dhe vrasjen mua ma kishin falur. Unë po e mbaja ta shfrytëzoja për një ngjarje tjetër, grabitje ose vrasje dhe këto ma kërkuan duke thënë se i duhej shpejt se do kryenin vrasjen e Andi Zylyfit.

Makina ishte Mercedes – Benz E Class ngjyrë gri të cilën e kam patur te garazhdi. Kjo makinë ka ndryshuar ngjyrë 3 herë tek servisi i Dorjan Shkozës, këtu na lidhet edhe vrasja e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdias, të cilët ne i lidhnim vetëm me pjesën e grabitjes së Rinasit. Por në të vërtetë ata kanë qenë pjesë e infrastrukturës së mirëmbajtjes së gjithë aktivitetit kriminal të grupit. Unë i kërkova Talos të merra pjesë në vrasje pasi kisha mbetur pa lekë, por ai më tha nuk të fus dot se është në pjesë Mir Haxhia, një nga vëllezërit që mbeti i vrarë në zonën e Nishtullave dhe Altin Doci, i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia.

Ata kanë marrë kaparin, Talo më tha se do ta zëvendësonte makinën pasi të mbaronte ngjarja. Makinën nuk ma zëvendësoi dhe nuk më dha as lekët që më premtoi. Këtu fillon përplasja e grupeve. Disa ditë më vonë pas ngjarjes po debatoja me Talon se ngjarja kishte ndodhur në Peqin dhe Policia kishte ardhur në Durrës për kontroll tek shtëpia ime, thërritëm edhe vëllain tim, por s’ka lidhje fajin Talo ja vinte Fatos Gosës, informator i lëvizjeve të Andi Zylyfit.

Është bashkëpunëtor tek të gjitha vrasjet që kanë ndodhur në Elbasan duke filluar nga Indrit Dylgjeri, dy vëllezërit Baho dhe Andi Zylyfi. Pas atentatit të Andi Zylyfit i kam shkuar me urdhër të Talo Çelës, Dine Çamit se këtu janë përplasur fizikisht palët”, ka deklaruar gazetari Spartak Koka në emisionin Opinion në Tv Klan.