Të ftuar: Andi Bejtja, Ervis Iljazaj, Mira Kazhani dhe Preç Zogaj. Në lidhje direkte Luan Rama nga LSI

Kazhani krahason gjyqtarët e Kushtetueses me trajnerin Mourinho, por kapet ngushtë nga Fevziu

Në krahasim me gjyqtarët kushtetues të vendeve perëndimore, në Shqipëri këta gjyqtarë janë rreth 25 vjet më të rinj.

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu pyeti të ftuarit nëse përbën problem mosha e vogël e gjyqtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Gazetari Andi Bejtja thotë se nuk është paragjykues ndaj moshës, por u shpreh se në Vetting duhet të kishin kaluar fillimisht gjyqtarët e gjykatave të tjera dhe Gjykata Kushtetuese të lihej për në fund në mënyrë që të shmangej ngërçi kushtetues që është aktualisht.

E pyetur për të njëjtën gjë, gazetarja Mira Kazhani krahasoi rastin e trajnerit të futbollit Jose Mourinho me gjyqtarët e rinj të Kushtetueses. Sipas saj, edhe Mourinho ishte asistent por sot është një nga trajnerët më të mirë në botë. Duke hequr vija paralele me moshën e re të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Mira Kazhani theksoi se këta gjykatës do të japin prova.

Por në këtë pikë, gazetarja u kap ngushtë nga argumenti i Blendi Fevziut, i cili i kujtoi rastin e javës së kaluar, kur 4 gjyqtarët e Kushtetueses u ndanë 2 me 2 për kolegen e tyre Marsida Xhaferllari, nëse i takon asaj mandati apo Arta Vorpsit.

Blendi Fevziu: Mosha më e re shqiptare, 20-25 vjeç nën mesataren e vendeve të tjera të zhvilluara, është pozitive apo problematike?

Andi Bejtja: Prandaj ka pasur zëra në fillim të kësaj reforme, dhe nga Komisioni i Venecias në vitin 2015, është thënë që ky lloj Vettingu do sjelli problem. Gjykata Kushtetutese ka funksionuar më mirë se gjykatat e tjera. Kjo që kemi pasur. Ekspertët thonë që është bërë gabim që reforma është bërë nga sipër poshtë, duhet të ishte bërë nga poshtë sipër. Dhe po të ishte Gjykata Kushtetuese në fuqi sot dhe të ishin bërë gjërat e tjera, ne nuk do kishim pasur këto probleme që kemi.

Blendi Fevziu: Mosha e re është pozitive apo është negative?

Andi Bejtja: Nuk dua të paragjykoj njeri, por këta kanë qenë shumica kanë qenë asistentë të këtyre, ca s’kanë kaluar as fakultetin. Nuk e paragjykoj moshën.

Blendi Fevziu: Mira, mosha është avantazh apo disavantazh?

Mira Kazhani: Asistent ka qenë dhe Mourinho por u bë fantastik si trajner.

Blendi Fevziu: Por dha prova!

Mira Kazhani: Edhe këta mund të japin prova se nuk e kemi provuar.

Blendi Fevziu: Jo, prova e parë që dhanë ishte katastrofë. U ndanë dy me dy politikisht. Në rastin e parë që diskutuan një çështje treguan që ishin dizastër.

Mira Kazhani: Treguan që ishin të rinj.

Blendi Fevziu: U ndanë dy me dy politikisht që tregon që do vazhdojnë traditën politike të votimit, që është e tmerrshme.

Mira Kazhani: Në momentin që ata do të jenë të zgjedhur dhe do jenë me funksion të plotë në Gjykatën Kushtetuese, nuk do të jenë në tollovinë e medias dhe të politikës, sigurisht do të rriten. Mosha e re nuk është dhe avantazh shumë i madh, por në Shqipëri besoj nuk është një zgjedhje e keqe, është një zgjedhje e mirë. Do t’u japim kohë që të plaken. 

Luan Rama: Opozita gati për zgjedhje të parakohshme, çfarë u diskutua sot me Presidentin

Ish-deputeti i LSI Luan Rama, në një lidhje direkte për “Opinion” në Tv Klan, foli për atë çfarë u diskutua ditën e sotme në takimin e Presidentit të vendit Ilir Meta me krerët e partive të frontit opozitar.

Rama u shpreh se në vëmendje të këtij takimi ka qenë kriza politike në të cilën ndodhet vendi, ndërsa deklaroi se Presidenti ka ndikuar dhe është përpjekur që të ushtrojë presion pozitiv mbi opozitën për ta ndërtuar aksionin politik mbi bazën e një platforme që ka në themel kushtet e dhëna nga rezoluta e Bundestagut.

“Në vëmendje ishte kriza politike në të cilën ndodhet. Shteti praktikisht është i rënë sepse Kuvendi dhe Institucionet e tij janë ilegjitime, i vetmi institucion që është legjitim është Presidenca. Presidenti ka informuar palët për situatën në të cilën ndodhet vendi, me dokumentet, faktet dhe argumentet që ai ka. Ai ka ndikuar dhe është përpjekur të ushtrojë presion pozitiv mbi opozitën për ta ndërtuar aksionin politik mbi bazën e një platforme që ka në themel kushtet e dhëna nga rezoluta e Bundestagut”, u shpreh Rama”.

Ai foli edhe për hapat që opozita do të ndjekë në vijim.

“Hapat do të jenë përfshirja e opozitës në kontribute reale në procesin e reformës zgjedhore dhe krijimi i një baze ligjore, që pas reformës zgjedhore të mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Opozita duhet të mbrojë demokracinë e vendin me të gjitha mjetet demokratike, nga tryeza e dialogut deri tek protestat masive. Zgjedhjet e parakohshme janë një nga zgjidhjet e krizës“.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse opozita është gati për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, Rama tha se opozita është e gatshme të shkojë në zgjedhje “që të dielën më të parë të nëntorit”.

Blendi Fevziu: Në Parlament janë një bandë injorantësh nën nivelin mesatar

Gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Opinion” Blendi Fevziu e konsideron bandë injorantësh disa deputetë në Parlament që kanë hyrë pas djegies së mandateve të Partisë Demokratike dhe LSI-së.

Debati për këtë çështje nisi pas deklaratës së ish-deputetit të LSI Luan Rama, kur tha se ky Parlament duhet të qëndrojë sa më shumë në mënyrë që qytetarët të kuptojnë standardin e injorancës ku po mbështetet mazhoranca.

Luan Rama: Unë mendoj që ai Parlament duhet të rrijë sa më gjatë që shqiptarët të kuptojnë se ku është standardi i ligësisë dhe injorancës me të cilën ku mbahet mazhoranca sot.

Blendi Fevziu: Është kosto për vendin kjo z.Rama. Kjo nuk do të thotë thyej kokën ti që ta marrësh vesh se po ecën keq. Jo se kjo është e tmerrshme. Ke një Parlament gjysma e të cilëve është karagjoz që kur i dëgjon që flasin. Është përgjegjësia juaj që i latë. Në fakt është përgjegjësi e kryetarëve të partive që i kanë vënë në listë, disa prej tyre jo të gjithë, disa një bandë injorantësh që janë nën nivelin mesatar të shoqërisë. Nën nivelin më të ulët, jo mesatar. Unë s’e kuptoj si janë ata persona në listat e partive. Kush i ka vendosur dhe me çfarë standardi.

Luan Rama: Prandaj po them, shoqëria shqiptare duhet ta përzërë përfundimisht cilindo që është i lidhur me atë realitet politik, me atë produkt politik.

I pyetur për vendimin e Presidentit Ilir Meta që nuk pranon në zyrë dhe nuk e njeh ambasadorin e OSBE Borchardt, Luan Rama u shpreh se ky vendim duhet të ishte marrë kohë më parë nga Ministria e Jashtme pas gishtit të mesit që ambasadori u tregoi qytetarëve.

Luan Rama: Padyshim është veprim korrekt dhe do duhej që këtë qasje ta kishte ndërmarrë Ministria e Jashtme në momentin kur ambasadori e bëri atë gjest. Ajo që thotë Preçi që është pak i vonuar, nuk ka lidhje se dje ju dha mundësia Borchardt që të shkonte në Presidencë dhe nuk e pranoi atë. Është ajo që duhej bërë dhe besoj që thirrja që i është bërë atij në Vienë është e lidhur me këtë çështje. /tvklan.al