Të ftuar në Opinion përballë kryeministrit Edi Rama: Erla Mëhilli, Mentor Kikia, Robert Rakipllari dhe Dorjan Kodra.

Fevziu: Klani, kërkesë për të marrë 20 gazetarë dhe operatorë afganë për të punuar

Gazetari Blendi Fevziu bëri me dije këtë të enjte gjatë emisionit “Opinion” se Tv Klan ka kërkuar që të marrë 20 gazetarë dhe operatorë afganë për të punuar.

Kryeministri Edi Rama, i cili ishte i ftuar në studio, u shpreh se gazetarët afganë që po strehohen në Shqipëri kanë qenë punonjës të mediave më të rëndësishme ndërkombëtare, por edhe kombëtare në Afganistan.

Mentor Kikia: Çfarë pune do të bëjnë ata se kostot i kanë të paguara…

Edi Rama: Nuk është ashtu jo, ata kanë kosto minimale.

Blendi Fevziu: Mentor, Klani mesa di unë ka kërkuar të marrë 20 gazetarë afganë, operatorë për të punuar këtu. T’i mirëpresim edhe të punojnë.

Edi Rama: Merrini një orë e më parë që të rrisni nivelin. Më kanë bërë shumë përshtypje, janë gazetarë që kanë punuar për gazetat më të mëdha të botës dhe janë gazetarë edhe të një mediaje që ishte më e madhja afgane që janë të gjithë me anglisht dhe me studime në Amerikë. Kështu që merrni sa të mundni.

Rama flet për dialogun Kosovë-Serbi: Nuk kam synim ndryshe nga Albin Kurti sa i përket rezultatit final

Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të enjte se dialogu Kosovë-Serbi duhet të zhvillohet në një atmosferë më të hapur dhe jo mbylljesh e barrikadimesh.

Gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan ai tha se paqja përfundimtare duhet kërkuar duke punuar drejt disa pikave siç janë turizmi, transportet, etj. Por sipas tij, paqja përfundimtare nuk arrihet me Facebook dhe barrikada.

Kreu i qeverisë u shpreh se nuk ka synim të ndryshëm nga Albin Kurti sa i përket rezultatit final.

“Dialogu, i cili zhvillohet në një atmosferë mbylljesh të të gjithëve, barrikadimesh ka shumë më pak shanse se dialogu që zhvillohet në një atmosferë ku ndërkohë që bëjmë një dialog, nuk jemi në luftë. Kjo është e qartë. Nuk jemi as në paqen përfundimtare se Serbia nuk njeh Kosovën. Në paqe Kur kërkojmë paqen përfundimtare duhet të punojmë në të gjitha ato pika ku është e mundur, pra tek turizmi, tek transportet që paqja përfundimtare që të afrohet. Nuk afrohet nëse ne bëjmë barrikada. Me barrikada dhe Facebook, Serbinë nuk e sjellim aty ku synojmë. Synimin e kemi njësoj. Unë nuk kam synim të ndryshëm nga Albin Kurti sa i përket rezultatit final. Por si arritje e rezultatin final jam i bindur… Ku e çoi Kosovën barrikadimin? Se ka disa vite barrikadimi, nuk e bëri Albini. Rrjetet sociale përcjellin një frymë. Këtu luftohet kundër të ardhmes, por të ardhmen tonë të paktën për pjesën që ne jemi sovranë në Shqipëri se ne nuk i imponohemi Kosovës”, tha Rama.

Kryeministri Rama tregon prapaskenat e ardhjes së afganëve në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar prapaskenat e ardhjes së afganëve në Shqipëri pas largimit nga vendi i tyre për shkak të talebanëve.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Rama u shpreh se çështja ka nisur në NATO, kur siç thotë Kryeministri, ka qenë ai vetë që ka ngritur problemin e bashkëpunëtorëve të SHBA se çfarë do të ndodhë me ta pasi talebanët të marrin kontrollin.

Rama shprehet se Qeveria Shqiptare është kontaktuar nga dy entitete jo qeveritare amerikane dhe më pas nga Qeveria e SHBA për të pranuar refugjatët afganë.

Kryeministri thotë se Shqipëria është treguar e gatshme, por me kusht që për shpenzimet të mbulohen nga këto entitete dhe qeveria amerikane.

“Për herë të parë, këtë çështje e kam ngritur unë në NATO kur kemi qenë në samitin e fundit, duke pasur parasysh atë që ne dimë nga historia jonë. I kam thënë që po për afganët tradhtarë, ata të cilët do të jenë në listat e tradhtarëve në momentin kur ne ikim, kemi ndonjë plan se çdo bëhet me ta se po i lamë atje…? Nuk pati vijim ai diskutim. Na janë afruar dy entitete jo qeveritare amerikane që na kanë kërkuar disponibilitet, pastaj na është afruar qeveria amerikane. Kemi qenë të qartë që ne jemi të gatshëm të ofrojmë mikëpritje, por ky nuk është një proceds që do zgjasi 1 muaj, 2 muaj, por do zgjasi shumë. I kemi thënë shumë qartë që përsa i përket shpenzimeve këto nuk mund të jenë të taksapaguesve shqiptarë. Nëse ata do rrinë këtu 1 vit e 2 vjet nuk mund të paguajnë taksapaguesit shqiptarë dhe kemi rënë dakord që këto entitete, kushdo që merr përsipër të kujdeset për këta njerëz, do paguajnë.

Ishte një variant për të ngritur kamp, unë kam thënë kampe refugjatësh në Shqipëri nuk ka. Ata këtu nëse vijnë do trajtohen si njerëz. Ne kemi dhënë disponibilitetin për 4 mijë. Nuk besoj se do të arrijë ai numër, por çështja është që gjëja do të vazhdojë. Vala e madhe do të vijë për Europën në vijim”, deklaroi Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al

Rama: Kosova ka hyrë në një cikël të rrezikshëm

“Shqipëria është sovrane në politikën e vetë të jashtme. Është e udhës që të bashkërendojnë qasjen. Unë mendoj që ne e fitojmë luftën diplomatike me një qasje strategjike si kjo që ka Shqipëria. Albini nuk mendon kështu. Atëherë është sovran të vendosi për Kosovën, por nuk vendos dot për Shqipërinë. Mendoj që Kosova ka hyrë në një cikël shumë të rrezikshëm prej disa vitesh duke e bërë politikën e brendshme politike të jashtme dhe të jashtmen politikë të brendshme. Dhe as e ka penguar Serbinë që të vazhdojë me zhvillimet e veta, as e çon përpara kauzën e vetë duke i bërë gjithmonë e më nervozë partnerët ndërkombëtarë. Në Kosovë, jo sot, por prej vitesh është bërë politika e jashtme politikë e brendshme. Për të marrë vota brenda bëhej lufta imagjinare”, tha Kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë tha se Serbia duhet të kërkojë falje për krimet në Kosovë, por sipas tij kjo duhet bërë përmes politikës dhe jo duke vendosur barrikada.

“Dialogu me Serbinë është jashtëzakonisht i vështirë. Por atmosfera e cila duhet ta rrethojë nuk mund të jetë një atmosferë barrikadash. Unë mendoj që Serbia duhet të kërkojë falje dhe mund ta çojmë te kërkimi i faljes por duhet të jemi strategjikë dhe të bëjmë politikë”.

Rama: Ballkani i Hapur, interes strategjik i kombit shqiptar

Kryeministri Edi Rama thotë se me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin ka mosdakordësi konceptuale për Ballkanin e Hapur.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Rama tha se kjo nismë është interes strategjik i kombit shqiptar.

Rama thotë se nuk e pranon dot idenë që Kosova është larguar nga tavolina e diskutimit, ndërsa Serbia është e pranishme.

Kemi një mosdakordësi konceptuale përsa i takon qasjes së politikës rajonale. Për mua Ballkani i Hapur është interes stratregjik i kombit shqiptar. Ballkani i Hapur është zbatimi i 4 lirive të BE. Ajo që është realizuar nga diplomacia jonë me Beogradin, Presidenti i Serbisë ka pranuar lëvizjen e lirë të njerëzve si pjesë e asaj që sot e quajmë Ballkani i Hapur. Procesi i Berlinit është pikërisht ky, por është shumë më i avashtë dhe që varet nga burokracia europiane. Ne nuk kemi nevojë që të na mbledhin. Ballkani i Hapur është duke u mbështetur shumë shpejt nga të gjithë. Kur ne pamë që Procesi i Berlinit filloi të zvarritej. Gjëja që nuk kuptoj është ky: dikur bëhej luftë për t’u ulur në tavolinë. Sot serbët janë në tavolinë dhe ikin kosovarët, kjo është e paimagjinueshme. Ballkani i Hapur nuk negociohet, nuk diskutohet, kjo do të bëhet”, deklaroi Kryeministri Rama. 

Qeveri e përbashkët? Rama: Do t’i bëjmë PD-së kundërofertë nëse…

Kryeministri Edi Rama deklaroi në emisionin “Opinion” këtë të enjte se do t’i drejtohet me një kundërofertë PD-së nëse opozita është gati që të “mos e shajë më Shqipërinë në anglisht”.

Kur u pyet nga gazetarët nëse kjo ofertë shkon deri në qeveri të përbashkët Rama tha se është i gatshëm që të presë çdo lloj projekti politik për të ardhmen e vendit.  

Edi Rama: Opozita është e mirëseardhur dhe jam shumë i gatshëm që të ndërtojmë një klimë të re politike dhe të përpiqemi së bashku që të mos i përcjellim shqiptarëve sa herë që hapin televizorin gjithë atë energji negative si rezultat i një politike që është 90% luftë personale dhe 10% debat për çështje.

Robert Rakipllari: Për shembull zgjedhjet  lokale. Pushteti lokal monist dhe disa pushtetarë lokalë që janë të emëruar, pavarësisht vendimit të gjykatës Kushtetuese, jeni të gatshëm që t’i ribëni zgjedhjeve që t’i jepni legjitimitet.

Edi Rama: Pushtetin lokal nuk e kemi marrë 100%, na e lanë në dorë. Çdo gjë është e mundur aty ku ka vullnet.

Robert Rakipllari: Përfshirë dhe zgjedhjet lokale se ky është lajm?

Edi Rama: Ti do lajmet për nesër, por nuk ta jap në këtë formë. Për çfarë arsye duhet ta bëjmë ne një gjë të tillë nëse një gjë e tillë nuk është pjesë e një vizioni, dhe një pune të përbashkët jo për t’u bërë njësh, por për cilat gjëra mund të jemi bashkë që janë me interes kombëtar dhe ka gjëra për të cilat mund të jemi bashkë me interes kombëtar.

Blendi Fevziu: Mund të shkohet në një qeveri të përbashkët?

Edi Rama: Sikur PD të thotë jemi gati që anglisht mos e shajmë më Shqipërinë, do më jepte motivimin që së bashku me të tjerët t’i ktheheshim me një kundërofertë të fuqishme. Sikur të na japin fjalën solemntisht që nuk do e shajmë më Shqipërinë në anglisht.

Erla Mëhilli: Cila është kundëroferta?

Blendi Fevziu: Shkon deri në qeveri të përbashkët?

Edi Rama: Nuk na e kanë bërë këtë. Kur ata të thonë që jemi gati të mos e shajmë Shqipërinë në anglisht, do jetë një kontribut i madh për Shqipërinë.

Blendi Fevziu: A shkon deri në qeveri të përbashkët?

Edi Rama: Çfarë qeverie të përbashkët, me kë?

Blendi Fevziu: Nëse opozita mund të ishte e gatshme e shihni të vlefshme ta ftoni për qeveri të përbashkët, qoftë dhe me qeveri pilot për dy vjet apo..?

Edi Rama: Nuk i shkoj pyetjeve tek e tek. Jam i gatshëm të pres çdo lloj projekti politik për të ardhmen e vendit. Kur kam qenë në opozitë kemi bërë disa alternativa. Jam i hapur dhe i gatshëm. Mendoj se edhe reforma territoriale, edhe pse opinionet i kemi të kundërta mund të ulemi dhe të diskutojmë dhe të ballafaqojmë arsyet pse i kemi mendimet e kundërta. 

Përmendet në përgjimet e dosjes së Dibrës, Rama tregon pse zgjodhi Ulsi Manjën Ministër Drejtësie: Është profesionist

Kryeministri Edi Rama është pyetur në emisionin “Opinion” këtë të enjte se pse zgjodhi në krye të ministrisë së Drejtësisë Ulsi Manjën, emri i të cilit është përmendur në përgjime e dosjes së Dibrës.

Rama tha Manja është figurë me integritet dhe profesionist i cili gëzon respekt brenda selisë rozë dhe më gjerë. Ai u shpreh ndër të tjera se edhe emri i vetë kryeministrit ka dalë në përgjime, por kjo nuk do të thotë se duhet të japë dorëheqjen.

“Ulsi Manja është figurë me integritet, është një profesionist dhe kontributor në Kuvend si deputet dhe pastaj si kryetar i Komisionit të Ligjeve dhe gëzon respekt në të gjithë PS dhe më gjerë se kaq. Dhe Ulsi Manja do jetë Ministër i Drejtësisë. Ka dalë në një përgjim, për çfarë, dhe pse? Duke folur në telefon?”, tha Rama.

Rama: E ftoj opozitën të punojmë bashkë, por jo nga halli apo nevoja

Kryeministri Edi Rama i ka bërë sërish ftesë opozitës për të bashkëpunuar në këtë legjislaturë të re. I ftuar në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, Rama tha se ftesa ndaj opozitës nuk bëhet nga nevoja apo halli, por për të mirën e Shqipërisë.

“Nuk kam asnjë vijë të kuqe. E ftoj opozitën për të punuar së bashku dhe nuk kam asnjë kufizim. Nuk e ftoj nga nevoja apo nga halli. Unë di çfarë vendi nuk ka nevojë, nuk ka nevojë politikën e konfliktit permantet. Unë kam vendosur ta filloj edhe vetë nga klasa e parë daljen nëpër studio. Është e rëndësishme që ne të ulim konfliktin politik sa të mundemi, jo për mua, se në konflikt politik unë nuk ndihem ngushtë, por mendoj që kjo nuk i duhet vendit. Unë që kur kam hyrë i kam thënë vetes është hera e parë që shkoj në një studio dhe përpiqu të jesh sa më i sjellshëm, mos jesh arrogant, sepse brenda meje nuk jam por nuk e reflektoj si duhet atë që jam. Ja për shembull kjo është një përpjekje”.

Ndërsa i pyetur nëse është i gatshëm të ulet me Partinë Demokratike për reformën territoriale, Rama u shpreh: “Unë mendoj që duhet të kemi edhe më pak bashki, ata që të kemi më shumë bashki. Megjithatë unë jam i gatshëm të ulemi”.

Përse i besoi Nikollës detyrën e kryeparlamentares? Flet Edi Rama

Ish-ministres së Arsimit Lindita Nikolla i është besuar nga Kryeministri Edi Rama detyra e kryetares së Parlamentit.

Kryeministri Edi Rama, i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, tha se Nikolla është personi i duhur për këtë detyrë dhe më shumë kontribute brenda Partisë Socialiste.

“Është personi më i duhur për të gjithë kontribtuin që ka dhënë. E ka filluar nga shkalla e parë e bazës deri këtu ku është sot sepse është një person që gjatë gjithë rrugëtimit të vetë ka treguar përkushtim, seriozitet, ndershmëri, sepse është një person që është i prirur për të folur me të gjithë. Dhe sepse është një grua zonjë që i shkon shumë mirë atij vendi”, deklaroi Rama.

Pandeli Majko mbeti jashtë qeverisë prej teatrit? Si përgjigjet Rama

Një nga emrat që mbeti jashtë qeverisë Rama III është edhe emri i Pandeli Majkos.

Ministria që ai drejtonte, ajo e Disporës u shkri dhe Rama nuk zgjodhi që ta përfshinte Majkon në asnjë pozicion tjetër.

Në emisionin “Opinion” këtë të enjte kryeministri Edi Rama u pyet nëse Majko mbeti jashtë qeverisë për shkak se abstenoi vendimin e qeverisë për Teatrin Kombëtar.

Por për kryeministrin ky vendim nuk ka lidhje fare me këtë.

Blendi FevziuA mbeti Pandeli Majko jashtë qeverisë prej teatrit?
Edi RamaNuk ka lidhje fare. Teatri iku dhe do fillojë i riu.

Rama: Ka ministra që më kanë thënë “jo”

Kryeministri Edi Rama deklaroi në emisionin Opinion se në radhët e ministrave të kabinetit të ri qeveritar ka edhe ministra që i kanë thënë “jo”. Ai u shpreh se ministrja e re e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe ajo e Bujqësisë, Frida Krifca në raste të caktuara i kanë thënë “jo” kreut të qeverisë pasi për çështje të ndryshme kanë pasur mendim tjetër nga ai i kryeministrit.

Gazetari: Është normale që të krijohet vetëkënaqësia në mandatin e tretë. Është kjo ajo që i thatë socialistëve. Kjo shoqërohet me rrezikun që të shfaqni shenja arrogance në qeverisje. Për një qeverisje më të mirë na duhen ministra më autoritarë që mund t’ju thonë dhe jo. Kush mendoni që nga ministrat që keni zgjedhur sot është e nivelit që ju thotë “jo”.

Edi Rama: Përjashto dy vajzat që janë ministrja e re për Rininë dhe Fëmijët dhe ministrja e re për Sipërmarrjet që nuk kam pasur asnjë eksperiencë pune ende, të gjithë ata që shikon atje, përfshirë dhe ministren e re Financave, dhe Bujqësisë kanë thënë edhe jo sepse ne bëjmë shumë diskutime, por ndryshe nga e kaluara nuk bëjmë telenovela, ne bëjmë diskutime për të marrë vendime. Diskutimet janë të mbyllura dhe në këto diskutime ka debat.

Blendi Fevziu: Kanë thënë jo kur i keni kërkuar diçka konkrete për të bërë?

Edi Rama: Jo-ja lidhet me çdo rast kur ti diskuton, unë diskutoj me ministret me grupe për një çështje që i lidh të gjithë bashkë për zgjidhje të caktuar, për një drejtim të caktuar. Mund të hyj në diskutim me një mendje dhe dal me një mendje tjetër sepse ai ose ajo që kam përballë thotë jo ës, kjo duhet parë të kështu.

Gazetari: Kemi Pandeli Majkon që ka abstenuar për çështjen e teatrit dhe është filmuar e ka dalë në media dhe Ditmir Bushatin ku ju vetë e keni pranuar që ka patur debate për çështjen e detit.

Edi Rama: Asnjëherë me Ditmir Bushatin nuk kam pasur…

Gazetari: E keni pranuar në studio.

Edi Rama: Asnjëherë me Ditmir Bushatin nuk kemi pasur konflikt për këtë çështje. Rastet kur ministrat votojnë ndryshe janë raste unikale në historinë e një parlamenti. Nuk është normaliteti siç ishte rasti i Majkos për teatrin që ai ka pasur mendimin e vet dembabadem që në kohën kur isha ministër kulture. Ky është një rast shumë i veçantë. Jo-ja e ministrave nuk thuhet në parlament me votë se nuk është cirk. Nuk ka qeveri që propozon një ligj të vetin dhe ministrat e vet i thonë jo. Kjo është absurd.

Deputeti më i votuar pa post ministri/ Çfarë thotë Rama për Taulant Ballën

Taulant Balla rezultoi si deputeti më i votuar në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, por në mbledhjen e sotme të Asamblesë së PS, nuk mori asnjë detyrë ministrore.

Taulant Balla do të vijojë të mbajë vetëm detyrën e kryetarit të grupit parlamentar të PS, pasi Kryeministri Rama i hoqi detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të partisë.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Kryeministri Rama tha se për shkak të shtimit të punëve dhe objektivave brenda partisë, është dashur që këto dy funksione të kryhen nga dy udhëheqës.

“Taulanti është kryetari i grupit  parlamentar të PS. Është një detyrëq që ka ngarkesë të madhe dhe ashtu siç duhet bërë gjatë këtij mandati do ketë dhe ngarkesë më të madh. E treta lidhet me faktin që kemi një objektiv të ri për partinë, transformimi i partive politike. Partitë politike shqiptare nuk mund të vazhdojnë kështu. Në duhet një Sekretar i Përgjithshëm që të jetë non stop i angazhuar këtu. Është rritur shumë volumi i punës për këto dy pozicione”.

Ndërsa i pyetur për “senatorët” e Partisë Socialiste që shumica e tyre u lanë jashtë qeverisë, Rama tha se në poste ministrore janë vendosur ata persona që në këtë moment konsiderohen të duhurit.

“Përsa i përket senatorëve, nuk ka senatorë dhe nuk kategori të tilla. Këto janë kategori gazetareske. Në skuadrën e qeverisë janë vendosur njerëzit që sipas meje janë të duhurit në këtë moment për të bërë punën e duhur”. 

Rama: Reformë brenda Partisë Socialiste, nuk po projektoj asnjë kupolë të re

Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” ku foli për kabinetin e ri qeveritar. Kreu i qeverisë tha se skuadra e tij ka disa komponentë dhe është e pranishme në Kuvend, parti dhe qeveri. Rolet që individë të caktuar marrin në qeveri, sipas Ramës nuk janë të përcaktuara njëherë e përgjithmonë.

Megjithatë, Rama u shpreh se në vëmendjen e tij në vijim do të jetë reforma brenda Partisë Socialiste, pasi sipas tij selia rozë duhet të jetë më e pranishme në jetën demokratike të vendit. Ai mohoi që po projekton një kupolë të re në selinë rozë.

“Pikët e sondazhit tregojnë një vlerësim të opinionit, por pastaj nuk tregojnë këto të tjerat që janë një tufë pa peshë. Sa i përket ministrave, skuadra jonë ka 3 komponentë. Skuadra jonë është në Kuvend, në parti dhe në qeveri. Rolet nuk janë të përcaktuara njëherë e përgjithmonë. Rolet përcaktohen në bazë të atyre që janë prioritetet dhe nevojat e një periudhe kohe që preferueshmërisht do të ishte 4 vjet për të gjithë, por jo që detyrimisht është 4 vjet për të gjithë. Ka shumë rëndësi jo vetëm kush caktohet. Është një skuadër që duhet të jetë e organizuar. Sot ajo që ka qenë thelbësore dhe që do të jetë shumë në vëmendjen time dhe tonën në vazhdim është reforma brenda Partisë Socialiste dhe jo në sensin thjesht të strukturohet brenda, por reforma për ta kaluar PS në pikëpamjen e pranisë së vet në jetën demokratike të vendit. Sa i përket popullaritetit është një anë e medaljes, varet nga periudha.

Peshën politike e përcakton zgjedhësi. Qeveria nuk është asnjëherë thjesht dhe vetëm një ekip i organizuar nga partia. Kemi pasur gjithmonë njerëz në qeveri që kanë ardhur nga shoqëria dhe sot janë figura të partisë. Kështu bëhet ripërtëritja. Nuk po projektoj asnjë kupolë të re, por mendoj se qeveria që ne e kemi gati për këtë mandat, është qeveria e duhur për të realizuar objektivat e këtij mandati. Për çdo pozicion, ata që shikoni aty janë vendosur për arsye shumë të përcaktuara profesionale dhe arsye të përcaktuara që lidhen me programin”, tha Rama. 

Rama në Opinion: Cilat do të jenë prioritetet e mandatit të 3 qeverisës

Emisioni Opinion nga Blendi Fevziu në Tv Klan ka nisur sezonin e ri me Kryeministrin Edi Rama si të ftuarin e parë.

Shefi i ekzekutivit, u pyet nga drejtuesi Blendi Fevziu, se cilat do të jenë dy prioritete të mandatit të 3 qeverisës.

E në këtë aspekt, Rama përmendi turizmin dhe energjetikën.

“Do duhet të bëni pak durim që kjo skuadër të shkojë në Parlament. Aty do të shpaloset dhe programi i qeverisë. Së pari, ne duam që Shqipëria e kësaj dekade të bëhet kampione në Ballkan për turizmin. Së dyti, ne duam që Shqipëria të bëhet në këtë dekadë eksportuese neto e energjisë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama mbërrin në ambientet e Tv Klan

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në ambientet e televizionit kombëtar Klan, ku do të jetë i ftuar në emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu në orën 21:00.

Kryeministri do të flasë për qeverinë e re “Rama 3” që shpalli sot si dhe për shumë tema të tjera që lidhen me aktualitetin, njëra ndër të cilat ardhja e afganëve në vendin tonë