Të ftuar: Deputeti Alket Hyseni, juristi Çlirim Gjata dhe gazetarët Artan Hoxha dhe Klodiana Lala

Çfarë video ka Presidenca? Artan Hoxha: Zëdhënësi i Metës të thirret urgjentisht

Gazetari Artan Hoxha thotë se zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi, duhet të thirret në prokurori pas deklaratës publike që bëri të shtunën, kur tha se ekzistojnë prova me video për kreun e KED-së Ardian Dvorani, të cilin Ilir Meta e akuzon për shkelje të Kushtetutës.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetari Hoxha është i bindur se deklaratat e Presidencës për rastin e Gjykatës Kushtetuese dhe Ardian Dvoranit, janë shantazh dhe nëse ekzistojnë duhet të ishin dërguar në Prokurori.

“Ky është rasti tjetër që ky që është përfaqëues i Presidencës, urgjentisht duhet të thirret. Ç’është kjo video, aq më tepër që bëhet fjalë që është shantazhuar Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Nëse këto prova ekzistojnë, urgjentisht Prokuroria duhet ta fillojë sepse janë kërcënuar institucionet kryesore të vendit.

Problemi është në këtë rast që unë uroj që ‘Baba Takut’ mos t’i ketë humbur çanta. Është duke u bërë shantazh. Sepse nëse janë provat, ato publikohen. Thirret policia gjyqësore, i jepen provat dhe Prokurora nis hetimet. Do kesh video plot këto ditë, video me prova, jo nga këto shantazhe”, ka thënë gazetari Artan Hoxha.

Presidenca paralajmëroi kallëzimin, Gjata flet për përmbajtjen e videos

Mbrëmjen e sotme në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, juristi Çlirim Gjata ka aluduar se çfarë mund të ketë në përmbajtjen e videos së paralajmëruar nga Presidenca për t’u bërë publike në ditët në vijim, në valën e diskutimeve dhe debateve për Gjykatën Kushtetuese.

Gjata u shpreh se nuk mendon se do të ketë ndonjë përmbajtje shantazhuese, por mendon se në të mund të shfaqen momente nga mbledhjet me dyer të mbyllura të KED apo KLP.

Sipas tij, Meta kërkon ta bëjë publike videon para se ta dërgojë atë në Prokurori, pasi nuk ka besim tek kjo e fundit.

Çlirim Gjata: Duke njohur edhe Presidentin si politikan dhe nga historia, nuk është lojtarë i lehtë, s’ma merr mendja të shkojë Ilir Meta të merret me të tilla video, e më the e të thashë. Nuk i bën shantazh Gjykatës Kushtetuese, sepse nuk ka si t’i bëjë sepse nuk ka ende një Gjykatë kushtetuese. Ky nuk po të thotë që do t’i bëjë shantazh Gjykatës Kushtetuese. Unë mendoj se do jetë një nga ato mbledhjet e KED, KLP… Edhe më parë e kam thënë se përse nuk fusin kamerat në mbledhjet e këtyre. Siç i kemi pas edhe ne në KQZ.

Aty mund të ketë ndonjë mbledhje ku me të vërtetë të ketë dalë që ‘t’ia çojmë Presidentit në këtë datë apo në atë datë, se nuk është kot ajo që Presidentit i ka shkuar lista ditën e caktuar, Parlamentit një javë pas. Nuk është bërë kot ajo.

FevziuPra mund të jetë një video që mund të ketë këto diskutimet e brendshme që supozohet të jetë sekrete, që lidhet me institucionet?

Gjata: Do të jetë ndonjë video mbledhjeje, me zë të ulët si për shembull “si t’ia bëjmë që t’ia hedhim Presidentit për të futur njerëzit që do Rama.

Alket Hyseni: Presidenti është katandisur në një portal

Deputeti i PS Alket Hyseni thotë se deklaratat e Presidencës për problematikën mbi Gjykatën Kushtetuese, i ngjasojnë një portali mediatik.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Hyseni është shprehur se deklaratat e Presidencës për publikimin e videove dhe “provave të tjera përvëluese” ndaj Ardian Dvoranit, janë në funksion të propagandës.

Deputeti socialist akuzon gjithashtu Presidentin se ka kryer vepër penale që nuk ka denoncuar në Prokurori këto prova nëse ekzistojnë.

“Ajo që unë ndjej keqardhje është fakti që Presidenti i vendit tim katandiset në një portal prodhimi videosh, sikurse më kujtohet që talebanët deklaronin ditë përpara që së shpejti do të dali një video e Omarit. Këtu kemi 3-4 ditë një institucion shumë të rëndësishëm të Republikës së Shqipërisë, i cili po përpiqet të indoktrinojë në opinionin publik sikur do dalin çudira. Ndërkohë që i kujtoj si jurist Presidentit të Republikës, në Kodin Penal ka një nen të posaçëm që i përcakton Presidentit dhe çdo nëpunësi të këtij shteti, që sapo të bjerë në dijeni të një vepre penale, duhet të bëjë kallëzimin penal.

Dhe Presidenti i Republikës ka 5 ditë duke konsumuar një vepër penale. Presidenti i Republikës nuk është si një nga portalet e gazetarisë, të cilët grumbullojnë prova, i nxjerrin apo nuk i nxjerrin është e drejta e tyre, i nxjerrin me shantazh duke thënë muaj të tërë që do nxjerrin prova për X zyrtar dhe ndodh që nuk kanë dalë kurrë. Presidenti i Republikës është funksionari më i rëndësishëm nga pikëpamja honorifike e këtij vendi dhe menjëherë sapo bie në dijeni të një vepre penale, shkon në institucion”, është shprehur deputeti Alket Hyseni. /tvklan.al