Të ftuar Baton Haxhiu, Agron Shehaj, Artan Hoxha dhe Fitim Zekthi. Në lidhje direkte Iris Luarasi dhe Blerta Dalloshi Berisha.

Protesta, Haxhiu: Ishte kundër Bashës për të treguar forcën e Berishës

Analisti Baton Haxhiu është shprehur gjatë emisionit “Opinion” këtë të hënë se protesta e thirrur kundër “Open Balkan” nuk ishte kundër Vuçiçit, por kundër Lulzim Bashës.

Haxhiu mendon se kjo protestë ka pasur për qëllim të tregojë forcën e Sali Berishës kundrejt Lulzim Bashës.

“Në këtë protestë lajm i mirë është që në Shqipëri ka një grupim që mendon ndryshe nga të tjerët. Fatkeqësisht ky grupim është në një numër të vogël. Kjo protestë më shumë i ka bërë mirë Vuçiçit për arsye se ai e shet këtë në Serbi si një gjë e mirë që i ka ndodh atij. Shikojini protestuesit shqiptarë nacionalistë se sa janë kundër serbëve, se sa janë kundër tij dhe ai do ta përdorë këtë si moment për politikë të brendshme. Ajo që nuk më pëlqeu ishte që kishte shumë pak njerëz dhe për faktin se kemi një diskurs politik publik për një kohë të gjatë në Shqipëri dhe Kosovë për Vuçicin, që ishte njeri i Milosheviçit etj.

Nuk është e mirë që në një protestë kundër një gjëje të rëndësishme ose kaq negative për shqiptarët të jenë kaq pak njerëz. Për faktin që sot ishte dashur të vinin shumë njerëz nga Kosova, por njerëzit kanë kuptuar që kjo protestë nuk ishte kundër Vuçiçit, por ka qenë kundër Bashës. Arsye ka qenë Vuçiç, por kjo ka qenë kundër Bashës për të treguar se sa i fortë është Sali Berisha, sa politikisht është adhurues. Ky moment ka vetëm një qëllim, forcën e Berishës karshi Bashës”, tha Haxhiu.

Pse nuk shkojnë në selinë e PD? Shehaj: Mund të ketë përplasje, ka njerëz të armatosur

Deputeti i PD-së, Agron Shehaj, i cili gjatë përplasjes brenda partisë më të madhe opozitare është rreshtuar krah Sali Berishës, ka deklaruar gjatë emisionit “Opinion” se Komisioni i Rithemelimit nuk shkon të punojë në seli për të mos të mos pasur përplasje dhe viktima. I interesuar për këtë sipas Shehajt është Lulzim Basha, i cili do që të ketë përplasje. Deputeti tha se në seli ka persona që janë të armatosur.

“Tani shkojmë tek selia, pse ne nuk shkojmë tek selia ose shkojmë pak? Kemi shkuar njëherë kemi bërë mbledhje. Kolegët e mi kanë shkuar disa herë mesa kam dijeni. Por nuk kemi vajtur rregullisht si duhet të shkojmë sipas mendimit tim. Nuk kemi shkuar për mos të krijuar përplasje. Thatë pse vajtët atje dhe nuk u futët? Është shumë e thjeshtë, dhe sot është shumë e thjeshtë. Aty mund të ketë përplasje dhe mund të ketë viktima. Ka njerëz të armatosur dhe të fortë brenda PD-së. Është informacion, është i saktë e kemi parë. Po të jap arsyen pse nuk jemi futur. Çfarë na pengon që Lulzim Basha, i cili nuk është më në krye të partisë sipas shumicës, që të marrim në dorëzim selinë e PD dhe ta dorëzojmë PD-në nga selia, kjo është arsyeja, sepse nuk duam përplasje. Kryetari, ose më mirë ish-kryetari është personi që ka më shumë interes që aty të ketë përplasje”, tha Shehaj.

Blendi Fevziu: Po kush janë këta persona të fortë brenda PD-së pasi është folur një herë për RENEA?

“Janë individë të fortë brenda PD-së. Mendoj që brenda PD nuk duhet të ketë forca të armatosura. Nuk ka arsye pse të ketë forca të armatosura. Arsyeja pse nuk hyjmë brenda selisë së PD sepse kërkojmë të shmangim përplasje brenda PD. Nuk duam të ketë viktima dhe të lënduar. Unë jam i mendimit që duhet të jemi të kujdesshëm dhe të vëmendshëm, sikur një nga anëtarët rrezikon që të lëndohet brenda PD duhet ta shmangim”, u përgjigj Shehaj.