Të ftuar: Spartak Koka, Erikleda Dorezi, Eno Zeneli, Fatmir Hasho, Fisnik Ziçishti dhe Shefi i Sigurisë Rrugore, Skënder Ismaili

“Drejtuesit shqiptarë janë shumë të egër në timon”

Mbrëmjen e sotme në “Opinion”, debati mbi aksidentet rrugore ka nxjerrë në pah disa nga problematikat kryesore të cilat bëhen shkak dhe burim aksidentesh.

Sipas shefit të sigurisë rrugore, Skënder Ismaili, shkaktarët kryesorë janë drejtuesit e mjeteve, ndërsa shtoi se vetëm këtë vit janë shënuar 1366 aksidente me 193 viktima.

Gazetarja Erikleda Dorezi i është drejtuar ekspertit rrugorë, Fatmir Hasho, duke e pyetur nëse duhen hapur ose jo rrugët e papërfunduara dhe a janë ato një rrisk për burim aksidentesh.

Fatmir Hasho: Për arsye të domosdoshme mund të hapen por nëse plotësohen me sinialistikën e plotë rrugore.

Erikleda Dorezi: A kemi ne rrugë të cilat janë hapur pa standarte? Ne lehtësojmë punën për një pjesë, ama krijojmë burim aksidenti…

Fatmir Hasho: Ky problem i auditimit të sigurisë rrugore ka një vit që ka filluar dhe po fillon që në momentin që projektohen rrugët dhe duhen ndjekur hap pas hapi gjatë punës. Unë prapë këmbëngul se drejtuesit shqiptar janë mjaft të egër në timon

Erikleda DoreziSa problem është dhënia e patentës?

Fatmir HashoDetyrimisht duhet të shtohen orët e praktikës.

Aksidentet rrugore, gazetari Koka: 7 të vdekur tek rruga e TEG-ut në 11 muaj

Problematika e theksuar e aksidenteve rrugore, që ditët e fundit ka shënuar “bilanc lufte” përsa i përket numrit të viktimave, është diskutuar sonte në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Aksi drejt rrethrrotullimit të TEG-ut është një nga rrugët më problematike në kryeqytet, pasi në këtë zonë bëjnë gara me makina luksoze kryesisht shoferë të rinj.

I ftuar në studio, gazetari Spartak Koka thotë se policia nuk ka patur një plan masash periodik për këtë segment rrugor, ku vetëm disa ditë më parë viktima më e fundit në këtë aks ishte një 17-vjeçar, pasagjer në automjet.

Koka publikoi të dhënat e aksidenteve që kanë ndodhur në rrethrrotullimin e TEG-ut. Sipas këtyre shifrave, numërohen 7 viktima në 11 muaj nga aksidentet vetëm në këtë aks.

Viktimat janë Altion Agalliu 28 vjeç, Luan Duka 62 vjeç, Bardhok Biba 62 vjeç, Valentina Biba 62 vjeç, Florida B.Biba 22 vjeç, Bujar Marku 30 vjeç dhe Kristjan Vasili 17 vjeç.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit thotë se janë stacionuar patrulla 24 orëshe tek rrethrrotullimi i TEG-ut, ndërsa gazetari këmbëngul se kjo ka ndodhur vetëm pas aksidentit me vdekje dhe nuk ka patur më parë.

Gazetari Spartak Koka kritikoi edhe deklaratën që bëri ministri i Brendshëm në studion e “Opinion” më 11 Nëntor, kur tha se për aksidentet rrugore qytetarët “duhet të mbledhin mendjen e kokës”.

“Problemi është mos ketë plan masash 4-ditor, të ketë plan masash në atë aks rrugor. Dhe këtë planin e masave, se po më shkruan Policia e Shtetit dhe më thotë ‘ne kemi filluar nga Tetori dhe ditët e fundit kemi shërbim 14 orë’. Po 10 muajt e tjerë ku ishte policia? Në rast se ata nuk e duan jetën, ai 17-vjeçari nuk e do jetën, ai dretuesi shoku i viktimës nuk e do, duhet ne si vend të marrim masa. Se nuk mund të dalë ministri i Brendshëm këtu dhe të na thotë se cili është plani i masave që ‘shqiptarët të mbledhin mendjen e kokës’. Të gjithë vendet ku ne duam të aderojmë, kanë plan masash. Ato thonë ta ulim standardin nga 45 viktima për 1 milion banorë, ne e kemi 98-100 viktima për 1 milion banorë. Dyfishi! Ne s’kapim dot as standardin. Dhe mburremi se ulemi me 3 viktima”, u shpreh gazetari Spartak Koka.

Gazetarët zënë ngushtë përfaqësuesin e policisë për shifrat e aksidenteve rrugore

Aksidentet rrugore jo shpeshherë ndodhin për faj të drejtuesve të automjeteve. Në shumë raste shkaktarë janë edhe këmbësorët. Por pavarësisht se ligji ekziston për gjobitjen e këmbësorëve, policia nuk po bën asgjë në këtë drejtim.

Në emisionin “Opinion”, gazetarët e Tv Klan Spartak Koka dhe Erikleda Dorezi kanë zënë ngushtë përfaqësuesin e policisë për statistikat e gjobitjes së këmbësorëve.

Z.Skënder Ismaili tha se shifrat e gjobitjes së këmbësorëve janë të publikuara në faqen e policisë, por kjo gjë nuk rezulton të jetë e vërtetë pasi nga kontrolli në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit “asp.gov.al” nuk ka asnjë të dhënë për aksidentet.

Në fund të diskutimit, shefi i sigurisë rrugore në Policinë e Shtetit u detyrua të pranojë se gazetarët kanë të drejtë dhe policia duhet të bëjë më shumë për gjobitjen e këmbësorëve.

Gazetarja Erikleda Dorezi: Pse nuk gjobiten dhe këmbësorët? Është në Kodin Rrugor!

Gazetari Spartak Koka: Para dy vjetësh, drejtori i Policisë Rrugore doli dhe tha ‘do të ketë plan masash për ndëshkimin e këmbësorëve’. Sa këmbësorë janë ndëshkuar sot?

Skënder Ismaili, shefi i Sigurisë Rrugore në Policinë e Shtetit: Të dhënat që nxjerr sistemi i Policisë Rrugore janë të dhëna tepër të rregullta dhe të sakta për çdo ngjarje rrugore. Janë të publikuara.

Gazetari Spartak Koka: Ku janë? Ku janë në asp.gov.al? Futemi tani tek asp.gov.al, të futemi live? Duhet t’i publikosh z.Ismaili.

Skënder Ismaili, shefi i Sigurisë Rrugore në Policinë e Shtetit: Lidhur me këmbësorët, janë numër shumë i paktë i këmbësorëve.

Gazetari Spartak Koka: Sa është?

Skënder Ismaili, shefi i Sigurisë Rrugore në Policinë e Shtetit: Është shumë i paktë.Mund të jetë 3-4% i të gjitha ngjarjeve. Me futjen e sistemit të adresave, qytetarët ndëshkohen sipas rregullit.

Gazetari Spartak Koka: I keni vjelur këto gjoba që keni vendosur?

Skënder Ismaili, shefi i Sigurisë Rrugore në Policinë e Shtetit: Po. Ai duhet të ketë një dokument identifikimi dhe nëse s’ka ai shoqërohet. Por, natyrisht z.Koka ka të drejtë që më shumë duhet të ushtrohet edhe në drejtim të këmbësorëve. 

Cilat janë 5 qarqet problematike për aksidentet rrugore gjatë vitit 2019

Gazetari Spartak Koka ka publikuar tabelën me qarqet më problematike në vend përsa i përket aksidenteve rrugore.

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku po diskutohej për këtë problematikë, rezulton se janë 5 qarqe më problematiket, ku në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është shënuar përkeqësim.

Statistikat nuk i kemi dhe për të keq ka një problem me policinë, e cila nuk i publikon në faqen zyrtare statistikat. Duhet të bësh kërkesa, i trajtojnë si sekrete shtetërore, gjithë bota i ka të hapura. Tirana Janar-Nëntor si qark 46 viktima, Janar-Nëntor 2018 38 viktima. Tetë viktima më shumë për këtë vit. Fieri ka 30 viktima, është qarku i dytë më problematik. Durrësi 25 viktima për Janar-Nëntor 2019, ka 6 viktima më shumë. Korça ka 15 viktima, Lezha është aty-aty me vitin e kaluar”, u shpreh gazetari Spartak Koka.

Në emisionin “Opinion” u publikua edhe pasqyra e aksidenteve rrugore për shkaqet, kushtet, ditët dhe orën.

Shifrat dramatike, 1366 aksidente brenda vitit, kush janë shkaktarët

Shefi i sigurisë rrugore Skënder Ismaili, i ftuar mbrëmjen e sotme në “Opinion” në Tv Klan u shpreh se numrin më të madh të aksidenteve rrugore e shkaktojnë drejtuesit e mjeteve, ndërsa tha se 60% e ngjarjeve ndodhin në zonat rurale.

Ismaili, duke iu referuar shifrave të 10 mujorit të fundit, tha se janë shkaktuar 1366 aksidente nga të cilët ka 193 viktima dhe 233 të plagosur.

“Janë shkaktuar 1366 aksidente nga të cilët ka 193 viktima, 233 të plagosur. Aksidentet rrugore sot konsiderohen një epidemi për shoqërinë se një nga një marrin jetë. Në totalin e ngjarjeve rrugore nëse i marrin, numrin më të madh e zënë veprimet e përdoruesve të rrugës, këmbësoret dhe drejtuesit e mjeteve, 1318 nga rreth 1600 shkelje në total, 28% e ngjarjeje rrugore janë sjelljet e gabuara të këmbësorëve”. Në totalin e shkeljeve rrugore që ka konstatuar policia gjatë këtij 10 mujori, janë 2276 raste të përdorimit të pijeve alkoolike. Numrin më të madh të aksidenteve e shkaktojnë drejtuesit e mjeteve. 60% të ngjarjeve i kemi pasur në zonat rurale”. 

Fevziu: Po udhëtoja me makinë, m’u shfaq njëri dhe u hodh pupthi

Duke diskutuar për aksidentet rrugore dhe sigurinë në rrugë, në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Blendi Fevziu ka treguar një rast personal të para disa ditëve teksa ishte duke u kthyer nga Kosova.

Drejtuesi i emisionit tha se në rrugën e Milotit iu shfaq një këmbësor që rrinte mbi gardh në tentativë për të kaluar në anën tjetër të rrugës.

Para 4 ditësh isha duke ecur dhe u tmerrova. M’u shfaq njëri në rrugën e Milotit, po kthehesha nga Kosova. M’u shfaq, m’u duk si monument. Ishte në majë të gardhit aty dhe sa kalova unë, u hodh pupthi. Nuk është më faji i shoferit”, tha gazetari Blendi Fevziu. /tvklan.al