Opinion-Çfarë do të bëjë Ilir Meta këto ditë?

Opinion-Çfarë do të bëjë Ilir Meta këto ditë?

20:32 20/02/2020

Të ftuar: Andi Bejtja, Preç Zogaj, Armand Shkullaku, Alfred Peza, Luan Rama, Mentor Kikia.

Luan Rama: Gjykata po kapet me mekanizma antikushtetuese

Presidenti Ilir Meta ka deklaruar se më 2 Mars do të ketë një protestë kundër asaj që ai e ka quajtur “grusht shteti”.

Mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion’ në Tv Klan, ish-deputeti i LSI Luan Rama deklaroi se lajmërimi për protestë nga Presidenti, ishte si e vetmja alternativë që i kishte mbetur për të vepruar kundër grushtit të shteti, sipas tij.

Rama thotë se presidenti Meta i ka provuar të gjitha  mënyrat për të zgjidhur krizën, nisur që nga përpjekjet për dialog mes palëve, e në rastin kur nuk ia ka arritur, tashmë i ka mbetur vetëm që t’i drejtohet popullit në mënyrë demonstrative publikisht.

I pyetur nëse Meta do të japë dorëheqjen, Rama thotë se ai e ka vërtetuar në disa raste që e bën këtë zgjedhje, por në rastin konkret nuk do të japë dorëheqjen pasi nuk do të shkelë mbi betimin që ka bërë.

“Për ta kapur Gjykatën janë gjetur mekanizma antikushtetuese. Çfarë ndodh? Këtu ka ndërhyrë grupi i sekretarëve të përgjithshëm për të emëruar në Gjykatën Kushtetuese nën tagrin e Presidentit, dikë që nuk e ka zgjedhur Presidenti”, deklaron Luan Rama duke shtuar se ligjërisht parlamenti duhej të ishte shpërndarë. 

Shkullaku: Në vend të Metës do të kisha dhënë dorëheqjen

Armand Shkullaku shprehet se nëse do të ishte në vendin e Presidentit Ilir Meta, do të kishte dhënë dorëheqjen.

“Kemi një pushtet që i ka marrë të gjitha një nga një dhe tani do të marrë edhe presidencën. Doli një fakt skandaloz sot, që administrata mblidhet ditë shtune… Kjo është grabitje të anëtarit të gjykatës kushtetuese. Se çfarë duhet të bëjë Meta… Po të isha unë si Meta, do të kisha dhënë dorëheqjen” u shpreh ai në studion e “Opinion”.

Sipas Shkullakut, Ilir Meta nuk e frenon dot kryeministrin Edi Rama.

“Pozicioni që Ilir Matës sot është pozicion denoncues, shumë i fortë, sepse ka një tribunë nga e cila zgjon interesin, ka edhe njëlloj ndikimi tek Venecia kur paraqet argumente, sepse nuk vjen nga rruga, por nga një institucion…  por Meta nuk e frenon dot Ramën”.

Kikia: Roli që ka marrë Presidenti i pa precedentë, po prezantohet si Skënderbeu

Gazetari Mentor Kikia, në studion e “Opinion” ka komentuar thirrjen e Presidentin Ilir Meta për të protestuar, siç thotë ai.

Kikia thotë se ky rol që ka marrë Meta për të thirrur në miting popullin është i paprecedentë, madje duke shkuar më tej e duke thënë se “ka marrë rolin e Skënderbeut”.

“Me videot, me këtë të fundit, Meta ka dalë nga roli i presidentit dhe është duke u prezantuar si Skënderbeu, meqë jemi mësuar ta… unë nbaj absolutisht shqetësimin për një pjesë të mirë të denoncimeve që janë bërë në lidhje me emërimin apo përzgjedhjen e anëtarëve të KED, por roli që ka marrë Presidenti vazhdoj të them që është i paprecedentë, tejkalon në mënyrë absolute, për të mos thënë skandaloze, rolin institucional dhe shtetëror që duhet të ketë Presidenti. Presidenti do dalë të thërrasë, të bëjë miting, do jetë në krye të një mitingu. Prezantohet si nacionalist për të mbrojtur Shqipërinë”, shprehet ai. 

Peza: 2 Marsi, protestë kundër Lulzim Bashës

Alfred Peza thotë se tubimi i thirrur më datë 2 Mars nga Presidenti Ilir Meta është protestë kundër kreut të PD, Lulzim Basha. Nga studio e “Opinion”, Peza tha se mes aktorëve opozitarë ka një konflikt të brendshëm në lidhje me mënyrën sesi ata po bëjnë opozitën ndaj Kryeministrit Edi Rama.

“Për 2 Marsin unë mendoj që është një protestë kundër Lulzim Bashës në luftën dhe në përpjekjen e aktorëve dhe faktorëve kryesorë opozitarë aktual në Shqipëri për lidershipin e opozitës. Për shkak se ka një konflikt të brendshëm tek aktorët opozitarë në lidhje me mënyrën sesi po ata po e bëjnë opozitën ndaj kryeministrit Edi Rama.

Vitin e kaluar u tentua të bëhej me revolucion. Dihet sesi shkoi dhe si përfundoi. E dyta, mënyra sesi Lulzim Basha ka disa javë që ka filluar të bëjë opozitarizmin dhe profilin e një lideri, i cili i dëgjon dhe takon qytetarët.

Në këtë mënyrë ajo është një provë force për të treguar që udhëheqja e opozitës duhet bërë në mënyrë revolucionare, siç u përmend indirekt këtu, apo duhet bërë në mënyrën që po e bën Lulzim Basha. Ky është një problem i brendshëm i faktorëve të brendshëm opozitarë.

Përsa i përket Presidentit në 2 Mars, unë jam i bindur se nuk do të jetë i prirur të shkelë Kushtetutën, sepse ta mbrosh Kushtetutën nëpërmjet një shkeljeje kushtetuese nuk është logjike dhe nuk është normale”.

Si zgjidhet kriza politike sipas panelit në “Opinion”

Secili prej të ftuarve këtë të enjte në “Opinion” dha mendimin e tij sesi mund të zgjidhjet ngërçi politik mes mazhorancës dhe presidentit. Mendimet e secilit prej tyre, drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu i shënoi në një tabelë që kishte vendosur në studio.

Andi Bejtja: Të bëhet një marrëveshje që t’i përmbysë risitë dhe hetim i shpejtë.

Preç Zogaj: Të vijojë procesi për Gjykatën Kushtetuese dhe të pritet opinioni i Komisionit të Venecias.

Luan Rama: Të anulohet ligji për betimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, që bëhet edhe jashtë Presidencës. Mazhoranca ta pranojë kthimin e këtij ligji nga Presidenti dhe të pritet opinioni i Venecias.

Alfred Peza: Të vijojë procesi për Gjykatën Kushtetuese siç është tani.

Mentor Kikia: Të anulohet ligji për betimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe të pritet opinioni i Venecias.

Armand Shkullaku: Dorëheqje e Metës dhe front opozitar sepse jemi në rrethana jo normale.

Bejtja-Haxhiut: Po ç’bën llaka-llaka kot o burrë…

Në një lidhje direkte në studion e “Opinion”, Baton Haxhiu komentoi zhvillimet e fundit politike dhe deklaratat e Presidentit Ilir Meta.

Baton Haxhiu, gjykon se pozicionimi i Presidentit Meta moralisht janë problematike, por politikisht legjitim.

Moralisht problematik sepse Presidenti përfaqëson unitetin dhe politikisht legjitim, sepse ai do të krijojë një hapësirë politike vetes dhe vetmisë së tij si politikan. Në një farë mënyrë, Meta i bën një lloj shantazhi opozitës e cila i është larguar dhe orientimin politik, po flas për zotin Basha, e ka të një perspektive tjetër politike dhe ndoshta një marrëveshje të ardhshme për zgjedhjet në Shqipëri, ose edhe një koalicion i madh, ku e dimë”.

Sipas Haxhiu, opozita e kryesuar nga Basha, ka një mundësi, por edhe kryeministri Rama, që dëshirojë të largohen nga partitë e vogla.

Ndërkohë një koment nga studio nga Andi Bejtja nuk është pritur mirë nga Batoni.

Baton Haxhiu: Ligjërisht a ka të drejtë? Është çështje që nuk e interpretoj dot…

Andi Bejtja: Po atëherë ç’bën llaka-llaka kot o burrë…

Baton Haxhiu: Unë nuk ofendoj askënd, ai që po flet llaka-llaka të shkojë në shtëpinë e vet dhe të mos e përdor studion në mënyrë të pamoralshme.

Andi Bejtja: Hë mos ë nuk thash ndonjë gjë…

Baton Haxhiu: Nëse ka argumente le ti thotë, llaka-llaka nuk përdoren në studio… /




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi