Rushaj: Ambasadorja Kim takoi deputetë të PD lidhur me ‘çështjen Berisha’

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj, ka pohuar nga studio e emisionit “Opinion” se ambasadorja Yuri Kim dhe zyrtarë amerikanë kanë takuar disa deputetë të selisë blu në lidhje me vendimin për përjashtimin e Sali Berishës.

Blendi Fevziu: Pasi vendimi që u bë për zotin Berisha, a keni bërë një marrëveshje me SHBA, pra e keni larguar duke marrë diçka, apo ka qenë një ultimatum i tyre dhe një vendim i marrë nga ju a hyrë në negociata me ta?

Alfred Rushaj: Blend, çështja e marrëveshjeve “të jap, më jep”, ajo që shoh që është gjë e dukshme, është deklarata që ambasadorja bëri që tha që pret të bashkëpunojë më ngushtë se asnjëherë më parë me kryetarin e saj.

Blendi Fevziu: Është e vërtetë që ambasada amerikane ka thirrur disa deputetë të PD për t’u sqaruar këtë qëndrim të Berishës?

Alfred Rushaj: Unë nuk jam një nga ata, por në dijeninë time ka patur takime të zyrtarëve amerikanë përfshirë dhe ambasadores dhe disa deputetë të PD lidhur me këtë çështje.

“U mundova të gjej një zgjidhje si me partnerët dhe Berishën”, Rushaj: Çfarë më tha Basha pas vendimit

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj, ka deklaruar se Lulzim Basha ka bërë përpjekje si me partnerët amerikanët dhe Sali Berishën që të gjendej një zgjidhje kompromisi, por nuk u arrit. Rushaj tha se këtë ia ka pohuar Basha pas vendimit për përjashtimin e Berishës.

Blendi Fevziu: A u ezauruan të gjitha mundësitë dhe përpjekjet që të bindej Berisha të largohej vetë, apo të gjendej një zgjidhje më soft që të mos krijohej kjo situatë. Mund të mos ishte vendosur fare në listë, Basha mund t’i thoshte që pas dy mandatesh nuk kishte pse të futej në listë. Mund t’i kishte thënë më mbrapa që për hir të politikës brenda PD, të një mos përplasjeje të PD me amerikanët, presionit amerikan, Berisha të tërhiqej vetë. Por mënyra si u bë, kontestimi është tek mënyra dhe jo vetëm te diskutimi?

Alfred Rushaj: Nuk kam qenë pjesë e këtij diskutimi me zotin Berisha. Përpara zgjedhjeve jo e jo, por edhe pasi ndodhi vendimi, kam komunikuar pasi e shpalli vendimin, më ka thënë dhe po e perifrazoj, “që kam bërë përpjekjet që unë kam pasur mundësi të bëj si me partnerët tanë dhe me zotin Berisha që të gjej një zgjidhje”.

Blendi Fevziu: Pra zoti Basha ka bërë përpjekje si me Berishën dhe amerikanët për të gjetur një zgjidhje.

Alfred Rushaj: Po për të gjetur një zgjidhje që nuk ishte kjo. Nuk kam arritur dot që  të mbërrijmë në një zgjidhje kompromisi po them unë.

Blendi Fevziu: Dhe kjo ishte rruga e vetme që i ka mbetur?

Alfred Rushaj: Kjo ishte zgjidhja e vetme që i ka mbetur.

Debate për Berishën në mbledhjen e PD, Rushaj tregon detaje: Çfarë ndodhi

Gjatë ditës së sotme në mbledhjen e Kryesisë së grupit parlamentar të PD-së është folur për debate ndaj kryetarit Lulzim Basha në lidhje me përjashtimin e Sali Berishës. Kryetari i grupit parlamentar, njëkohësisht, nënkryetar i partisë, Alfred Rushaj ka përcjellë në emisionin “Opinion” detaje rreth asaj që ka ndodhur në mbledhje. Rushaj mohoi që Basha të ketë thënë që baza e PD është anti-amerikane.

Alfred Rushaj: Basha nuk e ka thënë këtë. Ka pasur diskutime. Diskutimet kanë qenë kryesisht mes zotit Noka dhe zotit Basha. Janë bërë me tone jashtëzakonisht të qeta. Secili ka paraqitur mendimet e veta. Në asnjë moment Basha nuk ka thënë që baza e PD është antiamerikane.

Blendi Fevziu: Ka thënë që nuk mund të lejoja krijimin e një grupi antiamerikan në PD?

Alfred Rushaj: Nuk mund të perifrazoj çfarë ka thënë, por e sigurt, që këtë që baza e PD është antiamerikane nuk e ka thënë.

Përjashtimi i Berishës, Alfred Rushaj: Basha u largua nga emocionet dhe mori vendim politik

Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Alfred Rushaj, ka zhvilluar një intervistë në emisionin Opinion këtë të hënë ku është shprehur në lidhje me përjashtimin e Sali Berishës. Ai u shpreh se vendimin e ka mësuar pas daljes publike të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Sipas tij, ky i fundit ka marrë një vendim politik. Rushaj deklaroi se gjatë muajve të fundit në radhët e demokratëve ka qenë i pritshëm një vendim i tillë dhe se ai vetë e kishte menduar.

Blendi Fevziu: Ju jeni kryetar i një grupi që sot nuk do e ketë Berishën brenda, si u mor ky vendim?

Alfred Rushaj: Vendimin e kam mësuar pasi e ka shpallur zoti Basha.

Blendi Fevziu: E prisnit?

Alfred Rushaj: Të them të drejtën gjatë këtyre dy tre muajve kjo gjë ka qenë në mendjen e gjithsecilit prej nesh. E kemi menduar, e kam menduar me veten time, kam bërë argumentet pro dhe kundër deri në momentin e fundit që e kam dëgjuar. Në fakt nuk kisha një mendim sepse është një çështje aq delikate dhe aq e hollë.

Blendi Fevziu: Ju keni qenë në administratën e zotit Berisha kur ai ishte kryeministri i Shqipërisë, pra keni punuar me zotin Berisha, ndërkohë që sot merret një vendim pikërisht për personin që në një farë mënyrë ju ka sjellë i pari në Partinë Demokratike.

Alfred Rushaj: Vendimi që ka marrë Basha është shumë i vështirë dhe nëse ka diçka që unë mund ta dëshmoj është që unë besoj që Sali Berisha asnjëherë nuk i ka marrë njeriu Lekë apo nuk i ka kërkuar njeriu Lekë, pra është diçka që unë e besoj thellësisht. Si unë ka shumë demokratë dhe vetë zoti Basha e ka shprehur këtë gjë duke thënë që është absolutisht e pamerituar ajo se çfarë i ka ndodhur zotit Berisha. Unë besoj se zoti Basha ka marrë një vendim politik, është larguar nga emocioni që unë kam apo anëtarësia ka, apo ai vetë ka dhe ka marrë një vendim politik. Atij i është dashur të zgjedhë ndërmjet diçkaje që është personale dhe një vendimi politik që mund të ishte pasoja për Partinë Demokratike, më e pakta izolimi me partnerët tanë SHBA.

Rasti Pecorelli, masë disiplinore ndaj 3 punonjësve të policisë së Pukës

Në studion e “Opinion”, duke folur për rastin e inskenimit të zhdukjes nga biznesmeni italian Davide Pecorelli në Gjegjan të Pukës, gazetari Spartak Koka, zbuloi se ndaj 3 efektivëve të policisë të Pukës u mor masa e vërejtjes me paralajmërim për pushim nga puna për neglizhencë në administrimin e sigurimin e provave materiale dhe shpërndarjen e pamjeve filmike nga vendi ku digjej makina e italianit, në një kohë kur hetimet për fatin e Pecorelli-t nuk arritën gjëkundi.

“Do doja të theksoja një paradoks që ka ndodhur, megjithëse Davide Pecorelli ka vendosur të gjithë institucionet në lëvizje, Policia e Shtetit megjithëse nuk ka arritur të zbardhë këtë, ka vendosur të japë masa vërejtje me paralajmërim nga puna 3 punonjësve të policisë së Pukës, pasi sipas tyre: nuk kanë marrë masa për sigurimin e vendit të ngjarjes, administrimin e sigurimin e provave materiale duke shfaqur neglizhencë të dukshme gjatë kryerjes së veprimeve hetimore. Ngjarja është cilësuar si aksidentale duke sjellë si pasojë dëmtim të hetimit penal. Ndër të tjera, nga gazetarët investigativë në studio televizive janë transmetuar pamjet filmike gjatë djegies së automjetit kryer nga persona të pranishëm në vendin e ngjarjes.”

“Pra më shumë janë marrë me policët, të cilët kanë bërë dhe video dhe janë shpërndarë edhe tek korrespondentë të ndryshëm në pamundësi për të vajtur në një terren të vështirë, sesa për t’u marrë se nga u largua apo se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me Davide Pecorelli-n. Policia Shkencore do të duhet të investohet më shumë në pajisje dhe në njerëz të cilët të na japin përgjigje më të shpejta dhe sidomos në raste të tilla ku imazhi i qytetin të Pukës dhe komunitetit atje u dëmtua falë një hetimi të zvarritur për të përcaktuar që kemi të bëjmë ose jo me të njëjtin person. Veçanërisht kur në rastin e profileve gjenetike ne shpeshherë vitet e fundit kemi kërkuar ndihmë nga Kosova dhe kemi qenë gjithmonë të pamundur për të ndërtuar një profil gjenetik të ADN-së”, shtoi Koka./tvklan.al