Artan Hoxha: Përse policia kërkoi rihetimin e dosjes së 21 Janarit

Një ditë më parë, policia i ka kërkuar prokurorisë që të rihapë hetimet për dosjen e 21 Janarit të vitit 2011, kur 4 protestues mbetën të vrarë në bulevard.

Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar përse kjo kërkesë u bë një ditë përpara përvjetorit të 21 Janarit. I ftuar në emisionin Opinion, ai tha se kjo kërkesë e bërë në këtë datë, i jep prokurorisë afat edhe 10 vite të tjera për hetimin e ngjarjes.

“Idea është e tillë që nëse nuk rihapej çështja deri në datën 21 Janar të këtij viti, atëherë rrezikonte që të parashkruhej se 10 vjet është parashkrimi. Në qoftë se deri sot kjo çështje nuk do të rihapej, atëherë parashkruhej dhe nuk kishte më mundësi për ta kryer hetimin. Këtë që ka bërë policia, i ka dhënë dhe një afat 10-vjeçar hetimit të çështjes, nga dje kemi dhe 10 vjet në dispozicion për të hetuar 21 Janarin. Me sa di unë, është kërkuar që çështjen ta hetojë SPAK, jo Prokuroria e Tiranës, për shkak edhe të dyshimeve apo akuzave që janë ngritur dhe do të jetë mundësia që të shkohet edhe më larg për të parë kush janë organizatorët, urdhëruesit, pra për ta zgjeruar atë pjesën e hetimit”.

Sipas gazetarit Artan Hoxha, rihetimi i dosjes së 21 Janarit ka qenë më shumë një kërkesë e familjarëve të viktimave. Dhe për këtë ka patur disa takime të bëra mes familjarëve dhe ish-ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë muajve të parë të pandemisë.

Në datën 28 Shkurt të vitit të kaluar, dy prokurorët e çështjes e kanë pezulluar dhe ja kanë kthyer policisë me motivacinin se nuk ka autor për vrasjen e Aleks Nikës. Ndërkohë gjatë kësaj kohe ka patur dhe disa takime që me sa di unë ka qenë ministri Lleshaj i cili ka marrë përsipër. Ai ishte dhe drejtues politik në atë kohë i qarkut të Lezhës dhe Aleks Nika vjen nga zona e Lezhës. Në ato takime kanë marrë pjesë oficerë të policisë gjyqësore të Policisë së Shtetit, familjarë. Takimet janë bërë nga Maji dhe mbrapa gjatë pandemisë. Janë bërë 3 takime të paktën. Familjarët e Aleks Nikës këmbëngulnin që çështja duhet të rihapet dhe kërkonin drejtësi. Familjarët e Aleks Nikës nuk e kanë pranuar shpërblimin që u është dhënë familjarëve të viktimës. Vërtetë është një dosje voluminoze, por gjatë kqyrjes  u pa që në dosje kishte probleme, ka patur probleme me provat që janë gjetur në vendin e ngjarjes”. 

Pasaportë vaksinimi për udhëtime? Manastirliu: Dokumenti do të merret në e-Albania

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu thotë se ata persona që do të vaksinohen kundër koronavirusit Covid-19, do të marrin një dokument të lëshuar nga portali qeveritar e-Albania, që do të mund të shërbejë si një “pasaportë udhëtimi” jashtë vendit.

E ftuar në emisionin Opinion, ministrja Manastirliu u pyet nga kryeredaktori i departamentit të lajmeve të Tv Klan, Fatos Hakorja, nëse do të ketë rrezik falsifikimi ky dokument, dhe deklaroi se çdo qytetar do të ketë kodin unik të skanuar.


Fatos Hakorja:
 Ne do të pajisemi me ndonjë dokument për udhëtim?

Ministrja Manastirliu: Po, ne kemi planifikuar dhe e kemi gati që nëpërmjet e-Albania të merret formati i vaksinimit. Pra që ke kryer vaksinimin në dozën e parë.

Blendi Fevziu: Dhe ky do të shërbejë për udhëtimet jashtë?

Fatos Hakorja: Çfarë dokumenti do të marrim zonja ministre, se mund të jetë një dokument lehtësisht i falsifikueshëm?

Ministrja Manastirliu: Do të merret nëpërmjet një kodi të skanuar nëpërmjet e-Albania.  

Ministrja Manastirliu tregon planin e vaksinimit dhe nëse do merret vaksina ruse dhe kineze

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka treguar sot në emisionin “Opinion” në Tv Klan nëse Shqipëria do të marrë vaksinën ruse dhe kineze. Ministrja u shpreh këto vaksina do të merren nëse kalojnë filtrin në EMA apo FDA.

Së pari vaksina ka elementin e sigurisë. Nëse marrin certifikatën e përdorimit nga EMA në Evropë dhe FDA në SHBA atëherë ne do të marrim këto vaksina”, u shpreh ajo.

Ndërkohë teksa u pyet se sa vaksina do të ketë deri në Qershor, ministrja tha se plani më ambicioz është që e gjithë popullata të vaksinohet brenda 14 muajve.

Ne nuk  mendojnë por kemi një plan konkret. Ne kemi tre skenarë, në skenarin më ambicioz është vaksinimi i popullatës në 14 muaj, skenari i dytë është 18 muaj dhe skenari i tretë është 24 muaj.

Në 6 muajt e parë duam të vaksinojmë mjekët dhe infermierët, janë rreth 200 të moshuar që kanë probleme shëndetësore, por brenda këtyre do të vaksinohen ata që janë mbi 80 vjeç”, shtoi Ogerta Manastirliu.

Kur do nis vaksinimi masiv në Shqipëri? Përgjigjet ministrja Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka folur sot për vaksinimin masiv në Shqipëri. E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Ministrja ka thënë se dozat e para do të vijnë në Janar, që do të jenë 10 mijë dhe 30 mijë do të vijnë në Shkurt.

Numri një i Shëndetësisë tha se pritet dhe doza nga COVAX që janë deri në 1 milionë doza deri në fund të vitit.

Janë 500 mijë doza që do të vijnë nga Pifzer, me 10 mijë doza në Janar, me 30 mijë doza në Shkurt dhe më tej sipas kalendarit. Pastaj janë dhe mbi 1 milion dosa që do të vijnë nga instrumenti COVAX. Këto vaksina do të fillojnë të vijnë në muajin Shkurt dhe është bërë një grafik. Sigurimi i dozave të vaksinës fillon nga muaji Shkurt dhe më pas do vijnë dozave të tjera”, u shpreh ministrja.  

Më tej Ogerta Manastirliu tha se deri tani janë siguruar doza për të vaksinuar 800 mijë qytetarë.  

Pfizer do të sjell doza gjatë gjithë vitit kalendarik dhe ne jemi në negociata me kompani të tjera si AstraZeneca dhe Moderna. Ne deri tani kemi siguruar vaksinimin për 800 mijë qytetarë. COVAX dhe Prizer janë dy kontratat e para dhe ne pritet që të lidhim kontrata me AstaZeneca dhe Moderna”, shtoi ajo.

Publikoi kontratën sekrete, gazetarja i përgjigjet Manastirliut: Ata që nënshkruan nuk kanë certifikatë sigurie

Kontrata e qeverisë shqiptare me kompaninë Pfizer për vaksinat anti-covid është konsideruar sekret dhe si e tillë është miratuar në fshehtësi të plotë nga Parlamenti.

Por një kopje e kësaj kontrate është publikuar nga gazetarja Valmora Gogo. Në një lidhje direkte për emisionin Opinion në Tv Klan, gazetarja Gogo përballë ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka zbuluar 2 detaje përse nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore në publikimin e kontratës sekret.

Gazetarja Valmora Gogo: Unë jam konsultuar me ekspertë të ligjeve. Ka një moment që është ruajtja e konfidencialit që është detyrim i palëve. Unë nuk jam palë. Së dyti, ekspertët që kanë përpiluar draftin  e kontratës nuk kanë certifikatë sigurie. Kjo do të thotë që skualifikohet si sekret shtetëror.

Ministrja ManastirliuKontrata parashikon që të jetë kontratë që ruan sekretin tregtar.

Gazetarja Valmora Gogo ka zbuluar gjithashtu se çmimi i një doze vaksine të Pfizer, sipas kontratës që ka nënshkruar me qeverinë shqiptare, është 12 Dollarë.

“Është evazive tremujori i 3 dhe i 4. Çmimi është 12 Dollarë për një vaksinë dhe është një nga çmimet më të lira. Është çmimi për një dozë”.

Vjedhja e pacientit në spitalin Covid, Manastirliu: Krim që duhet dënuar maksimalisht

Dy ditë më parë emisioni Stop në Tv Klan denoncoi rastin e një pacienti që u grabit në Spitalin Infektiv pasi humbi jetën nga koronavirusi Covid-19.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, ka dënuar këtë ngjarje të rëndë dhe ka thënë se rasti është nën hetim nga prokuroria dhe policia. Grabitjen e parave të pacientit, ministrja Manastirliu e konsideron krim që duhet të marrë dënim maksimal.

“Reagimi ynë ka qenë në kohën më të shpejtë. Rasti i dytë është duke u investiguar nga organet e Prokurorisë dhe policisë për të evidentuar si ka ndodhur ngjarja. Deri më sot nuk ka një zbardhje. Por ngjarja është e dënueshme, është krim. Ky është një krim, është vjedhje, është i papranueshëm të ndodhë në një institucion shëndetësor. Është një akt që duhet zbardhur dhe ne kemi kërkuar zbardhjen e menjëhershme të këtij rasti. Për këto raste nuk duhet të ketë dënim të thjeshtë, duhet dënim maksimal. Këto raste nuk mund të përgjithësojnë të gjithë mjekët dhe infermierët. Padiskutim që këto raste kanë qenë, janë por dhe do të jenë se janë të lidhura me veset. Detyra jonë është që të parandalojmë dhe të dënojmë”, u shpreh ministrja Manastirliu.

Në rastin që denoncoi Stop, pacientit që humbi jetën nga Covid-19 iu morën 200 mijë Lekë të vjetra nga portofoli dhe 600 mijë Lekë të vjetra nga karta e bankomatit. /tvklan.al