Berisha: Nuk kam pasur projekt për të ndërtuar qendër tregtare tek teatri

Sali Berisha ka mohuar që të ketë pasur oferta për të ndërtuar një qendër tregtare në truallin e Teatrit Kombëtar gjatë kohës që ishte kryeministër.

Gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan, ish-kreu i qeverisë i ktheu përgjigje deklaratës së Ramës këtë të enjte në parlament, i cili tha se “kur unë kryetar Bashkie e kam pritur në zyrë, një dërgatë të një investitori të njohur shqiptar deri në vëllazëri me familjen e Kryeministrit të kohës. Kanë ardhur në zyrën time si kryetar Bashkie dhe më kanë paraqitur projektin si Plaza Shopping në truallin e Teatrit Kombëtar. Sepse duhej që bashkia ta mbështeste. Projekti ishte i bukur. I thashë shumë i bukur projekti, por këtu do të ndërtohet Teatri i ri Kombëtar”.

Berisha e quajti Ramën “mashtrues ordiner” dhe tha se ai trillon për të mbuluar genocidin kulturor që kreu më 17 Maj, kur shembi godinën e Teatrit Kombëtar.

“Një mashtrues ordiner i pafytyrë. Kurrë ndonjëherë në jetën time nuk kam patur nga një biznesmen, shqiptar apo gjerman, ofertë për të ndërtuar aty qendër tregtare, kurrë. Kam patur për në stadium. I them këtu, që na e jep stadiumin dhe ta bëjmë më të bukur dhe ta përdorin për qëllime të tyre dhe kam qenë kategorik. Për teatrin kurrë nuk më ka ardhur njeri që shembe dhe të ndërtojë qendër tregtare. Çdo variant i tillë është trillim për të mbuluar genocidin kulturor që kreu Rama më 17 Maj duke shembur një simbol të kombit”, tha Berisha.

Berisha: Përpjekja për ndryshimin e sistemit pengon Reformën Zgjedhore

Reforma Zgjedhore është çështja tjetër e nxehtë në mes të politikës shqiptare. Pas shembjes së Teatrit Kombëtar, opozita jashtëparlamentare bojkotoi mbledhjen e radhës në Këshillin Politik dhe kjo ka nxitur diskutimet nëse mund të përfundojë në kohë apo jo.

Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan u shpreh se e ka nxitur publikisht Reformën Zgjedhore dhe e ka quajtur të domosdoshme pjesëmarrjen e opozitës në këtë proces.

Mirëpo, ish-kreu i qeverisë tha se reforma pengohet nëse përpiqet të ndryshohet sistemi zgjedhor. Kjo në  fakt është një nga kërkesat e opozitës parlamentare dhe përfaqësuesja e saj në Këshillin Politik, Rudina Hajdari, ka kërkuar disa herë që të futet në axhendën e punës.

Megjithatë sipas Berishës, përpjekja për të ndryshuar sistemin, mund të bllokojë problemin. Por ai u shpreh se nëse palët bien dakord edhe për një sistem tjetër ai do ta mbështesë këtë vendim.

Sali Berisha: Reformën Zgjedhore e kam nxitur publikisht dhe e kam quajtur të domosdoshme pjesëmarrjen e opozitës, por unë jam njeri që lexoj raportet. Në asnjë raport të asnjë palë zgjedhjeje nuk ekziston asnjë sugjerim për ndryshimin e sistemit. Nëse do të pengosh reformën, çoje te sistemi.

Mentor Kikia: S’po e pengon. PD dhe PS pika ku ishin marrë vesh për bukuri ishte tek sistemi. Mos u kapni tek sistemi. Sistemi ishte e vetmja pikë ku janë marrë vesh pa nisur akoma. Pse e braktisi opozita?

Sali Berisha: Për mua përpjekja për të ndryshuar sistemin do çojë në bllokimin komplet të problemit.

Lorenc Vangjeli: Keni të njëjtin mendim si Damian Gjiknuri.

Sali Berisha: Sistemi pastaj do një gjë tjetër. Unë i bëj një korrigjim për të lehtësuar partitë e vogla, por sistemi rajonal proporcional ky që është, është një sistem që e kanë disa vende dhe jep sukses. Megjithatë unë nuk ndërhyj. Po ranë dakord, cilido sistem të zgjedhin unë jam dakord.

Blendi Fevziu: Zoti Berisha ju thatë një gjë, që përpjekjet për të ndryshuar mund të çojnë në bllokimin e procesit. Pse?

Sali Berisha: Mund të çojnë në bllokimin e procesit sepse një palë, e parë e dytë dhe e trata mund të ndahet zemërthyer edhe ikën. Ajo do konsensus aty është problemi.

Ndër të tjera, Berisha tha se është për sistemin zgjedhor që ka aktualisht vendi. Sipas tij, një sistem i hapur mund të lejojë hyrjen e trafikantëve në vend.

***

Biznesmeni shqiptar: Kam probleme me aritmetikën; Fevziu: Po si u bëre kaq i pasur?

Sinan Idriz, Presidenti i klubit të futbollit Flamurtari, është denoncuar në Prokurorinë e Stambollit nga biznesmeni turk Adnan Polat se biznesmeni shqiptar po i mban peng 3.5 milionë Dollarë.

Për të folur për këtë çështje, Sinan Idrizi ka qenë sonte në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku i është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarit Blendi Fevziu.

Sinan Idrizi është gjithashtu aksioner me 41% i kompanisë ajrore “Air Albania”, për të cilën sqaroi se ka investuar nga financat e tij.

“Kur ne kemi bërë investimin tonë, së bashku me Turkish kemi menduar të ndërtojmë një kompani shqiptare. Gjithë investimi që kemi bërë atje nuk ka asnjë Dollarë nga fondet publike. Pjesa ime është investim i fondeve të mia, pjesa e Turkish është pjesë e saj”.

Idrizi u pyet nga Blendi Fevziu sa është pasuria e tij, por nuk dha një përgjigje të saktë.

Blendi Fevziu: Sa i pasur jeni ju?

Sinan Idrizi: I pasur, meqë është një nga ditët e Ramazanit, pasuria për mua është 2 metër katrorë.

Blendi Fevziu: Sa i pasur jeni ju ose sa vlen kompania juaj?

Sinan Idrizi: Unë kam probleme me aritmetikën.

Blendi Fevziu: Po si jeni bërë kaq i pasur duke pasur probleme me aritmetikën?

Sinan Idrizi: Kam probleme me aritmetikën e atij mburravecit që është në majë të kotecit dhe tregon se çfarë ka dhe çfarë bën. Unë nuk kam për të treguar se çfarë kam dhe çfarë bëj. Unë dua të punoj, pjesën tjetër pastaj vlerësojeni ju! 

U padit nga biznesmeni turk, flet Sinan Idrizi: Përse dështoi blerja e kompanisë

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Sinan Idrizi ka sqaruar këtë çështje, duke thënë se shuma 3.5 milionë Dollarë ishte depozituar në llogarinë e tij bankare si garanci për blerjen e një kompanie shqiptare.

“Ajo që keni lexuar pak më parë nuk ka lidhje me shtypin turk, nuk ka asnjë ngjarje të tillë. Ka një akuzë të drejtpërdrejt nga një artikull pa emër në shtypin turk duke ju referuar z.Polat për një marrëveshje në të cilën unë jam me status e garantuesit të kontratës. Kemi ardhur në Shqipëri për të investuar në hidrokarbure, për të investuar në energji të rinovueshme, për të investuar në turizëm. Me dëshirën e z. Polat kemi marrë si konsulent një kompani të njohur ndërkombëtare, e cila ka bërë audit e dy kompanive shqiptare. Pasi është bërë auditimi i kësaj kompanie në mënyrë të drejtpërdrejtë palët kanë rënë dakord të blejnë aksionet. Si hap të parë kemi depozituar me cilësinë e garantuesit të kontratës me konton time bankare garancinë e kaparit për blerjen e kontratës. Unë kam marrë rolin e garantorit të kontratës, por një kompani ndërkombëtare me zyrën e saj në Tiranë ka bërë auditin e brendshëm të kompanisë që do të blenim”.

Por, blerja e kompanisë shqiptare dështoi, sikurse thotë Sinan Idrizi, për shkak të problemeve financiare të biznesmenit turk Adnan Polat.

Blendi Fevziu: Pse kompania nuk u shit?

Sinan Idrizi: Për shkak të paaftësive financiare të z.Polat për të paguar pjesën e plotë të kontratës. Në momentin që bankat nuk e financojnë z.Polat për këtë apo për atë arsye, më kërkon në mënyrë të drejtpërdrejtë se çfarë mund të bëjmë. Pra, pas kësaj ngjarje, e kam kontaktuar disa herë dhe i kam kërkuar të zgjidhë situatën. Nga njëra anë të marrë përsipër detyrimet e tij financiare ose t’i drejtohemi për të zgjidhur në formë të tjera.  

Mediat turke kanë raportuar sot se biznesmeni Polat, marrëveshjen me Sinan Idrizin e kishte nënshkruar pasi biznesmeni vlonjat i kishte garantuar blerjen e kompanisë GFI Albania sh.p.k. Sipas Polat, Idrizi kishte ndërhyrë madje edhe në majën e pushtetin qëndror në Shqipëri, që blerja e kompanisë të bëhej e mundur. Mediat turke referojnë padinë e Adnand Polat, sipas të cilës Idrizi kishte hyrë garant për realizimin e këtij biznesi, pasi kishte marrë edhe miratimin e Kryeministrit Rama. Por ai thotë se përveçse humbi paratë, biznesmeni turk nuk mori dot as kompaninë e premtuar dhe Polat thotë në një intervistë për Hurriyet se kjo i ndodh për herë të parë. 

Roli i Ramës në konfliktin me biznesmenin turk? Përgjigjet Sinan Idrizi

Biznesmeni turk Adnan Polat ka paditur biznesmenin shqiptar Sinan Idrizi për mashtrim me vlerën e 3.5 milionë Dollarëve. Lajmi u bë i njohur nga mediat turke, për të cilat Polat kishte lëshuar një deklaratë në lidhje me këtë çështje.

Ndërkohë, mbrëmjen e kësaj të enjteje në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Sinan Idrizi, i cili është president i ekipit të futbollit Flamurtari, ka sqaruar detaje të reja rreth padisë.

Ai tha se çështja do të gjykohet në Gjykatën Administrative të Stambollit. Idrizi shtoi se do të çojë një padi në Gjykatën e Tiranës për dëmshpërblim për prishje imazhi.

Idrizi ka sqaruar edhe rolin e kryeministrit Rama në këtë çështje. Duke cituar deklaratën e Polatit, Idrizi tha se biznesmeni turk ka marrë aprovimin për investimet në Shqipëri me kusht pasi të ketë deklaruar kapacitet financiare të kompanisë.

Por i pyetur nga gazetari Spartak Koka nëse mban pasaportë turke, Idrizi tha se “Nuk më kujtohet sa pasaporta kam, di që jam shqiptar”.

Spartak Koka: Çështja gjyqësore dhe penale, ku po zhvillohet, në cilin qytet të Turqisë? A ka një veprimtari ligjore penale apo civile, e cila zhvillohet paralelisht edhe në vendin tonë?

Sinan Idrizi: Që të jemi më korrektë deklarata e zotit Polat që ishte atribuuar sot shtypit turk nuk është ajo që ka thënë ai, gjë që ma ka thënë zoti Polat sot.

Spartak Koka: CNN turk. Ne po i referohemi CNN turk.

Sinan Idrizi: Kur thotë te pjesa e aprovimit të zotit Rama thotë se ka marrë aprovimin për investimet në Shqipëri me kusht pasi të ketë deklaruar kapacitetet financiare ai dhe çdo lloj kompanie tjetër për investimet në Shqipëri. Pra pa vendosur peng kompani shqiptare dhe pastaj duke u rifinancuar nga tregje shqiptare. Kjo është për sqarim. Pjesa tjetër se ku do ndodhë kjo është në gjykatën e Stambollit. Unë kam personalisht vetëm një kontratë me zotin Polat. Kushtet e kontratës se cila palë nuk i ka zbatuar do të mbajë përgjegjësi është Gjykata Administrative e Stambollit.

Spartak Koka: Pra është penale apo civile çështja nga ana juaj dhe nga ana e Zotit Polat është penale apo civile?

Sinan Idrizi: Është në Gjykatën Administrative të Stambollit si çështje. Pra nga ana ime përveç kësaj kam bërë një padi për dëmshpërblim të imazhit tim qoftë në Gjykatën e Stambollit, qoftë në Gjykatën e Tiranës do ta bëj javën tjetër. Në Stamboll kam statusin e garantuesit të kontratës së kaparit dhe në tiranë padinë për prishje të imazhit.

Spartak Koka: Zoti Idrizi ju mbani dhe pasaportë turke?

Sinan Idrizi: Nuk më kujtohet sa pasaporta kam, di që jam shqiptar.

Spartak Koka: Pasaportë turke keni?

Sinan Idrizi: Ç’lidhje ka kjo me çfarë pasaporte kam.

Idrizi flet për Ramën: Kam raport miqësor me deputetin e Vlorës

Blendi Fevziu: Ç’raport keni me Edi Ramën, Kryeministrin e Shqipërisë?

Sinan Idrizi: Me deputetin e Vlorës kam një raport shumë miqësor.

Blendi Fevziu: Raport miqësor që shkon deri ku?

Sinan Idrizi: Me deputetin e Vlorës!/tvklan.al