Të ftuar: Klotilda Ferhati, Artan Hoxha, Lorenc Vangjeli, Çlirim Gjata, Klodiana Lala dhe Fitim Zekthi. Në lidhje direkte ish-Presidenti Bujar Nishani.

Përplasja e Metës me SHBA, Lorenc Vangjeli: Shkaqet janë të tjera

Deklaratat e forta të Presidentit Ilir Meta me ambasadën e SHBA gjatë ditës së sotme, sipas analistit Lorenc Vangjeli nuk është për Gjykatën Kushtetuese.

Ambasada amerikane propozoi sot që debatin për ngërçin kushtetues, palët ta dërgojnë për mendim tek Komisioni i Venecias.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Lorenc Vangjeli tha se nuk beson që të jetë propozimi i SHBA shkaku i përplasjes me Metën. Sipas tij, shkaqet janë të tjera dhe që ende nuk dihen.

Ngërçin në Gjykatën Kushtetuese, Lorenc Vangjeli e sheh si krizë politikë.

“Kjo është një krizë politike dhe zgjidhja e saj vjen me mjete politike. Po flasim deri tani për atë që duket. Presidenti deri tani na ka treguar formën por jo përmbajtjen e kundërvënies së tij ndaj SHBA. Thelbi i përplasjes nuk është kjo, është diçka tjetër të cilën ne nuk e dimë për momentin. Shkaqet duhet të jenë të tjera. Nuk e di, refuzoj të spekuloj mbi këtë gjë. Reagimi i parë në këtë mënyrë është proporcional. Në këto ditë do fillojmë të shikojmë shkaqet e vërteta të kësaj përplasje”, u shpreh analisti Vangjeli. 

Ish-Presidenti Nishani: Politikanët e përfshirë në korrupsion vonojnë ngritjen e SPAK

Ish-Presidenti Bujar Nishani thotë se ngritja e SPKA-ut dhe BKH-së që do të hetojnë politikanët, po ecën me ritme të ngadalta në ndryshim nga shpejtësia me të cilën avancoi Vettingu ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në një lidhje me emisionin “Opinion” në Tv Klan, Nishani theksoi se politikanë që mund të jenë të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion apo që mund të jenë subjekt i hetimit, nuk kanë interes që këto dy institucione të reja të drejtësisë të ngriheshin në afatet e përcaktuara.

“Është një çështje që ka të bëjë me një politikë të dy shpejtësive, me të cilën është ndërmarrë dhe është ndërhyrë tek Reforma në Drejtësi. Shikoni nga njëra anë shpejtësinë me të cilën është bërë Vettingu, për të cilën unë e vlerësoj, edhe më shpejt mund të ishte bërë.

Dhe nga ana tjetër një standard i dyfishtë, një shpejtësi e dytë për SPAK-u dhe për BKH-në, çka tregon që ata të cilët janë dhe mund të jenë subjekte nesër për shkak të përfshirjes në krimin e organizuar apo në nivelet e larta të korrupsionit, nuk kanë pasur asnjë interes që SPAK-u dhe BKH-ja të ngrihet në afatet e parashikuara”, u shpreh ish-Presidenti Bujar Nishani. 

Xhaferllari apo Vorpsi? Ish-presidenti: Kushtetuta prevalon mbi ligjin

Ish-presidenti i vendit Bujar Nishani deklaroi mbrëmjen e sotme se anëtare e Gjykatës Kushtetuese është Marsida Xhaferllari dhe jo Arta Vorpsi.

Në një lidhje direkte për “Opinion” në Tv Klan, ish-presidenti Nishani, duke cituar Kushtetutën tha se midis Kushtetutës dhe Ligjit, prevalon Kushtetuta, e në këtë mënyrë Xhaferllari është anëtarja e re.

Nishani: Kushtetuta thotë se Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, 3 zgjidhen nga Parlamenti, 3 nga Kuvendi dhe 3 nga Gjykata e Lartë. Së dyti Kushtetuta thotë se anëtarin e parë e zgjedh Presidenti, të dytë Parlamenti dhe të tretin Gjykata e Lartë dhe vijon në këtë mënyrë me radhë deri sa të plotësohen 9 vendet. Pika e tretë thotë se anëtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën vetëm pas betimit tek Presidenti.

Fevziu: Por thotë që nëse Presidenti për 30 ditë nuk nxjerr një dekret për të tre, hynë dirket e para…

Nishani: Jo nuk e thotë këtë.

Fevziu: E thotë ligji.

NishaniKa një hierarki në mbarë botë dhe vendin tonë, midis Kushtetutës dhe Ligjit prevalon Kushtetuta.

Fevziu: Pse është ky lëmsh?

Nishani: Sepse ata të cilët tentuan të bëjnë një ligj, menduan që të manipulojnë Kushtetutën. Kushtetuta ndryshoi në korrik të 2016 me konsensusin e të gjitha palëve. Maxhoranca filloi menjëherë hilet e saj me synim për të kapur Kushtetutën dhe bëri artifica të tilla në ligj që bien ndesh me Kushtetutën

FevziuPra ju jeni të bindur se Marsida Xhaferllari është anëtarja  e Kushtetueses?

Nishani: Sepse ajo është  kandidaturë që i takon Presidentit, ajo është betuar para Presidentit dhe Gjykata Kushtetues e ka afirmuar atë si anëtare, është i vetmt organ që mund ta bëjë këtë shpallje.

“Ekziston video diskredituese për një kryetar Bashkie”

Gazetari Artan Hoxha ka paralajmëruar se disponon një video të dyshimtë të një kryetari Bashkie, për të cilën thotë se është në proces verifikimi.

Deklaratën e bëri në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku tha se bëhet fjalë për një video diskredituese.

Por gazetari nuk preferoi të jepte më shumë sqarime, dhe tha se mund të publikohet javën e ardhshme.

Artan Hoxha: Po e verifikojmë javës tjetër, mendova që këtë javë do dilte video përvëluese, s’doli ajo.

Blendi Fevziu: E ke vërtetë videon?

Artan Hoxha: Është lajm që po e verifikojmë.

Blendi Fevziu: Përvëluese është dhe kjo video?

Artan Hoxha: Unë nuk them që është përvëluese, është video diskredituese më tepër. Për mua problem është që s’duhet lejuar që në pozicione të tilla njerëz që kanë besimin e qytetarëve të kenë të drejtë të marrin vendime për jetën e qytetarëve të një vendi. 

Dy analistët debate me tone të ashpra në Opinion me mikrofonë të fikur

Mes dy analistëve Lorenc Vangjeli dhe Fitim Zekthi ka patur një debat në emisionin “Opinion” në Tv Klan mbrëmjen e sotme, ku po diskutohej për kreun e KED-së Ardian Dvorani, i cili është akuzuar nga Presidenti Ilir Meta për shkelje të Kushtetutës.

Lorenc Vangjeli ishte duke folur, kur në fund të minutazhit të tij ndërhyri analisti tjetër Fitim Zekthi.

“O Fitim më dëgjo se nuk humbet asgjë”, iu drejtua Lorenc Vangjeli kolegut Zekthi, ndërsa ky i fundit iu kundërpërgjigj duke thënë se “Vangjeli pretendon të ketë dije superiore”.

Kaq mjaftoi që mes tyre të niste një debat me tone të larta, ndërsa drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu ju uli mikrofonat si një përpjekje për të rivendosur qetësi në studio. 

“Shumë shpejt mazhoranca do ta heqë me ligj betimin tek Presidenti”

Gazetari Artan Hoxha u shpreh se ka informacion se maxhoranca po merr një nisëm për ta hequr me ligj detyrimin e betimit tek Presidenti.

Në debatin për ngërçin kushtetues në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Hoxha tha se shumë shpejt do ta shohim në Parlament këtë ligj për miratim, ndërsa iu drejtua me disa pyetje ish-presidentit Bujar Nishani.

Hoxha: A mund të funksionojë KED dhe pa Dvoranin?

NishaniKED nuk mund të funksionojë dhe pa Dvoranin, por nuk është ajo arsyeja që thatë ju, që mund të ngrijë për shkak fillimit të hetimit penal se KED ka afat vetëm një vjeçar, dhe anëtarët që kanë shërbyer nuk kanë të drejtë rikandidimi…

Hoxha: A mund të funksionojë SPAK pa bërë betimin tek Presidenti, sepse kam dëgjuar që maxhoranca po merr një nisëm për ta hequr me ligj betimin e tek Presidenti, shumë shpejt do ta shikoni në Parlament.

Nishani: Nëse është e vërtetë do të thotë që e keni marrë përgjigjen, pra është e detyrueshme betimi tek Presidenti. Unë mendoj se nuk do të ishte normale që të pengohej betimi tek Presidenti që SPAK të fillonte sa më shpejtSepse ata të cilët janë të frikësuar dhe tentojnë të bllokojnë funksionim e SPAK janë krimi i organizuar, politika e lidhur me krimin e organizuar dhe qeveritarët e korruptuar.

Deklaratën e Hoxhës e ka mbështetur edhe juristi Çlirim Gjata, i cili dukej se kishte të njëjtin informacion. 

Zbulohet diplomati që shantazhoi zëdhënësin e Presidentit Meta

Presidenca ka bërë kallëzim në Prokurori ndaj zyrtarit të ambasadës italiane në Tiranë, për të cilin pretendon se ka shantazhuar Tedi Blushin, zëdhënësin e kreut të shtetit Ilir Meta.

Lajmi është bërë i ditur nga analisti Lorenc Vangjeli në emisionin “Opinion” në Tv Klan, i cili sqaroi se zyrtari që përmendi Presidenti Meta për shantazh ndaj zëdhënësit të tij, është i ambasadës së Italisë.

“Nuk bëhej fjalë për ambasadën amerikane, bëhet fjalë për ambasadën italiane. Është një zyrtar i lartë i ambasadës italiane, sapo është bërë padia në Prokurori. Bëhet fjalë për një telefonatë të bërë ndaj z.Blushi pak çaste pasi ai ka nxjerrë statusin e parë”, tha analisti Lorenc Vangjeli.

Më herët gjatë ditës së sotme, Presidenti Ilir Meta deklaroi se zëdhënësi i Presidencës Tedi Blushi u shantazhua nga një zyrtar i një ambasade për një postim në Facebook të cilit i kërkoi që ta fshinte brenda 30 minutash.

“Mjerë ata diplomatë që mund të kenë kërcënuar Zëdhënësin e Presidentit të Republikës”, u shpreh Ilir Meta për këtë ngjarje. /tvklan.al