Opinion-Përgjaket fushata!




Opinion-Përgjaket fushata!

21:48 21/04/2021

Të ftuar në Opinion: Taulant Balla, Gazmend Bardhi, Rudina Hajdari, Artan Hoxha, Klodiana Lala dhe Spartak Koka.

I mori makinën kundërshtarit, si u largua autori i vrasjes në Elbasan

Gazetari: 5 persona të shpallur në kërkim, mes tyre dyshohet edhe për një të plagosur

Arbër Paplekaj, ish-efektivi i policisë pjesë e një strukture të PD për mbrojtjen e votës, pasi hapi zjarr në përplasjen me armë të ndodhur këtë të mërkurë në Elbasan ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë, pas ngjarjes u largua me një automjet që ia mori një pjesëtari të grupit kundërshtar. Detajet i përcolli në emisionin “Opinion”, gazetari Spartak Koka.

“Arbër Paplekaj, i cili mbante një armë të licencuar, është larguar nëpër rrugica dhe pranë një servisi i ka marrë makinën shtetasit me iniciale L.T. i cili ishte pjesë e palës kundërshtare, që ishte njoftuar nga pala kundërshtare për të vajtur në vendngjarje. E ka marrë këtë sepse po ndiqej sipas tij, kjo është dëshmia që ka dhënë, nga persona të armatosur të grupit kundërshtar dhe është drejtuar drejt Tiranës”.

Koka tha se nuk dihet ende kush ka qëlluar i pari, por deri më tani konfirmohet se janë dy lloje gëzhojash të gjetura në vendin e ngjarjes, njëra e Paplekajt, tjetra nuk dihet ende.

Gazetari tha gjithashtu se deri më tani autoritetet policore kanë shpallur në kërkim 5 persona, mes të cilëve dyshohet të jetë edhe një tjetër i plagosur i cili po merr mjekim fshehurazi.

“Janë 5 persona deri më tani të shpallur në kërkim, njëri prej tyre dyshohet të ketë mbetur i plagosur në vendngjarje dhe po merr mjekim, sipas informacionit operativ, po merr mjekim fshehurazi. Po punohet nga strukturat e policisë për ta kapur, por dyshohet se po mjekohet në mënyrë të fshehtë”.

Gazetarja zbulon telefonatën me të kërkuarin për ngjarjen në Elbasan: U gjeta aty sepse…

Një nga personat e dyshuar si të përfshirë në ngjarjen e Elbasanit ku humbi jetën Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë është edhe Klement Xhaferri. Ai është shpallur në kërkim policor për shkak të dyshimeve se mund të jetë i përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.

Gazetarja Klodiana Lala ka treguar në emisionin “Opinion” se Xhaferri e ka telefonuar personalisht dhe i ka deklaruar se është i gatshëm të përballet me prokurorinë dhe policinë. Lala tha se e ka të regjistruar bisedën dhe se Xhaferri i ka thënë që është gjendur në atë ngjarje disa minuta pasi ka ndodhur vrasja pasi banon në atë zonë.

“Klement Xhaferri më ka telefonuar ditën e sotme pasi i kam nxjerrë emrin si një nga personat. Ai është në kërkim policor pasi ka dyshime që është përfshirë në këtë ngjarje. Klement Xhaferri më ka deklaruar zyrtarisht, pasi pati një kërcënim ndaj meje, më tha që unë jam i hapur për t’u përballur me policinë dhe prokurorinë.

Telefonata është e regjistruar. Më ka thënë një detaj tjetër, që unë jam gjetur aty, pak minuta nga ngjarja për shkak se banoj në atë zonë. Po e sqaroj sepse më ka telefonuar personalisht duke kundërshtuar faktin se nuk ishte i përfshirë dhe nuk ishte në kërkim policor. Është e konfirmuar policia se është në kërkim policor”, tha Lala.

Ndërkohë më herët Gazment Bardhi tha se një nga personat e përfshirë në këtë ngjarje është Klement Xhaferri, i cili ka tentuar të largonte makinën dhe personin që po blinte vota. Sipas tij, Xhaferri është autori i plagosjes së dy anëtarëve të SMV së PD-së.

“Aty kanë mbetur të plagosur Pavlo Vuksani dhe Emiljano Prenga, të dy ish punonjës të Policisë së Shtetit, pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votave në Elbasan.  Në këtë moment ka pasur të shtëna me armë mes palëve”, tha Bardhi në një deklaratë për shtyp.

3 prej personave të përfshirë në përplasjen në Elbasan, pjesë e “SMV” të PD

Bardhi shpjegon çfarë është Struktura e Mbrojtjes së Votës

Tre prej personave të përfshirë në përplasjen me armë të ndodhur këtë të mërkurë në qytetin e Elbasanit, janë pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votave të Partisë Demokratike në Elbasan.

Dy prej tyre janë dy personat që mbetën të plagosur Pavlo Vuksani dhe Emiljano Prenga, të dy ish-punonjës të Policisë së Shtetit. Personi i tretë është Arbër Paplekaj, i cili u vetëdorëzua në polici si autor i vrasjes së Pjerin Xhuvanit.

Këtë e konfirmoi gjatë një deklarate për mediat, drejtuesi i PD në Elbasan, Gazment Bardhi. Ky i fundit ishte gjithashtu në një lidhje direkte me emisionin Opinion, ku u pyet më gjerë rreth kësaj strukture.

“Është një strukturë e shtrirë në të gjitha qarqet e Shqipërisë. Ne nuk kemi angazhuar një bandë tjetër, kemi angazhuar njerëz të ligjit, ish-efektivë të policisë të në mbrojtje të votës. Sigurisht pjesë e këtyre grupeve ka edhe qytetarë”.

Por çfarë rroli ka kjo strukturë sipas Bardhit?

“Struktura e Mbrojtjes së Votës nuk lëviz në qytetin e Elbasanit, merr një informacion dhe shkon për të verifikuar informacionin me qëllim dokumentimin e krimit zgjedhor. Në atë rast krimi ka qenë duke ndodhur, prandaj Struktura e Mbrojtjes së Votës, ka bërë ndalimin e këtij personi dhe ka njoftuar Policinë e Shtetit nuk ka kryer asnjë veprim procedurial dhe nuk ka lejuar që të prishet vendngjarja”.

Nga përplasja e ndodhur këtë të mërkurë mbetën gjithashtu të plagosur dhëndri i Xhuvanit, Eltjon Bodinaku dhe një efektive e policisë, Xhensila Sota.

Makina e ndaluar nga PD për shitblerje votash, Balla: Nuk ka lidhje me PS-në

Një makinë që dyshohej se mbante para dhe karta identiteti për të blerë vota. Tre furgonë, që sipas PD-së janë thirrur nga ata për të mbrojtur votën. Në përfundim një i vdekur, 56-vjeçari Pjerin Xhuvani dhe 4 të plagosur mes tyre edhe një efektive policie. Demokratët thonë se ndërhynë për të parandaluar një krim, ku në një makinë dyshohej se kishte para dhe karta identiteti gati për të blerë votat për zgjedhjet e 25 Prillit. Dhe për këtë akuzojnë Partinë Socialiste.

Por nga ana tjetër, nga selia rozë mohojnë gjithçka. Taulant Balla deklaroi gjatë emisionit Opinion këtë të mërkurë se personi që është ndaluar nga furgoni i PD-së nuk ka lidhje me Partinë Socialiste, ndryshe nga çfarë pretendohet nga opozita.  

“Ajo që unë sot ndjej keqardhje është që PD e para nuk dënon ngjarjen, merr në mbrojtje vrasësin, është kryer në prani të policisë është goditur dhe policia. PD le të marrë në mbrojtje vrasësin.

Ai person që është ndaluar, është kontrolluar këta persona nuk ka një lidhje me PS-n”, tha Balla.

Drejtuesi politik i demokratëve Gazment Bardhi, në një deklaratë për shtyp, tha se sipas informacioneve të sigurta, strukturat e Mbrojtjes së Votave kanë shkuar të verifikojnë rastin e një automjeti që drejtohej nga një person dhe që sipas Bardhit shpërndante para në këmbim të votave.

“Sot kur morëm informacione te sigurta, që një  automjet pa targa po lëvizte në lagjen 5 Maj, e  drejtuat nga një person i quajtur Met Dafllaku, dhe në mes të ditës, në mes të lagjes, në mënyrë demostrative, po shpërndante para në këmbim të votave dhe po mblidhte karta identiteti, ne njoftuam strukturat e Mbrojtjes e Votës, te shkonin ta verifikonin. Strukturat e Mbrojtes se Votes kanë në përbërje ish-punonjës të Policisë së Shtetit, të pastër dhe asnjë precedent penal. Pasi kjo njesi e verifikoi informacionin, ato kanë kërkuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit. Është njoftuar drejtëpërdrejtë Drejtori i Policisë Vendore Elbasan. Pas mbërritjes së disa efektivëve të Policisë së Shtetit, me në krye Nëndrejtorin e Policisë Elbasan, strukturat tona kanë kërkuar që Policia të kryejë veprimet proceduriale në përputhje me ligjin. Ndërkohë që Policia e Shtetit ka qenë duke kryer veprimet përkatëse, në ndihmë të shtetasit Met Dafllaku që po shpërndante para në këmbim të votës kanë ardhur një grup personash të tjerë, me disa makina, një pjesë e të cilave të blinduara. Ne keto makina ndodheshin anëtarë te krimit të organizuar, që janë denoncuar nga ana jonë në SPAK, por edhe publikisht si dhunuesit e qytetarëve të Elbasanit në Ditën e Verë”, tha Bardhi.

Artan Hoxha publikon videon: Si lëviznin furgonat e PD-së para vrasjes, çfarë ndodhi në Elbasan

Gazetari Artan Hoxha ka publikuar këtë të mërkurë në emisionin “Opinion” pamjet se si pjesëtarë të një strukture për mbrojtjen e votës në Partinë Demokratike lëviznin në Elbasan me furgona para vrasjes së Pjerin Xhuvanit. Gazetari i kronikës së zezë është shprehur se përplasja që ndodhi sot në Elbasan është ajo që ndodh mes grupeve poshtë shtabeve elektorale.

Ai u shpreh se gjithsej nga ana e Partisë Demokratike kanë qenë 10-12 persona, ish-ushtarakë dhe ish-pjesëtarë të policisë për të siguruar sipas demokratëve mbrojtjen e votave.

“Këtu jemi para ngjarjes. Është furgoni i parë, furgoni i dytë dhe furgoni i tretë. Të paktën nga 10-12 veta gjithsej. Janë ish-ushtarakë, ish-pjesëtarë të forcave të policisë. Është lëvizje tipike se janë të trajnuar për këtë gjë”.

Hoxha tregoi se arma me të cilën është vrarë Pjerin Xhuvani është me leje. “Është qëlluar me një Glock 19. Arma që mban RENEA”.

Gazetari u shpreh se furgonët e PD-së kanë dalë me në terren me objektivin për të kapur militantë të palës tjetër që kanë qenë duke mbledhur kartat e ID-së së qytetarëve. Sipas tij, këta përfaqësues të PD-së kanë ndaluar një Mercedes Benz. Në këtë moment ata i kanë kërkuar shoferit që të tregojë çfarë ka me vete, por kanë hasur refuzimin e tij. Më pas, kjo strukturë e PD-së ka kërkuar që të ndalojë aty derisa të vijë policia.

Hoxha tha se para se në zonë të vinin mbështetësit e Partisë Socialiste kanë qenë të paktën 15 efektivë policie. Hoxha u shpreh se Pjerin Xhuvani nuk ka qenë i armatosur në momentin e vrasjes. Sipas tij në vrasje janë përdorur 3-4 pistoleta.

“Ka qenë një shkëmbim zjarri në prani të policisë. Kam dyshime që ka qëlluar edhe policia”, tha Hoxha.

Bardhi: Arbër Paplekaj nuk është vrasës, është ish-shoqërues në Ambasadën Amerikane

Për ngjarjen e rëndë të ndodhur këtë të mërkurë në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë, Gazment Bardhi, drejtues politik i PD në Elbasan bën përgjegjës drejtpërdrejtë Taulant Ballën dhe Partinë Socialiste.

Në një deklaratë për mediat nga Elbasani, Bardhi pranoi se autori i kësaj ngjarjeje, ish-efektivi i policisë Arbër Paplekaj, i cili u vetëdorëzua në polici pas ngjarjes, ishte pjesë e strukturave të Partisë Demokratike.

Sipas Bardhit, Paplekaj nuk është vrasës, por pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votës të PD në Elbasan. Bardhi tha se Paplekaj është ish-efektiv i Policisë së Shtetit dhe ish-shoqërues në Ambasadën Amerikane.

Arbër Paplekaj nuk është shoqëruesi im, sic u dezinformua me dashje media. Unë jam prej ditës së parë në fushatë i shoqëruar nga të rinjtë dhe nga ekipi im, dhe nuk kam nevojë për badigardë. Por po, ai është pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votës në Elbasan. Ai nuk është kriminel. As vrasës. Është ish-efektiv i Policisë së Shtetit dhe ish-shoqërues në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Për shkak të punës që kryen në këtë moment disponon armë me leje nga Policia e Shtetit. Sipas informacioneve tona, si njohës i ligjit, menjëherë pas ngjarjes, është dorëzuar vetë në polici, për të sqaruar rrethanat e plota dhe për tu vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë. I bëj thirrje të gjithë mbështetësve të Partisë Demokratike që të ruajnë qetësinë dhe të garantojnë zgjedhje të qeta, të lira dhe të ndershme në qarkun Elbasan. Ne e refuzojmë dhunën. Elbasani meriton rend e qetësi, meriton zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Bardhi mes të tjerash.

Gazment Bardhi jep detaje nga ngjarja në Elbasan: Ajo që ndodhi, përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Taulant Ballës

Për ngjarjen e rëndë të ndodhur këtë të mërkurë në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë, Gazment Bardhi, drejtues politik i PD në Elbasan, bën përgjegjës drejtpërdrejtë Taulant Ballën dhe Partinë Socialiste.

“Konflikti politik i nxitur nga Partia Socialiste që prodhon tension cdo moment, në përpjekjen për të mbajtur pushtetin me cdo kusht, dhe për të mos lënë qytetarët të votojnë të lirë, nuk ndihmon Elbasanin, nuk e ndihmon procesin zgjedhor, nuk e ndihmon Shqipërinë dhe shqiptaret qe jane te etur per ndryshim. Ajo që ka ndodhur sot është drejtpërdrejtë përgjegjësi e Taulant Ballës. Angazhimi i eksponentëve të krimit të organizuar në zgjedhje dhe nxitja për të kryer krime elektorale është përgjegjësi e tij. Ai po ben cdo gje te paligjshme, qe te ruaje privilegjet, qe te ruaje pushtetin e tij personal. Taulant Balla nën panikun e humbjes po bashkepunon me bandat e tij, ne perpjekje per te organizuar si ne zgjedhjet e kaluara strukturat kriminale te blerjes se votes”.

Nga Elbasani, Bardhi dha versionin e demokratëve për ngjarjen e rëndë.

“Sot kur morëm informacione te sigurta, që një  automjet pa targa po levizste në lagjen 5 Maj, e  drejtuat nga një person i quajtur Met Dafllaku, dhe në mes të ditës, në mes të lagjes, në mënyrë demostrative, po shpërndante para në këmbim të votavedhe po mblidhte karta identiteti, ne njoftuam strukturat e Mbrojtjes e Votës, te shkonin ta verifikonin. Strukturat e Mbrojtes se Votes kanë në përbërje ish-punonjës të Policisë së Shtetit, të pastër dhe asnjë precedent penal. Pasi kjo njesi e verifikoi informacionin, ato kanë kërkuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit. Është njoftuar drejtëpërdrejtë Drejtori i Policisë Vendore Elbasan. Pas mbërritjes së disa efektivëve të Policisë së Shtetit, me në krye Nëndrejtorin e Policisë Elbasan, strukturat tona kanë kërkuar që Policia të kryejë veprimet proceduriale në përputhje me ligjin. Ndërkohë që Policia e Shtetit ka qenë duke kryer veprimet përkatëse, në ndihmë të shtetasit Met Dafllaku që po shpërndante para në këmbim të votës kanë ardhur një grup personash të tjerë, me disa makina, një pjesë e të cilave të blinduara. Ne keto makina ndodheshin anëtarë te krimit të organizuar, që janë denoncuar nga ana jonë në SPAK, por edhe publikisht si dhunuesit e qytetarëve të elbasanit në Ditën e Verës. Ne kete moment, ne prezencë të Policisë së Shtetit, në tentativë për të mundësuar largimin e makinës dhe personit që po blinte vota, një nga personat qe dyshohet te jete Klement Xhaferri, por edhe shtetas të tjerë të paidentifikuar nga strukturat tona, ka nxjerr armën dhe ka qëlluar në drejtim të anëtarëve të Strukturës për Mbrojtjen e Votës. Aty kanë mbetur të plagosur Pavlo Vuksani dhe Emiljano Prenga, të dy ish punonjës të Policisë së Shtetit, pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votave në Elbasan.  Në këtë moment ka pasur të shtëna me armë mes palëve. Per kete ngjarje te rende qe cenon rende procesin elektoral ne nxisim prokurorinë të hetojë në mënyrë të plotë, të paanshme,
të shpejtë dhe transparente ngjarjen. E gjithë zona është e pajisur me kamera sigurie dhe pamjet mbi ngjarjen janë evidente dhe mund e duhet të bëhen publike”.

Sa i përket autorit të kësaj ngjarjeje, Bardhi tha se Arbër Paplekaj nuk është shoqëruesi tij, por është pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votës në Elbasan.

Arbër Paplekaj nuk është shoqëruesi im, sic u dezinformua me dashje media. Unë jam prej ditës së parë në fushatë i shoqëruar nga të rinjtë dhe nga ekipi im, dhe nuk kam nevojë për badigardë. Por po, ai është pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votës në Elbasan. Ai nuk është kriminel. As vrasës. Është ish-efektiv i Policisë së Shtetit dhe ish-shoqërues në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Për shkak të punës që kryen në këtë moment disponon armë me leje nga Policia e Shtetit. Sipas informacioneve tona, si njohës i ligjit, menjëherë pas ngjarjes, është dorëzuar vetë në polici, për të sqaruar rrethanat e plota dhe për tu vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë. I bëj thirrje të gjithë mbështetësve të Partisë Demokratike që të ruajnë qetësinë dhe të garantojnë zgjedhje të qeta, të lira dhe të ndershme në qarkun Elbasan. Ne e refuzojmë dhunën. Elbasani meriton rend e qetësi, meriton zgjedhje të lira e të ndershme”./tvklan.al





Të ngjashme