Të ftuar në Opinion: Besart Kadia, Ylli Manjani, Mentor Kikia, Neritan Sejamini, Aleksandra Bogdani, Eugen Beci dhe Gentian Progni. Në lidhje direkte Blendi Salaj.

Publikimi i rrogave, Mentor Kikia: Drejtorë televizionesh paguhen sikur të jenë CEO të kompanive të naftës

Nxjerrja e të dhënave personale të qytetarëve që kanë të bëjnë me pagesat dhe numrat e kartave të identitetit, ka qenë temë diskutimi në emisionin Opinion në Tv Klan.

Gazetari Mentor Kikia, i ftuar në emision, thotë se nxjerrja e këtyre të dhënave është në shkelje e rëndë dhe duhet të ketë hetim.

“Është një nga shkeljet më të rënda që është ekspozimi i të dhënave personale. Nuk di nëse do të ketë filluar ndonjë proces se nga kanë dalë dhe kush i ka nxjerrë.

Është një lloj ëikileaks edhe pse nuk lidhet me prapaskenat shtetërore por ka nxjerrë në skenë disa gjëra, nxjerr një lloj morali edhe të medias duke parë njerëz të sojit tonë që bëjnë morale nëpër studio dhe rezutojnë që paguhen si zëdhënësa nëpër kompani oligarkësh, drejtorë televizionesh që paguhen sikur të jenë CEO kompanish ndërkombëtare nafte e që përdorin televizionet për vënie gjobash.

Mendoj që kompromentojnë një pjesë të konsiderueshme të këtij pushteti që është përgjegjës për këtë lloj situate ku ne jetojmë”, shprehet gazetari Kikia.

Zëvendës ministri i Financave për publikimin e pagave: Po ndihmohemi nga shtete të avancuara në teknologji

Zëvendës ministri i Financave, Besart Kadia, ka reaguar për publikimin e të dhënave të pagave të qytetarëve shqiptarë. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kadia tha se publikimi i të dhënave që është një akt kriminal.

Duke qenë se është çështjeve serioze, duhet ta kuptojmë është çështje kriminale. Janë mijëra punonjës tatimesh që kanë akses çdo ditë tek këto të dhënat. Punonjësit e tatimeve kanë akses dhe janë të dhëna shtetërore për të parë sa punohet. Tani kemi një akt kriminal të një individi”, tha ai.

Më tej zëvendës ministri i Financave, u shpreh se qeveria shqiptare e ndihmuar nga shtete të tjera po heton për të zbuluar autorin që i ka publikuar këto të dhëna.  

Këto janë të dhëna zyrtare që kanë akses punonjësit e tatimeve janë marrë në forma të ndryshme dhe janë bërë publike ato që kanë dashur, nuk janë të dhënat që përpunohen nga shteti. Tani debati nëse ndodhin apo nuk ndodhin ngjarje të tilla. Ky është një akt që ministria e Financave e ka çuar në Prokurori për t’u ndjekur më tej.

Shtetet që janë shumë të avancuar në teknologji janë në këto çaste duke u marrë për të parë këtë çështje. Janë me qindra sulme që u ndodhin shteteve të ndryshme sot, nga shumë aktor”, shtoi Kadia.

Rrjedhja e të dhënave personale, Ylli Manjani: Këta persona duhet të ishin arrestuar

“Qeveria sot duhet të ishte nën hetim, duhet ta qepte gojën”

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka deklaruar se personat që kanë akses të ngushtë në serverin e të dhënave personale duhet të ishin arrestuar nga Prokuroria e Tiranës për të kapur provat në lidhje me nxjerrjen e të dhënave personale.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, duke folur për publikimin online të rrogave të qytetarëve, Manjani u shpreh se edhe qeveria sot duhet të ishte nën hetim për këtë skandal.

“Prokuroria e Tiranës duhet t’i kishte arrestuar me autobus këta. Duhet të ishin arrestuar për t’u ndaluar aksesi me kompjuterin të gjithë administratorët legalë. Janë disa në disa zyra. Këto duhet të ishin brenda për të ruajtur provën. Këta mund të jenë me një akses në shtëpi dhe pastrojnë gjurmët. Qeveria është e akuzuar sot për këtë gjë se nuk e ka ruajtur të dhënën time. Qeveria duhet të ishte nën hetim sot dhe duhet të qepte gojën”, tha ndër të tjera Ylli Manjani. 

Drejtoresha e AKSHI-t reagon zyrtarisht për rrjedhjen në publik të të dhënave personale

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karçanaj ka reaguar zyrtarisht për emisionin Opinion në Tv Klan lidhur me rrjedhjen në internet të pagave dhe të dhënave personale të qytetarëve.

Në një mesazh dërguar Blendi Fevziut, Karçanaj thotë se portali qeveritar e-Albania dhe AKSHI janë me certifikatë sigurie.

Rrjedhjen e të dhënave e konsideron “keqpërdorim të aksesit në këtë sistem”, duke theksuar se deri në këto momente nuk kanë lidhje kompanitë që menaxhojnë sistemin e Tatimeve.

Reagimi i drejtoreshës së AKSHI-t:

Linda Karçanaj: E-Albania dhe AKSHI është me certifikatë ndërkombëtare ISO 27001 për sigurinë e informacionit dhe ISO 9001 për menaxhimin e informacionit. Kjo që ka ndodhur nuk ka asnjë lidhje me AKSHI-n i cili nuk menaxhon sistemin dixhital të Tatimeve. Por nga analiza e deritanishme kjo nuk duket të ketë asnjë lidhje as me kompaninë austriake, e cila bashkë me kompani shqiptare prej më shumë se 8 vitesh kanë krijuar dhe menaxhojnë sistemin e Tatimeve. Kjo ngjarje duket përgjithësisht një keqpërdorim i aksesit në sistem nga individë të ngjashëm me ata që kryejnë krime të kësaj natyre kudo nëpër botën e sotme.

Ju e dini mirë se çdo shtet sot përballet me kërcënimin e sigurisë kibernetike nga sulmet e jashtme, detyrë të cilën deri më sot AKSHI e ka kryer me sukses si dhe nga ndërhyrjet e brendshme të individëve që kanë akses në sistemet dixhitale. Kujtoj rastin më flagrantë botërisht të Edward Snowden që tronditi Amerikën, pa folur për Wikileaks që nxorri tërë botën sekrete të demokracisë amerikane pikërisht përmes infiltrimit të kabllogrameve. Nxjerrjen kriminale të të dhënave që ju po diskutoni përmes një dokumenti ilegal me plot mospërputhje me databazën zyrtare duhet ta zbardhë një hetim i detajuar dhe i sofistikuar i organeve ligjzbatuese.

Arsyeja pse po ju shkruaj është për të siguruar gjithë opinionin publik se ky dokument nuk tregon aspak se sistemet që menaxhohen nga AKSHI janë të pasigurta, përkundrazi ndërkohë spekulimet se kjo treguaka se paskan marrë rrogat dhe të dhënat e pronave apo bankave e me radhë janë jo vetëm të pavërteta por edhe qesharake. Në këndvështrimin tim modest ky dokument synon të krijojë një konfuzion që duhet ta shmangim duke u marrë me fakte dhe jo me teori konspirative. Ndërkohë shpresoj që kjo të mos jetë përgjigjia e ndokujt për suksesin e padiskutueshëm AKSHI-t në shërbimet dixhitale, çka u pa nga gjithë populli shqiptar gjatë kohës së jashtëzakonshme të karantinës së përgjithshme.

Shërbimet tona së shpejti do të zëvendësojnë sportelet duke u dhënë fund rradhëve të stërzgjatura 30-vjeçare, zvarritjeve të patolerueshme dhe sëmundjes së ryshfetit për të marrë nga shteti shërbimet administrative. Keqardhje e thellë për këtë ngjarje që duhet të na bashkojë të gjithëve sikundër autorëve të këtij krimi dhe bindje e plotë se transformimin dixhital të gjithë Shqipërisë nuk e ndal dot askush. /tvklan.al