Opinion-Politikani filmohet me drogë!


Opinion-Politikani filmohet me drogë!

Autori: Blendi Fevziu

21:38 22/01/2020

Të ftuar: Artan Hoxha, Artan Hoxha, Amarda Gashi, Poli Hoxha.

Artan Hoxha tregon si i ra në dorë videoja e kryebashkiakut të Bulqizës

Artan Hoxha ishte i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan këtë të mërkurë pasi publikoi pamjet që sipas tij janë të kryetarit të Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, duke konsumuar kokainë.

Gazetari tregoi se ka rënë në disponim të videos prej të paktën katër muajsh. Pamjet janë xhiruar pak kohë pasi, Alla ka marrë mandatin si kryetar bashkie, pas zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Hoxha u shpreh se nuk kishte për qëllim dhe objektiv kryebashkiakun Alla. Ai tha se videoja është më e gjatë dhe se ka shkëputur vetëm disa fragmentë. Gazetari i ka hequr kohën videos që të mos zbulojë datën dhe vendin ku është realizuar. Kjo sepse nuk do të identifikojë qytetarët që mund të kenë pasoja nga ky publikim i videos.

Blendi Fevziu: Si të ra në dorë videoja?

Artan Hoxha: Me këtë pjesën e videos është bërë loja më e madhe ditën e sotme.

Blendi Fevziu: Pse?

Artan Hoxha: Sepse duan të identifikojnë kush e nxorri.

Blendi Fevziu: Personat kishin dijeni që kur ju e deklaruat që kishit video që ishin ata?

Artan Hoxha: Në fillim shumica e kryetarëve të bashkive e kanë çuar ndonjë kallauz…

Blendi Fevziu: Pse të gjithë drogë marrin këta?

Artan Hoxha: Jo sepse nuk kisha thënë në fillim çfarë është. Kisha thënë vetëm video diskretituese.

Blendi Fevziu: Ratë në disponim të videos?

Artan Hoxha: Kam bërë verifikimet. Në fillim rashë në dijeni të faktit që aty përdoret lënë narkotike nga funksionarë të këtij niveli. E kam parë në disa qytete të vogla dhe janë larg syrit të medias dhe ky është një problem shumë i madh. Mua ma dhanë për të tjerë se nuk e dija që ishte ky në valle. Duke hulumtuar personalitetin e tij nuk më përputhej me informacionet që kisha me videon. Është një personazh që nuk ka ngarkesë penale dhe kriminale. Përveç një episodi për një tender. Ka mbaruar shkollën për mësues të edukimit fizik.

“Edhe kërcënim, edhe para…” Gazetari tregon përpjekjet për të zhdukur videon e Kryebashkiakut

Gazetari Artan Hoxha, nga studio e “Opinion” tregoi mbrëmjen e kësaj të mërkure se gjatë kohës që posedonte videon, në të cilën ai thotë se shfaqet Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla duke konsumuar drogë, kishte pasur presione e kërcënime për të mos i bërë pamjet publike.

“Unë po them, nuk e di në i ka futur ai, por erdhën njerëz të tjerë që kontaktuan, hynë në… Presion dhe marrëveshje është kërkuar pafund për ta evituar këtë gjë. Pa diskutim që kjo është pjesë. Gjithë kjo zhurmë që është shkaktuar sot mund të ishte zhdukur fare kollaj dhe unë të isha në hall timin. Por mua më interesonte fenomeni”.

Blendi Fevziu: Ju ofruan para, ju kërcënuan? Edhe kërcënim edhe para?

“Të gjitha, sigurisht. Në moment që ti nuk bën marrëveshje për të parën, atëhere…”

Blendi Fevziu: Erdhën nga njerëz të tjerë apo edhe nga bota politike?

“Edhe nga bota politike, edhe nga bota e nëndheshme, që të mos dalë “.

Hoxha tha më tej se iu ishte dashur kohë që ta verifikonte videon, pasi nga të dhënat që kishte për Kryebashkiakun Alla, figura e tij nuk lidhej me personin që shfaqej në video.

“Nuk më përputhej skeda e këtij. Ky është një njeri në pamje të parë, biznesmen, kishte pasur mundësi, kishte jetuar mirë, ishte marrë me administrimin e kromit, kishte kompani që kishte investuar në infrastrukturë etj. Pra gjithë kjo skedë e tij, që kishte qenë mësues fiskulture, njeri pa probleme, njerëz të afërt që kishte ky, kishin probleme, ky jo. Dhe kjo ma bënte këtë dyshim, ishte apo nuk ishte ky. Prandaj më është dashur kohë që ta verifikoj”.

Mjekja tregon arsyet përse njerëzit përdorin drogë

Nga studio e emisionit “Opinion”, mjekja toksikologe, Amarda Gashi, tregoi arsyet pse një pse një person mund të fillojë të konsumojë drogë. Ajo u shpreh se përgjithësisht njerëzit e përdorin për shkak të kuriozitetit, monotonisë, problemeve në jetë apo dhe dëshira për të rritur përqendrimin e performancën.

“Ky fenomen konsiderohet si një sjellje sociale më tepër se sa një gjendje e rrezikshme shëndetësore. Kështu konsiderohet nga shoqëria. Pasi përdoret droga, njerëzit marrin një efekt intoksikues që në termat e substancave psikoaktive quhet si “high”, ajo euforia e famshme që ka, mirëqenie dhe pjesa tjetër. Kjo është arsyeja pse këta persona e konsumojnë. Tani arsyet mund të jenë disa se mund të jetë kurioziteti, monotonia, dëshira për t’u shmangur nga problemet e jetës, mund të jetë një dëshirë për të rritur përqendrimin, performancën, kreativitetin, meditimin, ka shumë arsye pse një person të përdorë drogë. Ndonjëherë edhe për të qenë pjesë e grupit”, tha Gashi.

Por a është i dëmshëm përdorimi i drogës?

Mjekja toksikologe tregoi se ka disa arsye që e bëjnë të dëmshme përdorimin e drogës. Kjo varet nga niveli i varësisë, por sipas Gashit, abuzimi me to është i rrezikshëm.

Mjekja theksoi se njerëzit që abuzojnë me lëndët narkotike kanë shumë mundësi që të kenë çrregullime të sferës psikiatrike.

“Nuk është se ka një dozë të caktuar të drogës, e cila është e sigurt. Nuk është se është një lloj i testuar medikamenti i testuar, ose një lloj tablete. Nuk e dimë efektin real që mund të ketë tek trupi i një personi. Nuk e dimë, një person që fillon drogën, në çfarë niveli varësie krijon. Ngelet abuzim, varësi, intoksikim dhe pastaj kuptohet trupi i personit, e kaluara e tij etj. Ka shumë arsye që e bëjnë të dëmshme apo jo përdorimin e drogës. Abuzimi substancor në përgjithësi është i rrezikshëm. Përveç kësaj ka një prevalencë shumë të lidhur edhe me çrregullimet psikiatrike. Në përgjithësi njerëzit që abuzojnë me substancat narkotike kanë një predispozitë më të madhe që të kenë çrregullime që i takojnë sferës psikiatrike, që fillojnë nga ato të humorit, kryesisht depresioni, çrregullime të personalitetit dhe çrregullime të tjera psikotike. Paranojat e kokainës janë të njohura”, tha mjekja toksikologe./tvklan.al 

Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

21:38 22/01/2020

Grupi