Të ftuar në Opinion: Preç Zogaj, Jozefina Topalli, Belind Këlliçi, Lediana Fratari, Baton Haxhiu dhe Fatbardh Kadilli.

Topalli për Bashën: Nuk e quaj kryetar të dorëhequr, po tallet me inteligjencën e shqiptarëve

Në emisionin “Opinion” ish-kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli ka folur për krizën në PD gjithashtu dhe për dorëheqjen e Lulzim Bashës nga kryetari i kësaj partie. Sipas Topallit, Basha po tallet me inteligjencën e shqiptarëve sepse nuk e ka pranuar që ka humbur.

Jozefina Topalli: Nuk hyj në kategorinë e njerëzve që besojnë se bashkimi mekanik mund të sjellë unifikim. Duhet të ketë një analizë të thellë. Duhet të fillojmë të pyesim veten se ku ishim ne gjatë këtyre 10 vitesh, çfarë gabuam dhe pse arritëm në këtë degradim. Kjo forcë politike ka kaluar në degradim. Kjo nuk ka ardhur për një vit, por për një periudhë kur shumica e atyre që rrethonin Bashën, heshtin. Është një moment që secili të bëjë një analizë se çfarë kanë parë, duhet të distancohen nga fenomeni i klientelizimit. Duhet të rikthejmë votën sepse ka pasur një krizë legjitimiteti. Duhet bërë një analizë, për t’u rikthyer tek vlerat.

Unë nuk e quaj një kryetar të dorëhequr, ai është larguar përmes disa proceseve të votimit. Faktikisht unë nuk di një rast tjetër të një politikani që është larguar në atë mënyrë të turpshme. Po të kishte qenë një dorëheqje dinjitoze, secili do të kishte heshtuar. Ai vazhdon të tallet me inteligjencën e shqiptarëve, sepse nuk tha që unë kam humbur. Thoshte që kam dhënë dorëhqejen dhe gënjente mediat. Basha ka ende disa kukulla që përpiqen të shesin një proces qesharak përmes disa veprimeve anti statutore.

Bashkimi i PD, Këlliçi: Nuk ka negociata formale, por diskutime mes deputetëve

Deputeti i Partisë Demokratike, pjesë e Komisionit të Rithemelimit, Belind Këlliçi thotë se nuk ka negociata formale për bashkimin e demokratëve, por diskutime mes deputetëve të të dyja fraksioneve brenda PD-së.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Këlliçi tha se Basha është i shkarkuar dhe jo i dorëhequr.

“Nuk ka negociata në kuptimin formal, por ka diskutim të deputetëve të të dyja palëve. Ka një lloj komunikimi drejt rikthimit në normalitet. U tha që nuk ka krizë e tashmë pranohet që ka krizë. Tani ka një tentativë për të gjetur një zgjidhje me atë pjesë të grupit parlamentar që ka një qasje racionale që kërkohet që zgjidhja të vijë me votë.

Për ne Lulzim Basha nuk është dorëhequr, është i shkarkuar. Tentativë është që të mos humbet asnjë votë. Ështe e logjikshme që t’i qëndrojmë vendime të PD dhe Kuvendit Kombëtar”, tha ndër të tjera Belind Këlliçi.

Si zgjidhet kriza në PD? Baton Haxhiu: E dhimbshme, kjo gjeneratë adhuron një 80-vjeçar

Përballë Belind Këlliçit dhe Lediana Fratarit që mbështesin Komisionin e Rithemelimit, analisti Baton Haxhiu i quan deklaratat e tyre “arrogante”.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan ku diskutohet për zgjidhjen e krizës brenda PD, Haxhiu u shpreh se fakti më i dhimbshëm është që gjeneratat e reja të Partisë Demokratike nuk kanë ide.

Këlliçi ishte arrogant pa nevojë se ishte fitues. Kjo vajza, Fratari, prita që i largon defektet dhe i largon aurat dhe ka një mendim për atë që po ndodh në PD. Del zonja nga Durrësi thotë kam shkuar atje për një mik dhe pastaj thotë jam e PD për arsye se ai Hoti nuk më pëlqen.

Ajo që më dhemb shumë nuk është beteja e Bashës dhe Berishës, është beteja e zbrazët e kësaj gjenerate, paramendo që kjo gjeneratë ka adhurues një 80-vjeçar.

Ju garën e këtij njeriu e keni përçmuar se e keni konsideruar formale. Asnjë ide, asnjë gjë nuk keni prodhuar. E vetmja ide e prodhuar është e Bardh Kadillit. Shumica ju jeni arrogant”, u shpreh Baton Haxhiu.

Këlliçi replika me Haxhiun: Mos bëj sikur shqetësohesh për PD-në sepse ke hallin e Ramës

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan gazetari Baton Haxhiu dhe deputeti i PD-së, Belind Këlliçi kanë replikuar me njëri-tjetrin. Sipas Këlliçit, Haxhiu ka hallin e Ramës. Nga ana tjetër, gazetari i është kthyer se nuk është me asnjërën palë, por për të analizuar situatën në të cilën ndodhet PD-ja.

Belind Këlliçi: Mos bëj sikur shqetësohesh për PD-në sepse ke hallin e Edi Ramës, mos më bëj sikur të dhimbset PD-ja.

Baton Haxhiu: Unë po bëj analizë, nuk kam ardhur si palë. Kur thua, unë thyerjen me PD e kam pasur për shkak të vjedhjes së votës në vitin 2011 dhe a e di për kë u vodh vota?! Për Lul Bashën.

Belind Këlliçi: Dhe u bëre me Edi Ramën?

Baton Haxhiu: Unë bëhem me të vërtetën. Atë që dëgjova nga ju, dorën në zemër, është lajm i keq për Partinë Demokratike. Ju nuk po e shikoni esencën e problemit pse keni ardhur deri këtu./tvklan.al