Opinion – Europa, na e mbylli apo ia mbyllëm derën?

Posta

Opinion – Europa, na e mbylli apo ia mbyllëm derën?

Autori: Blendi Fevziu

22:00 22/10/2019

Të ftuar: Agim Nesho, Mesila Doda, Artan Grubi, Alfred Peza, Mira Kazhani dhe Endri Shabani.

Shqipëria pengoi Shkupin zyrtar për negociatat? Flet deputeti shqiptar i Maqedonisë

Artan Grubi, deputet shqiptar në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, nuk beson që Shqipëria të ketë qenë pengesa për Maqedoninë e Veriut që nuk u hapën negociatat. Kështu është shprehur deputeti Grubi në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Ai tha se refuzimi i Presidentit francez Emmanuel Macron për t’u hapur negociatat Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ishte një vendim politik për nevoja të brendshme për shkak të zgjedhjeve lokale vitin e ardhshëm në Francë.

“Nuk mendoj që e ka penguar Shqipëria Maqedoninë e Veriut, për arsye se Maqedoninë e pengoi hamendja franceze dhe nevoja e tyre për reformimin e jo vetëm procesit të zgjerimit. Është një proces që e ka filluar Franca tash e 20 vite dhe nuk di si ta artikulojë mirë procesin e reformimit të unionit evropian.

Është vendim politik, pjesërisht edhe për nevoja të brendshme politike për arsye se vitin e ardhshëm ka zgjedhje lokale në Francë. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë dëm kolateral të nevojës së Macron për profilizim në Bashkimin Europian. Nuk vlen argumenti i performancës për arsye se Maqedonia i përmbushi të gjitha kushtet. Mendoj që argumenti i tij kishte nevojë të arsyetonte veprimin e tij një ditë më parë”, tha deputeti shqiptar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. 

Alfred Peza: Është bërë Parisi bardh e zi si bluza e Juventusit

Gazetari Alfred Peza e ka krahasuar kryeqytetin francez Parisin me bluzën e Juventusit, duke iu referuar emigrantëve afrikanë në Francë. Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Peza tha se Parisi është bërë “bardh e zi” për shkak të numrit të madh të emigrantëve.

Debati nisi kur pedagogu Endri Shabani, duke folur për refuzimin e Macron ndaj Shqipërisë për hapjen e negociatave, tha se një nga shkaqet është edhe numri i lartë i azilkërkuesve shqiptarë në Francë.

Endri Shabani: E di ti që në Shqipëri raporti për azilkërkues i Shqipërisë është 6.6 për 1000 banorë. I Sirisë që është në luftë është 4.4. Pra, sikur luftë të kishin bërë këtu, më pak shqiptarë do kishin shkuar të kërkonin azil.

Alfred Peza: Po nuk qëndron kjo nuk qëndron. A e ke parë Parisin? Është bërë si bluza e Juventusit bardh e zi. E ke gjithë Afrikën në Paris edhe në Francë, s’ka lidhje fare. Macroni kur shkoi në Këshillin Europian tha që problemi nuk janë vendet dhe mosplotësimi i kushteve të tyre ndaj procesit, por është fakti që Macroni do të vendosi veton përpara se të vazhdojë zgjerimi, të reformojë mekanizmin. Ai është problemi i Macronit me veten dhe me problemet e veta personale dhe me Evropën aktuale, dhe jo me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. 

“Maqedonia u pengua sepse ishte në një paketë me Shqipërinë”

Mesila Doda është e mendimit se Maqedonia e Veriut u penalizua për hapjen e negociatave me Bashkimit Europian për shkak të Shqipërisë. E ftuar mbrëmjen e kësaj të marte në Opinion, Doda tha se vendi ynë nuk e meritonte hapjen e negociatave, ndryshe nga Maqedonia e Veriut.

Mesila Doda: Besoj që Maceon e ka sqaruar vendimin e tij, por do doja që t’iu drejtohesha informacionit të dhënë po atë ditë në fakt në mëngjes nga Erisa Zykaj, e cila raportonte nga Brukseli. Dhe ajo pohonte se nuk është thjeshtë çështje e riorganizimi, është dhe çështje riorganizimi, por përse është një kjo çështje. Shumë herë është kuptuar që raportet që vijnë nga Komisioni Europian të cilat janë thjeshtë raporte formale, që do të thotë kanë kaluar filan ligj, ka kaluar ky proces, por ndërkohë nuk shihet impakti real i reformës. Dhe impakti i reformës që ato e trumbetonin si një fitore shumë e madhe, në Shqipëri çfarë kishte sjellë? Gjykatë Kushtetuese nuk ke, Gjykatë të Lartë nuk ke, ke gjysmë milioni shqiptarë që kanë iku për 4 vjet, ke Shqipërinë në vendin e 76 si demokraci hibrite në kufijtë e autoritarizmit. Mos krahasojmë Shqipërinë me Maqedoninë, sepse ata janë të 10-të në Doing Business, ndërsa ne jemi të 100-ët.

Blendi Fevziu: Po pra po u dogj edhe Maqedonia në këtë rast.

Mesila Doda: Sigurisht që u dogj. Nuk ka pasur një vullnet të mirë që të ketë një zgjerim le të themi, sepse vullneti i mirë për shembull ishte nga ana e Gjermanisë, e cila ishte një ‘Po’ në dukje, por ishte me 9 kushte, të cilat do krijonin mundësinë që reforma të ishte reale. Pra do të krijonte mundësinë që të kishim Gjykatën Kushtetuese, të Lartë, të kishim një Reformë Zgjedhore sipas shqetësimeve që ishin dhënë, sepse shqetësimet e OSBE/ODIHR-it, shqetësimet e opozitës dhe ato të paraqitura në Bundestag ishin në një linjë.

Blendi Fevziu: Pra Mesila ti mendon që ne nuk e meritonim Po-në?

Mesila Doda: Unë mendoj që jo vetëm që nuk e meritonim, por ne jemi në pikën më problematike që ka qenë ndonjëherë ekonomia në Shqipëri. Ne jemi në momentin që ikin 400 mijë shqiptarë dhe themi ok kanë ikur se kanë dashur një jetë tjetër, por e kuptoni dot që e keni sistemin e pensioneve në dramën më të madhe që mund të kemi dhe rrezikojmë një skenar të frikshëm.

Blendi Fevziu: Po Maqedoninë e penguam ne?

Mesila Doda: Absolutisht po, absolutisht Maqedonia u pengua sepse ishte në një paketë me Shqipërinë. Nëse do i drejtoheshe asaj që sapo tha Macron, ai thoshte për Shqipërinë kishte një numër shumë më të madh vendesh, ishin rreth gjysma ndërsa për Maqedoninë kishte më pak. Ndërkohë që në Shqipëri ka pasur një qasje komplet tjetër. Mos themi, siç thoshte dhe Holanda, nuk funksionon parlamenti, nuk funksionon sistemi i drejtësisë. Pra ne në këto momente i kemi bërë në letër sipas Komisionit Europian, por ajo që kanë prodhuar në territor, në praktikë, është një shkatërrim total i institucioneve dhe i shtetit. Sot ty nuk të punon as sistemi i drejtësisë, as parlamenti, as ekonomia.

Blendi Fevziu: Në fakt sistemin e drejtësisë vetë na e bënë ndërkombëtarët, se ne s’bëmë gjë. Na e bënë si deshën.

Mesila Doda: Absolutisht po, por çfarë problemi ka? Ndërkombëtarët e bënë si e deshën, por ata që e vuajmë jemi ne, jemi shqiptarët. Ata kanë ikur dhe vazhdojnë karrierën atyre aty ku kanë dashur të shkojnë.

Pedagogu: Macron i ka bërë një nder të jashtëzakonshëm Ramës

Po të mos ishte për Presidentin francez Emmanuel Macron, Maqedonia e Veriut do të kishte marrë dritën jeshile për hapjen e negociatave, duke lënë kështu pas vendin tonë. I këtij mendimi është pedagogu Endri Shabani, sipas të cilit, me qëndrimin e tij Macron i ka bërë një të jashtëzakonshëm Kryeministrit Edi Rama.

Endri Shabani: I ka bërë një nder të jashtëzakonshëm Ramës, mua realisht më bën përshtypje sesi PS-ja del kundër Macron. Të mos ishte për Macron sot do të ishin hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe nuk do ishin hapur me Shqipërinë. Sepse Holanda ishte kundër, vuti veton, Danimarka ishte kundër, Spanja ishte kundër, pra normalisht ne sot nuk do na ishin hapur gjithsesi negociatat, por do të ishim edhe mbrapa Maqedonisë.

Blendi Fevziu: Pra në një farë mënyre vendimi i Macron shpëtoi fytyrën e qeverisjes.

Endri Shabani: Do të ishte edhe një dekurajim më i madh për popullin shqiptar. Unë nuk e kuptoj fare përse sulmojnë Macronin këta. Por çështja është a e meritojnë shqiptarët që të hapen negociatat? Po. A e meriton qeveria?

Alfred Peza: Ne nuk po sulmojmë Macron, por bëjmë analizën, sepse Macron kur i thotë Merkel, kur i thotë Kryeministri italian, Juncker dhe kur i thonë e gjithë bota, që ke bërë një gabim historik…

Endri Shabani: Po e ka bërë, absolutisht, por çështja është që ne nuk e kemi problemin tek Macron, sepse ne gjithsesi nuk do të na ishin hapur negociatat. Sepse problemi i parë që solli Macron ishin azilantët. Vendi i parë ku ne shkojmë në azil, është Franca, vendi i dytë është Britania. Tani çfarë ndodh, përse ikin njerëzit? Sepse nuk shohin shpresë këtu, sepse këtu i është marrë e ardhmja.

Blendi Fevziu: Që të jemi pak të qartë, ikje ka nga shumë vende, problemi është që shqiptarët kërkojnë azil politik. Sepse për të ikur ikin, kërkojnë punë edhe moldavët, shqiptarët e Maqedonisë, maqedonasit etj.

Endri Shabani: Dhe Macron këtë tha që si t’ia shpjegoj unë qytetarëve të mi, që Shqipëria ka bërë progres etj etj, kur qytetarët e saj janë këtu, kërkojnë azil. E di ti që në Shqipëri, raporti për azilkërkues është 6.6, për 1 mijë banorë. I Sirisë që është në luftë, është 4.4. Pra këta sikur luftë të kishin bërë këtu, më pak shqiptarë do të shkonin për të kërkuar azil. E para. E dyta: Për çfarë ankohet Spanja, për çfarë ankohet Holanda? Holanda ankohet për krimin e organizuar. Kush e ka përgjegjësinë? Kush i zgjedh ministrat? Kush e qeveris vendin?

Blendi Fevziu: Tani nëse krimi organizuar vepron në Holandë, ka dhe përgjegjësi Holanda që nuk i fut në burg. Ata ngrenë problem tjetër, që paratë e tyre investohen në Shqipëri dhe pastrohen këtu.

Endri Shabani: Shqetësimi i tyre është që krimi i organizuar gjen strehim në Shqipëri, pastron paratë këtu, shkon edhe njëherë prap atje. Besoj që duhet të jemi vendi i vetëm në botë që Ministri i Brendshëm akuzohet se ka qenë direkt i përfshirë me trafikun e drogës.

Deputeti shqiptar në Maqedoni: Zaev gati të dorëhiqej, por nuk e lejuam ne

Deputeti shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi, ka konfirmuar se Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ishte i vendosur të jepte dorëheqjen pas refuzimit për hapjen e negociatave me BE-në.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Grubi tha se Zaevin nuk e lejoi Ali Ahmeti për t’u dorëhequr me argumentimin se mos hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut nuk është dështimi i qeverisë, por gabim i Bashkimit Europian.

Dhe për këtë arsye u vendos që të mbahen zgjedhje të parakohshme më 12 Prill 2020 pasi vendi të jetë anëtarësuar në NATO.

Artan Grubi: Ishte gati të jepte dorëheqjen për arsye të zhgënjimit të madh. Sepse kishte pranuar premtime të jashtëzakonshme. Merkel vizitoi Maqedoninë.

Blendi Fevziu: Pse në Maqedoni ka dhe dorëheqje si koncept? Pra Zaevi ishte i bindur për t’u larguar?

Artan Grubi: Po!

Blendi Fevziu: Po pse ktheu mendim?

Artan Grubi: Ne nuk u pajtuam dhe z.Ahmeti i tha që s’kemi pse pranjmë faj të cilin nuk e kemi mbi vete, për arsye se faji është mbi Bashkimin Europian që dështoi në premtimet e veta, ne i kishim plotësuar të gjitha kushtet. Dhe vendosëm që bashkarisht të shkojmë në zgjedhje vetëm pasi të anëtarësohemi në NATO. Kishim reforma shumë të dhimbshme për të marrë një JO për një çështje kaq të vogël për hapje të negociatave që i mundësonte Bashkimit Europian të na kontrollonte edhe më tepër se sa ka mundësi tani. Shqiptarët janë elementi vendimtar i qeverisjes së Maqedonisë së Veriut. Shqiptarët janë elementi kyc që e mban Maqedoninë me velat e drejtuara nga Brukseli. /tvklan.al


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

22:00 22/10/2019

Reklama
UKT
UKT

Grupi