Të ftuar: Iris Luarasi, Plarent Ndreca, Mark Marku dhe Enton Abilekaj. Në lidhje direkte Klesiana Omeri.

Dëshmia e Ramës për inceneratorët, Mark Marku: Foli fiks si për Saimir Tahirin

Analisti dhe pedagogu Mark Marku e konsideron raportimin e Kryeministrit Edi Rama për inceneratorët në Komisionin Hetimor Parlamentar, njësoj si në rastin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri kur ndaj tij hidheshin akuza.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Marku tha se edhe në këtë rast, një ish-ministër, Lefter Koka, është i arrestuar nga SPAK dhe nën hetim për inceneratorin e Elbasanit.

Blendi Fevziu: Në daljen e sotme si t’u duk?

Mark Marku: Në daljen e sotme ishte fiks atë që ka bërë me Saimir Tahirin. Superaferë, policia e përfshirë në përhapjen e kanabisit, në krimin e organizuar, në trafikun e kontrabandës, drogës, gjithçka, e mbronte, njeriu më i suksesshëm, sot ai është në burg. Edhe për këtë aferë është në hetim dhe në arrest një ministër, dhe dy në kërkim që nuk erdhën aty.

“Mos më shantazho se nuk intimidohem”, Abilekaj i drejtohet Ndrecës

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka pasur një përplasje mes gazetarit Enton Abilekaj dhe juristit Plarent Ndreca përsa i përket çështjes së inceneratorëve.

Plarent Ndreca: Pas 7 vjetësh kalon në pronësi të shtetit, që do të thotë se në fund shteti të paguan patjetër.

Enton Abilekaj: Që në fillim të paguan shteti, jo në fund.

Plarent Ndreca: A ky është problemi, ja ku do të dali se i parapriva. Këtu është meraku se i ka paguar shteti s’ka bërë asgjë me lekët e veta.

Enton Abilekaj: Nuk është merak ky. Çfarë meraku kam unë këtu?! Merak ke ti, jo unë, ti që pyet.

Plarent Ndreca: Mos më keqkupto, nuk e kisha me ty personalisht. E kisha fjalën tek meraku i argumentit. Pra, private ka marrë kredi dhe kjo është e bukura se përdoret si argument që shikoni se ka marrë kredi ai se kredia nuk qenka financim privat, qenka shtetëror kredia. Sigurisht që të gjitha marrin lekë tek banka. Për çfarë e ka marrë kredinë ai? Nëse do e kishte paguar shteti, nuk do të kishte nevojë për kredi ai. E paguante shteti.

Enton Abilekaj: Për pjesën e vet të kontratës.

Plarent Ndreca: Enton më dëgjo me kujdes.

Enton Abilekaj: Mos abuzo tani. Të të dëgjoj ty që abuzon dhe të hesht unë, çfarë të bëj?!

Plarent Ndreca: Unë nuk ka shanse të abuzoj.

Enton Abilekaj: Janë model i PPV me paratë e shtetit. E ka bërë me paratë publike.

Plarent Ndreca: O zotëri, nuk ka shanse që unë të abuzoj. Mund të mos biem dakord. Mos e kalo në këtë nivel sepse pastaj nuk dihet ku përfundon. Mos m’u drejto mua me abuzim.

Enton Abilekaj: Mos më shantazho sepse nuk intimidohem. Përfundojmë ku të duash ti.

Plarent Ndreca: Nuk ke pse të intimidohesh fare.

Enton Abilekaj: Problemi është të themi të vërtetën./tvklan.al