Shehi flet për raportet me Berishën: Kam qenë i ndershëm, talenti më i madh i tij ishte…

Emisioni “Opinion” vijoi këtë të martë me serinë e intervistave të rralla me personazhe që kanë qenë pjesë e politikës shqiptare gjatë 30 viteve të fundit. Kësaj here ka folur për jetën e tij, Lëvizjen e Dhjetorit, themelimin e PD-së, si dhe gjithë këto vite tranzicioni, Dashamir Shehi.

Shehi ka qenë zv/kryeministër, ministër e deputet. Ai gjithashtu ka qenë pjesë e Lëvizjes së Dhjetorit, e po ashtu ka qenë një ndër themeluesit e Partisë Demokratike. Shehi rrëfeu përballë gazetarit Blendi Fevziu raportet që ka pasur me ish-kreun e PD-së, Sali Berisha.

Për Shehin, talenti më i madh i Berishës ishte fakti që menaxhonte njerëzit shumë mirë.

“Mënyra për të menaxhuar njerëzit. Talenti më i madh ishte për të menaxhuar njerëzit. Për të pritur ty në mëngjes, mua në drekë dhe tjetrin në darkë, e cila është në fakt linja normale e marrëdhënies shqiptare. Marrëdhënia shqiptare nuk është institucionale. Është private, është personal. Shqiptari këtë beson, më thirri presidenti. Berisha është njeri shumë i zgjuar, ka vullnet. Berisha ka defektet e veta dhe i ka bërë të gjitha dëmet e veta. Berisha, që t’ia mohosh cilësitë dhe të hedhësh bojë të zezë vetëm mbi Berishën dhe jo edhe mbi të tjerët, është e gabuar”.

Shehi tha se Berisha ka pasur rolin e tij pozitiv gjatë historisë, megjithatë shtoi se ka pasur edhe momente të panevojshme, duke kujtuar 21 Janarin.

“Ka qenë një raport normal, i vështirë me thënë të drejtën, por unë jam një nëpunës, kam qenë një nëpunës i ndershëm, shumë i rregullt. Kështu që të merresh me mua ai e ka kuptuar që është e kotë. Kam qenë një nëpunës që nuk hap rrugë njëherë. Ti nuk mund të më thuash mua firmose këtë, se unë nuk hap rrugë njëherë. Kjo është e para dhe kjo na ka krijuar një lloj raporti konstruktiv me njëri-tjetrin, që gjithsecili e di kush është oborri i vet. Në një farë mënyre kjo ka krijuar një tension të brendshëm ku shkarkohesh. Vijnë për shembull zgjedhjet e 96-s, siç duket unë isha bërë më i rrezikshëm se sa duhet dhe ti duhet të largohesh. Unë e kuptoj pse duhet të largohem. Unë nuk largohem pse jam i pazoti, largohem se jam bërë më i zoti se duhet. Pas kaq vjetësh gjykoj që Berisha ka pasur në këtë periudhë edhe gjëra me rëndësi që kanë luajtur rol pozitiv. Në mandatin e dytë ka pasur disa momente reflektimi, siç ka pasur edhe elemente të panevojshme politika e 2 vjetëve të fundit, se nuk ishte nevoja të shtihej në bulevard, se ajo tregon një pazotësi të policisë, ajo tregon një tension që është ngritur përqark atij grupi”. 

Shehi: Nëse Fatos Nano do të kishte vullnet për të punuar mund të…

Dashamir Shehi është ndalur për të folur në një intervistë të rrallë dhënë emisionit “Opinion”, për Fatos Nanon. Shehi tha se Nano ka pasur ide liberale dhe një koncept për demokracinë. Megjithatë sipas tij, nëse do të kishte pasur më shumë vullnet mund të kishte bërë disa punë të mira për vendin.

“E kam njohur pas ‘90. Po të kishte pasur më shumë vullnet për të punuar them që do kishte bërë disa punë më të mira, sepse kishte ide më liberale se të tjerët. Kishte një koncept për demokracinë që të thuash, ishte më qytetar, po të thuash. Po të kishte pasur vullnet për të kontrolluar stafin e vet, atë ambient korruptiv, që mund të ishte dhe vetë brenda, por s’jam prokuror, do kishte bërë ca punë të mira për Shqipërinë”, tha Shehi.

Shehi: Meta ka qëndruar shumë në politikë, çfarë dëmi ka bërë

Dashamir Shehi është një personazh i cili ka qëndruar në politikë që prej vitit 1990, kur u ndërruan sistemet. Ai ishte këtë të martë në emisionin “Opinion”, ku ndër të tjera u pyet edhe për raportet me Ilir Metën.

Shehi tha se ka pasur raport kalimtar me Presidentin aktual të vendit. Ai u shpreh se gjatë qeverisjes së Metës nuk ka pasur ndonjë shkëlqim, por përkundrazi, administratës iu bë dëm pasi u politizua.

“Raporti me Ilir Metën i imi është shumë pak, është kalimtar. Ilir Meta ka qëndruar shumë në politikë. Ka qeverisur pak vetëm ato dy vjet, nuk ka qenë ndonjë shkëlqim i madh qeverisës. Koncepti im. Mendoj që ka qenë një nga momentet që administratës i është bërë një dëm. Filloi të politizohej në mënyrë të tejskajshme”, tha Shehi.

Shehi: Shpresoja tek Rama. Qeverisja e tij, një rrezik

“Kam pasur shpresë tek Edi Rama”. Kështu u shpreh këtë të martë Dashamir Shehi. Kreu i LZHK-së zhvilloi një intervistë të rrallë në “Opinion”, ku foli edhe për kryeministrin.

Mirëpo Shehi tha që në vend që të ishte një lider shtetformues, tek Rama dominuan disa karakteristika të tjera, si mendjemadhësia dhe arroganca.

“Unë kam pasur shumë shpresë, sepse ata që kishin kaluar përpara kishin bërë një lloj rrugëtimi të çaluar, i kishin provuar rrëshqitjet e veta dhe kisha menduar se një njeri që po vinte në mënyrë natyrale, sepse po vinte pas 12 vjet në Bashkinë e Tiranës, që duhet të kishte mësuar nga ana administrative se si qeveriset. E dyta që do kishte mësuar nga gabimet e tjera. E treta që duke menduar, duke ardhur nga një ambient pa këto komplekse, ti vjen nga provinca, ai vjen nga fshati. Politikën e bëjnë njerëzit. Unë kam menduar që ky brenda mendjemadhësisë, arrogancës, personazhit ‘bizarre’, do të mbizotëronte mirë, keq, ai shtetformuesi, kur në fakt dominuan ‘bizarre’-i, mendjemadhi, boshi, arroganti dhe ç’është mbi të gjitha, i korruptuari”.

Për më tepër, Shehi mendon se Rama është një dëm i madh.

“Jo një zhgënjim, por është një dëm i madh, një rrezik. Ka prishur të gjitha institucionet”.

Dashamir Shehi shtoi se pika më e fortë e kryeministrit aktual është propaganda.

“Gjysma e politikanëve tek lista e drogaxhinjve”, Shehi: Basha është normal, avantazhet që ka

Dashamir Shehi, një prej themeluesve të PD-së, por edhe mbajtës i disa posteve të larta shtetërore, ka zhvilluar një intervistë të rrallë këtë të martë në emisionin “Opinion”. Ai foli ndër të tjera për liderët që janë tërhequr nga politika, por edhe për ata që sot luftojnë për të ardhur në pushtet.

Duke u shprehur për Bashën, ai tha se kreu i PD-së është një njeri normal që i duhet vendit. Sipas Shehit, Basha ka disa avantazhe dhe një ndër to është fakti që nuk është përzier në punët e drogës.  

“Unë kam një mendim pozitiv. Do thuash ti, ky është oportunizmi i një njeriu që jemi në një rresht. Kush është pozitivja? Është i ri në moshë, ka studiuar në Perëndim, nuk është i përzier as me drogën, as me krimin. Siç erdhi puna në Shqipëri, që gjysma e klasës politike është te lista e drogaxhinjve, kështu që ky njeri, që të paktën s’ka lidhje me këtë punë, unë e quaj avantazh. Ka një predospizicion perëndimor. A është ky gjeniu? Nuk na duhen më gjeni. Ne na duhen njerëz normalë. Ky është normal. Nëse do i japim ndonjë dorë, shqiptarët do ta votojnë, unë them se do të kthehemi tek normaliteti”, tha Shehi./tvklan.al