“Biden foli për sanksione ndaj Rusisë që e kapin shifrën 1 trilion dollarë”, flet gazetarja nga SHBA

Gazetarja e njohur Keida Kostreci në një lidhje virtuale me emisionin “Opinion” ka treguar në mënyrë të përmbledhur deklaratën e Joe Biden përsa i përket qëndrimit të SHBA ndaj agresionit rus në Ukrainë.

Keida Kostreci:  Ashtu siç thashë, sot presidenti Biden kishte disa pika kryesore. Së pari dënoi me forcë presidentin Putin, pika tjetër kryesore ishte çështja e sanksioneve që e kapin shifrën 1 trilion dollarë, përfshirë bllokimin e 3 bankave në Rusi dhe gjithashtu dërgimin e trupave. Biden theksoi se SHBA duhet ta kundërshtojnë këtë agresion me forcë dhe se po koordinohen me vendet e NATO-s.

Blendi Fevziu: Duke pasur parasysh ngrirjen e aseteve të shtetasve rus në Amerikë apo si një listë e përzgjedhur ?

Keida Kostreci: Mënyra si e shprehu, të gjitha asetet do të ngrihen, por nuk jam shumë e sigurtë që e ka vetëm për shtetin rus. Kjo ishte një ndër pikat më të forta që Biden tha.

Blendi Fevziu: Ai deklaroi që do të luftojmë për çdo milimetër.

Keida Kostreci: Të gjitha ato vende që kufizohen me Ukrainën dhe Rusinë, çdo pëllëmbë e NATO siç u shpreh ai do të mbrohen nga forcat e NATOs. Ai e bëri të qartë se trupat amerikane nuk do të luftojnë në Ukrainë.

Blendi Fevziu: Ai la të kuptohet se sanksionet do të shkatërrojnë Rusinë?

Keida Kostreci: Ai e bëri të qartë se këto sanksione do të jenë një kosto për të mbrojtur demokracinë. Presidenti Biden tha se ai e kishte të qartë se nëse sanksionet do të ishin marrë më përpara nuk do e parandalonin luftën.

Blendi Fevziu: Cili është ndjesia e publikut amerikan?

Keida Kostreci: Ndjesitë janë të përziera. Publikut amerikan i intereson Evropa, por nga ana tjetër nuk duan që të ketë këmbë ushtarësh në Ukrainë, është një pamje e përzierë dhe publiku amerikan do të shihet më tej si do të reagojë. Për amerikanët është e rëndësishme kjo si luftë pasi mund të ketë pasoja ekonomike për ata vetë. Ai iu bëri thirrje dhe kompanive që të mos rrisin çmimet.

Konsulli i Ukrainës në Shqipëri: Nesër do të ketë bombardime të tjera nga Rusia

Bledi Bajraktari, Konsulli i Nderit i Ukrainës në Shqipëri, i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, thotë se nesër do të ketë bombardime të tjera në Ukrainë nga Rusia.

Sipas tij, gjatë të enjtes janë bërë 393 sulme ruse ndaj Ukrainës.

“Nesër janë ca informacione që mund të ketë bombardime të vazhdueshme. Për sot ka patur 393 sulme në rajone të ndryshme, por gjithsesi nuk mund të thuhet që kanë bërë ndonjë përparim të madh”, u shpreh Konsulli i Nderit i Ukrainës në Shqipëri.

“Loja s’ka filluar”, ish-komandanti i forcave speciale shqiptare: Si nisi plani i Putin për pushtimin e Ukrainës

Gjenerali dhe ish-komandanti i forcave speciale shqiptare Dritan Demiraj ka shpjeguar se si nisi zbatimi i planit të Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

I ftuar në emisonin Opinion në Tv Klan, Demiraj u shpreh se para sulmeve ushtarake ka patur fillimisht sulme kibernetike duke nxjerrë jashtë funksionit sistemin e mbrojtjes ukrainase.

“Gjatë natës deri nga ora 12-01:00 Putin ka pasur Këshillin e Sigurisë dhe mendohet nga ora 1 ka dhënë urdhër për sulm. Nga ora 1 deri në 3 është aplikuar luftë kibernetike që ka nxjerrë jashtë funksionimit mjetet e komunikimit dhe të komandimit.

Së dyti, është nxjerrë jashtë funksioni sistemi i mbrojtjes ajrore.

Më pas është aplikuar me sukses strategjia e luftës së sinjaleve.

Pastaj ka filluar herët në mëngjes infiltrimi i njësive.

Nga pjesa lindore kanë qenë brigadat speciale. Disa mijëra agjentë kanë qenë shumë aktiv në të gjithë territorin e Ukrainës.

Rreth 3 skuadrone Kamof-52 së bashku me artilerinë Tos 1 kanë përdorur raketat më të suksesshme që janë kalibër 1. Janë marrë komplet bazat ajrore.

Objektivi strategjik i Putinit nuk është marrja e kontrollit të të gjithë Ukrainës, pasi e ka të pamundur. Loja s’ka filluar akoma. Jo pa qëllim objektiv i goditjes ka qenë goditja e njësisve të inteligjencës dhe bazat ajrore”, shpjegoi Dritan Demiraj. /tvklan.al