Të ftuar në studio Pëllumb Pipero, Silva Bino, Pertit Vargu, Tritan Shehu. Në lidhje direkte Ogerta Manastirliu. Në Skype nga Milano, Elson Gjoni.

Manastirliu tregon nëse ka të infektuar me koronavirus në Shqipëri

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka pohuar se në Shqipëri nuk ka asnjë person të infektuar me koronavirus.

Në një lidhje telefonike me emisionin “Opinion” në Tv Klan, ministrja Manastirliu theksoi se vendi ynë ka marrë të gjitha masat.

I pyetur nga drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu nëse në Shqipëri ka karantinë, Manastirliu konfirmoi se ka një të tillë, por nuk preferoi ta bënte publike vendndodhjen. Ajo theksoi se karantina nuk është hapur deri në këto momente.

Ndërsa u shpreh se Shqipëria më shumë se 180 shtretër nëse do të ketë pacientë të infektuar me koronavirus.

Blendi Fevziu: Jeni e sigurt zonja ministre që nuk ka asnjë shqiptar të infektuar?

Ministrja Manastirliu: Deri më tani nuk ka asnjë qytetar i cili është i konfirmuar me koronavirusin e ri. Pra nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirusin e ri deri tani që flasim në territorin e Shqipërisë.

Blendi Fevziu: A keni frikë që shqiptarë që kanë qenë në Itali, ose italianë që kanë ardhur në Shqipëri gjatë kësaj kohe, mund të jenë të infektuar por u identifikuar akoma? Hipotetike, e keni apo nuk e keni si plan?

Ministrja Manastirliu: Nuk flasim me hipotetike, ne flasim me fakte dhe flasim me atë çfarë referohet në protokolle dhe çfarë terreni dikton. Ne kemi një rrjet të survejancës aktive, i cili monitoron të gjithë ato qytetarë të cilët kanë patur historik udhëtimi me vende të cilat ka patur transmetim komunitar, ku përpara 3 ditësh dhe Italia është përfshirë në këtë hartë. Ne menjëherë kemi marrë masat e shtuara. Ne kemi marrë masa për të dyfishuar personelin mjekësor në të dy portet, në aeroport dhe në pikat e kalimit tokësor.

Blendi Fevziu: A ka Shqipëria karantinë të gatshme në rast se virusi do të vijë në Shqipëri.

Ministrja Manastirliu: Po. Nëse vendosim të aktivizojmë strukturën e karantinës, nuk do të jetë sekret. Kemi më shumë se një strukturë spitalore dhe strukturë tjetër akomoduese. Nëse vendosim që të aktivizojmë nuk do të jetë sekret edhe për median edhe për publikun. Aktualisht nuk është vlerësuar nevoja e hapjes.

Blendi Fevziu: Sa shtretër keni të gatshëm?

Ministrja Manastirliu: Në raport me numrin e shtretërve janë vlerësuar nga ekspertët… Numri i shtretërve deri tani në strukturat tonë që kemi tejkalon 180 shtretër, por kemi dhe struktura të tjera të cilat janë vlerësuar nga ekspertët që vlejnë. 

Pajisjet mbrojtëse për qytetarët, ministrja: Do të vazhdojë furnizimi në farmaci

Situata në Itali prej koronavirusit ka shkaktuar frikë edhe në vendin tonë. Qytetarë të shumtë kanë shkuar në farmaci për të marrë dezinfektues dhe maska kirurgjikale.

Por përveç vështirësive për t’i gjetur në studion e “Opinion” këtë të hënë u diskutua edhe për çmimet e larta që kanë vendosur farmacitë për këto produkte.

Në një lidhje direkte, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu sqaroi se farmacitë do të vijojnë furnizimin. Sa i përket spitaleve,a jo tha seështë garantuar furnizimi.

Ndër të tjera, ministrja u shpreh se Inspektorati i Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore po verifikon rastet kur çmimet në farmaci janë rritur pa logjikë.

Blendi Fevziu: Qytetarët e thjeshtë në farmaci që duan të vendosin këtë? Si zgjidhet?

Ogerta Manastirliu: Në farmaci do të vazhdojë furnizimi…

Blendi Fevziu: Sot nuk ka. Sot është vrulli i parë i qytetarëve që nga paniku i Italisë kanë kërkuar…

Ogerta Manastirliu: Dakord, por nuk është për ta thënë me kaq panik zoti Fevziu.

Blendi Fevziu: Nuk po e them me panik, por edhe duke shkuar në greminë duke kënduar nuk më duket shumë normale.

Ogerta Manastirliu: Nuk po këndon njeri. Ne jemi 24 orë në punë. Dezinfektantët janë normalë dhe do të vijojë furnizimi siç kanë pasur depot farmaceutike. Për këtë arsye sot kam pasur edhe një takim me të gjithë furnitorët për të garantuar furnizimet me spitalet. Dihet që I gjithë tregu ka pasur problem me furnizim. Duhet të jemi realistë.

Blendi Fevziu: T’u kërkosh njerëzve të marrin masa nuk është panik.

Ogerta Manastirliu: Ju garantoj pa shumë fjalë që janë marrë masa për të patur furnizime për spitalet publike dhe qendrat shëndetësore për të mos munguar asnjë material mjekësor.

Blendi Fevziu: A ka ndonjë mekanizëm për të kontrolluar rritjen e çmimeve në farmaci pa logjikë.

Ogerta Manastirliu: Kemi nxjerrë Inspektoratin të Agjencisë së Barncave dhe Pajisjeve Mjekësore për të bërë vlerësimet dhe për të këtë verifikim kaq shumë të nevojshëm.

Ministrja tha se qeveria ka një plan. Në çdo moment do të vlerësohet risku dhe më pas  do të marret vendimi për elementet që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarëve.

Mjeku shqiptar në Itali: Situatë shqetësuese, nuk dihet pacienti që përhapi koronavirusin

Elson Gjoni është një kirurg onkolog shqiptar në spitalin e Bursto Arsizio që punon në Itali, dhe në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan ka folur për situatën emergjente të krijuar në shtetin fqinj.

Sipas tij, gjendja në Itali është shqetësuese, por ka bërë apel që të mos krijohet panik. Kirurgu onkolog Elson Gjoni thotë se autoritetet italiane kanë ndërmarrë të gjitha masat për të ndaluar përhapjen e këtij virusi të rrezikshëm.

Megjithatë, ai ka konfirmuar se ende nuk dihet kush është pacienti në Itali që ka përhapur koronavirusin. Testet rrëzuan dyshimet mbi një biznesmen të ardhur nga Kina.

Blendi Fevziu: Si është situata në Itali?

Kirurgu onkolog Elson Gjoni: Me tërë mend është shqetësuese por nuk duhet të jetë panik në këto orë të para se duhet të merren të gjitha masat që të frenohet përhapja. Duke ditur që është një virus që ka përhapje të lartë, kemi ne kemi protokollet e Ministrisë që na ndërruan që nga e shtuna kur filloi përhapja e virusit në Itali. Më përpara kontrollet ishin për pacientët ku kishin simptoma, pacientët që vinin nga epiqendra e Kinës, ose italianë ose pacientë me origjinë kineze që vinin nga Kina.

Blendi Fevziu: Nga erdhi, nga u përhapën?

Kirurgu onkolog Elson Gjoni: Për fat të keq, pacienti zero që e quajmë ne këtu, doli në të dyja analizat negativ. Pacienti zero që ishte një pacient një biznesmen që vinte nga Kina që mendohej që ai ia kaloi pacientit të parë, por pacienti zero për fat të keq nuk u konfirmua.

Blendi Fevziu: Pra nuk dihet fare se si ka mbërritur tek ky person?

Kirurgu onkolog Elson Gjoni: Absolutisht, nuk dihet pacienti zero.  

Si duhet të veprojë një person që kupton që ka koronavirus

Personat që kanë qenë në vende me raste koronavirusi, siç është Italia dhe që vijnë në Shqipëri kuptojnë që janë infektuar nuk duhet të shkojnë në spital, por të vetëkarantinohen.

Eksperti Pëllumb Pipero tregoi në studion e “Opinion”, veprimet që duhet të bëjë një person që kupton që është infektuar me COVID-19. Sipas tij, nëse një individ është kthyer nga një vend i prekur me koronavirus dhe për një periudhë deri në 14 ditë ka temperaturë, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje duhet të qëndrojë në shtëpi dhe fillimisht të vendosë një maskë.

Më pas duhet lajmëruar Urgjenca, pasi personi në fjalë nuk duhet të dalë nga shtëpia që të mos infektojë të tjerët.

“Indikatori i temperaturës, po jua them nga ana profesionale është minimalist, por është i nevojshëm për t’u aplikuar në kufi, por është minimalist për të kuptuar në kufi, është apo s’është me temperaturë. Ky person kaloi kufirin vajti në shtëpi. Brenda 3-4 ditësh, maksimumi brenda 14 ditësh deri tani, por ka të dhëna që periudha është edhe në 24 ditë, nëse gjatë kësaj periudhe ka temperaturë, kollë dhe vështirësi frymëmarrjeje, ky person menjëherë duhet të vendosë një maskë në rast se e ka dhe duhet të marrë në telefon Urgjencën kombëtare, 127-n. Në asnjë mënyrë të mos vrapojë të dalë nga shtëpi, të mos vrapojë të marrë autobusë, për të vajtur në spital, por të njoftojë se i vete spitali në shtëpi”, tha Pipero.

Eksperti theksoi se bëhet fjalë për persona që kanë ardhur nga vende me raste të shtuara me virus.

“Në rast se ka ardhur nga një vend ku ka numër të shtuar rastesh, siç është Italia, dhe brenda një periudhe dyjavore ka këto simptoma veçanërisht vështirësi frymëmarrje të marrë Urgjencën. Jemi në periudhë virozash stinore dhe nuk është e thënë që persona të tjerë të kenë shenja koronavirusi. Nëse ka ardhur nga një vend me raste duhet trajtuar si i tillë. Më mirë të dyshojmë dhe të hetojmë sesa ta neglizhojmë. Vjen Urgjenca dhe e verifikon”, tha ai.

Sipas Piperos, personi i infektuar duhet t’ia bëjë të qartë mjekut situatën që këta të fundit të shkojnë të përgatitur me veshjet përkatëse për ta marrë dhe për ta dërguar në infektiv./tvklan.al