Përse PD dhe LSI do të futen veçmas në zgjedhje

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, në një lidhje me emisionin “Opinion” tha këtë të mërkurë se në bazë të studimeve që opozita ka kryer, futja me dy lista në zgjedhjet e 25 Prillit, PD me aleatët nga një anë dhe LSI në anën tjetër, ka më shumë mundësi që të maksimalizojë votat e opozitës.

Në bazë të komenteve që unë kam pasur në studio dhe një lloj analize të njerëzve që i njohin sistemet elektorale, është thënë që e vetmja zgjidhje që opozita të mos humbë asnjë votë dhe të maksimalizojë votën e saj është koalicion PD-LSI, në mënyrë që asnjë votë të mos humbë. Përse nuk ndodhi kjo listë e përbashkët me LSI-në?

Ne e kemi diskutuar gjerësisht, e kemi thënë edhe më parë, edhe ne, edhe LSI, që qëllimi mbetet gjithmonë i njëjti, maksimalizimi i votave. Ne kemi gjykuar, kemi bërë studimet tona dhe na rezulton që kjo formë, PD me koalicion një krah dhe LSI në krahun tjetër do të jemi dy forca që jo vetëm do të maksimalizojmë votat, por unë e kam thënë dhe herë tjetër, ajo hilja që bëri Rama me koalicionin, mos të duket çudi që t’i kthehet kundër.

Pra ju mendoni se dy lista ju japin më shumë rezultat pozitiv se një listë të vetme.

Sipas gjithë studimeve që kemi bërë po.

“Do të ketë secili vendin e tij”, cila është marrëveshja e PD me kryetarët e partive të vogla

Edi Paloka në një lidhje me “Opinion” , tha këtë të mërkurë se në bazë të marrëveshjes që Partia Demokratike ka arritur me aleatët, kryetarët e partive që i janë bashkuar në koalicion do të jenë në listën për deputetë të Partisë Demokratike.

“Po, sigurisht, kemi një marrëveshje të hershme me ta dhe sipas detajeve që do të diskutohen më pas, do të ketë secili vendin e tyre”.

Ndryshe nga e shkuara, Paloka thotë se koalicioni këtë herë është më i reduktuar dhe me parti që kanë treguar seriozitet në të shkuarën.

“Është një koalicion më i reduktuar dhe me parti që kanë treguar gjatë gjithë historisë së tyre seriozitet dhe një marrëdhënie serioze edhe në politikë”.

Vasili: Nuk ka rrezik përplasjeje PD-LSI prej listave

Flitej prej kohësh, por sot u zyrtarizua. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojnë të zbatojnë marrëveshjen mes tyre për të qëndruar në opozitë së bashku, por në zgjedhjet e 25 Prillit do të hyjnë në garë të ndara.

Demokratët kanë krijuar një koalicion me disa parti të tjera të finalizuar këtë të mërkurë, ndërsa LSI-ja do të hyjë e vetme në zgjedhje. Këtë e konfirmoi në emisionin “Opinion” nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, sipas të cilit partia ku ai bën pjesë do të hyjë në garë si “në zgjedhjet e 2017-ës”.

Edhe pse me synime të qarta si aleatë opozitarë, Vasili u pyet nëse krijimi i dy listave do të krijojë përplasjeve mes bazave në zona të ndryshme elektorale. Por sipas nënkryetarit të LSI-së nuk ka asnjë rrezik që kjo gjë të ndodhë.

Blendi Fevziu: A rrezikon që dy lista mund të çojë në një përplasje për të marrë vota edhe brenda opozitës përveçse midis këtyre të dyjave dhe partisë socialiste, duke e ditur pak a shumë se kush është elektorati opozitar të ketë më shumë përplasje? Në bazë flas jo në të gjitha qarqet, sidomos në qarqet e vogla midis vetë opozitës.

Petrit Vasili: Absolutisht ky rrezik nuk ekziston sepse është e qartë që qoftë koalicioni që udhëhiqet nga PD-ja dhe qoftë te LSI-ja i kanë shumë të qarta targetet e tyre elektorale të cilat janë tradicionale, por edhe të reja sepse nuk janë parti që konkurrojnë sot për herë të parë. Kjo pyetje ka vlerë të veçantë për parti të shfaqura pak ditë më parë dhe praktikisht janë të gjitha për t’u testuar. Janë shumë të qarta se cilat janë objektivat dhe çfarë ka lexuar për 4 vitet 2017-2021 për hapësira të reja… Nuk ka asnjë mundësi për konflikte./tvklan.al