Koronavirusi, drejtori i Spitalit Amerikan: Kemi pajisjen që bën mbi 4 mijë testime në një ditë

Drejtori i Spitalit Amerikan në vendin tonë, Klodjan Allajbeu, thotë se gjysma e popullsisë e kalojnë koronavirusin COVID-19 pa pasur asnjë simptomë dhe pa pasur dijeni.

I ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, ai foli për një pajisje të re që bën të mundur mbi 4 mijë testime në ditë për rastet e dyshuara me koronavirus.

Kjo pajisje ndodhet edhe në Shqipëri, por sipas Allajbeut, pritet furnizimi me reagentë.

Blendi Fevziu: Sot mediat gjermane kanë dhënë lajmin që është një test që të teston edhe në qoftë se e ke kaluar më parë. Ka disa teza që ky koronavirus ka qenë prezent në Shqipëri që në mes të muajit Shkurt ose fillim të muajit Shkurt. Ka pasur shumë simptoma të ngjashme.

Klodjan Allajbeu: Një pjesë e madhe e kanë kaluar virusin pa e ditur fare. Dua të them që këtë virus 50% e rasteve kalojnë pa e ditur fare. Ka studime të reja, gjërat po bëhen më të qarta. Vdekshmëria nuk është ashtu siç pretendohej në nivel 3 ose 5% që ne shohim, por realisht është në 0.2-0.3%. Kjo vjen nga mangësia e testimeve. Bota u gjet e papërgatitur, nuk pati teste. Sot testimet që po bëhen po zhvillohen me pajisje që kanë qenë të prodhuara dhe kanë bërë teste të tjera. Dhe po i shtohet dhe testi i COVID-19. Një pajisje që Roshi sapo lancoi, është një pajisje shumë efektive sepse për 24 orë arrin të bëjë 4128 testime.  

Blendi Fevziu: Me rezultat të besueshëm?

Klodjan Allajbeu: Me rezultat super të besueshëm.

Blendi Fevziu: Është e shtrenjtë si pajisje?

Klodjan Allajbeu: Nuk është e shtrenjtë, ne këtë pajisje e kemi.

Blendi Fevziu: E keni ju?

Klodjan Allajbeu: Vetëm problemi është sot furnizimi me reagentë. E kemi si pajisje dhe presim furnizimin me reagentë.

Shefja e epidemiologjisë: Kur pritet të jetë piku i epidemisë në Shqipëri

Shefja e epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik deklaroi këtë të mërkurë se pret që piku i rasteve me të infektuar nga koronavirusi në Shqipëri të jetë në përfundim të kësaj jave dhe javën e ardhshme.

Eugena Tomini gjatë një lidhjeje me Skype në emisionin “Opinion” u shpreh se javën e ardhshme beson se do të ketë më shumë raste të personave që do të kërkojnë asistencë respiratore në reanimacion.

“Unë theksoj që nuk jemi në pikën kritike të shfaqjes së rasteve të rënda që kërkojnë asistencë respiratore. Theksoj që javën në vazhdim do të kemi pikun e rasteve që do të kërkojnë edhe asistencë terapeutike në drejtim të reanimacion. Mbyllja e kësaj jave dhe java e ardhshme besoj që do të jenë piku i prezencës së epidemisë”, tha Tomini.

Tomini u shpreh se virusi po sillet në një mënyrë atipike, pasi është vërejtur në vendin tonë edhe në mosha të reja.

“Megjithëse virusi po bën kapriço sepse po bën atipizëm në prekjen e grupmoshave sepse ka mbizotëruar edhe në grupmoshën e të rinjve, që ne themi 25-45 vjeç. Është për t’u parë në vijim sepse deri tani kemi theksuar shumë për moshën e tretë, por duhet të themi që ka atipizim të virusit kundrejt moshave të reja. Është për t’u parë edhe në vijim. Kemi edhe rikuperime rreth 17 raste, mosha mesatare 39.8 vjeç. Kemi shumë punë për të bërë dhe kjo punë është e përbashkët”, tha Tomini./tvklan.al