Të ftuar: Artan Hoxha, Jordan Daci, Robert Rakipllari, Alfred Peza dhe Mustafa Nano. Në lidhje direkte Zëvendësministër i Brendshëm, Bersfort Lamallari.

Zv/ministri zbulon rolin e izrealitëve tek super policia

Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të hënë platformën “Anti-KÇK” për të luftuar krimin e organizuar. Si pjesë e paketës pritet të krijohet edhe një strukturë e posaçme që do të zhvillojë betejën në terren.

Zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, bëri publike këtë të hënë detaje të reja rreth kësaj pakete. Ai deklaroi nga emisioni “Opinion” në Tv Klan se pjesë e grupit të punës do të jenë edhe ekspertë izraelitë.

Sipas Lamallarit, ata do të fokusohen në pjesën e implementimit të platformës së re. Zv/ministri deklaroi se e ashtuquajtura super policia do të jetë gati shumë shpejt.

Besfort Lamallari: Është punuar intensivisht për gati një muaj nga grupi i punës. Në nivel politik janë dhënë të gjitha rekomandimet, janë bërë takimet e punës me ekspertë si ata që janë të pranishëm në Shqipëri, por edhe me izraelitë.

Blendi Fevziu: Izraeli? Çdo Izraeli këtu?

Besfort Lamallari: Me ekspertë izraelitë të cilët do të asistojnë si në aspektin ligjor, si në aspektin e implementimit të kësaj pjese.

Blendi Fevziu: Pra ligji është gati?

Besfort Lamallari: Është bërë një punë e mirë, e madhe dhe të hënën do të prezantohet.

Blendi Fevziu: Kur do të miratohet ky ligj?

Besfort Lamallari: Aty është në diskutime. Janë disa konsultime që janë bërë.

Blendi Fevziu: Ekspertët e Izraelit çfarë do bëjnë këtu? Do marrin pjesë në aksion apo vetëm në hartimin e ligjit?

Besfort Lamallari: Jo, jo. Kryesisht do të fokusohen edhe në pjesën e implementimit.

Blendi Fevziu: Do të fokusohen edhe në pjesën e implementimit. Pra do të ketë ekspertë izraelitë që do të marrin pjesë në aksione, në terren?

Besfort Lamallari: Jo.

Blendi Fevziu: Apo do përgjojnë se izraelitët janë të parët në botë për përgjime?

Besfort Lamallari: Është e rëndësishme të kuptojmë se krahas informacioneve që një agjenci ligjzbatuese mbledh, momenti më i rëndësishëm është se çfarë bëhet me këtë informacion. si përpunohet ai, si ndërtohen në grafik, për të marrë të dhëna.

Blendi Fevziu: Kur sipas jush policia do të jetë e gatshme për të ndërhyrë?

Besfort Lamallari: Shumë shpejt. Nga momenti që kjo hyn në fuqi. Një javë ose dy javë. 

“Shqetësimi” i Fevziut për super policinë

Paketa anti-KÇK, që pritet të luftojë krimin e organizuar, si pjesë e saj parashikon edhe një njësi speciale policore. Pikërisht për këtë “super polici”, gazetari Blendi Fevziu, në një lidhje direkte nga studio e “Opinion”, e pyeti Zv/Ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari nëse ka garanci që kjo polici nuk do të keqpërdoret për interesa politike.

Blendi Fevziu: Kush më garanton mua që nesër grupi i punës nuk thotë që ta zëmë zoti Basha, zonja Kryemadhi ose një kundërshtar tjetër politik ka të ardhura të pa justifikueshme sipas tyre dhe të vihet në përgjim të plotë dhe ky përgjim nuk përdoret pastaj për indicien bazë që ka, që mund të jetë dhe fake, por përdoret për interesa politike?

Besfort Lamallari: Çdo politikan, përfshirë edhe mua bën deklaratë të pasurisë. Që në këtë pikë, është e pakuptimtë sesi deri më sot për shembull këta persona që kanë pasuri, vila, makina luksoze që e shfaqin edhe haptazi fare dhe ata minimalisht nuk bëkan një deklaratë të tillë. Dhe është shumë e thjeshtë, të gjitha organet kompetente, mjafton të bëjnë verifikim të tyre dhe do të kuptojmë që cilat shtesat e pasurisë dhe burimi i pasurisë.

Blendi Fevziu: Po nëse ju vini në punë përgjimin e telefonave, përgjimin ambiental, marrjen e të dhënave telefonike, pastaj ku shkojmë? Se mund të përgjoni një deputet, një shef të opozitës, një person të rëndësishëm që mund të përdoret politikisht po them.

Besfort Lamallari: Çdo ligj, përfshirë edhe paketa Antimafia, edhe aty jam i bindur që edhe në atë kohë ka pasur shumë alarm, shumë frikë.

Blendi Fevziu: Po, por ka pasur një harmonizim mes institucioneve, kurse në këtë rast nënkomisari i policisë të ve telefonin nën përgjim.

Besfort Lamallari: Jo absolutisht nuk është kështu. Unë thashë që ka një grup pune që po vendos, janë edhe ekspertët më të mirë përfshirë edhe ta ndërkombëtarë.

Blendi Fevziu: Me këtë ligj që i jep fuqi policisë, kush më garanton që duke u nxehur me Mustafa Nanon që kritikon këtu, i bën përgjim Nanos, kush e garanton këtë? Dhe ai thotë që kam dyshime që Mustafa Nano jeton më mirë sa deklaron, kush e verifikon këtë?

Besfort Lamallari: Tani siç e kishim ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ashtu kemi dhe ligjin, aktin normativ, i cili pastaj kalon dhe në parlament. Nuk kemi asnjë masë që do merret nga qeveria që ndërhyn në gjyqësor. Unë sapo thashë që e para njëherë kjo është konsultuar edhe me ekspertët ndërkombëtarë që janë të pranishëm këtu dhe kanë asistuar prej vitesh si Policinë e Shtetit, ashtu dhe gjyqësorin.

Daci: Ju s’keni pikë turpi. Peza: A mund ta mbash etikën?

Sipas juristit Jordan Daci paketa “Anti-KÇK” e prezantuar së fundmi nga kryeministri Edi Rama ka abuzime pafund.

Por gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan, ai tha se me ligjin aktual nëse një kushëriri i afërt përfundon në burg për lëndë narkotike, atëherë edhe ti bëhesh subjekt i ligjit dhe të sekuestrohet prona nëse nuk e justifikon.

Por kjo sipas analistit Alfred Peza është spekulim. Kjo deklaratë e gazetarit solli edhe reagimin e juristit, ndërkohë që analisti Peza i kërkoi të ruante etikën.

Jordan Daci: Sipas ligjit aktual në qoftë se kushëriri juaj përfundon në burg për lëndë narkotike nesër ti je subjekt i ligjit dhe të sekuestrohet prona nëse nuk e justifikon.

Alfred Peza: Jo, jo, është spekulim.

Jordan Daci: Si? Spekulim? Spekulim bën ti se nuk e di hiç.

Alfred Peza: E kam këtu ligjin.

Jordan Daci: Hajde ma nxirr. Ma thuaj ku? Cili ligj e ka? Ju s’keni pikë turpi, ju thoni edhe atë që nuk thuhet. Ka mundësi të keni marrë kot.

Alfred Peza: A ka mundësi të jesh etik?

Jordan Daci: Jo. Ka mundësi ta mbyllësh ti të mbaroj unë njëherë.

Alfred Peza: A mund ta mbash etikën?

Jordan Daci: Etika është kur ta mbyllësh ti dhe të flas unë.

Alfred Peza: Po pra, por jo të flasësh pa etikë.

Jordan Daci: Etika është shumë e thjeshtë. Nuk mund të flasësh kur jam unë duke folur.

Alfred Peza: Po ju them që po spekulon.

Jordan Daci: Nuk është spekulim se nuk e di fare. S’e ke haberin fare.

Alfred Peza: E kam këtu.

Jordan Daci: Po pres ta thuash.

Alfred Peza: Ky rast nuk ka të bëjë meqë një kushëri i katërt futet në burg për drogë dhe e ha ti apo Daci, apo unë. Ky ka të bëjë me faktin që për kontrollin e pasurisë duke qenë se ka devijim të pasurisë atëherë kontrolli në dy vitet e fundit për kontrollin e pasurisë kur ka dyshime.

Blendi Fevziu: Po kush e vendos?

Alfred Peza: Atë e vendos gjykata.

Jordan Daci: Zoti Peza nuk e kuptoni që ajo që po them unë është akoma më i lartë se standardi që po përpiqet të shpjegojë. /tvklan.al