Gazetari: Vrasja në mes të Tiranës me mesazh, e ngjashme me atë të Santos

Gazetari Artan Hoxha gjen ngjashmëri mes vrasjes së Behar Sofisë të ndodhur mëngjesin e kësaj të enjteje në Tiranë, me atë të bankierit Artan Santos në vitin 2014.

“Për mua kjo është e ngjashme, edhe për orarin kur është zgjedhur, me ekzekutimin e Artan Santos. Nuk ka ngjarje tjetër të ndodhur kaq…”

Nga studio e “Opinion”, Hoxha tha se ekzekutimi i 66-vjeçarit është një mesazh i drejtpërdrejtë për të gjithë ata që qëndrojnë pas tij.

“Kjo është vrasje me mesazh. Vrasja me mesazh është që qëllimi jot nuk është vetëm eliminimi i viktimës, por është futja e tmerrit atyre që janë pas viktimës. Ti vret të parin, por u ke futur tmerrin 10 të tjerëve pas”.

Vrasja e 66-vjeçarit ndodhi në trotuarin përballë Piramidës, ndërsa vetë viktima jetonte pikërisht në këtë zonë, e konsideruar si ndër më të sigurtat në kryeqytet. Për Hoxhën edhe vendi i zgjedhur nga autorët përforcon idenë se ajo është kryer me një mesazh të qartë nga pas.

“Nuk ka zonë më të mbrojtur se kjo, dhe më të sigurt. Mesazhi që për mua është zgjedhur të jepet aty, është pikërisht ky; që nuk keni siguri kudo që të futeni.”

Pse Behar Sofia ishte “i paprekshëm”

Kryeqyteti u trondit këtë të enjte nga një atentat tipik mafioz ku mbeti i vrarë Behar Sofia. Ai po ecte në një trotuar në qendër të Tiranës, ku dyshohet se është qëlluar me një armë me silenciator nga disa persona ende të paidentifikuar.

Gazetari Artan Hoxha ka sjellë në emisionin “Opinion” detaje të reja rreth këtij personazhi misterioz, por jo i panjohur brenda botës së krimit. Hoxha tregoi se Sofisë i janë vendosur eksplozivë në bizneset e tij për ta vrarë.

Gazetari rrëfeu një histori personale nga një prej lokaleve të Sofisë, ku ky i fundit e ka qerasur me një shishe vere. Në të njëjtin loka, gazetari ka dëshmuar se qëndronin deputetë, prokurorë dhe gjyqtarë.

Sipas Hoxhës, Behar Sofia ka sponsorizuar edhe në fushata elektorale, por nuk bëri të ditur se për cilën parti. Një nga aftësitë e viktimës së atentatit të së enjtes ishte fakti që qëndronte në një profil të ulët.

Sipas gazetarit Artan Hoxha, ai kishte infiltruar dhe depërtuar në agjencitë e zbatimit të ligjit dhe kjo është një nga arsyet kryesore se pse vijonte të qëndronte i paprekshëm.

Artan Hoxha: Ishte e vështirë që të përmendje emrin e këtij njeriu sepse lokali është pranë lulishte 1 Maji saktësisht ku është vendosur eksplozivi ku është tentuar t’i bëhet atentat. Lokal Dea ka qenë dhe ka qenë një lokal që unë shkoja 3 vjet dhe hyja gjithmonë nga mbrapa. Rastësisht një ditë vetëm kur më vjen një shishe verë aty dhe më thonë që e ke nga pronari i lokalit dhe pyes atë me të cilin isha në tavolinë, por kisha vënë re që në atë lokal kishte shumë prokurorë, gjyqtarë dhe deputetë.

Blendi Fevziu: Po ty gjithë këta banditë të japin verë?

Prit se kush është interesantja. E pyes bashkëbiseduesin dhe e pyes kush është pronari ky. Kalon ky dhe më thotë është ky.

E njohe?

Mos është filani thashë unë. Po. Pse ky është lokal Dea? Sepse unë hyja gjithmonë nga mbrapa dhe duke para gjyqtarë, prokurorë dhe deputetë aty e vlerësoja si lokal serioz.

Gjyqtarë dhe prokurorë?

Po mor po, ka qenë një lokal shumë i mirë në zonë. Sot është market. Pas atentateve u bë market.

Edhe politikanë kishte?

Ai ka sponsorizuar në fushatë për atë punë dhe nuk është çudi. Me normalitetin që ndodh në Shqipëri kjo nuk më çudit.

Kur i është vënë eksploziv?

I është vënë pas ngjarjes së Durrësit në vitin 2012, në vitin 2013 ka një rast tjetër. Është tentuar sepse ajo ngjarje e ekspozoi, por aftësia e këtij njeriu ka qenë gjithmonë që të fluturojë ulët.

Të mos lerë gjurmë?

Aftësia e këtij personazhi ishte të qëndruarit në hije. Ai ishte më tepër si personazh fantazmë krahasuar me këtë lloj trafikantësh që jemi mësuar në Shqipëri që janë të zhurmshëm. Shikoje, ai është 66 vjeç. Ishte pa dokument identifikimi me vete. Profili i tij ishte i ulët dhe sa herë përpiqeshim t’i afroheshim vinte gjithmonë një nga agjencitë e zbatimit të ligjit që na thonte mos u merrni me atë. S’është ai problemi thonin.

Bashkëpunonte me policinë thua ti?

Aftësia e tij ka qenë infiltrimi dhe depërtimi në agjencitë e zbatimit të ligjit, prandaj ka qenë gjithë këto kohë i paprekur.

Marku: Po të isha si Gjylameti do isha hedhur nga Kuvendi

Mbrëmja e sotme në emisionin “Opinion” është shënuar nga një debat mes drejtuesit politik të qarkut të Lezhës, Mark Marku dhe deputetes socialiste, Blerina Gjylameti.

Ishte Marku ai që tha se duke qenë se PS-ja ka vepruar në dëm të shqiptarëve, po të ishte në vend të Gjylametit “do të ishte hedhur nga godina e parlamentit direkt në shesh të kishte vdekur nga turpi”.

“Po të isha deputet si zonja ministre dhe partia ime të kishte bërë gjithë ato po themi gjëra që ka bërë në Shqipëri në dëm të shqiptarëve, do isha hedhur nga godina parlamentit direkt në shesh të kisha vdekur nga turpi. Ky vend ka dështuar ekonomikisht. Ky vend po të ishte ai realiteti që thamë at, ky vend është shkatërruar dhe këta guxojnë e dalin. Ky është turp i madh janë njerëzit më të pacipë”, tha Marku.

Këto komente të Markut sollën reagimin e deputetes së PS-së. Ajo iu përgjigj Markut duke i thënë se do ta ndjente veten në siklet nëse kryedemokrati Basha do ta kishte hequr nga lista për të vendosur ata deputetë që sot janë pjesë e opozitës. Po ashtu, ajo ironizoi edhe faktin që Marku ka marrë pjesë në vlerësimin e kandidatëve për deputetë, ndërkohë që është zgjedhur drejtues qarku.

“Meqenëse mu drejtuar personalisht, unë po të isha në rolin tuaj në momentin që zoti Basha nuk ju bëri pjesë të listave sepse vendosi kolegët që sot ju i fyeni nuk do isha më në Partinë Demokratike. Zoti Marku, doni përgjigje nga mua? Unë uroj shumë që t’i kenë bërë mirë llogaritë sepse nuk shquhen mirë për llogari të bëra mirë. Ndryshe nga zoti Marku unë do ta ndjeja veten shumë në siklet nëse zoti Basha ose zoti Rama do të më hiqte nga lista për të vendosur ato kolegët që i sheh atje dhe më pas do i gjykoja ata dhe përsëri të isha pjesë e PD, në rastin e zotit Marku. Do ndihesha edhe më shumë në siklet në momentin që do isha në krye të komisionit që të përzgjidhja kolegët dhe më pas të më kandidonin mua. Që këtu besoj se ka disa parime që janë shkelur me duar dhe me këmbë, kështu që nuk besoj zoti Marku që ju vjen rasti për të mu drejtuar mua për turpet sepse ndryshe nga ju që ju ishin dashur kaq shumë parti që nuk kanë peshë elektorale vetëm që të shpëtojë zoti Basha nga frika se do dalë forcë e tretë në Shqipëri unë besoj që zoti Basha ka ardhur në momentin që i detyrohet të djathtëve shqiptarë si partia pluraliste që nuk është në gjendje për të fituar zgjedhjet”, tha Gjylameti./tvklan.al