Opinion-Si të luftojmë koronavirusin?

Opinion-Si të luftojmë koronavirusin?

Autori: Blendi Fevziu

21:00 26/03/2020

Mjekja shqiptare e infektuar: Nuk krahasohet me gripin e thjeshtë

Mjekja shqiptare në Itali, Blerina Suli, ka treguar për emisionin “Opinion” se infektimi me COVID-19 nuk krahasohet me gripin e thjeshtë. Ajo është prekur vetë nga sëmundja e re dhe tregoi se është lehtësisht i përballueshëm, sidomos për moshën e saj.

“Dhimbje gjoksi nuk kam pasur dhe një temperaturë maksimale 37.2. Ishte lehtësisht i përballueshëm, sigurisht nuk mund të krahasohet me gripin e thjeshtë. Nuk është realisht një grip i thjeshtë sepse simptomat janë më të forta, por mund të them që për grupmoshën time janë lehtësisht të përballueshme. Unë jam 36 vjeç dhe nuk kam asnjë problem”, tha ajo.

Suli tregoi se fillimisht ka pasur simptoma shumë të lehta, ndërsa më pas gjithçka ia la vendin një lodhjeje të madhe.

“Fillimisht ishin simptoma shumë të lehta, kisha pak kollë, shumë pak hundët e zëna, por ditët në vijim kolla u shtua. Temperaturë nuk kam pasur. U shtua dhimbja e kyçeve, e të gjitha muskujve, një lodhje shumë e madhe, dhimbje koke, aq sa shpesh herë më dilte dhe gjumi natën. Ajo që ka dhe pjesa më e madhe e personave të tjerë kam humbur ndjesinë e të gjitha erërave. Nuk ndjeja aroma, shijen e kam akoma”, tha Suli.

Mjekja u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa sqaroi se nëse infektohesh me koronavirus nuk do të thotë domosdoshmërisht të kalosh në trajtim të specializuar. Sipas saj një pjesë e madhe e njerëzve marrin trajtim në shtëpi, siç është edhe rasti i vetë Sulit.

“Jo detyrimisht të prekesh me COVID do të thotë që ti të intubohesh. Ne jemi shumë kolegë të infektuar, por vetëm një është i shtruar. Jo detyrimisht COVID do të thotë intubim, unë jam në shtëpi, e kam kaluar. Nuk është e barasvlefshme me vdekje, apo intubim, apo situata të tilla ekstreme”, tha Suli.

Manastirliu: Në spitalin e ri karantinë do të ketë 100 shtretër

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka deklaruar se në spitalin e ri karantinë që do të ngrihet në ish-godinën e Universiteti “Kristal”, do të ketë 100 shtretër.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Manastirliu u shpreh se kjo godinë ka hapësirë të mjaftueshme nëse do të ketë rritje të numrit të personave të prekur.

“Ne kemi vënë në dispozicion disa spitale në vend. Së fundmi është marrë vendimi për t’u adaptuar struktura pranë ish-Universitetit Kristal. Aty do të jenë rreth 100 shtretër. Aktualisht kemi vendosur uljen e numrit të të gjitha operacioneve të planifikuar në mënyrë që sistemi ynë aktual të reduktojë ato prurje dhe të vihet në dispozicion të të sëmurëve që do kenë nevojë për të marrë shërbime. Aktualisht po bëjmë këtë spital karanbinë që nëse do kemi rritje të numrit të rasteve aty ka hapësira të bollshme për të vënë në dispozicion edhe shtretër”.

Ministrja e Shëndetësisë tha se ka filluar që të ketë një rritje të numrit të të prekurve. Me masat që janë ndërmarrë, Manastirliu shpreson që në vendin tonë të mos përsëritet skenari i Italisë fqinje.

Sapo ka filluar të ketë një rritje të nurmit të rasteve. Jemi në javën e 3 ku vërehet një rritje e numrit të rasteve pasi është normale dhe e pritshme. Që ky virus të rezistojë do duhet të udhëtojë nga një person tek një person tjetër. Zakonisht koeficienti që një person infekton është afërsisht 2.5 të tjerë. Se kur do të jetë piku i Shqipërisë nuk mund ta themi dot sot. Nuk ka shifra të plota që të jetë modeli konkluziv. Masat që kemi ndërmarrë synojmë që të kemi një kurbë e cila të jetë një kodër dhe jo një mal siç përballet Italia apo dhe Spanja“.

Pipero: Kurrë nuk kam kaluar një situatë të tillë

“Në 38 vite eksperiencë, asnjëherë nuk kam kaluar një situatë të tillë”. Është kjo deklarata e mjekut Pëllumb Pipero këtë të enjte gjatë emisionit “Opinion”. Pipero rrëfeu se sëbashku me miqtë e tij, disa prej të cilëve edhe më të vjetër, nuk e kanë parë një situatë të tillë, siç ka krijuar pandemia e koronavirusit.

“Unë po e bisedoja me profesor Dhimitër Kraja që është një ndër më të vjetrit nga ne. ai ka 46 vjet eksperiencë, unë kam 37-38, kolegët e mi gjithashtu. Kurrë në jetët tona nuk kemi kaluar një situatë si kjo e tanishmja. Kurrë! Kam 38 vjet mjek”, tha Pipero.

Mjeku infeksionist u shpreh se COVID-19 është shumë i vështirë në disa aspekte.

“E para në aspektin diagnostik. Jo se nuk diagnostikohet, por fjala është e një diagnostikimi të hershëm. Së dyti në raport me të panjohurat, ka shumë të panjohura. njëkohësisht me epidemitë e gripit stinor. Janë shumë gjëra të përbashkëta është shumë e vështirë ta diferencosh. Së katërti, kurrë nuk e kishim parë veten përballë një viroze respiratore të veshur dhe të mbrojtur në këtë mënyrë. Kurrë!. Kemi kaluar poliomelitin, kolerë, ndeshemi përditë me situata ko të zakonshme, kemi kaluar AH1N1 por si kjo situatë nuk mbaj mend”, tha Pipero.

Sali Berisha: Përgatitjet që duhet të bënte Shqipëria për të luftuar pandeminë

Profesor Doktor dhe ish-Kryeministri Sali Berisha ka treguar se Shqipëria duhet të ishte përgatitur për këtë epidemi. Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan, Berisha renditi 4 pika.

“Që nga momenti që u shfaq në Kinë, Shqipëria kishte 2 muaj kohë dhe kjo fazë ishte jashtëzakonisht e çmuar. Çfarë përgatitjesh duhet të bënte Shqipëria? Të blinte teste! Së dyti të blinte uniformat dhe çdo gjë që duhej për mjekët. Së treti, të gjurmonte çdo rast të mundshëm që vinte nga Kina, më vonë nga Italia, për ta futur në karantinë. Së katërti, të parashikonte kontigjencat, shtretërit”.

Ish-Kryeministri Berisha shprehet i bindur se vendi ynë mund ta përballojë me sukses këtë pandemi, ashtu sikundër çdo shtet, nëse do të kishte respektuar “ligjet” e shëndetësisë.

“Shqipëria mund të përballej me sukses absolutisht pothuaj njësoj me çdo vend tjetër. Por çdo epidemi janë disa faza. Kjo epidemi nuk nisi në Shqipëri. Faturën e madhe e mori Kina. Por Kina i dha njerëzimit mësime të çmuara si duhen të mbrohen. Shpesh shoh nëpër rrjete ne s’jemi Gjermani. Për të luftuar një epidemi nuk duhen as anije kozmike, as raketa. Ajo ka disa ligje. Ligji i parë i saj në qoftë se u shfaq në Kinë, ishte masat përgatitore që duhet të merrte çdo qeveri dhe qeveria shqiptare, e cila do vinte në Shqipëri. Ajo epidemi do vinte. Kjo është sëmundje e vendeve të pasura, është faturë e madhe e pakujdesisë së tyre. Vendet përgatiten për luftën me shpenzime kolosale. Vendet kanë dhe duhet të kenë kontigjenca për të përballuar epidemi, dhe ky është një ligj që nuk është respektuar”.

Berisha shprehet se kjo është pandemia më e rëndë me të cilën po përballet Shqipëria dhe vendet e botës.

“Kurrë ndonjëherë. Jo vetëm unë, por asnjë njeri sot nuk ka patur një eksperiencë. Epidemi si kjo nuk ka parë bota. Gripi i Hong-Hongut nuk ka qenë i kësaj virulence. Nuk ka patur kurrë këtë agresivitet. Gjatë kohës që unë kam qenë mjek kanë qenë epidemi periodike të gripit, ka patur momente fruthi, ka patur kolerë, ka patur probleme tek neonatët në vitin 1970 që mori mbi 200 e ca foshnje dhe që u mbajt e fshehtë, ka patur në zona të caktuara epidemi të verdhëzës, por në kuadër pandemie si kjo nuk ka patur kurrë”.

Profesor Doktor Sali Berisha shprehet se vetë personalisht qëndron i izoluar duke respektuar rregullat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Blendi Fevziu: E respektoni karantinën?

Sali Berisha: E respektoj me bindjen më të thellë. Duhet të japim secili prej nesh ndihmesën tonë për ta mposhtur. Kjo është një porosi e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sa për të ngujuarin e Surrelit nuk dilja as te pragu i derës. Kjo është një porosi e prerë e OBSH, institucioni suprem shëndetësor në botë. Nuk kam frikë, realisht. 

Berisha: Ekonominë këtë herë e “sëmuri” virusi

Sipas ish-kryeministrit Sali Berisha, dëmi i krijuar nga pandemia do të jetë shumë i madh për ekonominë botërore. Sipas tij, do të hyhet në recension, por kësaj herë do të kalojë më shpejt.

Kjo pasi sipas Berishës, ndryshe nga kriza e 2008-s, ekonomia këtë herë nuk qe e sëmurë, por e sëmuri virusi.

“Kjo do përcaktohet sa do vazhdojë pandemia. Pas pandemisë bota do të bjerë në recension nuk ka diskutim veçse një recesion i provokuar nga forca madhore do të kalojë më shpejt. Nuk qe ekonomia e “sëmurë” kësaj here, po ekonominë e “sëmuri” virusi, po iku virusi rimëkëmbet ekonomia. Padyshim dëmi do të jetë shumë i madh”, tha Berisha.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, gjatë një lidhjeje live në emisionin “Opinion” u shpreh se sheh me shqetësim qëndrimin e qeverisë ndaj biznesit në Shqipëri në këtë kohë krize. Sipas tij, ky sektor duhet ndihmuar në mënyrë konkrete.

Berisha përmendi edhe bujqësinë. Ai theksoi se nuk do të ketë mungesë të ushqimeve në vendin tonë, por duhet punuar që të paktën të prodhohet në atë mënyrë që ekonomia të mos kolapsojë në çdo sektor.

“Unë shoh me shqetësim qëndrimin ndaj biznesit në Shqipëri. Janë fjalë të përgjithshme dhe boshe sepse biznesi duhet ndihmuar me masa imediate konkrete. Janë të nevojshme të paguhen të gjitha qiratë. Është e domosdoshme të shtyhet çdo pagesë e taksave. Është e domosdoshme të ndërpritet çdo punim publik. Është e domosdoshme të shkurtoj menjëherë të paktën 70% të shpenzimeve operative. Është e domosdoshme të kthejmë potencialin “së pari jeta”, ekzistenca para esencës.

Jetike një mbështetje e fuqishme për fermerët shqiptarë. Në bujqësi do të ishte e domosdoshme një orientim i fuqishëm. Mungesa ushqimi nuk do të ketë, por e mira do të jetë që të prodhojmë aq shumë që ekonomia të mos kolapsojë në çdo sektor”, tha Berisha./tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

21:00 26/03/2020


Grupi