Të ftuar: Erald Kapri, Auron Tare, Ardit Bido, Arlinda Dudaj dhe Fahri Balliu.

Pedagogu: Roli i Nexhmije Hoxhës u fuqizua pas atakut në zemër të Enverit

Pedagogu Erald Kapri, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, thotë se roli i Nexhmije Hoxhës ka qenë i shënjuar në dy periudha të ndryshme.

Duke komentuar për ndarjen nga jeta të gruas së ish-diktatorit, Kapri ka thënë se roli i saj u fuqizua së tepërmi në 12 vitet e fundit të Enver Hoxhës, pikërisht në kohën kur ish-diktatori pësoi infarkt.

Pika kulmore e Nexhmijes, sipas pedagogut, ka qenë kur ajo caktoi pasardhësin e Enver Hoxhës, Ramiz Alinë.

Roli i saj ka qenë i ndryshëm në kohë, nuk ka qenë i njëjti gjatë gjithë regjimit. Në vitet e para ajo ka qenë mjaft aktive, një nga deputetet e para gra. Ishte nga ato aktivistet e para dhe dukej që mund të kishte një rol shumë më të madh. Mesa duket ka qenë vetë Hoxha i cili ia ka prerë hovin. Madje dhe në dokumentet e fundit që kanë dalë në vitet ’50, në një mbledhje byroje, Hoxha e kritikonte atë nga pikëpamja ideologjike dhe përmbajtësore. Pra, e nënvlerësonte shumë Nexhmijen. Dhe duket pastaj që ajo pati një rol në hije në periudhën e parë të regjimit. Mesa duket roli i saj u fuqizua së tepërmi pas atakut në zemër të Enver Hoxhës, pra po themi 12 vitet e fundit të Hoxhës, kur ai eliminoi kontaktet me njerëzit e tjerë dhe duket që këtu znj.Hoxha pati një ndikim të madh që arriti kulmin e vetë deri në caktimin e pasardhësit që ishte Ramiz Alia. Pra, unë mendoj që roli i saj ka qenë i ndryshëm në kohë të ndryshme”, u shpreh Erald Kapri.

Tare: Nexhmije Hoxha tejkaloi parashikimet e amerikanëve

Studiuesi Auron Tare ka sjellë disa detaje në studion e emisionit “Opinion” për jetën e Nexhmije Hoxhës, gruan e ish-diktatorit Enver Hoxha, e cila ndërroi jetë këtë të mërkurë në moshën 99-vjeçare.

Tare tha se amerikanët në vitet 1960 kishin bërë një raport se çfarë do të ndodhte me Enver Hoxhën nëse Nexhmija do të humbte jetën. Por sipas studiuesit, Nexhmije Hoxha tejkaloi të gjitha parashikimet e amerikanëve pasi jetoi për pothuajse një shekull.

“Dikur në vitet ‘60 amerikanët ishin shumë të interesuar për rolin e saj dhe kanë bërë një raport, një lloj memo të gjatë: nëse ajo do të vdiste çfarë do të ndodhte? Është shumë interesante. Analizonin se çfarë do të ndodhte me Enverin nëse do të vdiste Nexhmija. Çuditërisht Enveri i kaloi të gjitha parashikimet e amerikanëve, pra vdiq pas 50 vjetëve. Nuk e di pse është bërë ky raport. Mendohet se me vdekjen e saj, Enveri do të bashkohet më shumë me Metin seç është në atë kohë. Është shumë interesante”, tha Tare.

Tare tha se ajo ka pasur një rol shumë të madh gjatë kohës që Enver Hoxha erdhi në pushtet, por edhe më tej. Ai solli një tjetër detaj interesant që e kishte zbuluar pas një interviste me Nexhmije Hoxhën pas viteve 1990.

“Unë e kam takuar një herë vetëm, kam qenë me një gazetar të huaj pas viteve ‘90. Na ka mbajtur gjatë tek ish-Pularia dhe e kemi pyetur se pse kur u prishëm faktikisht me rusët, pse nuk u tentua një kontakt me perëndimin. Ajo më tha se ne i kontaktuam amerikanët, por nuk na kthyen përgjigje. Mua mu duk përrallë, por kam gjetur dokument në arkivin amerikan, ku thotë që ambasadori shqiptar në Paris ka bërë tentativa për bisedime me amerikanët dhe mbi dokument është një shënim i drejtorisë përkatëse ku thotë që nuk do t’i kthehet asnjë përgjigje shqiptarëve”, tha Tare.

Debat mes Fahri Balliut dhe Auron Tares për Nexhmije Hoxhën

Debati për ndarjen nga jeta të Nexhmije Hoxhës, gruas së ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, ka shkaktuar debat në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan.

Deklarata e Auron Tares kur tha se pas vdekjes së Enver Hoxhës, elita komuniste solli në pushtet skalionin e dytë komunist, duke përmendur këtu edhe emrin e botuesit Fahri Balliu, për të cilin tha se Nexhmijen e ka patur drejtoreshë dhe e njihte.

Ndërsa Balliu ka reaguar menjëherë duke mohuar këto pretendime, dhe i ka përmendur Auron Tares një takim që ka patur në zyrë me një shqiptaro-amerikane, dhe që kjo e fundit i theu fotografinë e Enver Hoxhës që mbante të varur në mur.

Auron Tare: Si Nexhmija si ata të tjerët, pra grupi që ishte pas vdekjes së Enverit, sigurisht me parjen çfarë ndodhi në Rumani me Çausheskun, morën masa për të sjellë në pushtetin e rrëzuar, skalionin e dytë komunist. Dhe po të shikosh, të gjithë ata që drejtuan në përgjithësi lëvizjen të quajtur demokratike pas ’91, vinin nga skalioni i dytë i komunizmit. Për shembull, dhe z.Balliu këtu e njeh mirë Nexhmijen se e ka pasur drejtoreshë. Zëri i Popullit ka qenë pjesa e …

Fahri Balliu: Unë s’e kam pasur asnjëherë drejtoreshë. Gazetarët e kulturës janë gazetarë të kulturës dhe s’kishin lidhje me atë. Por ti mund të kujtosh fare mirë kur kishe zyrën në Sarandë dhe të erdhi ajo shoqja shqiptaro-amerikane dhe të gjeti në zyrë portretin e Enver Hoxhës dhe ta theu, se ti e kishe me xham. Dhe ti u mërzite. Ke dhe babanë që mban arkivolin e Enver Hoxhës, kur po del nga jashtë i veshur me uniformë. Tani po të duash ke dhe të tjera. Kështu që ajo nuk ka lidhje me këtë që thua ti. Librin kundër Nexhmijes e kam shkruar unë. Ato akulloret e Nexhmijes dhe të Enverit i ke ngrënë ti dhe vazhdon ti hash në atë parti që je. 

“Nexhmije Hoxha, ‘pantera e zezë’ që të ndalte frymën kudo që të ishte”

Botuesi Fahri Balliu u shpreh këtë mërkurë se e veja e diktatorit Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha, pas viteve 1973 ka qenë personi që komandonte një rrjet të fuqishëm me agjentë të sigurimit.

Teksa në studio komentohej për ndarjen nga jeta e bashkëshortes së diktatorit Hoxha dhe rolit të saj në komunizëm, Balliu tha se ajo mori pseudonimin ‘pantera e zezë’ nga njerëzit.

“Nexhmija Hoxha ishte njeriu që në vitet e komunizmit veçanërisht pas ’73 komandonte në një disiplinë të hekurt një rrjet të gjerë agjenturor që varej prej saj. Sigurimi merrte detyra prej saj. Në këtë rrjet kanë bërë pjesë edhe intelektualë të konfirmuar nga sistemi. Ne kemi qenë të rinj, por vite pas vite duke qenë mik me njerëzit më të shquar të asaj kohe, e kemi kuptuar, zbërthyer dhe trajtuar. Kur kjo mori termin “Pantera e zezë”, në fakt edhe pse opinioni nuk e dinte saktësisht rolin e saj, e ndjeu që kjo të ndalte frymën kudo që ishte”, tha Balliu.

Nexhmije Hoxha u nda nga jeta këtë të mërkurë, 26 Shkurt 2020, në moshën 99-vjeçare. Familja njoftoi se ajo vdiq në shtëpinë e saj, në zonën e Laprakës në Tiranë./tvklan.al