Të ftuar në Opinion: Baton Haxhiu, Agim Nesho, Artan Hoxha dhe Julian Zylaj.

Fjalimi i Ramës në BE, Baton Haxhiu: U paraqit si intelektual, Kryeministër dhe si Edi Rama

Javën e kaluar Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim në mbledhjen e përbashkët të Bashkimit Europian me liderët e vendeve të Ballkanit, ku sërish nuk u hapën negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Fjalimin kritik të Ramës ndaj BE-së dhe Bullgarisë që ka vendosur veton, analisti Baton Haxhiu e lexon në 3 dimensione.

Gjatë diskutimit në emisionin Opinion në Tv Klan, Baton Haxhiu u shpreh se Shqipëria nuk i ka merituar negociatat në një fazë të caktuar, ndërsa aktualisht analisti thotë se BE-ja “nuk na do”.

“Një fazë nuk e kemi merituar, tani nuk na duan. Rama pati 3 paraqitje; ishte intelektual, si Kryeministër dhe Rama i 3 ishte si Edi Rama. Te kjo pjesa intelektuale, një burrështetas është vështirë që ti mbart sekretet në publik. Ka dhe momente poshtërimi. Nuk ka këtu doza arrogance për arsye se poshtërimi, se faza e fundit ishte poshtëruese për Shqipërinë. Fuqitë e mëdha nuk arritën që një vendi që ka patur probleme serioze me korrupsionin të mos bindet për ta hequr veton, tregon se BE ka probleme serioze. Europa është e sëmurë po aq sa Putini i cili realisht ka bërë invazion. Të hysh në mbledhje do thuash unë do flisja 30 sekoda po meqë nuk e keni bërë atë që duhet më lini të qaj për atë që nuk keni bërë… mendoj që ka zgjedhur mëyrën më të mirë për t’u përplasur me ta”, u shpreh Baton Haxhiu.

Fevziu shpërthen ndaj Artan Hoxhës: Unë nuk rri si legen para europianëve, ka palaço plot në Europë

“Ju a e kuptoni që keni një frustracion që i ngjani shumë Ramës”, ka qenë kjo deklarata me të cilën analisti Artan Hoxha iu është drejtuar panelit të të ftuarve mbrëmjen e sotme në “Opinion” në Tv Klan si dhe gazetarit Blendi Fevziu.

Deklarata e Hoxhës ka sjellë reagimin e menjëhershëm të gazetarit Blendi Fevziu i cili ka “shpërthyer” ndaj analistit duke thënë se ai nuk rri si legen para europianëve teksa ka shtuar se ka mjaft palaço në Europë.

Artan Hoxha: Ju a e kuptoni që keni një frustracion që i ngjani shumë Ramës dhe po të ju çojnë në një mjedis evropian, si Rama do të silleni dhe ju.

Blendi Fevziu: Ti mua nuk ma thua dot mua njëherë që kam një frustracion. E para, nuk kam frustracion jo për Ramën që as nuk e pyes dhe as nuk e kam në hesap ndonjëherë por as nga europianët nuk rri aty si legen sa herë që trajtojnë si qen. Dhe kur kam për ta thënë për Europën, për SHBA, ia them çfarë të kem dhe si ta mendoj unë.

Artan Hoxha: Ky është frustracion Fevzo.

Blendi Fevziu: Frustracion është të thuash që Europa ka gjithmonë të drejtë dhe ne e kemi gabim. Kështu që, unë frustacion as nga Europa dhe as nga Rama jo e jo dhe nga asnjë tjetër nuk kam. Ka palaço sa të duash në Europë.

Artan Hoxha: Futja kot tani.

Blendi Fevziu: Po ka tani sa të duash. Mos ma bëj kështu se Europa qenka e mirë dhe ne qenkemi frustruar se po themi ndonjë llaf. Po mirë, le të dalë ndonjë njeri dhe ta thotë ndonjë llaf kundër Europës se nuk u bë gjëma./tvklan.al