Kush është personi që radikalizon gratë në Al-Hol

Julian Kasapi është gazetari i parë nga Shqipëria që rreth një vit më parë u fut në kampin famëkeq të Al-Holit në Siri. Ai u takua nga afër me shqiptarët që qëndrojnë në këtë kamp. Në studion e “Opinion”, duke komentuar operacionin e autoriteteve shqiptare për kthimin e Floresha Rashës, 3 fëmijëve të saj, si dhe të 13-vjeçarit Endri Dumani, Kasapi tregoi më shumë për motrën e këtij të fundit, Eva Dumani. Ajo nuk u gjet kur autoritetet u futën në kamp dhe mbetet e paqartë nëse është ende në Al-Hol. Eva kishte kërkuar me ngul që të kthehej në Shqipëri.

Për të kuptuar disi më shumë sesi është situata në këtë kamp, të cilësuar edhe si kampi i ferrit, gazetari Kapasi tha se njerëzit që qëndrojnë atje janë të frikësuar kur shohin ushtarë. Sipas gazetarit në këtë vend ka një person të veçantë që ka një rol vendimtar për radikalizimin e grave.

“Kur është futur struktura shtetërore në kamp, familjet shqiptare, të cilat janë 5, ishin fshehur. Ishin fshehur nga forcat kurde. Duhet të kuptoni që sa herë ata shihnin ushtarë ndiheshin të frikësuar dhe sigurish dezinformimi brenda kampit ka luajtur rolin e tij, të mos flasim më pas për radikalizimin. Ka një person të veçantë aty që zoti Nano e di fare mirë se kush është, që luan një rol radikalizues sa i përket nënave dhe grave të tjera. Por nga ana tjetër aty ka edhe 6 jetimë. Nuk është vetëm një, nuk është vetëm Eva Dumani. Aty është Elona Shuli, e cila është më e madhja, 17-vjeçe. Eva Dumani është 15 vjeç, pra aty ka dhe 6 jetimë të tjerë. Në momentin që struktura Antiterrorit është futur brenda në kamp, këto familje ishin fshehur. Jo për shkak të shqiptarëve”.

Konsulli në Liban tregon momentet e vështira në kampin Al-Hol: Ishte ferr i vërtetë

Konsulli i Shqipërisë në Liban, Marc Ghorayeb, ka dhënë të tjera detaje rreth nxjerrjes së familjes Rasha dhe Endri Dumanit nga kampi i Al Hol.

Përmes një lidhje me Skype për emisionin “Opinion” konsulli ka treguar se cila ka qenë rruga për nxjerrjen e shqiptarëve nga Siria. Ghorayeb tha se një nga momentet më të vështira të operacionit ka qenë brenda në kamp. Ai u shpreh se të gjithë personat në kampin famëkeq janë të radikalizuar.

Si arritët t’i gjenit shqiptarët që kthyet?

Në fakt, ne po e kërkonim Endrin për rastin e tij të veçantë. Krijuam disa lidhje të veçanta brenda në kamp me policinë dhe partnerët tanë.

Ai djalë është shumë i zgjuar dhe ka për të patur një të ardhme të shkëlqyer. Brenda në kamp i kërcënonin të gjithë ata që kërkonin të dilnin jashtë. Mentaliteti i sëmurë i ISIS-it. Nuk duan të humbasin forcat që kanë brenda, një ditë Endri do të rritej dhe do ta përdornin për luftë. E mësuam djalin t’ia mbathte pa e kuptuar kush, sikur po luante derisa ai arriti tek menaxhimi, ku e kemi marrë ne dhe e larguam me roje. Kemi edhe fotografitë. U futëm sërish në kamp për të gjetur të tjerë që ia mbathnin, të gjithë, jo vetëm shqiptarë, sepse kishin marrë mesazhin e gabuar që ne do t’i vrisnim. Morëm edhe mesazhin nga Eva dhe i premtuam xhaxhait të saj se do ta gjenim e do ta kthenim. Nuk mund të themi se sa shqiptarë ka në kamp, sepse kjo futet tek materiali sekret, por në lidhje me Evën, ajo kërkon të largohet, por e kërcënojnë. Mund të themi vetëm se do ta gjejmë dhe do ta kthejmë.

Cilën rrugë keni ndjekur për t’i kthyer duke e nisur nga kampi e këtej?

I kemi evakuar nga kampi, dr. Omar është këshilltar i menaxhimit të shtetit të Sirisë verilindore, i çonim në zyrën e tij bashkë me roje të sigurimit, sigurim tepër i fortë dhe më pas i kemi zhvendosur në aeroportin e Kamishlit… nën kujdesin e autoritetit sirian. Gjysmëhënën e kuqe që dua ta falenderoj. Na kishin përgatitur një avion privat nga Kamishli në Damask. Në Damask na pritën Gjysmëhena e Kuqe dhe po ashtu Shërbimi Sekret me mbështetjen, dritën jeshile të “Xhon Ten”, lejen nga dr. Bashar ASad dhe gruaja e tij Asma, i falenderoj. Na pritën me shumë ngrohtësi dhe më pas kemi shkuar në kufij bashkë me trupat, forcat e sigurimit speciale të Libanit. Libani ka luajtur një rol shume të madh në Siri.

Ju keni prekur shumë pjesë të këtij operacioni, por cili ka qenë më i vështiri?

Pjesa më e vështirë  ishte ne kamp, veçanërisht ne “El Hell”. Sapo e perëndonte dielli, ata na sulmonin me gurë dhe njëri nga rojet u godit me një gur të madh. Ishte një ferr i vërtetë brenda në kamp. Ishte ferr, 70 mijë vetë brenda.

Keni ndonjë mesazh për ata që ndodhen akoma atje, sidomos për shqiptarët?

Të flasim hapur, ata janë radikalizuar, u kanë bërë lavazh truri. Kur i pyeti policia, disa nga femrat nuk donin të ktheheshin. Ishte shokuese vërtet. Por disa ishin shumë të zgjuara dhe pranuan t’i evakuonim fëmijët.

Drejtori i Antiterrorit: Pse nuk u morën të gjithë fëmijët nga Al-Hol

Drejtori i Antiterrotit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano, ka treguar me detaje se çfarë ka ndodhur në operacionin për nxjerrjen e familjes Rasha dhe Endri Dumanit nga kampi Al-Hol. Ai tha se me autoritetet lokale është kërkuar që të merren të gjithë fëmijët e identifikuar, por kjo nuk është pranuar. Një nga dakordësitë ka qenë tërheqja e fëmijëve jetimë, tha Nano.

“Është kërkuar që të merren vetëm fëmijët. Nuk është pranuar as kjo nga autoritetet pavarësisht se gjatë bisedave kemi diskutuar edhe me nënat ku në disa raste është marrë pëlqimi që nëse arrihet dakordësia për të marrë vetëm fëmijët disa nga nënat, bravo i qoftë e kanë dhënë dakordësinë. Nuk kemi rënë dakord me autoritetet kurde sepse kanë qenë shumë të prerë për të mos i shkëputur nga nënat.  Një nga kushtet që u ra dakord në këtë marrëveshje ishte që do të merreshin vetëm fëmijët jetimë pa asnjë mbështetje në kamp. Ndërsa rasti i nënës i Floreshës, është e plagosur dhe në karrocë, nuk lëviz. Ajo është plagosur në rrethimin e Baguzit, fortesë e fundit e ISIS-it. Ajo ka shkuar me dy fëmijë dhe vajza e madhe e Floreshës është vrarë gjatë rrethimit të Baguzit”, tha Nano.

Nano u shpreh se autoritetet i dinin çadrat ku qëndronin familjet shqiptare. Gjithsej ai tha se janë identifikuar 4 familje. Në studion e “Opinion” u shpreh se shqiptarët janë keqinformuar në momentin që autoritetet kanë shkuar atje. Nano u shpreh se autoritetet lokale nuk i kanë lënë madhorët shqiptarë që të largohen nga kampi pasi do të verifikohen dhe hetohen nëse kanë përgjegjësi penale.

“Gjatë gjithë kohës që ne kemi negociuar dhe kemi biseduar me forcat lokale, kemi shkëmbyer dhe informacion. Kanë shkuar për informacion dhe keqinformim. Janë identifikuar edhe 4 familje. Familjet janë marrë dhe transferuar në kampin Rozh si një kamp me siguri më të madhe dhe me kushte më të mira. Janë transferuar kur kemi shkuar ne. Në takim që bëmë paraprakisht me autoritetet lokale është vendosur, ose më saktë, qëndronin shumë të prerë që të gjithë personat madhorë duhet të hetohen, verifikohen dhe më pas të lejohen nëse nuk kanë ngarkesa penale.  Ajo që ne kërkuam me forcë autoriteteve lokale ishte procedimi, apo verifikimi sa më i shpejtë i këtyre personave madhorë sepse duhet të kuptojmë që vetëm në Al-Hol janë 7 mijë të huaj. Ajo që na intereson janë madhorët sepse fëmijët janë të verifikuar nuk kanë ngarkesa penale”, tha Nano.

“Femra me të zeza dhe me thika në duar”, detaje rrëqethëse nga “kampi i Ferrit”

Konsulli i Shqipërisë në Liban, Marc Ghorayeb, rrëfeu detaje rrëqethëse që i ka parë vetë nga kampi i Al Hol-it në Siri. Ghorayeb tha se brenda kampit ka njerëz të racave, gjinive dhe moshave të ndryshme, duke ia nisur nga foshnja të moshës 1 vjeç deri tek femrat 80-vjeçare.

Konsulli u shpreh se njerëzit atje janë pa këpucë, femrat janë të gjitha të veshura me të zeza dhe mbajnë thika në duar. Ghorayeb u shpreh se futja e ekipit brenda në kamp për nxjerrjen e shqiptarëve u bë me ndihmën e disa forcave speciale.

Shumë njerëz janë kureshtarë mbi operacionin e fundit ne “Al Hol Camp”. Si nisi ky operacion dhe cilat ishin hapat e parë të tij?

Dua të them diçka. Raste të tilla nuk janë të lehta, sepse janë të përfshirë shumë palë, shumë kanale, njerëz të besueshëm dhe mbështetës. Nuk duhet të krijohen kontradikta midis tyre. Përkundrazi duhet të lidhen për hir të rasteve, misioneve humanitare. Këtë vit kam marr urdhër nga qeveria, nga Edi Rama, nga ministri i Jashtëm dhe ai i Brendshëm. Për shkak të Covid-it janë vonuar shumë operacione. Jemi lidhur me kanale dhe rrugë që kemi përdorur më parë. Po ashtu bashkë me Endri Dodën dhe Gledis Nanon.

Cilat ishin hapat e parë, si nisi e gjithë kjo?

Qeveria mori vendimin për të rikthyer fëmijët, por nuk mund të duartrokasësh veç me njërën dorë, pra, nuk bëhen gjërat vetëm. Nuk mund të luhet një lojë pa pajisjet e nevojshme. Këto mjete mua m’i dha Edi Rama.

Cilët janë partnerët e përfshirë në këtë operacion?

Kemi akoma shumë njerëz për të evakuuar dhe s’mund t’i përmend të gjithë, por po përmend Gjeneralin Abaskues, Engjëllin Mbrojtës, siç e quaj unë. Ai ka ndjekur çdo gjë, çdo ditë, ishte edhe në USA ku takoi drejtorin e CIA-s dhe ai ka marrë edhe medalje për operacione të tilla. Kemi edhe mbështetjen e qeverisë siriane, në Kamishli Këshillin e Sirisë verilindore. Kemi qëndruar 4 netë atje, në një zonë disi të sigurt, transportin e sigurt deri në kampin “Al Hol” të cilin unë e quaj “Al Hell” sepse është vërtet një ferr atje. Vetëm me mbështetjen dhe sigurinë e Këshillit arritëm të shkonim nga baza në kamp, sepse ishte një lëvizje shumë e rrezikshme.

Si ishte situata brenda në kamp?

Brenda në kampin e ferrit mund të shohësh njerëz të racave, gjinive dhe moshave të ndryshme, duke ia nisur nga foshnja të moshës 1 vjeç deri tek femrat 80-vjeçare. Janë pa këpucë, femrat janë të gjitha me të zeza dhe me thika në duar. Kishim me vete sigurimin dhe kjo ishte arsyeja që s’mund të na afroheshin e të na qëllonin. Kishim sigurimin me vete për të hyrë edhe me forcë në kamp.

Sa njerëz kishte brenda në kamp, nga operacioni?

Isha unë, Endri Doda, Gledis Nano që të gjithë i njohin tashmë dhe kishim me vete 25 roje, forca speciale.

Drama e Floreshës: Burrin ia vranë, më pas u martua me Lavdrim Muhaxherin…

Gazetarja Fatjona Mejdini zbuloi më shumë për historinë e Floresha Rashës, gruas shqiptare e cila bashkë me 3 fëmijët u shpëtua nga kampi i Al-Hol në Siri. Ajo u nis drejt këtij kampi në 2013-n së bashku me bashkëshortin Diamand Rasha, i cili mbeti i vrarë pak muaj më pas. Floresha, sipas gazetares, u martua më pas me Lavdrim Muhaxherin, me të cilin Mejdini tha se kishte dy prej fëmijëve. Por kreu i Antiterrorit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano, e kundërshtoi duke thënë se vetëm një prej fëmijëve i përket Muhaxherit, personi që konsiderohej si komandanti i shqiptarëve të ISIS nga Kaçaniku dhe që u vra në 2017-n. Palët replikuan edhe për përmendjen e emrave dhe shfaqjen me figurë të gruas dhe fëmijëve.

Fatjona Mejdini: Floresha Rasha është nisur bashkë me bashkëshortin e saj Diamand Rasha nga Shqipëria në vitin 2013. Vetëm pak muaj pasi kanë shkuar burri i saj, Diamand Rasha, është vrarë me snajper dhe mesa duket fëmija i madh.

Gledis Nano: Jo ai është vrarë më vonë.

Fatjona Mejdini: Në rregull.

Gledis Nano: Por të lutem, vetëm pa emra nëse ka mundësi, sepse duam ta riintegrojmë zonjën

Fatjona Mejdini: Zotëri ju i nxorët me figurë, me emra, e të gjitha, kështu që tani me emra do na i lini ne tani… Zonja është martuar dhe sipas një dokumenti që unë kam, dy fëmijët që zonja ka, i përkasin Lavdrim Muhaxherit.

Gledis Nano: Faleminderit që e thatë dhe që e dini si informacion.

Blendi Fevziu: Lavdrim Muhaxherit që kërcënonte, edhe ai është eliminuar apo jo?

Fatjona Mejdini: Në Qershor të 2017-s është deklaruar i vrarë. Ai konsiderohej si komandanti i shqiptarëve të ISIS nga Kaçaniku.

Blendi Fevziu: Gruaja është rimartuar pas vdekjes së burrit me Lavdrim Muhaxherin?

Fatjona Mejdini: Është rimartuar sipas ligjit të Sheriatit, pas vdekjes së burrit, është detyruar apo është martuar me dëshirë këtë nuk e di. Besohet, sepse vetëm gruaja e deklaron… Dokumenti që unë kam parë, një vetëdeklarim nga kampi në Janar të vitit 2019, gruaja deklaron si atësinë e fëmijëve, të dy fëmijëve që sot janë në Shqipëri, Lavdrim Muhaxherin.

Gledis Nano: Nuk është e vërtetë, e trajton informacionin në mënyrë nga më të ndryshmet. Një nga fëmijët është i atij zotërisë që ju përmendët, tjetri është me baba tjetër.

Fatjona Mejdini: Unë kështu e kam informacionin…

Gledis Nano: Unë prandaj kërkova një mirëkuptim që të mos përmenden emra se me kë ka qenë dhe kush ka qenë… të lutem tani, ne duam ta riintegrojmë dhe prandaj ka ardhur këtu.

Fatjona Mejdini: Jua thashë dhe njëherë, i nxorët aty…

Gledis Nano: Kë nxorëm?

Fatjona Mejdini: I nxorët me fotografi fëmijët…

Gledis Nano: Po nuk ka rëndësi tani me kë ka qenë e martuar kjo dhe kush e ka fëmijën.

Fatjona Mejdini: Kjo ka rëndësi sepse është dramë sociale. Sot vjehrri i saj ka dalë dhe ka thënë unë nuk e pranoj në shtëpi.

Gledis Nano: Po lëre më vjehrrin, se nuk do pyesim vjehrrin ne tani…/tvklan.al