Të ftuar për pasurinë e politikanëve sonte në Tv Klan: Fatjona Medini, Aranita Brahaj, Besar Likmeta, Zana Guxholli, Julian Zyla, Emin Barçi, Adriatik Lapaj

“Më shumë të ardhura nga puna si piktor sesa kryeministër”, çfarë pasurie ka Edi Rama

Emisioni “Opinion” në Tv Klan mori në “skaner” këtë të enjte pasuritë që kanë politikanët tanë. Gazetarja Aranita Brahaj foli për pasurinë që ka deklaruar çifti Edi dhe Linda Rama.

Ajo u shpreh se kryeministri dhe bashkëshortja e tij kanë qenë shumë të kujdesshëm në momentin që kanë deklaruar të ardhurat e tyre. Ata kanë deklaruar me kujdes paratë që kanë investuar, faturat si dhe detyrimet që kanë ndaj të tjerëve apo anasjelltas.

“Pasuria e çiftit është e deklaruar me shumë kujdes, ka vlera të konsiderueshme, pra nuk qëndron në vlera të ulëta. Çifti i bashkëshortëve kanë dhënë me saktësi të madhe edhe se çfarë kanë investuar, faturat, arsyet pse janë vonuar në pagesën e një fature duke shpjeguar që janë në pritje të një kredie, dhe siç e shohim kanë edhe detyrime ndaj të tjerëve sikurse të tjerët kanë detyrime ndaj tyre”, tha Brahaj.

Gazetarja tha se pas vitit 2013 tek Rama bie në sy fakti që të ardhurat janë më të shumta nga krijimtaria e tij artistike sesa nga paga e kryeministrit.

“Ajo që bie në sy tek zoti Rama është që zoti Rama çdo vit ka të ardhura nga krijimtaria e tij artistike më shumë se nga paga e kryeministrit. Duket si diçka që bie pa vëmendje dhe pa interes, por në perceptimin tim, palët dhe metodologjia e këtij Inspektorati është difektoze sa kohë merret vetëm me atë që shitet, pra të ardhurat nga piktura”, tha Brahaj.

“Zoti Rama ka pasuri edhe nga privatizimi, ka pasuri të trashëguara, pasuri që janë vënë gjatë martesës me zonjën Rama. Po ashtu ka edhe zonja Rama e cila vjen nga një karrierë eksperteje dhe ka të ardhura vjetore të kënaqshme për kontekstin e një vendi si Shqipëria”, theksoi ndër të tjera gazetarja.

Orat dhe unaza me diamantë, çfarë pasurie kishte Basha kur hyri në politikë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka qenë një prej politikanëve që kur ka deklaruar pasurinë në vitin 2005 ka deklaruar edhe sendet personale si unazat, orën, makinën etj.

Gazetarja Aranita Brahaj tregoi gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan se Basha nuk ka pasur transaksione të theksuara gjatë periudhës që ka qëndruar në pushtet.

“Zoti Basha është nga të parët deklarues i cili duke respektuar dhe  ndoshta kultura të ndryshme nga administrata shqiptare deklaroi edhe sende personale që kanë një farë vlere personale. Unazën e martesës, orën, makinën që e kishte blerë më përpara. Nuk ka transaksione të theksuara gjatë periudhës që ai qëndruar në pushtet. Ndoshta ne kemi një mungesë të deklaratave për vitin 2018 dhe 2019 sepse Basha nuk është më subjekt i deklarimit sepse ka lënë parlamentin dhe duke lënë parlamentin është qytetar i thjeshtë”, tha gazetarja.  

Basha rezulton të ketë shitur një apartament në Holandë, të jetë pronar i dy apartamenteve në Tiranë dhe në Durrës, bashkëpronar i një trualli etj., pasuri këto që i ka deklaruar para se të hynte në pushtet.

Por çfarë sendesh personale ka deklaruar në vitin 2005 Basha?

“Pikturë me vlerën 6500 Euro; orë dore me vlerë 5200 Euro, orë dore me vlerë 4500 euro, unazë me diamante 11 500 euro dhe servis porcelani 6800 euro”.

Brahaj tha se Basha ka hyrë në politikë me një pasuri prej 224 mijë eurosh dhe 319 mijë Dollarësh.

“Janë impresionues”, detaji interesant në pasurinë e çiftit Kryemadhi-Meta

Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta e kanë nisur deklarimin e pasurisë së tyre që në 2003. Nga studio e “Opinion”, gazetarja Aranita Brahaj duke komentuar deklarimin e pasurisë së çiftit Kryemadhi-Meta ndër vite, tregoi se diku rreth viteve 2007-2008, ata nisën lëvizje të shumta në pasuri të patundshme.

“Në deklaratat e viteve pasardhëse, çifti Meta-Kryemadhi kanë goxha lëvizje në pasuri të patundshme. Janë impresionues… Është një truall që e kanë blerë për 5 milion lekë (i blerë në kohë më të hershme), dhe ky truall më pas është dhënë për zhvillim një kompanie mjaft të njohur në sektorin e ndërtimeve në Shqipëri. Përmes kësaj toke të dhënë për zhvillim ata kanë përfituar apartamente me kontratë sipërmarrje, sikurse kanë përfituar edhe mundësi shkëmbimi. Janë subjekte që kanë blerë një apartament luksi në një vit të caktuar dhe e kanë rishitur. Rishitja është bërë me klauzola tepër interesante sepse është bërë edhe me tjetërsim kredie, pra kanë kredituar dhe më pas kanë rishitur. Dhe ka gjeneruar mjaftueshëm të ardhura për të justifikuar atë çka edhe zoti Meta ka dalë dhe ka thënë që Monikën duhet ta kuptoni që e ka siguruar jetën e fëmijëve, shkollimin e tyre etj etj…”/tvklan.al