Të ftuar në Opinion: Mentor Kikia, Dëfrim Shkupi, Agron Hysenlliu, Juli Xhokaxhi, Rashela Shehu dhe Denata Toçe.

Fevziu qetëson qytetarët: Nuk ka cunam në detin Adriatik

Lëkundjet e vazhdueshme të tërmetit kanë krijuar shqetësim tek banorët e Durrësit dhe jo vetëm. Në rrjetet sociale kanë dalë postime në të cilat bëhet fjalë për cunam, çka ka krijuar panik mes njerëzve në qytetin bregdetar.

Por drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu, sqaroi këtë të enjte se në detin Adriatik nuk mund të ndodhë cunam. Ndërkohë, ai u ndal edhe tek postimet e tjera, të cilat i konsideroi histori konspirative, paranoja dhe idiotësira të këtyre personave që i hedhin në internet.  

“Nuk ka cunam në Adriatik. Nuk mund të ndodhë cunam në detin Adriatik. Të jenë të qetë qytetarët e Durrësit se vë re se ka një ankth. Një tjetër postim në rrjetet sociale referon një profeci të 400-500 viteve më parë që Durrësi do të zhduket në vitin 2019. I them kujtdo të marri që poston gjëra të tilla që nuk është as koha as momenti për historitë e veta konspirative, paranojat ose edhe idiotësinë e tij. Nuk ka vend për panik. Ajo që mbetet shqetësuese janë lëkundjet e tërmetit që nuk po ndalojnë dhe është krejtësisht normale të ngjallin shqetësim. Çdo gjë tjetër është konspirative”, tha Fevziu.

Eksperti shpjegon fenomenin e çarjes së tokës në Shijak

Tërmeti i fuqishëm i së martës ka çarë tokën në një gjatësi rreth 1 kilometër në fshatin Jubë të Shijakut. Banorët e zonës janë shprehur të habitur me atë që ka ndodhur në tokat e tyre dhe nga fenomeni i pazakontë.

Gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan, eksperti i mjedisit, Dëfrim Shkupi, ka shpjeguar se si ka ndodhur ky fenomen. Sipas Shkupit, kjo ngjarje është riaktivizim i shkarjeve dhe ka ardhur për shkak të tërmetit.

“Profesori Shyqyri Aliaj ka botuar një hartë për të gjithë shkarjet aktive të Shqipërisë dhe janë disa shkarje aktive që kapin këtë trevë, pjesën e Durrësit që kalojnë nga Shijaku. Këto janë shkarje aktive që janë të thella. Kjo është edhe që mund të jetë e thellë. Kjo është thjeshtë shkarje e ndodhur dhe e aktivizuar. Ne kemi parë hapje toke nga tërmeti në Kaliforni të llahtarshme. Kjo është e vogël. Kjo vjen nga tërmeti. Është riaktivizim i shkarjes”, tha Shkupi.

Eksperti u shpreh se është i qetë pasi goditja kryesore e tërmetit kaloi dhe pasgoditjet sa vijnë dhe do të shuhen.

“Kjo është e natyrshme. Unë jam i qetë sepse goditja kryesore kaloi. Sa vjen, vjen në shuarje sepse energjia më e madhe është çliruar tashmë”, tha Shkupi.

Ndërtimet mbi rërë, rreziku konstant i banorëve të Durrësit

Gazetari Blendi Fevziu ishte në Durrës, në një prej zonave më të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit. Hotele e ndërtesa të shkatërruara thuajse tërësisht janë pasojat e lëkundjeve që i kushtuan jetën dhjetëra personave. Me një konstatim të thjeshtë dhe bazuar dëshmive të banorëve të zonës atje, gazetari thotë se pjesa më e madhe e këtyre hoteleve janë ndërtuar mbi rërë.

“Zona rreth Miramarit është zona më e dëmtuar. Pas shpinës time është hoteli i cili është rrënuar plotësisht, por edhe në dy krahët e tij, duken ndërtime të cilat janë ose jashtë përdorimit krejtësisht ose kanë pësuar dëmtime të mëdha. Në fakt të gjithë personat që takojmë, që nuk lidhen vetëm me kërkimet, banorët e zonës dhe ata që e njohin thonë që pjesa më e madhe e këtyre hoteleve janë ndërtuar të gjitha në rërë. Mjafton që të shihni që jeni vetëm pak hapa nga deti dhe çdo gjë është ndërtuar në rërë. Pra këto pallate të cilat në vitin 1999-2000 janë shembur të gjitha ndërtimet e Pandeli Majkos, janë rindërtuar pas viteve 2000, duke bërë ndërtime nga 5 deri në 9 kate krejtësisht në rërë. Pallati që po shihni ka goditje të mëdha në strukturën e ndërtimit, por njëkohësisht edhe në mënyrën sesi është ndërtuar. Ndërkohë në anën tjetër ndodhet një vilë krejtësisht e përmbysur. Vila Verde, e cila thuajse nuk ekziston më, pra kati i parë i cilës nuk ekziston më. Ndërkohë që hotel Ljubjana është krejtësisht i rrënuar. Pjesa më e madhe e këtyre pallateve janë ndërtuar në rërë, direkt në rërë”.

Gazetari thotë më tej se mbetet e panjohur se kush ka dhënë leje për ndërtimin e këtyre ndërtesave dhe a janë bërë ato konform rregullave që kërkon ndërtimi.

“Nuk dihet se cilat kanë qenë kushtet e ndërtimit, kush i ka dhënë leje. Mjafton të ecim në anën tjetër për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me këto ndërtime. Deri më sot askush nuk di të thotë a ka pasur leje, a janë dhënë lejet në bazë të të gjitha rregullave që ndërtimi kërkon. Mbi të gjitha a është  kontrolluar cilësia e ndërtimit. Banorët që jetojnë thonë që herë pas here kanë pasur probleme që vijnë edhe nga lagështia shumë e afërt, pra kripa e detit krijon një lloj erozioni që ndikon më pas sidomos në hekurin e kolonave, por edhe në strukturat e tjera”.

Psikologia-prindërve: Tregojini të vërtetën fëmijëve, lëkundje mund të ndodhin sërish

Për psikologen Denata Toçe, mungesa e informacionit profesional, nga njerëz seriozë që duhet të dalin në media gjithë kohës, është një ndër shkaqet kryesore e gjendjes së panikut tek qytetarët, në situata si kjo që po kalon vendi ynë për shkak të tërmeteve. E ftuar mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion”, Toçe tha se populli shqiptar është i pamësuar me gjendjen e emergjencave.

“Ne jemi të pamësuar dhe të paedukuar. Më përpara në kohën e Enverin, përgatitej popullata edhe për gjendje emergjence, ne nuk kemi një kulturë të gjendjeve të emergjencës së çfarë ndodh. Nuk kemi një kulturë as për tërmetet, as për lëkundjet, kjo është arsyeja përse ne kemi panik sepse nuk kemi informacionin e duhur, çfarë po ndodh, përpos tërmetit të madh. Informacioni kryesor që duhet marrë për të mos shpërndarë panik është tek profesionistët, të lexohet më shumë informacioni i zotërinjve në fjalë, profesionistë. Informacioni më i madh që duhet të qarkullojë është informacioni i specialistëve sizmikë, gjeologjikë dhe informacioni me bazën e ndërtesave strukturore. Që do të thotë, kur një ndërtesë është gati për të rënë, përse disa ndërtesa mund të përballojnë lëkundjet e tërmetit, çfarë ndërtimesh ka sot Tirana. Për shembull pallate të ndryshme me inxhinierë të caktuar, me emra të caktuar, përballojnë deri në 8-9 ballë. Pra po të japësh informacionin e duhur, shmang këtë pjesën e panikut. Paniku është lëkundja ndodh, hajde dalim direkt jashtë dhe pjesa më e madhe madje flenë afër pallatit, nuk e dinë që po i ra pallati aty tek makina ku janë duke fjetur, katastrofa është më e madhe akoma”.

Sipas psikologes, sidomos kur vjen puna tek fëmijët, është e nevojshme që prindërit të përpiqet që të ruajnë qetësinë.

“Në këto rrethana gjëja më e mirë është që prindërit të ruajnë qetësinë për fëmijët dhe t’i shpjegojë fëmijës se çfarë do të bëjë në ato momente. Nëse ndodh lëkundja, gjëja më e mirë është të qëndrojë pranë një të rrituri, prindi të mund të shpërndajnë nëse kanë më shumë se një fëmijë, detyrat, të mund të marrin gjërat që kanë në familje dhe t’i çojnë tek makina që kanë ose në një vend tjetër jashtë shtëpisë, që të mos kenë preokupimin për t’u veshur. Ashtu siç janë të dalin dhe gjërat t’i lenë ose në makinë, ose në një vend tjetër, që të vishen jashtë. Pra informacioni i duhur i bën që të mos krijojnë kaos në momentin që ka lëkundje, që janë pak me dramatike”.

Psikologia këshillon që prindërit t’i thonë fëmijëve të vërtetën, që lëkundje mund të ndodhin sërish dhe t’i sigurojnë ata që nuk do të jenë vetëm.

“Kjo është një gjë e pa shmangshme, pra ne duke qenë se nuk jemi mësuar të përjetojmë ngjarje të tilla, fenomene natyrore të kësaj kategorie është e rëndësishme të ruajmë qetësinë dhe të t’i themi të vërtetën fëmijës, që do të ndodhin sërish lëkundje, të mos frikësohen, sepse ata do të jenë pranë, sepse nuk parashikojnë dot gjë tjetër përveç kësaj. Çfarë mund t’i japim më tepër se kjo fëmijës, më tepër se kjo lloj mbështetje, për të reduktuar sa më shumë panikun. Në panik e sipër individi bën dhe veprime që mund të shkaktojnë dhe dëmtime të jetës së tij. Siç ishin atakët kardiake, hedhja nga ballkoni. Janë ca gjëra që mund të shmangen, që paniku të mos jetë kaq i madh”.

Kikia: Ky zotëria ka thënë se ndërtimet janë të sigurta. Hysenlliu: Mos më vër në gojë llafe që nuk i kam thënë

“Pas tërmetit të 21 Shtatorit shumë godina pësuan dëmtime, askush nuk shkoi t’i vinte shiritin pallatit, fare. E kemi ndjekur në Klan Plus një muaj rresht më mbrapa, pallate të çara, të shkalafitura, kolona të dëmtuara, njerëz të pataksuar brenda dhe askush nuk shkoi. Në 21 Shtator kishte dy aktorë shumë të rëndësishëm që dhanë garanci. Ky zotëria këtu ka thënë se ndërtimet tona janë të sigurta, u koaliduan dhe nuk kanë probleme, ndërkohë pallatet e plazhit ishin të tëra të çara. Ky e ka thënë e kemi të filmuar”.

Kështu iu drejtua këtë të enjte gazetari Mentor Kikia drejtorit të Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu, gjatë emisionit “Opinion” pas tërmetit që shkatërroi pallate të tëra dhe u mori jetën dhjetëra personave.

Por Hysenlliu i kërkoi gazetarit që të mos i vendosë fjalë në gojë të cilat nuk i ka thënë pas tërmetit të 21 Shtatorit. Hysenlliu deklaroi se ka thënë që objektet që janë konstatuar në Tiranë nuk kanë pasur probleme në strukturë.

Por sipas Kikisë, me deklaratën e bërë nga drejtori i Institutit të Ndërtimit pas tërmetit të 21 Shtatorit vuri në gjumë qeverinë dhe ktheu njerëzit në banesa të cilat ishin të rrezikshme.

Por Hysenlliu deklaroi se nuk mund të akuzojë projektuesit nëse tërmeti ka ndodhur mbi 8 ballë pasi limiti në Shqipëri për të ndërtuar është 8 ballë.

Agron Hysenlliu: Përpara se të më drejtoni pyetje duhet t’iu kthej një përgjigje për gishtin që më drejtove. Unë nuk kam thënë që godinat në Shqipëri nuk kanë problem. Nuk e them dot. Do të ishte aprofesionale nga ana ime ta thosha këtë. Kam thënë nga aktet e ekspertimit që kam bërë në terren. Akt konstatimi në qytetin e Tiranës, 90% e objekteve që kemi konstatuar nuk kanë probleme në strukturë. Kjo është tepër e rëndësishme dhe mua në gojë mos më vër llafe që nuk i kam thënë.

Mentor Kikia: Ju nuk përgjigjeni vetëm për Tiranën. Ne iu kemi intervistuar ju zotëri për Durrësin dhe keni thënë “ishte një dëshmi, ishte një fitore për inxhinierinë shqiptare”.

Agron Hysenlliu: E them prapë.

Mentor Kikia: Si mundet që me konstatim ju të arrini në përfundimin që kolonat e pallatit nuk janë dëmtuar sepse ju vutë qeverinë në gjumë me thënien tuaj. Me konstatimin tuaj qeveria vuri festën mënjanë dhe njerëzit atje futën kokën në gërmadha.

Agron Hysenlliu: Ta them unë, në qoftë se një projektues ka projektuar mbi hartën sizmike me një intensitet që është 8 ballë dhe ky tërmet është 8 ballë mos është më shumë, atëherë unë kur vete që konstatoj nga eksperienca shikoj që një strukture nuk i ka ikur hekuri, nuk është zhveshur struktura, nuk ka plasaritje, domethënë që kapaciteti që ndërtesa ta përballojë tërmetin do të thotë që projektuesi ia ka dhënë atë kapacitet ta përballojë. Në qoftë se ky objekt do shkërmoqej me tërmetin e parë unë do thosha që ky projektues nuk ka projektuar mbi bazën e tërmetit që kemi ne limit, 8 ballë. Nëse ka projektuar për tërmetin 8 ballë dhe katastrofa ndodh mbi 8 ballë nuk kam si ta akuzoj se ky është ligji në Republikën e Shqipërisë.

“Shumë prej viktimave në Thumanë nuk janë të tërmetit, por të shtetit”

Shumë prej jetëve të humbura në Thumanë, për Mentor Kikinë nuk janë të viktima të tërmetit, por të shtetit. I ftuar mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion”, Kryeredaktori i Klan Plus tha se 23 viktimat në Thumanë jetonin në dy godina të kalbura, të nxjerra teknikisht jashtë përdorimit dhe të dëmtuara nga tërmeti i 21 Shtatorit. Për gazetarin, fajtor është shteti, që i lejoi këto familje të qëndronin në këto ndërtesa.

“Unë do të doja të thoja që shumë prej atyre viktimave, nuk janë viktima të tërmetit, janë viktima të shtetit. Në Thumanë, kanë vdekur 23 njerëz në dy godina të kalbura. Janë prishur janë çarë, janë dëmtuar shtëpi të tjera, nuk është plagosur asnjë njeri. Në Thumanë 23 njerëz, një bilanc i tmerrshëm tragjedie, në dy godina të kalbura të ndërtuara në 1975, të lagura nga rrjedhjet e ujit, të nxjerra teknikisht jashtë përdorimit, të dëmtuara nga tërmeti i 21 Shtatorit, të konstatuara prap jashtë shërbimit dhe askush nuk shkoi t’i evakuonte ata njerëz, t’i çonte në një stallë kuajsh vetëm të mos i lejonte të futeshin më aty. Njerëzit në pamundësi për një strehim tjetër, futën kokën dhe u shembën. Nuk është tërmeti fajtor këtu, ato godina do të shembeshin një ditë, edhe thjeshtë nga një erë. Viktima të tjera këtu, nuk janë absolutisht të tërmetit dhe këto, në atë zonë duhet godinat të durojnë shumë më tepër sesa kaq. Janë viktima të abuzimit me ndërtimin, absolutisht po.

Kikia tha se pas tërmetit të 21 Shtatorit, kishte dy aktorë shumë të rëndësishëm që dhanë garanci. Duke i drejtuar gishtin në studion e “Opinion”, fajtori i parë sipas tij është Drejtori i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu, i pranishëm gjithashtu në studio. Faktori tjetër ishin inspektorët e shtetit, të cilët sipas Kikisë mbyllën sytë para shumë ndërtimeve.

Ka një gjë dhe më të rëndë. Pas tërmetit të 21 Shtatorit, shumë godina aty pësuan dëmtime. Askush nuk shkoj t’i vendoste shiritin pallatit, fare. E kemi ndjekur në Klan Plus një muaj rresht më mbrapa, pallate të çara, të shkalafitura, kolona të dëmtuara, njerëzit të pataksuar brenda dhe askush nuk shkoi. Ky zotëria këtu ka dalë ka thënë ndërtimet tona janë të sigurta. U kolauduan dhe nuk kanë probleme, ndërkohë pallatet e plazhit ishin të tëra të çara. Ky e ka thënë e kemi të filmuar.  Inspektorët e shtetit, për të mos ngarkuar barrën financiare me dëmshpërblime mbyllën sytë para shumë dëmtimeve dhe treçerekun nuk i dokumentuan fare, sot ato u shembën. Nëse do i ishin vënë shiritat atyre banesave dhe shteti nuk do i kishte lënë njerëzit të ishin futur me dhunë, se prandaj është shteti, nuk do kishin vdekur ata njerëz atje”.

Hysenlliu: Pallatet në Thumanë nuk ishin verifikuar

Tërmeti i 26 Nëntorit me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter shkaktoi shumë viktima. Dhjetëra persona kanë humbur jetën për shkak se u bllokuan nën rrënoja.

Zonat më të prekura ishin Durrësi dhe Thumana, ku është shënuar edhe numri më i lartë i viktimave dhe banesave të shkatërruara. Në Thumanë u rrëzuan dy pallate duke zënë poshtë 23 persona.

Drejtori i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu, deklaroi gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan se pallatet e Thumanës nuk ishin verifikuar pas tërmetit të 21 Shtatorit për shkak se tërmeti i atëhershëm nuk e pati epiqendrën atje.

Mirëpo gazetarja e TV Klan, Rashela Shehu, tha se banorët kanë pohuar se janë kryer inspektime, të cilat kanë rezultuar se ato objekte ishin të banueshme.

Mentor Kikia: Pallatet e Thumanës ishin verifikuar apo jo?

Agron Hysenlliu: Jo! Sepse tërmeti që ra nuk ra në Thumanë. Zona që ka kapur tani është zona e Thumanës.

Rashela Shehu: Banorët kanë pohuar në shumicë që inspektimet që janë bërë atje kanë rezultuar të banueshme. Janë dëshmi të njerëzve./tvklan.al