“Dëshirojnë të dërgojnë në burg fytyrat e UÇK-së për një marrëveshje me Serbinë”

Analisti dhe gazetari nga Kosova, Baton Haxhiu, tha mbrëmjen e së hënës në “Opinion” se në një pjesë në perëndim dhe në Rusi ka një brerje ndërgjegje për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në luftën e Kosovës dhe se dëshirojnë të burgosin fytyrat ushtarake të UÇK-së për një marrëveshje me Serbinë.

Baton Haxhiu: Unë mendoj sot se edhe rusët, edhe europianët edhe një pjesë e administratës Obama kanë një brerje të ndërgjegjes, ose demokratëve, për shkak të ndërhyrjes dhe nëse duan marrëveshje me Serbinë, dëshirojnë që të gjitha fytyrat ushtarake të UÇK-së t’i dërgojnë në burg…Unë mendoj se ndoshta kushti kryesor për njohjen e Kosovës është edhe ky fakt i cili…

Blendi Fevziu: Kusht serb, underground po thoni ju në negociata?

Baton Haxhiu: Unë mendoj se është njëfarë përkëdhelje e Serbisë që nëse dëshirohet të njihet Kosova Vuçiç do t’ju thotë ‘unë i dërgova bashkë me europianët dhe amerikanët UÇK-në në burg, dhe tani jam i detyruar ta njoh Kosovën’. Nuk shoh asnjë fakt tjetër, asnjë gjykim apo arsyetim moral a politik, sepse çuarja në burg e Hashim Thacit, i cili ka lexuar deklaratën e Pavarësisë bashkë me Jakup Krasniqin, bashkë me Fatmir Sejdiun. Atëherë unë po ju them, se nëse Thaçi shkon në burg, atëherë kuptimi, narracioni për luftën dhe lirinë, se NATO ka ndërhyrë për të mbrojtur qytetarët, është i diskutueshëm… 

Nurellari: 37 ushtarë të UÇK-së dhe 25 serbë të dënuar për krimet në Kosovë

Janë rreth 37 ushtarë të UÇK-së që rezultojnë të dënuar në qendrat serbe për informacion krahasuar me 25 serbë në lidhje me krimet në Kosovë. Është kjo shifra që bëri të ditur, Ardi Nurellari, këshilltari i Kadri Veselit, mbrëmjen e kësaj të hëne në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

“Në momentin që flasim sipas të dhënave të Qendrës për Informim dhe të Drejtave Humanitare që është në Beograd, ka 37 shqiptarë të UÇK-së të dënuar nga shumë gjykata, përfshi nga ato vendore dhe ka vetëm 25 serbë për krimet në Kosovë. Jo vetëm që janë pak serbë, por ata që janë dënuar vitet e fundit janë nxjerrë para kohe ose u është shkurtuar dënimi. Ka një dimension selektiv dhe këto akuza nuk janë se jepen për herë të parë”.

Nurellari deklaroi se histori e UÇK-së nuk mund të ndahet nga Thaçi dhe Veseli, pasi ata kanë qenë drejtues të saj.

“Duhet kuptuar që nuk ka si ndahet historia e UÇK-së nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli sepse nuk po akuzohen si individë të përveçëm, por si drejtues. Nuk ka UÇK pa këta individë ashtu si me gjasa dhe të tjerë që janë përfshirë në këtë akuzë sepse kjo nuk është shpallje, por rishpallje e një lënde që ishte shpallur më 24 Prill sepse akuzat nuk janë personale, por janë sepse konsiderohen në krye të kësaj hierarkie”./tvklan.al