Të ftuar: Mark Marku, Vehab Kola, Dash Shehi, Ulsi Manja, Paskal Milo, Baton Haxhiu.

Manja: Me ndryshimet në Kod kemi përmirësuar sistemin

Ulsi Manja thotë se ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor përmirësojnë sistemin zgjedhor. Në studion e “Opinion” ai shprehet se sistemi proporcional rajonal me koalicione të përbëra, që aplikonte vendi ynë deri më tani, deformonte vullnetin e zgjedhësve.

“Çështja e pragut, çështja e koalicioneve parazgjedhore, sipas Kodit të Praktikave të Mira të Çështjeve Zgjedhore të Venecias, apo të deklaratës së Kopenhagenit nuk janë elementë themelorë të të drejtës zgjedhore. Elementë themelorë të të drejtës zgjedhore, janë sistemi zgjedhor, zona zgjedhore dhe administrimi i procesit zgjedhor. Asnjë nga këto 3 elementë themelorë të një sistemi zgjedhor demokratik, nuk janë prekur as me ndryshimet e 30 Korrikut, as me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ndryshimet u bënë sepse sistemi proporcional rajonal që kishim, me koalicione të përbëra, në formatin që ishin kishte elementë të deformimi të vullnetit të zgjedhësve dhe krijonte pabarazi vote. Rastet konkrete në Shqipëri mjafton t’i referohemi zgjedhove të 2017-s ku u aplikua për herë të parë për shkak të marrëveshjes së 17 Majit, ku secila parti garoi nën siglën e et, vetëm 4 parti arritën ta kalonin pragun rajonal që ne kishim, 3 përqind. Ndërkohë që elementët korrigjues të sistemit që ne kemi adaptuar me Kodin që u votua sot, sigurisht që e kemi përmirësuar sistemin”.

I pyetur se përse këto ndryshime u votuan pa opozitën, Manja tha: “Sepse Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim zgjodhën të braktisin parlamentin dhe të bëhen opozitë jashtë parlamentare”.

Dashamir Shehi tregon ku është shkelur marrëveshja e 5 Qershorit

Kreu i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka folur sot për marrëveshjen e 5 Qershorit. Shehi u shpreh se Rama e ka shkelur dhe juridikisht marrëveshjen, por ai gjen dhe shkelje te tjera.

Sipas kreut të LZHK-së, nëse ai me partinë e tij marrin 50 mijë vota në rang kombëtar, nuk arrin të marrë deputet pasi nëse nuk arrihet pragu votat i kalojnë partive të mëdha.

Edhe juridikisht po ta interpretosh i gjen shkelje. Nga ana pragmatike, Rama merr rishpërndarjen e mandatave. Sikur të dalë më vete LZHK dhe të marrë 50 mijë vota, unë nuk futem në asnjë vend si deputet. Vjen puna që ti nuk merr deputet me 40 mijë vota, këto vota i rishpërndahen partive të mëdha. Nga ana logjike matematikore nuk ka asgjë. Votat rishpërndahen në mënyrë të padrejtë tek dy partitë e mëdha”, thotë ai.

Më tej kreu i LZHK-së u shpreh Rama po tregon para qytetarëve se është i fortë dhe shtoi se ka shumë injorantë që e besojnë dhe do shkojnë ta votojnë.

Nga ana politike Rama ka dalë tani që t’i japë popullit shqiptarë, i jep një sinjal dhe i thotë që “unë jam i fortë”. Një pjesë e qytetarëve injorantë e besojnë këtë, se thonë ja ky i forti jonë nuk pyet për Evropën. E treta është se Edi Rama nuk e do Evropën, vetëm budallenjtë nuk e kuptojnë”, u shpreh Shehi.

Ndryshimet kushtetuese, Milo: I japin avantazh mazhorancës

Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ka komentuar sot ndryshimet në Kodin Elektoral. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Milo tha se Evropa ka folur dhe po bëhet një atakim nga Brukseli që e dëmton Shqipërinë.

Në analizën time pavarësisht se nuk kemi një qëndrim institucional të Këshillit Evropian, se ai është instanca superiore që në fund vendos, pavarësisht çdo atakim që bëhet nga Brukseli na dëmton”, tha Milo.

Më tej ai u shpreh se ndryshimet në Kodin Zgjedhor  janë në favor të Ramës dhe PS-së, pasi i japin një supermarci elektorale.

Politika shqiptare e të dyja krahëve është maturuar dhe u reziston presioneve Evropian,e nuk është më si në 90 që kur vinte një diploma ti huaj neve nuk na zinte gjumi. Tani e marrim më me sportivitet. Prandaj them në këtë rast që këto veprime janë të sforcuara, prandaj nuk e fsheh asnjë eksponent i PS, as vetë Rama që është një manovër elektorale që u garanton një lloj supermacie, i jep avantazhe në ndarjen e mandatave. Ajo është bërë me qëllim, duke shfrytëzuar fuqinë e saj si mazhorancë”, thotë ai.

Ulsi Manja: Nuk ndaluam koalicionet, partitë të garojnë me listë unike

Deputeti i Partisë Socialiste, njëherësh dhe kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ka komentuar sto ndryshimet e Kodit Zgjedhor, që nga opozita shihet si një përpjekje për të ndaluar koalicionet.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Manja teksa u pyet për ndalimin e koalicioneve tha se nuk ndalohen, por imponohet që të gjithë të jenë brenda një liste unike.

Nuk i ndalojmë ne. Koalicionet parazgjedhore ka shtete që i lejojnë e të tjera që nuk i lejojnë. Ne nuk i ndalojmë, por koalicionet do jenë në lista unike, nuk mund të ketë listë të përbërë kur kemi hapur listat”, tha Manja.

Këto deklarata të deputetit të Partisë Socialiste u kundërshtuan nga të ftuarit e tjerë. Dashamir Shehi tha se janë ndryshime që duan të dëmtojnë opozitën për shpërndarjen e mandateve.

Milo: PS i përdori aleatët për të ardhur në pushtet, tani po mbahem me shpirt në dhëmbë

Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan u shpreh se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 kanë goditur partitë e vogla. Milo tha se ligji i 2008-ës donte të ekzekutonte partitë e vogla, e shton se ai ka dhe partia e tij ka vuajtur për shkak të marrëveshjeve të partive të mëdha.

Kreu iu PDS thotë më tej se PS i përdori aleatët e vegjël dhe tani i ka fshirë. “Pse tani po e bën PS këtë që bën. Sepse s’ka më parti të majtë, edhe unë mezi po mbahem, me shpirt në dhëmbë, po mbahem”, shtoi ai.

Blendi Fevziu: Më the kë kërkoje ta shpjegoje këtë pabarazinë që shpjegoi Manja pak më parë. Që ti më vete nuk dilje deputet, Shehi, në listën e PD del deputet

Paskal Milo: Zoti Manja ka një të drejtë, që Demokracia Sociale me forcat e veta gjithnjë ka marrë mbi 10 mijë vota, rreth 12 mijë vota.

Blendi Fevziu: Që janë të mjaftueshme sot në nivel kombëtar.

Paskal Milo: Po. Po të ishte ai sistem që kishim deri në 2008-n, unë do të vazhdoja të isha edhe këto 3 legjislatura, deputetë. Por falë PS dhe PD, unë jam jashtë parlamentit. Pikërisht se këta të dy, një natë të bukur Prilli, në mënyrë krejt të fshehtë… kemi qenë vetëm 7 veta që kemi votuar kundër atë natë, sepse e pamë që ishte një ligj që donte të ekzekutonte partitë e vogla.

Blendi Fevziu: Peshku i madh ha të voglin, e njohim…

Paskal Milo: Peshkaqenët e politikës, jo peshku…

Blendi Fevziu: Dhe ju hëngrën.

Paskal Milo: Na hëngrën, për meritë të tyre, të bashkëpunimit, dhe tani që të dy këto partitë e mëdha. Më fal që po flas nga pozicioni i qendrës i një partie të vogël që e ka vuajtur këtë marrëveshje të fshehtë që ju bëtë atëherë dhe që rrjedhojat e asaj marrëveshjeje të fshehtë i është kthyer në bumerang PD që e bëri atëherë. Pikërisht këto gjëra që po ndodhin tani dhe këtë superioritet që ka mazhoranca aktuale, ajo e menaxhon situatën, qoftë të sistemit që nuk do.

Blendi Fevziu: Po kur u bënë ndryshimet në 2008-n, u la që dominonin koalicionet jo partitë e vetme, ku ishte thelbi.

Paskal Milo: Nëse donin barazi të dy partitë e mëdha, drejtësi dhe zgjedhje të ndershme, le ta bënin proporcional kombëtar dhe jo proporcional rajonal, ajo është barazi. Ju këtë nuk e bëni, përse? Sepse nuk doni ta bëni.

Blendi Fevziu: Por kjo iku tani.

Paskal Milo: Jo jo të lutem, ishim në kohën e ndryshimeve.

Blendi Fevziu: Nga sot nuk jemi më, iku.

Paskal Milo: Unë i them zotit Manja, pavarësisht se jemi afër këtu që po diskutojmë, po kemi qenë afër edhe në beteja elektorale. Jo për fajin tonë, PS e zhbëri aleancën e majtë, që nga 2013-ta për herë të fundit kur nga shfrytëzoi dhe mori mbi 100 mijë vota nga të gjithë ne dhe erdhi në pushtet. Pas asaj mori pushtetin dhe na fshiu neve. Pse tani po e bën PS këtë që bën. Sepse s’ka më parti të majtë, edhe unë mezi po mbahem, me shpirt në dhëmbë, po mbahem. S’ka më, më kuptoni. Kështu që, prandaj PS tani ka nxjerrë parullën, e Aleancës me qytetarët, me popullin sepse nuk ka më parti që të bëjë aleancë. Dhe ndodh kjo që po ndodh.

Redaksia Tvklan.al 2020