Të ftuar në Opinion: Elisa Spiropali, Avenir Peka, Alba Alishani, Julian Zyla dhe Bledi Bajraktari. Në lidhje direkte: Emine Dzhaparova – zv.Ministre e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Sviatoslav Yurash – Anëtari më i ri në moshë i Parlamentit të Ukrainës dhe Teuta Vodo – pedagoge e gjeopolitikës në Universitetin e Troyes, Francë.

Spiropali: Si vendosëm kontakt me Presidentin Zelenskyy

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy foli të martën me Parlamentin e Shqipërisë përmes një video-konference.

Por si u vendosën në kontakt autoritetet shqiptare me Presidentin ukrainas?

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, tha se kontakti është vendosur përmes ambasadorit të Ukrainës në Tiranë.

“Në një komunikim me ambasadorin ukrainas këtu vendosëm të komunikojmë me ta për një lidhje të Presidentit. Ishte dhe kërkesë e tyre dhe dëshirë e jona. Vëmendja e Shqipërisë ka qenë e padiskutuar për çështjen e Ukrainës dhe Shqipëria ka marrë një rol që është dhe përtej përmasës sonë”, u shpreh ministrja Spiropali. 

Zv.ministrja ukrainase për “Opinion”: Presim që Rusia të shpallë luftë të hapur me Ukrainën në 9 Maj

Në një lidhje skype me emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka folur zv.ministrja e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Emine Dzhaparova.

Gjatë fjalës së saj, ministrja ka thënë se mendohet që rusët do të shpallin një luftë të hapur me Ukrainën në datën 9 Maj, ditë kjo kur rusët dhe ukrainasit në kuadrin e ushtrisë së kuqe fituan luftën mes nazistëve në vitin 1945.

Blendi Fevziu: Po situatën në zonën lindore dhe juglindore të Ukrainës si mund ta përcaktoni për momentin?

Emine Dzhaparova: Sigurisht që është e vështirë, ju e përmendët saktë situatën atje, tanimë janë fokusuar në pjesën lindore dhe juglindore të vendit. Ne e prisnim këtë sulm para në javë, ndërkohë që në 9 Maj, është një ditë e veçantë për ta. Ne presim që të sulmojnë në 9 Maj. Në 1 maj kanë thirrur për mobilizimin dhe kanë thënë se do të shpallin luftë me vendin tonë, pra do të shpallin lufë të hapur dhe kanë për të kryer sulme kryesore për të ndarë vendin në pjesën lindore dhe juglindore, pra duan që të bëjnë këtë ndarje.

Blendi Fevziu: Është pak i hidhur fakti që 9 Maji është dita kur rusët dhe ukrainasit në kuadrin e ushtrisë së kuqe fituan luftën mes nazistëve në vitin 1945 dhe kjo mund të bëhet dita zyrtare e shpalljes së një lufte midis këtyre dy popujve që kanë një histori të gjatë dhe të përbashkët.  

Emine Dzhaparova: Kjo është ajo gjëja që janë përpjekur për të bërë po përpiqen që të mbulojnë krimet e tyre.

Në lidhje me situatën në kryeqytetin ukrainas, Kiev, zv. ministrja ukrainase ka thënë se po rinovohet jeta në këtë qytet.

Blendi Fevziu: Si është situata në Kiev?

Emine Dzhaparova: Situata në Kiev është duke ndryshuar, jemi duke u ringjallur. Qeveria është duke zhvilluar takime disa herë në javë. Ne po vëmë re se ka njerëz që po i kthehen kryeqytetit, pra ne jemi duke rinovuar jetën në kryeqytet.

Deputeti ukrainas flet në Opinion: Gjyshet tona po helmojnë ushtarët rusë

Zviatoslav Yurash është deputeti më i ri në Parlamentin e Ukrainës, i cili u bë ligjvënës për herë të parë në moshën 23-vjeçare.

Në një lidhje me Skype për emisionin Opinion në Tv Klan, Yurash tregoi se çfarë po ndodh në Ukrainë dhe ku janë përqëndruar aktualisht bombardimet ruse.

Ai tha se ushtria ukrainase, civilët e vullnetarët po bëjnë rezistencë. Madje, sipas tij, edhe gjyshet ukrainase po helmojnë ushtarët rusë.

Blendi Fevziu: Sa vjeç jeni?

Zviatoslav Yurash: 26 vjeç, kam qenë 23 kur jam zgjedhur deputet. Jam nga pjesa perëndimore e Ukrainës, pjesa që sulmua sot nga qindra raketa.

Blendi Fevziu: Ku po qëndroni?

Zviatoslav Yurash: Flas nga Kievi, sapo u ktheva nga Kharkiv ku ka ende përleshje dhe sulme ushtarake dhe shikojmë që përleshjet kanë kaluar nga pjesa lindore. Realiteti atje është i tmerrshëm. Përtej detyrimeve tona, unë jam dhe deputet dhe u ktheva këtu për të punuar. Ka sulme dhe shpërthime ditë dhe natë, nëse ecën rrugës shikon një realitet të trishtë me rusë që po përpiqen të shkatërrojnë qytetin. Por Kharkiv është një qytet i madh.

Blendi Fevziu: Duket se kanë mbetur në mes të luftimeve qindra mijëra civilë. çfarë ndodh me civilët?

Zviatoslav Yurash: Vdesin, realiteti është që kur zapton një pjesë rezidenciale dhe miliona njerëz kanë jetuar në atë zonë dhe rusët nuk kanë frikë të përdorin artilerinë e rëndë, dhe njerëzit që jetojnë në ato zona vdesin, janë të panumërueshëmcivilët që vdesin në atë zonë. E shikoj këtë gjë në Kharkiv. E shkojmë nga gjyshet që janë duke i helmuar ushtarët. Gjithë kombi është duke rezistuar, rusët nuk dinë çfarë të bëjnë. Shqipëria është shumë e fuqishme, është anëtare e NATO. Ukraina po i tregon botës se çfarë p ndodh, po i tregon se është në gjendje për t’ju bashkuar NATO. Shpresojmë që Shqipëria të vazhdojë të na mbështesi.

Blendi Fevziu: Sa është numri i refugjatëve që janë larguar nga vendi?

Zviatoslav Yurash: Janë më shumë se 4 milionë njerëz. Ka shumë që largohen dhe kthehen. Është shumë e vështirë për ta përcaktuar realitetin.

Blendi Fevziu: Linjat e furnizimit po funksionojnë?

Zviatoslav Yurash: Realiteti është që të gjithë këta mijëra vullnetarë po përpiqen të na ndihmojnë pasi shkojnë në vende ku ka nevojë më të rëndësishme.