Të ftuar: Klodiana Lala, Artan Hoxha, Erzen Breçani, Lorenc Vangjeli, Ylli Manjani

Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës, gazetarja tregon çfarë përmbajnë kamerat e sigurisë

Policia e Shtetit thotë se 49-vjeçari Jan Prenga që u rrëmbye në mes të Kamzës më 17 Janar, është vrarë po atë ditë nga rrëmbyesit.

E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetarja Klodiana Lala ka dhënë të tjera detaje rreth rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës.

Ajo thotë se gjithçka është zbardhur nga kamerat e sigurisë që ndodhen në parkingun e nëndheshëm të kompleksit Golden në Shijak, aty ku u dërgua trupi i pajetë i Jan Prengës pas rrëmbimit.

“Bëhet fjalë për një material shumë të gjatë që në momentin kur Range Rover futet në garazh. E kanë nxjerrë trupin e pajetë, e kanë zhveshur, i kanë zhdukur rrobat. Kanë ndërruar rrobat e tyre të trupit, i kanë fshirë komplet gjurmët e krimit. Rrobat janë djegur sepse deri aty përfundon materiali filmik. Furgoni është ndjekur me dron në lartësi, në fshatin Pjezës është humbur kontakti me Range Roverin. Trupi i pajetë është nxjerrë në orën 20:38 sipas materialit filmik”, tha gazetarja Klodiana Lala.

Artan Hoxha: Gramoz Rexhepi më telefonoi nga burgu, nuk është si trafikantët që jemi mësuar

Mbrëmjen e sotme në “Opinion” në Tv Klan, gazetari Artan Hoxha ka treguar se tre vite më parë ka marrë një telefonatë nga Gramoz Rexhepi, që përflitet si personi që ka urdhëruar pengmarrjen e Jan Prengës disa ditë më parë në Kamëz.

Hoxha e ka cilësuar ata si një person të rrezikshëm, me një kalibër krejt tjetër nga trafikantët “që jemi mësuar të flasim”.

Gazetari ka treguar se në vitin 2017 ka marrë një telefonatë prej tij, ndërsa ky i fundit ndodhej në burg.

Hoxha i kishte përmendur emrin një natë më parë në një emisionin, dhe ditën tjetër, nga burgu, ai e kishte marrë në telefon, por komunikimi nuk kishte zgjatur pasi gazetari kishte fikur telefonin.  

“Para 3 vitesh në 2017, kemi qenë në një emision për kanabis, dhe kam thënë është gjë e vogël kanabisi para trafikut të kokainës dhe grupet tona janë aq përpara sot, sa kur ta marrim vesh ne se çfarë po ndodh, do fillojmë të mbledhim kufoma. E kam thënë 15 Shtator 2017, kam qenë në një emision, ishte ditë e premte, ishte ora 10, me idenë nuk po ndiqet ky emision.

Të nesërmen në 11 paradite kam qenë në Vlorë, dhe më bie telefoni nga një numër që nuk e njihja, unë nuk i hap numrat që nuk i njoh. Por ishte prefiks i panjohur, se kisha parë ndonjëherë, kur i bie herën e dytë, hap telefonin.

Më thotë jam Gramoz Rexhepi, marr nga filan burg në Kuito, dhe u habita, se në 10 të darkës i kisha përmendur emrin. Më tha ke bërë një shkrim në gazetë, i thash që nuk shkruaj më në gazetë. Nga burgu në Kuito gjeti numrin e telefonit dhe më gjeti ku isha. Në atë moment kam fik telefonin. Nuk është thjeshtë si trafikantët e kokainës që jemi mësuar ne. E ka nis si vrasës me pagesë… Ndërkohë ka vrarë dy policë në Krujë, pa iu dridhur dora fare, është një kalibër krejt tjetër nga ai që jemi mësuar të flasim”. 

Ish-ministri i Drejtësisë: Shqiptarët hyjnë me agresivitet në tregun e drogës, janë të rrezikshëm

Duke komentuar rrëmbimin e Jan Prengës për shkak të larjes së hesapeve mes bandave shqiptare për aktivitetin e paligjshëm në vendet e BE-së, ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka treguar sa shqiptarë vuajnë dënimin në burgjet jashtë vendit.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Manjani theksoi se janë rreth 5 mijë shqiptarë nëpër burgjet jashtë Shqipërisë për vepra të ndryshme penale, kryesisht në Itali dhe Greqi.

Sipas tij, grupet kriminale shqiptare janë përfshirë kryesisht në trafikun e lëndëve narkotike, dhe për të hyrë në këtë treg informal, veprojnë me agresivitet.

“Diku tek 5 mijë shtetas shqiptarë janë në burgje jashtë Shqipërisë. 5800 i kemi në burgjet në Shqipëri.

Në Greqi dhe Itali kemi shumicën e shqiptarëve, rreth 2 mijë për secilin shtet. Pastaj Anglia dhe Gjermania, vonë ka dalë Holanda. Për të hyrë në tregje informale, siç është tregtia e drogës, sigurisht do të hysh me agresivitet, kjo është specifika pse shqiptarët bëhen të rrezikshëm.

Ka dhe një mendjelehtësi mes nesh, që ku ka punë me lekë ne nuk pyesim. Kjo është tipologjia e shqiptarëve dhe këtë analizë e kishin bërë britanikët. Kjo është pak a shumë arsyeja pse ky lloj krimi, trafiku i drogës, në vitit e fundit është mbizotërues. Ky trafik funksionon në shtete me popullsi të madhe. Shqipëria është vend tranzit. Synohen tregje të ngritura. Aty krijohen dhe paratë e mëdha”, u shpreh ish-ministri Ylli Manjani. 

“Resorti i pengmarrjes”, analisti: Luks në mes të askundit, edhe GPS të merrte me të qeshur

Resorti “Golden” në Shijak është vendi ku do të mbahej peng 49-vjeçari Jan Prenga që u rrëmbye në Kamëz më 17 Janar.

Duke komentuar për këtë ngjarje, në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan u tha se në këtë resort tepër luksoz që ndodhet në periferi të Shijakut, organizohen shpesh dasma.

Analisti Lorenc Vangjeli tregoi në këtë studio se ka qenë vetë në një dasmë në resortin “Golden” vitin e kaluar dhe ambienti ishte super luksoz.

“Vjet kam qenë në një dasmë luksi atje. Një luks që të binte në sy të godiste. Për të vajtur deri atje, edhe GPS të merrte me të qeshur, nuk e gjeje dot. Ndërtuar në një vend të tillë. Dhe ishte i përkryer, të dukej se ishte një oaz perëndimor. Por ishte në askund, errësirë në të djathtë, errësirë në të majtë”, tha analisti Lorenc Vangjeli. 

Fevziu rrëfen historinë që nuk e kishte treguar kurrë

Mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” në Tv Klan është diskutuar rrëmbimi i Jan Prengës në mes të Kamzës. Debati u fokusua edhe në pasuritë e paluajtshme të grupeve kriminale, si dhe për influencën që kanë me politikanë, deputetë e zyrtarë të tjerë të lartë.

Në këtë aspekt, drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu tregoi për herë të parë një histori për një investigim të emisionit “Stop” në Tv Klan.

Pak kohë më parë, ky emision zbuloi një rrjet të madh të shpërndarjes së drogës në lokalet e natës në Tiranë.

Blendi Fevziu rrëfeu se telefonoi personalisht ministrin e Brendshëm në atë kohë duke i kërkuar që të merreshin masa.

Policia e kreu aksionin dhe u arrestuan disa persona. Por pas arrestimit të tyre, Fevziu shprehet se deputetë dhe politikanë filluan t’i dërgonin mesazhe Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm duke kërkuar lirimin e pronarëve të lokaleve.

“Emisioni Stop ndërsa bënte një investigim për shpërndarjen e drogës, ra në shpërndarje të frikshme në lokalet e natës në Tiranë. Para se ta çonin këtë gjë, personalisht kam folur me ministrin e Brendshëm duke menduar që kemi fëmijë, dhe i kam thënë është problem serioz. Premtoi që do merrej. Rezultoi që u mor disa muaj më pas, se kërkonte një periudhë kohe. Ndaluan disa persona, kapën lokale të përshtatura për kokainë. Dhe ministri i Brendshëm dhe Kryeministri kishin marrë 40 mesazhe të nesërmen, gjysma nga deputetë dhe nga politikanë që thonin ‘pse i bini në qafë këtyre të shkretërve’. Kështu pra është problemi. Dolën ata të gjithë”, u shpreh Blendi Fevziu.

Si perfitohen financimet per te prekurit nga termeti!