Preç Zogaj: E kam ndihmuar Bashën, por marrëdhënia jonë u thye kur u ngrit çadra

Analisti Preç Zogaj pranon publikisht se ka bashkëpunuar me Lulzim Bashën dhe e ka asistuar.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Zogaj u shpreh se ky bashkëpunim u ndërpre në momentin që Lulzim Basha dhe Partia Demokratike vendosën për të ngritur çadrën e protestës në bulevardin përpara Kryeministrisë dhe më pas me djegien e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve.

Unë kam një njohje me Bashën. Unë kam punuar pranë tij. Mund ta them sot. Deri në momentin kur u ngrit çadra, kam qenë një nga njerëzit më afër Lulzim Bashës. Shumë e shumë gjëra i ka bërë dhe me asistencën time. Nuk e diskutoj që bashkë me të tjerë po punonim që të shkonte drejt fitores. Te çadra ka marrë një thyerje që e ka vazhduar deri te djegia e mandateve. Unë jamçuditur me atë. Kam patur ndershmërinë që t’ia them ballë për ballë në sy. Ajo është një rrugë pa krye në të cilin hyri”, deklaroi Preç Zogaj. 

Preç Zogaj: Rama punon me dorë të rëndë, ndërton dhe abuzon shumë

Kryeministrin Edi Rama e konsideron nga politikanët apo pushtetarët me jetëgjatë në Shqipëri. Në një intervistë ndryshe për emisionin Opinion në Tv Klan, Zogaj u shpreh se vitet e fundit Rama nuk ka fituar për meritë, por për shkak të dobësisë së kundërshtarit politik.

Sa i përket gjurmës që do të lëjë në historinë e vendit, Zogaj e përfshin Ramën në kategorinë e atyre personave që “punojnë me dorë të rëndë por dhe abuzojnë shumë”.

Edi është një figurë qëndrore. Erdhi si një lloj fenomeni intelektual në pushtet. Është personi më jetëgjatë në pushtet. Ka përfituar shumë nga kundërshtarët. Për zgjedhjet e vitit të fundit kam pasur mendimin që Edi Rama nuk fiton por i ka ngelur fitorja në dorë. Të gjithë ata që kanë qeverisur këtu, ka lënë secili gjurmë. Ka dhe Edi Rama kontributin e vetë. Ajo që kam kontestuar unë lidhet me atë që ai ka ndërtuar me dorë të rëndë. Ndërtojnë por edhe abuzojnë. Punojnë por dhe marrin shumë. Kanë shumë theks propagandistik dhe bie në kundërshtim me gjithë principet  e mia. Ka gjasa që Edi Rama të jetë i pakushtëzuar në qeverisjen e tij dhe kjo mund t’i jetë kthyer në avantazh në këtë periudhë. Edhe Edi Ramën e pret transparenca që thashë për të gjthë që duhet të tregojë xhepat”, u shpreh Preç Zogaj. 

Zogaj për Metën: Pragmatizmi i tij e çoi partinë në kufijtë e ndërmarrjes për të përfituar nga pushteti

Analisti dhe publicisti Preç Zogaj, në një rrëfim ndryshe për emisionin Opinion në Tv Klan, e ka konsideruar Ilir Metën një politikan pragmatist të skajshëm, që e partinë e themeluar prej tij, LSI-në e ka çuar në kufijtë e një ndërmarrje.

Sipas Zogajt, përfaqësues të LSI e kanë parë këtë parti si mjet për të përfituar nga pushteti.

“Meta ka lënë edhe ai kujtimin e tij. Ka mundur të krijojë një formacion politik që thyen mallkimin e partive të vogla që nuk arrijnë të bëhen faktor. Ai arriti të bëhej faktor. Ai ka ndjekur një linjë pragratimste, pragmatizëm i skajshëm, i cili dalëngadalë e ka çuar partinë në kufijtë e një ndërmarrje dhe shumë njerëz që njohim ne që përfaqësojnë LSI-në pak e shumë janë më shumë për të përfituar nga pushteti se sa për të dhënë përmes pushtetit”, u shpreh Preç Zogaj. 

“Fatos Nano ka patur lirinë për të dhënë dorëheqjen”

Fatos Nanon, publicisti Preç Zogaj e konsideron si një nga figurat që ka luajtur rol të rëndësishëm në demokratizimin e Partisë Socialiste.

Në një rrëfim ndryshe për emisionin Opinion në Tv Klan, Zogaj tha se gjesti për t’u vlerësuar i Fatos Nanos ka qenë dorëheqja e tij në atë kohë pas humbjes së zgjedhjeve.

“Nano ka një rol shumë të rëndësishëm, me natyrën e tij ka ndikuar për demokratizimin e Partisë Socialiste. Ai ka lënë një kujtim, është që Nano ka pasur lirinë për të dhënë dorëheqjen. Është një liri e brendshme. Është shumë emancipues, nuk ka gjetur shumë pasues, dhe ka dhënë disa herë dorëheqje. E kishte natyrën e tij për t’i hedhur pushtetet, për t’i marrë në qoftë se e thërriste koha. Ka pasur një tjetër stil të drejtuari. Nano ka lënë këtë kujtim, kujtimi i një Kryeministri që humbet zgjedhjet edhe mirë u pafshim. Edhe atë e pret ajo që konsiderohet transparenca e gjithë lidershipit 30-vjeçar në Shqipëri, të gjithë do duhet të tregojnë xhepat”, tha Preç Zogaj. 

Zogaj: Përse u shkarkua Azem Hajdari nga drejtimi i PD dhe si u zgjodh kryetar Sali Berisha

Në një rrëfim të rrallë për emisionin Opinion në Tv Klan, analisti dhe publicisti Preç Zogaj ka treguar se si u lidh me Partinë Demokratike dhe si u zgjodh Sali Berisha në krye të kësaj partie dhe si u shkarkua Azem Hajdari nga drejtimi.

“Berisha është zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike më 14 Shkurt në një mbledhje të Kryesisë së sapozgjedhur. U bë një mocion në Komitetin Nismëtar për shkarkimin e Azemit. Disa nga anëtarët kishin vërejtje për mënyrën se si e drejtonte për disa gjëra.

Me votim e shkarkuan. Arben Imami dhe Azemi ikën, u  larguan, thanë kjo nuk është PD që kemi kriujuar ne, nuk e thanë me gojë por lanë ta kuptonin që nuk do ta pranonin. Aty pastaj ra një heshtje varri. Pak a shumë po pyesnim pa folur që çfarë bëmë kështu. Unë e kam argumentuar që kjo gjë nuk duhej të ndodhte. Unë propozova që i kemi krijuar degët, ne të bëjmë aktiv dhe të kalojmë te komiteti drejtues. U bë një mbledhje që zgjodhi kryesinë me votë. Berisha doli se mori më shumë vota.

Njerëzit në përgjithësi në Shqipëri e njihnin atë si lider. Edhe për shkak të një protagonizmi më të madh që kishte patur gjatë Dhjetorit. Unë kam qenë determiues në zgjedhjen e Berishës në 14 Shkurt bashkë me Neritan Cekën. Njerëzit ishin grupuar sipas njohjeve të mëparshme. Unë me Berishën kam pasur njohje përpara ’90, ai ishte kardiolog. Nuk fitoi 50+1 të votave.

Kishte njerëz që më kritikuan për qëndrimin që mbajta, sepse ata mendonin që nuk ishte mirë, mendonin që i kisha miq. Ata parashikuan që ai që unë e quajta drejtim kolegjial nuk do funksiononte. Përgjatë vitit deri sa erdhi kongresi i Tetorit ne u mblodhëm rreth Neritan Cekës dhe kemi avancuar dhe kemi dalë në kongres me Neritan Cekën”, u shpreh Preç Zogaj.

Preç Zogaj tregon çfarë ndodhi në mbledhjen e PD ku ishte dhe Rama: U largua sepse…

Publicisti i njohur Preç Zogaj në një rrëfim të rrallë përballë gazetarit Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka treguar detaje nga fillimet e demokracisë në Shqipëri.

Zogaj ka treguar versionin e tij për praninë e Edi Ramës në mbledhjet e para të Partisë Demokratike dhe largimin nga kjo forcë.

Sipas Zogajt, Rama ka shkuar me vonesë në takimet që organizonte PD, por sërish i dhanë një rol drejtues. Po ashtu ai thotë se Rama u largua pas një debati me Gramoz Pashkon, pasi sipas tij ka kuptuar që nuk kishte vend për të dy.

Mendimi im është ky, Rama dhe Pashko e panë njëri-tjetrin në sy dhe kanë menduar se nuk ka pasur vend për dy njerëz të periferisë së bllokut at. Edhe Berisha e la që të merrej me Gramoz Pashko me të. Rama përpiqej si radikal.

Rama përfaqësonte një korent të Partisë së Punës, ishte brenda atmosferës se ishte pjesë e një familje që ishin të mbushur kundër Ramiz Alisë. Ishte për një luftë për pushtet brenda llojit dhe jo për demokraci”, tha ndër të tjera Zogaj.

Preç Zogaj tregon “njollat” në biografi gjatë komunizmit: Dajën e babait e varën 3 ditë në Lezhë

Publicisti dhe analisti Preç Zogaj ka qenë sonte i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan në një rrëfim ndryshe të jetës dhe veprës së tij.

Zogaj ka treguar se gjatë viteve të regjimit komunist, ai dhe familja e tij kanë qenë me “njollë” në biografi.

Kjo për shkak të dy dajave të babait të tij. Ai thotë se njërin prej dajave të babait e kishin varur 3 ditë në Lezhë, ndërsa tjetri ishte zhdukur në lum.

Biografia ka qenë që në qoftë se prindërit e tu kshin lidhje me ndonjë të dënuar, pushkatuar kishin njollë në biografi në kuptimin e kritereve që kishte regjimi i kohës. Kisha dy dajat e babait që ishin pushkatuar nga komunizmi në vitin ‘46. Njëri prej tyre është lënë i varur 3 ditë në Lezhë. Kurse tjetri është zhdukur në lumin e Mirditës dhe eshtrat e tij nuk janë gjetur akoma. Babai im ishte nipi i tyre. E dyta kishte lidhje me familjen time, se ne ishim ish-pronarë toke”, tha ndër të tjera Zogaj.