“Ndërmarrja Kriminale e Përbashkët”, doktrina me të cilën Gjykata Speciale po e akuzon UÇK-në

Një aktakuzë e ngritur në prill të vitit 2020 nga Prokuroria e Gjykatës Speciale, e cila tash e një vit e gjysmë ka çuar në paraburgim politikanët kosovarë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, i akuzon ata për krime lufte, duke i cilësuar si një “Ndërmarrje Kriminale e Përbashkët”.

Ky term, që u bë i njohur në gjykimet e Tribunalit Ndërkombëtar për Luftërat në ish Jugosllavi, sipas ekipeve mbrojtëse dhe ekspertëve, është problematik, përfshin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe tenton ta rishkruajë historinë e shtetit që u ngrit me ndihmën e jashtëzakonshme ndërkombëtare. 

Një dokumentar i transmetuar në Emisionin Opinion të Blendi Fevziut në Tv Klan, i titulluar “Devijimi Special”, shtjellon këtë çështje dhe përplasjet mes palëve në Hagë.

“Kur lexon materialet që ata kanë ofruar, bëhet e qartë se Ndërmarrja Kriminale e Përbashkët, që ata pretendojnë̈, është në vetvete Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ekzistimi i atij grupi”, ka thënë Ben Emmerson, avokati i Ish Kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë një seance statusore në Hagë, të mbajtur më 29 tetor 2021.

Emmerson, duke u bazuar në materialet e shpalosura deri më tash, është i bindur se Prokuroria nuk ka rast dhe po përpiqet ta krijojë çështjen e saj rreth UÇK-së si “Ndërmarrje Kriminale e Përbashkët”.   

Nuk ka se si të lexohen ndryshe provat kundër z. Veseli, ose të të tjerëve, përveçse të thuhet se ajo që Prokuroria tani po përpiqet të provojë dhe të bëjë është të krijojë një rast se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një ndërmarrje kriminale”, ka thënë Emmerson.

Avokati i Hashim Thaçit, ndërkaq, Pierre Prosper, është shprehur se teoria e Prokurorisë se UÇK-ja është një organizatë kriminale është shumë problematike.

Është problematike nga aspekti i realitetit se çka ka ndodhur. Por, po ashtu, është problematike, sepse, nëse e thoni këtë, atëherë, nëse e zgjeroni këtë teori, ju po thoni se NATO dhe bashkësia ndërkombëtare janë renditur, me vetëdije, me një organizatë kriminale. Ne besojmë se kjo teori është e ekzagjeruar, e pasaktë dhe ka për qëllim të rivendosë dhe të korrigjojë historinë”, ka deklaruar Prosper.

Pika 35 e aktakuzës i portretizon si anëtarë të “Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët” pothuajse të gjithë udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të UÇK-së – nga Shtabi i Përgjithshëm, Komandantët dhe Zëvendëskomandantët e Zonave, të Brigadave, të Njësiteve, e deri te ushtarët më të thjeshtë dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së.

Prokurori Jack Smith, megjithatë, nuk mendon se Zyra e tij është duke e akuzuar UÇK-në. 

Zyra e Prokurorit Special nuk ngre akuza kundër UÇK-së, ose kundër luftës së bërë̈ për pavarësinë̈. Nuk është as dëshira, as detyra e ZPS-së, ose e imja, për ta bërë një gjë të tillë”, ka thënë Jack Smith.

Por, a i rrëshqiti fjala Prokurorit Special kur në një seancë statusore, më 7 tetor 2021, përmendi shprehimisht “krimet e UÇK-së”, teksa fliste për një klimë frike të njerëzve për t’i treguar Gjykatës atë që ata dinin?

Është realitet se kjo klimë ka funksionuar në të kaluarën për t’i parandaluar dëshmitarët që të vijnë në Gjykatë për të thënë atë që ata dinë për krimet e UÇK-së”, ka deklaruar Smith.

“UÇK nuk ishte strukturë e organizuar, por reagim i popullit ndaj shtypjes nga Serbia”

Një dokumentar i transmetuar në Emisionin Opinion të Blendi Fevziut, i titulluar “Devijimi Special”, ekspertë kushtetues dhe gazetarë kanë komentuar përdorimin e doktrinës “Ndërmarrja Kriminale e Përbashkët”, me të cilën Prokuroria Specialen në Hagë akuzon figurat e larta të UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Ata thonë se UÇK-ja nuk ishte një organizatë e strukturuar mirë, por një reagim i popullit ndaj shtypjes nga Serbia.

Sipas tyre, me një gjykim të drejtë, kjo akuzë do të duhej të hidhej poshtë.

“Aktakuza e ngritur nga Gjykata Speciale për një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale është një konstruksion i padrejtë dhe i paqëndrueshëm, për faktin se lufta e Kosovës nuk ka qenë luftë e një ushtrie të rregullt, një ushtrie të organizuar shtetërore, por ka qenë një luftë guerile, e vullnetarëve dhe se as që ka mundur të bëhet fjalë për fiksione të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale. Në fakt, Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale ka qenë gjenocidi i Serbisë ndaj Kosovës, ku edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë është vërtetuar se ka qenë një Ndërmarrje e Përbashkët Shtetërore dhe krerët e shtetit serb janë dënuar….”, thotë Arsim Bajrami, profesor i së drejtës kushtetuese.

Gazetari Blendi Fevziu, ndërkaq, shprehet se ideja për të krijuar një linjë komandimi të kriminalizuar të UÇK-së, sipas tij, është e gabuar dhe do të dështojë edhe juridikisht.

“Nuk ka qenë UÇK-ja kaq strukturë e mirë-organizuar kur linja e komandimit funksiononte nga maja deri në bazën e piramidës. UÇK-ja ka qenë reagimi i një populli ndaj dhunës dhe ndaj shtypjes ndaj tij, ndaj krimeve ndaj tij, ka qenë një reagim i çdo zone. Më kujtohet në atë kohë, kam parë kam takuar me dhjetëra shqiptarë, që shkonin drejt Kosovës, që vinin dhe vishnin uniformën e UÇK-së, pa e ditur as kush ishte komandant dhe as kush ishte drejtues i UÇK-së. Ata shkonin në luftë për të luftuar për vendin e tyre, për të mbrojtur familjet e tyre, për të mbrojtur të afërmit e tyre. Kështu që, në këtë aspekt, ideja për të krijuar një linjë komandimi të kriminalizuar të UÇK-së, në gjykimin tim, është e gabuar dhe do të dështojë, do të dështojë edhe juridikisht”, deklaron Fevziu.

Avokati Artan Qerkini, më tutje, duke folur në dokumentarin “Devijimi Special”, thotë se Prokurorisë së Gjykatës Speciale i konvenon përdorimi i termit “Ndërmarrje e Kriminale e Përbashkët”.

“Nëse i shikojmë aktakuzat, sidomos ndaj krerëve të UÇK-së, Prokuroria po mundohet që ta afirmojë këtë formë të përgjegjësisë penale dhe kjo i konvenon Prokurorisë, sepse është një përgjegjësi jashtëzakonisht e zgjeruar. Dhe, nëse e merr për bazë këtë formë të përgjegjësisë, ajo e ka shumë më lehtë që t’i ngarkojë me përgjegjësi penale të akuzuarit”, thotë Qerkini.

Për gazetarin Mero Baze, UÇK-ja nuk ishte organizatë e strukturuar mirë, e aq më tepër kriminale. “E vërteta është se gjithë organizimi i UÇK-së nuk i përngjan as një organizate dhe as një gjëje kriminale… UÇK-ja nuk u krijua kurrë si një organizatë piramidale, që të kishte një komandant, të kishte një autoritet, dhe kjo nuk e bën atë organizatë të strukturuar, e aq më tepër kriminale, për shkak se ata ishin të gjithë njerëz që luftonin në shtëpitë e tyre. Dhe nuk mund të jetë kriminel një njeri që mbron shtëpinë e vet, e të jetë i pafajshëm ai që vjen ta vrasë te shtëpia e vet. UÇK-ja nuk ishte një organizatë që doli nga shtëpitë e Kosovës, doli nga kufijtë e Kosovës dhe shkoi luftoi diku tjetër. Ishin njerëz që u organizuan për vetëmbrojtjen e tyre”, thotë ai. 

“Në Hagë nuk po gjykohen individët, por UÇK-ja”

Narracioni për themelimin e Gjykatës Speciale se do të gjykoheshin individë për krimet e pretenduara, dhe jo lufta e UÇK-së, pas ngritjes dhe shpalosjes së aktakuzës me të cilën u ngarkuan politikanët kosovarë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duket se ka humbur peshën e vetë.

Në një dokumentar të transmetuar në Emisionin Opinion të Blendi Fevziut në Tv Klan, i titulluar “Devijimi Special”, ekspertë kushtetues dhe analistë thonë se në të vërtetë në Hagë po gjykohet UÇK-ja.

Sipas analistit Ismail Tasholli, deklarimet se po gjykohen individët e jo UÇK-ja, janë një diskurs i vjetër i Sllobodan Millosheviqit.

“Pohimet se nuk po gjykohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por disa individë, fatkeqësisht, na rikthejnë tek diskursi dhe ligjërimi politik i Millosheviqit gjatë kohës së luftës, kur ai thoshte se populli është rehat, por disa individë të frustruar dhe të revoltuar po përpiqen që ta përmbysin rëndin e asaj kohe. Por, e vërteta është se në Hagë nuk janë disa individë, por atje është ideja e lirisë së Kosovës”, thotë ai.

“Është evidente se procesi nuk është individual. Nuk po gjykohen atje njerëzit e thjeshtë. Po gjykohen udhëheqësit dhe themeluesit e UÇK-së. Dhe, sado që thuhet se ‘ne nuk po duam ta dëmtojmë luftën e UÇK-së, por po merremi me individë’, kjo është e paqëndrueshme, sepse tendenca është e hapur: denigrimi i luftës së UÇK-së për efekte politike”, shprehet profesori i së drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami.

Për analistin Shkodran Ramadani,ndërkaq, termi “Ndërmarrje Kriminale e Përbashkët”, synon ta implikojë gjithë UÇK-në.

“Termi Ndërmarrje Kriminale e Përbashkët, edhe pse thuhet që ka të bëjë me emra të përvetshëm, në fakt synon të implikojë gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e rrjedhimisht edhe përpjekjen e popullit të Kosovës për liri, sepse nuk mund të kuptohet lufta e popullit të Kosovës për liri, pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, thotë ai.

Legjislacioni kosovar nuk parasheh shprehimisht “Ndërmarrjen Kriminale të Përbashkët”

Kur në vitin 2015, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan ndryshimet kushtetuese që mundësonin themelimin e Gjykatës Speciale, ata ishin të bindur se po ngrihej një gjykatë vendase, e jo ndërkombëtare.

Njësoj kishte besuar edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila, kur në prill të vitit 2015 trajtoi amendamentin kushtetues që lejonte themelimin e Gjykatës Speciale, konstatoi se ai parashihte që Dhomat e Specializuara do të themelohen në kuadër të gjykatave tashmë të themeluara brenda sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës.

Dokumentari i transmetuar në Emisionin Opinion të Blendi Fevziut në Tv Klan, i titulluar “Devijimi Special”, shpjegon hollësisht çështjen e juridiksionit të Dhomave te Specializuara.

Shqetësimet janë ngritur se Gjykata Speciale po tenton të dalë jashtë veprimtarisë së juridiksionit që ka, dhe se prapa kësaj çështjeje dyshohet se ka një kleçkë që lidhet me thelbin e aktakuzës: atë të Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët.

Avokati i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, britaniku Ben Emmerson, ka pohuar se Dhomat e Specializuara po zbatojnë një ligj material të ndryshëm nga gjykatat tjera të Kosovës dhe po diskriminojnë themeluesit e UÇK-së në raport me të akuzuarit tjerë në rrethana të ngjashme, dhe si rrjedhojë – po sillet si Gjykatë e Jashtëzakonshme, në kundërshtim të Nenit 103.7, të Kushtetutës së Kosovës.

Ky nen shprehimisht ndalon Gjykatat e Jashtëzakonshme.  

Gjykata të specializuara mund të themelohen me ligj kur kjo të jetë e nevojshme, por në asnjë mënyrë nuk mund të themelohen gjykata të jashtëzakonshme”, thuhet në Nenin 103 (7) të Kushtetutës së Kosovës.

Në sfidimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale, Emmerson ka deponuar argumentet e tij, sipas të cilave, Dhomat e Specializuara, duke anashkaluar legjislacionin kosovar, në kundërshtim me dispozitat e Kushtetutës së Kosovës, po synojnë të aplikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtën zakonore ndërkombëtare.

Kjo, me gjasë, për ta bërë të mundur përdorimin e doktrinës së “Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët”.

Ai e konsideron të pakontestueshëm faktin se të akuzuarit duhet të gjykohen sipas ligjit i cili ishte në fuqi në kohën kur pretendohet se janë kryer veprat, e që në këtë rast është Kodi Penal i ish Jugosllavisë, i vitit 1976, i cili, në formën e përgjegjësisë, nuk parasheh “Ndërmarrjen Kriminale të Përbashkët”.

Sipas avokatit britanik, të akuzuarit janë të mbrojtur nga zbatimi prapaveprues i dispozitave jo të favorshme të ligjit penal, sipas të drejtave që ua garanton Kushtetuta e Kosovës dhe Ligjit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut.

Ashtu si Kodi Penal i ish-Jugosllavisë i vitit 1976, as Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji për Dhomat e Specializuara nuk parashohin shprehimisht aplikimin e Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët.

Një person i akuzuar për një vepër penale që ka ndodhur në territorin e RFJ-së në vitin 1998 ka përfituar nga disa masa mbrojtëse sipas kushtetutës në fuqi në atë kohë, Kushtetutës së RSFJ-së të vitit 1974. Ashtu si kushtetuta e Kosovës edhe kushtetuta e RSFJ-së e vitit 1974 e ndalonte shprehimisht aplikimin e drejtpërdrejtë të së Drejtës Ndërkombëtare Zakonore për të vërtetuar veprën penale… Ky ishte ligji në fuqi në kohën e sjelljes së kontestuar. Ky është ligji që Gjykata Kushtetuese Serbe dhe Gjykata e Apelit e Malit të Zi ka vendosur që duhet të zbatohet për prokuroritë për të njëjtën sjellje që zhvillohen në të njëjtin territor, në të njëjtën kohë”, thuhet në një shkresë të Emmerson.

Gjykimet për krime lufte në Kosovë, të zhvilluara nga gjykatat vendase, nën administrimin dhe lehtësimin e misioneve ndërkombëtare UNMIK dhe EULEX, janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen mbi Kodin Penal të ish Jugosllavisë të vitit 1976.

Avokati Artan Qerkini, duke folur në dokumentarin “Devijimi Special”, pohon se është parim i përgjithshëm se ndaj kryerësit të pretenduar zbatohet ligji i cili ka qenë në fuqi në kohën kur pretendohet se janë kryer veprat. Në lidhje me këtë rregull, ekziston një përjashtim: përjashtimi është nëse ligji i mëvonshëm është më i favorshëm për të pandehurin.

“Në bazë të një analizë të thjeshtë të Ligjit për Dhomat e Specializuara, do ta vërejmë se ky ligj nuk është më i favorshëm. Prandaj, për të pasur një gjykim të drejtë, në përputhje me standardet ndërkombëtare, mendoj se Gjykata Speciale në rastet të cilat janë në gjykim para saj duhet ta përdorë Kodin Penal të ish RSFJ-së, sepse në shumë aspekte është më i favorshëm për të pandehurit”, thotë Qerkini.

Ambasadorët thonin se Specialja do jetë Gjykatë e Kosovës, por a po tradhtohet Kosova?

Kur lidershipi kosovar përballej me kërkesën ndërkombëtare për themelimin e Gjykatës Speciale, karakteri vendas i Dhomave të Specializuara nuk ishte vënë në dyshim asnjëherë nga Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.

Ata flisnin qartësisht për një Gjykatë të Kosovës.

Ndërkohë, Gjykata Speciale në Hagë duket se po tenton që të dalë jashtë veprimtarisë së juridiksionit që ka, me aplikimin e doktrinës “Ndërmarrje Kriminale e Përbashkët”, me të cilën akuzon katër figurat e larta të UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Më poshtë, deklaratat e disa ambasadorëve në Kosovë, të transmetuara në dokumentarin “Devijimi Special”, në Emisionin Opinion të Blendi Fevziut në Tv Klan.

TraceyAnnJacobson, ish-ambasadore e SHBA-ve në Kosovë: Kosova e ka mundësinë tani që të punojë së bashku me komunitetin ndërkombëtar, të krijojë këtë Gjykatë – e cila do të jetë nën ligjet e Kosovës… Nëse Kosova dështon në këtë rrugë, me siguri çështja do të shkojë në unionin ndërkombëtar dhe atëherë do ta keni Hagën 2”.

Stephen Rapp / Ambasador i SHBA-së për Krime Lufte në Departamentin Amerikan të Shtetit: Formula me të cilën është pajtuar BE-ja është një Gjykatë e Kosovës e themeluar me legjislacion të Kosovës, por me financim dhe përkrahje aktive nga BE-ja”.

IanCliff, / Ish Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë: “Personalisht mendoj se duhet të jetë një lloj Gjykate e Kosovës, pasi që nuk ka Gjykatë të BE-së dhe nuk duhet të jetë e OKB-së. Prandaj, duhet të jetë një formë e Gjykatës së Kosovës”.

Robert Bosch, Ish Ambasador i Holandës në Kosovë: Gjykata është sipas ligjeve të Kosovës”.

Shefat e Misioneve të vendeve BE-së në Kosovë: “Prioriteti më vendimtar për BE-në dhe Shtetet e saj Anëtare është respektimi i sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Për këtë arsye, ne kemi mbështetur fuqimisht krijimin e Dhomave të Specializuara, si pjesë integrale e sistemit të Kosovës për sundimin e ligjit dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë derisa të përmbushet misioni i Dhomave, ndaj të cilave edhe Kosova është e përkushtuar”.

Profesori i së drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami, thotë se Kosova u keqpërdor.

“Kosova është keqpërdorur. Është thënë se kjo do të jetë një prej gjykatave të Kosovës, por në të vërtetë nuk ka asgjë, asgjë të Kosovës… Është plotësisht në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, edhe pse është themeluar mbi bazën e Amendamentit 24 në Kushtetutë, sepse ajo gjykatë nuk pranon fare shtetin e Kosovës, nuk pranon fare pavarësinë dhe juridiksionin e Kosovës. Kjo po shihet edhe nga gjykimi që po zhvillohet, ku praktikisht nuk ka asnjë simbol të Kosovës. Thirrja në emër të Kosovës dhe keqpërdorimi i Kosovës është një manipulim shumë i rëndë që po bën kjo gjykatë, sepse ajo nuk po respekton fare Ligjin Penal, Kodin Penal të Kosovës, po përkundrazi po promovon praktika të panjohura penalo-juridike në këtë proces gjyqësor”, shprehet ai.

Dokumentet e CIA-s dhe Departamentit Amerikan si prova shfajësuese që Prokuroria Speciale i mbajti fshehtë

Avokati amerikan Gregory Kehoe, i cili mbron ish Presidentin Hashim Thaçi, në një seancë gjatë shkurtit të këtij viti, u pa në kulmin e frustrimit, pasi kishte zbuluar se Prokuroria Speciale kishte mbajtur të fshehta disa prova shfajësuese për të akuzuarit – mes të cilave edhe ajo e dhënë nga ish diplomatit i lartë i OSBE-së, Dan Everts.

Everts, që ka shërbyer në Kosovë menjëherë pas luftës, mes tjerash, i kishte thënë Prokurorisë se veprimtaritë kriminale, pas qershorit të vitit 1999, janë kryer nga individë që kërkonin një rast për përfitime personale, e nuk ishin pjesë e një fushate të organizuar nga udhëheqja shqiptare.

Asgjë nga kjo nuk na u dorëzua teksa po i shtjellonim dhe diskutonim provat. Asgjë nga kjo nuk i është dhënë shkëlqesisë suaj. Asgjë. Dhe ata e kishin këtë informacion për katër vjet. Dhe Prokurori Special supozohet se e kërkon të vërtetën. E megjithatë, shkëlqesia juaj kurrë nuk e kishit këtë dokument. Ai, madje, nuk ju tha as juve se provat që kishin në posedim – dëshmojnë se ata nuk janë fajtorë, se ka një dyshim të arsyeshëm për të gjitha këto. Por, po i mbajnë në burg pafundësisht”, ka deklaruar Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe.

“Pjesa tjetër e dëshmitarëve të OSBE-së, që ata mendojnë se përbëjnë prova fajësuese, u dorëzuan. U dorëzuan në gusht 2021. Të vetmin që lanë jashtë ishte ai. Pse?Pse e lanë jashtë?”, është shprehur Kehoe.

Prokuroria është akuzuar se ka mbajtur të fshehtë një letër të Departamentit Amerikan të Shtetit, e datës 4 maj 1999, në të cilën thuhet se nuk kishte strukturë politike ose komandë dhe kontroll efikas të UÇK-së.

I fshehur ishte mbajtur edhe një raport i CIA-s, i janarit të vitit 2000, në të cilin thuhej se UÇK-ja nuk kishte kryer akte terroriste kundër caqeve civile.

Në një dokumentar në Emisionin Opinion të Blendi Fevziut, i titulluar “Devijimi Special” është zbuluar saktë se çfarë shkruhej në këto letra.

Letra e Departamentit Amerikan të Shtetit: Për më tepër, pasi nuk ka strukturë politike në Kosovë ose komandë dhe kontroll efektiv të UÇK-së, do të duheshin shumë muaj, nëse jo vite, për t’i organizuar ata që të përdorin dhe mirëmbajnë çdo ndihmë ushtarake që Shtetet e Bashkuara do të ofronin”.

Raporti i CIA-s: “Udhëheqja e UÇK-së nuk duket të jetë përfshirë në operacione të drogës për të mbështetur aktivitetet e saj gjatë luftës…”

“UÇK-ja nuk ishte e përfshirë në aktivitete terroriste – të përcaktuara si dhunë e paramenduar, e motivuar politikisht, e ushtruar kundër caqeve civile”.

Fshehja e provave shfajësuese është konsideruar me pasoja të rënda dhe shkelje e të drejtave të njeriut, ndërsa mbrojtja ka kërkuar në procesin e shpalosjes së materialeve dhe dëshmive të instalohet një mbikëqyrje e pavarur.

“Kjo çështje ka pasoja të rënda. Ka implikime që janë më të gjera se këto procedura, më të gjera se Dhomat e Specializuara. Implikimet janë të tilla që thyejnë, tundin themelet e sistemit ndërkombëtar të drejtësisë. Prokuroria ka tradhtuar detyrën e saj për të sjellë të vërtetën”.

“Në vend që t’i lënë faktet të çojnë drejt përfundimit, ata kanë vendosur t’i lakojnë faktet për qëllimet e tyre të dëshiruara. Tani, nëse mendoni për këtë, kjo është shkelje e të drejtave të njeriut”, ka thënë  avokati Pierre Prosper, që po ashtu është pjesë e ekipit mbrojtës të ish Presidentit Hashim Thaçi.

Sipas avokatit kosovar, Artan Qerkini, nëse Prokuroria ka bërë një gjë të tillë, atëherë nuk bëhet fjalë për gjykim të drejtë.

“Prokuroria në fazën e hetimeve vepron si organ shtetëror dhe mbrojtja nuk i ka ato mjete në dispozicion që i ka prokuroria. Për këtë arsye është parashikuar me ligj që prokuroria të mbledhë edhe prova shfajësuese, sepse aty ku ka qasje prokuroria nuk ka qasje mbrojtja. Dhe nëse prokuroria nuk e ka bërë një gjë të tillë, atëherë nuk mund të flasim  për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm”, shprehet ai. 

“Prokuroria gënjeu që në fillim kur tha se ishte gati për gjykim”

Pas arrestimit të katër figurave të larta të UÇK-së, Prokuroria e Gjykatës Speciale në Hagë ishte shprehur për fillimin e shpejtë të procesit gjyqësor ndaj tyre, duke thënë se ajo do të ishte e gatshme më së largu në verën e vitit 2021.

Ky qëndrim i Prokurorisë, sipas ekipeve mbrojtëse, po përdorej për ta pamundësuar lirimin me kusht të të akuzuarve.

Prokurori Jack Smith kishte thënë se ishin të gatshëm që gjykimi të fillonte më së voni në shtator të vitit 2021.

Por, tashmë ka kaluar një vit e gjysmë dhe gjykimi ende s’ka filluar.

Një dokumentar i transmetuar në Emisionin Opinion të Blendi Fevziut në Tv Klan, i titulluar “Devijimi Special”, sjell deklaratën e Avokatit të ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Ben Emmerson, sipas të cilit, Prokuroria, që nga fillimi, ka gënjyer Gjykatën, kur rezistuan ndaj kërkesës për lirim të përkohshëm të të akuzuarve, në pritje të gjykimit.

“Prokuroria, që nga fillimi, le ta themi këtë në mënyrën më diplomatike të mundshme, ka pasur një marrëdhënie rastësore ekstreme me të vërtetën. Ata ju gënjyen fare në fillim kur rezistuan ndaj kërkesës sonë për lirim të përkohshëm, në pritje të gjykimit, dhe ju bindën juve që këta burra t’i mbani në arrest…”.

“Çdo tik-tak i orës, çdo sekondë, tani, përderisa këta burra janë në arrest, duhet të peshojë rëndë në mendimin tuaj, i nderuar Gjykatës”.

“Në të kundërtën, i gjithë ky institucion po shfaqet si një turp. Po shfaqet si një institucion në të cilin Prokuroria është e lirë të arrestojë njerëz edhe kur nuk e ka idenë se cili është rasti i tyre, janë të lirë që ta gënjejnë Gjykatën në mënyrë të përsëritur dhe të shpëtojnë pa u ndëshkuar. E megjithatë, bota po shikon, dhe ne jemi në një situatë ku Gjykata ka filluar të duket e menaxhuar jashtëzakonisht keq në dëm të të pandehurve individualë që mbahen në paraburgim”,ka deklaruar Ben Emmerson.

Prokuroria në Hagë synon që gjykimi i krerëve të UÇK të jetë më i gjatë se ndaj Millosheviçit dhe bashkëpunëtorëve të tij

Një nga pyetjet më të mëdha, përgjigjen e së cilës opinioni në Kosovë dëshiron ta dijë, është ajo se sa do të zgjasë gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë tash e një vit e gjysmë.

Dokumentari “Devijimi Special”, i transmetuar në Emisionin Opinion të Blendi Fevziut në Tv Klan, sjell krahasimin mes orëve të përdorura në rastin e të akuzuarve serbë dhe kroatë në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës dhe kërkesën e Prokurorisë Speciale për kohën që thotë se i nevojitet për ta paraqitur rastin e saj ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Prokuroria Speciale po tenton që politikanët kosovarë t’i vërë para një gjyqi shumëfish më të gjatë sesa të ish bashkëpunëtorëve të Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit, duke kërkuar që të përdorë më shumë se 6-fishin e kohës së përdorur në rastet e të akuzuarve serbë për krimet e kryera në tri luftërat e Ballkanit – në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci.

Prokurori Jack Smith ka kërkuar 1 mijë e 863 orë që ta paraqesë çështjen kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Kjo nënkupton që procesi gjyqësor të zgjasë afërsisht 10 vjet.

Në rastin e Sllobodan Millosheviçit, Prokuroria përdori gjithsej 360 orë për të paraqitur provat e saj, që përfshinte edhe pyetjet e bëra nga mbrojtja.

Për gjykimin e Nikolla Shainoviç, në Tribunalin e Hagës, Prokuroria kishte shpenzuar 166 orë, ose rreth 10 muaj kohë.

Për gjykimin e kroatit Jadranko Prliç, Prokuroria kishte shpenzuar 296 orë, ose 1 vit e 10 muaj kohë.

Avokati Artan Qerkini thotë se kjo kërkesë e Prokurorisë që të ketë kaq shumë kohë për paraqitjen e rastit të saj, tregon se atyre ju mungojnë faktet dhe provat.

Gazetari Mero Baze, ndërkaq, shprehet se përshtypja e parë është se Prokuroria Speciale është gjendur përpara një kurthi profesional në këtë histori.

Duke qenë se ngritja e Gjykatës Speciale u bë nën presion politik të madh ndërkombëtar dhe u fry, u mbars ideja që ka shumë fakte, shumë prova për ta, dhe kur Prokuroria ka parë dosjet, ka konstatuar që nuk ka prova. Dosjet e tyre janë të mbushura me google search… Prokuroria, për mendimin tim, gjendet përpara një vështirësie reale për të gjetur fakte kundër tyre sesa i duhet kohë për t’i shqyrtuar faktet”, thotë Baze.

Analisti Ismail Tasholli, ndërkaq, shprehet se të kërkohet një gjykim kaq i gjatë është absurde, thua se Kosova ishte agresori më i madh në Ballkan, krahasuar me Serbinë që ishte shkaktarja e tri luftërave dhe qindra e mijëra viktimave.

“Kjo pos tjerash, është edhe tendencë e devijimit të historisë”, thotë ai.

“Më kishte marrë malli”, Rama zbulon në Opinion dhuratën speciale që i ka bërë Thaçit në Hagë

I ndodhur në qelinë e burgut të Haglendenit në Hagë prej Dhjetorit të 2020, ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka patur si vizitor disa ditë më parë kryeministrin shqiptar Edi Rama. Pas bashkëbisedimit që ka zgjatur pak më shumë se 2 orë, Edi Rama ka pohuar se ka kuptuar se Hashim Thaçi është edhe më i bindur për pastërtinë dhe domosdoshmërinë e krijimit të UÇK-së.

Ndërkohë, mbrëmjen e sotme në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, kryeministri Rama ka dhënë detaje të tjera në lidhje me takimin që ka pasur me ish-presidentin Thaçi. Rama ka treguar se arsyeja që ka vizituar Thaçin në Hagë është se e kishte marrë malli.

Blendi Fevziu: Cila ishte arsyeja që vizitove Hashim Thaçin në Hagë?

Edi Rama: Tek ai formulari që unë plotësova, pyetja ishte se cila është arsyeja dhe unë shkruajta “më ka marrë malli”. Arsyeja ishte se më kishte marrë malli.

Blendi Fevziu: E shkruajte sinqerisht atë?

Edi Rama: Natyrisht që sinqerisht.

Gjatë bisedës, kryeministri Rama ka zbuluar se i ka dërguar dhuratë në Hagë ish-presidentit të Kosovës një arkë me libra të cilat lidhen kryesisht me historinë e shqiptarëve.

Blendi Fevziu: Sa kohë qëndruat? Qëndruat disa orë besoj?

Edi Rama: Po kemi qëndruar disa orë.

Blendi Fevziu: Cila ishte tema e bisedës?

Edi Rama: Kemi folur për të gjitha gjërat, kemi folur për shëndetin dhe më ka treguar që për herë të parë qëkur bën analiza, trupi i tij është me të gjitha parametrat optimal. Më ka treguar për stërvitjen që bën, kemi folur për libra të ndryshëm.

Blendi Fevziu: I çove dhuratë?

Edi Rama: Po, një arkë të madhe me libra, por nuk e mori në atë moment sepse duhet të kalonte në një proces… Çova një mori librash. Kryesisht libra që lidhen me historinë e shqiptarëve, që tek Skëndërbeu, tek librat që kanë dalë për Zogun, për fëmijërinë e Zogut, për fëmijërinë e Zogut. Pastaj libra për Ballkanin dhe kështu me radhë dhe besoj se do t’i pëlqejnë. Besoj se ka lexuar ndonjë tek-tuk por nuk besoj t’i ketë lexuar që të gjithë.

Ish-krerët e UÇK-së në Hagë, Rama: Fundi do të jetë rënia e të gjitha këtyre akuzave absurde

Një aktakuzë e ngritur në Prill të vitit 2020 nga Prokuroria e Gjykatës Speciale, e cila prej një viti e gjysmë ka çuar në paraburgim politikanët kosovarë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin dhe i akuzon ata për krime lufte, duke i cilësuar si një “Ndërmarrje Kriminale e Përbashkët”.

Lidhur me këtë, ka komentuar dhe kryeministri i vendit Rama, i cili tha se kjo ngjarje është një absurd i madh, fundi i së cilës është i bindur se do të jetë një rënie e të gjithë këtyre akuzave, të cilat siç i quan Rama janë absurd.

Edi Rama: Është një ngjarje e cila ka brenda një absurd shumë të madh dhe jam i bindur që do të jetë me një fund i cili nuk ka se si të jetë ndryshe përveçse riafirmim i drejtësisë së Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe rënie e të gjitha këtyre akuzave absurde, por që do të mbetet sidoqoftë një plagë në lëkurë për të gjithë ata që janë të detyruar të kalojnë përmes atij kalvari. Me një numër vitesh marramendës dhe krahasur me atë që ndodhi me të tjerët më parë që ishin dhe në krye të makinerisë së spastrimit etnik, është surreal, është absurde dhe e paimagjinueshme.

Gjatë intervistës për “Opinion”, Rama shton se të akuzosh UÇK-në për organizatë kriminale është një gjë që shkon përtej të gjitha llojave për të mirëkuptuar atë që po ndodh.

Edi Rama: Të akuzosh UÇK-në për ndërmarrje kriminale është diçka që shkon përtej të gjitha llojeve për të kuptuar apo mirëkuptuar atë që ndodh.

Gjëja që e preku më shumë Ramën gjatë takimit me Thaçin në Hagë? Kryeministri përgjigjet pa dorashka

Që në Prill të vitit 2020, një aktakuzë e ngritur nga Prokuroria e Gjykatës Speciale, e cila prej një viti e gjysëm ka çuar në paraburgim politikanët nga Kosova, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, i akuzon ata për krime lufte, duke i cilësuar si një “Ndërmarrje Kriminale e Përbashkët”.

Ditë më parë, kryeministri i vendit Edi Rama ka shkuar në Hagë dhe ka takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin. Por a ka mundur Rama që të takojë dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së?

Blendi Fevziu: Ju takuat Thaçin, a patët mundësi që të takonit dhe drejtuesit e tjerë?

Edi Rama: Jo.

Blendi Fevziu: A ishte strikt protokolli?

Edi Rama: Mesa pashë, shumë strikt. Ai në fund të ditës është burg, nuk është as spital dhe as qendër rehabilitimi.

Blendi Fevziu: Si ndihen të akuzuarit e tjerë, a ju tha diçka?

Edi Rama: Jo, ai tha që të gjithë janë me mendje të fjetur që kjo është për t’u kaluar dhe ne do ta kalojmë dhe kaq. Nuk kishte në këtë sens asgjë tjetër përveç shqetësimit të familjes, të njerëzve që janë jashtë.

Gjatë intervistës, Kryeministri Rama ka dhënë detaje të tjera nga takimi me ish-presidentin e Kosovës, Thaçin duke thënë se momenti që e ka prekur më shumë ka qenë ai i pritjes në burg.

Blendi Fevziu: Cila ishte gjëja që ju preku më shumë emocionalisht në momentin që e takuat apo pas takimit?

Edi Rama: Emocionalisht ishte prekës momenti i pritjes për të ardhur në takim sepse natyrisht unë isha më parë dhe pastaj Hashimi erdhi. Momenti i pritjes ishte prekës pasi ai është edhe lloji i njeriut që vjen gjithmonë në orar dhe vonesa kishte të bënte me faktin që ai nuk ishte një njeri i lirë, por ishte një njeri i penguar nga procedura të caktuara.

Rama: Thaçi do të ishte presidenti i propozuar nga ne padiskutim nëse…

Nëse Hashim Thaçi do të ishte i lirë socialistët do ta votonin atë si President. Kështu u përgjigj Kryeminstri Edi Rama ditë më parë kur gazetarët i risollën në vëmendje një deklaratë të bërë kohë më parë në Kuvendin e Kosovës për një president të përbashkët.

Në lidhje me këtë deklaratë të tij, kryeministri i vendit Rama është shprehur se kishte parasysh konkretisht Hashim Thaçin për atë që ai është si president dhe për të gjitha dhuntitë e tij në botën e politikës shqiptare.

Blendi Fevziu: Para pak kohësh deklaruat se do të donit një president si Hashim Thaçi, duke iu referuar modelit të presidentit të ri të Shqipërisë. Çfarë kishit parasysh me këtë?

Edi Rama: Kisha parasysh konkretisht Hashim Thaçin për atë që ai është si president, jo për raportin me mua. Sepse thashë që është një njeri me një dhunti të jashtëzakonshme. Unë nuk njoh një njeri tjetër në botën e politikës shqiptare që ka atë kombinim mes dhuntisë të njeriut politik për të dalë fitues në çdo situatë. Durimit të madh për të përballuar pa shfaqur asnjë gjë momentet më të vështira dhe vullnetit të jashtëzakonshëm për të arritur aty ku do dhe në kushtet e gjithë eksperiencës që Hashimi ka pasur dhe në gjithë rrugën që ai ka ndjekur për të arritur në majë të hiearkisë shtetërore të Kosovës, do të ishte një president i shkëlqyer.

Rama shton se nëse nuk do të ishte kjo pamundësi dhe nëse nuk do të ishte ndalesa kushtetuese, Thaçi do të ishte padyshim presidenti i propozuar nga socialistët për t’u vendosur në krye të Republikës së Shqipërisë.

Edi Rama: Për Hashimin, edhe nëse nuk do të ishte në pamundësi, do të ishte e vështirë për shkak të Kushtetutës që e ndalon, por nëse nuk do të ishte ndalesa kushtetuese, ai do të ishte presidenti i propozuar nga ne padiskutim.

Takimi me Thaçin në Hagë/ Hera e parë që Rama hynte në një burg, kryeministri rrëfen ndjesitë

Vizita e kryeministrit të vendit Edi Rama në Hagë për të takuar ish-Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, i cili po mbahet në burg për akuzat e krimeve të luftës dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së Kosovës, ka shënuar herën e parë që Rama ka hyrë në një burg.

Lidhur me ndjesitë dhe si e përjetoi një gjë të tillë, kryeministri Rama ka treguar për emisionin “Opinion” në Tv Klan se i është dukur si një spital, por natyrisht shton se nuk kishte asgjë që mund t’i bënte përshtypje pozitive.

Blendi Fevziu: Rama, ai ishte hera e parë që hyje në një burg?

Edi Rama: Po, e para.

Blendi Fevziu: Si t’u duk?

Edi Rama: Me thënë të drejtën, po të mos kesh parasysh gjithë ata dyer që hapen, aty ishte si një spital goxha i mirë si cilësi. Por ata dyert që hapen e mbyllen, ata muret rreth e rrotull, natyrisht që nuk ka asgjë për t’u impresionuar pozitivisht.

Por a do të rikthehet kryeministri Rama sërish që ta takojë ish-presidentin e Kosovës në Hagë?

Blendi Fevziu: Do të riktheheni që ta takoni sërish?

Edi Rama: Unë shpresoj që ai parashikimi yt të mos realizohet, sepse nëse ai do të jetë për 10 vjet aty, atëherë unë do të planifikoj të shkoj dhe 10 herë në Hagë./tvklan.al