Ori Nebiaj i kërkon Bashës të japë dorëheqjen nëse PD humbet zgjedhjet

Moderatorja e njohur Ori Nebiaj, e cila kandidon edhe për deputete në zgjedhjet e 25 Prillit, në Tiranë nën siglën e Partisë Demokratike, i ka bërë thirrje publike kryedemokratit Lulzim Basha.

Nga studio e emisionit Opinion në Tv Klan, Nebiaj i ka kërkuar Lulzim Bashës që të japë dorëheqjen nëse Partia Demokratike humbet zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.

“ Z.Basha, ne do fitojmë. 18 mandate të sigurta. Të lutem, nëse ne humbasim, jep dorëheqjen”.

Ori Nebiaj kandidon në vendin e 18 në Tiranë për Partinë Demokratike.

Kandidatja e PSD: Vlerësoj humanizmin e Tom Doshit, DASH duhet të ishte thelluar në investigim

Senera Hoxha, kandidatja për deputete e Partisë Socialdemokrate të drejtuar nga Tom Doshi, thotë se në këtë forcë politike vlerëson humanizmin e liderit të kësaj force politike.

E ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Senera Hoxha u pyet edhe për deklaratat e ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila ka kërkuar moskandidimin e Tom Doshit në zgjedhjet e 25 Prillit.

Lidhur me këtë çështje, ajo tha se Departamenti Amerikan i Shtetit duhet të kishte investiguar edhe politikanë të tjerë shqiptarë, e jo vetëm z.Doshi.

Fatos Hakorja: Çfarë ka kjo parti diçka të veçantë që ju e vlerësoni?

Senera Hoxha: Humanizmin e z.Doshi. Në dijeninë time, z.Doshi është i vetmi deputet që çdo muaj paguan në spitalet private para nga xhepi i tij për pacientë që kanë nevojë për të bërë skanera covidi, operacione emergjente të cilat nuk e gjejnë dot radhën në shtet, ndihma pafund, shtrime rrugësh, tubacionesh dhe nëpër fshatra kudo në gjithë Shqipërinë.

Edlira Gjoni: Si diskutohet në partinë tuaj e gjithë kjo zhurmë që është duke u bërë për kryetarin e partisë tuaj?

Senera Hoxha: Nëse DASH do ishte pak thelluar pak më tepër në investigim, edhe mua si qytetare nuk do më pëlqente që në lista të shikoja njerëz që kanë shkaktuar Gërdecin, kanë vrarë në bulevard apo kanë vjedhur floririn. Në momentin që do kenë fakte le t’i nxjerrin.

A kishit sherr në Vlorë? Kandidati i PD: Çdo diskutim e kthejnë në…

Kandidati i Partisë Demokratike në Vlorë, Arbi Agalliu, ka folur për zërat që kanë qarkulluar pak ditë më parë se në degën e kësaj partie kishte pasur një sherr.

Agalliu i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, tha se nuk kishte sherr por sipas tij çdo diskutim e quajnë sherr.

Në Vlorë çdo diskutim e kthejnë në sherr, ne jemi njerëz sanguin. Në Vlorë nuk ka asnjë sherr”, tha ai.

Më tej kandidati i PD foli për punët e kundërshtarëve në Vlorë, duke mos i njohur asnjë meritë dhe tha se kanë bërë vetëm keq.

Unë di të them që i gjithë investimi i PS në këto 8 vite ishte ngushtimi i bulevardit nga 8 korsi në 2 korsi.  Sot asnjë biznes që nuk është i kënaqur nga investimi në Vlorë-Skelë. Vlora sot duhet të ishte një qytet që duhet të gumëzhinte nga të rinjtë, sot Vlora ka 80 të zhdukur, sot të rinjtë e Vlorë dergjen burgjeve, sot Vlora duhet të ishte një qytet model, por rënkon”, tha kandidati i PD.

Denada Toçe: Dua të ndryshoj Shqipërinë për fëmijët e tu; Fevziu: Unë ju kam thënë të ikin

Psikologia Denada Toçe është njëra prej portreteve të reja që kandidojnë në zgjedhjet e 25 Prillit. Ajo do të kandidojë nën siglën e Bindjes Demokratike.

E ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Toçe tha se angazhimin në politikë dhe kandidimin në zgjedhje e ka menduar prej disa kohësh.

Ajo përsëriti disa herë se përfshirja në listat e kandidatëve për deputetë nuk është pazar politik, por marrëveshje.

E pyetur nga drejtuesi i Opinion, Blendi Fevziu, se cila është filozofia e saj për përfshirjen në zgjedhje, psikologia e njohur u shpreh se fëmijët e saj dhe e ardhmja e tyre kanë qenë një shtysë e fortë për të bërë ndryshimin.

Blendi Fevziu: Cila është filozofia që ke dashur të kandidosh? Edhe e vetme, edhe e pavarur, edhe pa mbështetje?

Denada Toçe: Unë që herët e kam dashur këtë vend dhe vazhdoj ta dua akoma. Kam pasur me dhjetra e mijëra mundësi sepse ky vend të shtyn dhe të krijon një trysni në çdo hap të jetës, në çdo dekadë timen ka krijuar një trysni për të thënë Denada pse nuk shkon andej ta bësh shkollimin tënd? Pse nuk shkon andej të vizitohesh te mjeku? Dhe ky lloj presioni tashmë ka ardhur te gjëja më e shtrenjtë që unë kam trashëguar, që janë fëmijët e mi.

Blendi Fevziu: Dhe ti tani do të ndryshosh Shqipërinë për fëmijët e tu?

Denada Toçe: Po dhe për fëmijët e tu.

Blendi Fevziu: Jo unë u kam thënë të ikin. E kam thënë disa herë në televizor. I qëndroj akoma./tvklan.al