Të ftuar: Preç Zogaj, Mira Kazhani, Redi Shehu, Marsela Karapanço, analisti Artan Hoxha. Në lidhje direkte: Baton Haxhiu nga Kosova dhe Gentian Progni, ekspert IT.

Tentohet manipulimi i sondazhit për ministrat në Opinion

Emisioni “Opinion” në Tv Klan ka bërë një sondazh për të kuptuar sa njihen ministrat nga qytetarët shqiptarë. Rezultatet janë surprizuese.

Nga sondazhi online, u vu re një anomali përsa i përket votimeve.

Numri i votave u rrit në mënyrë të frikshme dhe jo të njëtrajtshme. Nga verifikimet u zbulua se një numër i konsiderueshëm votimesh për disa prej ministrave, janë false.

Eksperti IT i portalit “opinion.al” shpjegon më mirë se si funksionon kjo skemë e votimeve fiktive.

“Çdo kompjuter ka një IP. Votat reale janë IP të regjistruar në një IP real. Votat e manipuluar quhen proxy dhe mund t’i marrësh e t’i identifikosh në një kompjuter të cilat blihen në sisteme në palë të treta. Sa më i zoti të jetë manipuluesi, aq më i shtrenjtë është proxy. Një IP jo reale mund të jetë një kompjuter në Amerikë, në Indi etj. Sistemi që ne kemi përdorur është një server që ndodhet në Amerikë. Ky sistem është shumë i sofistikuar. Ai nxjerr një përqindje. Është 100% e verifkueshme çdo manipulim”, tha Gentian Progni.

Artan Hoxha: A mund të na i pastrojë rezultatet nga votat fake?

Blendi Fevziu: E pastron dot nga votat fake, Genti, tani të nxjerrësh reale?

Gentian Progni: Për momentin s’i kemi kushtet teknike, por do mundohem të bëj një llogaritje.

A i njeh Lulzim Basha ministrat e qeverisë?

Emisioni “Opinion” në Tv Klan ka zhvilluar një sondazh tek qytetarët se sa i njohin ministrat shqiptarë.

Teksa ndodhej në hyrje të sheshit “Skënderbej”, gazetarja ka marrë në mënyrë të rastësishme në vox-pop edhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Kreu i selisë blu deklaroi se nuk i njeh të gjithë ministrat e qeverisë Rama me emër dhe mbiemër.

Gazetarja: Kë njihni nga ministrat në foto?

Lulzim Basha: Të gjithë.

Gazetarja: Të gjithë?

Lulzim Basha: Sigurisht.

Gazetarja: Cilin?

Lulzim Basha: Ju e dini që i njoh të gjithë apo jo? Keni dalë që të pyesni njerëzit. Prit tani që të jemi të saktë. Me emër dhe mbiemër nuk i njoh të gjithë as unë.

Të menjëhershme ishin dhe komentet e gazetarëve dhe analistëve në studio. Mira Kazhani tha se “Ky nuk është kompliment për Lulzim Bashën, sepse duhet t’i njohë mirë armiqtë”.

Ndërkohë sipas Fevziut, kjo tregon që ministrat nuk janë fare në “radar” për aq kohë sa nuk i njeh kryetari i opozitës.

Artan Hoxha: Ministrat shqiptarë janë kthyer në nëpunësa të zakonshëm

Analisti Artan Hoxha ka kritikuar rolin e ministrave të Qeverisë Rama, duke thënë se po ngjajnë më shumë me nëpunësa të zakonshëm të shtetit.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ku po diskutohej se sa të njohur janë nga publiku ministrat shqiptarë, Artan Hoxha theksoi se anëtarët e kabinetit qeveritar nuk po ushtrojnë rolin e tyre të mirëfilltë kushtetues.

Një pjesë të tyre i njohim dhe individualisht dhe personalisht, një pjesë të tyre i njohim dhe publikisht për shkak të aktivitetit të mëparshëm politik. Disa prej tyre janë bërë të njohur në publik për shkak të postit të ministrit. Asnjëri prej tyre nuk ka të sharë në kuptimin e shkollimit që ka bërë, të karrierës profesionale, të aftësive dhe komunikuese. Janë individë mëse të mbarë. Çështja është se të gjithë shfaqin një defekt shumë të madh. Ata kanë pranuar të jenë shumë më pak se sa ministra sipas konceptit kushtetues të rolit të ministrit. Nuk bëjmë fjalë më për ministra të mirëfilltë që kanë përgjegjësi publike dhe një peshë të rëndësishme, por janë ca nëpunësa të zakonshëm shteti”, u shpreh analisti Artan Hoxha. 

Pyetja e Mira Kazhanit që “ngacmoi” Baton Haxhiun

Analisti Baton Haxhiu ka thënë në emisionin “Opinion” në Tv Klan se do të vijë një ditë kur ministrat shqiptarë do të jenë personazhe nga showbizi.

Në një lidhje direkte nga Kosova, Baton Haxhiu u pyet nga gazetarja Mira Kazhani nëse do të propozojë ndonjë emër nga kjo fushë, sikurse tha gazetarja, sugjerimet e të cilit merren parasysh nga Kryeministri.

Një fakt të tillë, ai e konsideroi “fake news”, njësoj si votat false për ministrat në sondazhin e Opinion, që u tentua të manipulohej.

Blendi Fevziu: Po që ministrat marrin vota fake Baton, apo kjo s’quhet?

Baton Haxhiu: Megjithatë, kjo është kulturë që e kemi krijuar nga mediat për të shndërruar një traditë të fake edhe në shikueshmëri, edhe në qasje, edhe blerje të klikime, prandaj kjo është kulturë e showbizit e cila po na hyn në politikë.

Blendi Fevziu: Baton, nuk po pyesim për Elvana Gjatën dhe Arilenën, po pyesim për ministra.

Baton Haxhiu: Edhe pak kohë do të na duhet Fevzo, dhe ministrat do t’i kemi të gjithë nga showbizi, për arsye se ata janë atraktivë.

Mira Kazhani: Nga ty varet Baton një pjesë e mirë, kështu që po propozove ti ndonjë emër të mirë nga showbizi nga Kosova, e bën direkt Kryeministri. Kështu të ka dalë nami të paktën.

Baton Haxhiu: Ja ky është një fake news po ashtu si ato klikimet false të ministrave. /tvklan.al

Operacioni forca e ligjit!