Kur do të rifillojë jeta? Manastirliu: Vështirë të bëjmë parashikime

Sot hynë në fuqi masat e reja lehtësuese për qytetarët, ndërsa ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nuk ka dhënë një datë konkrete se kur do të hiqen tërësisht kufizimet.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Manastirliu është pyetur nga drejtuesi Blendi Fevziu kur do të rifillojë jeta normalisht.

Ogerta Manastirliu: Tani jemi në 4 Maj dhe kemi ecurinë e parë të hapjes. Në kemi parashikuar hapjen në datë 11 dhe në datë 18.

Blendi Fevziu: Kur mendoni që do të jemi plotësisht të hapur nëse jemi në variantin më të mirë të mundshëm? Pra po marrim situatën ideale, kur e mendoni hapjen?

Ogerta Manastirliu: Ne kemi vendosur që të bëjmë një vlerësim 2-javor përsa i përket hapjes përgjatë çdo faze. Është shumë e rëndësishme për të theksuar që vlerësimi 2-javor do të na ndihmojë ne se si ka evoluar.

Blendi Fevziu: Nëse këto vlerësime janë shumë pozitive, po e ngre unë hipotezën po marr unë përsipër që s’do infektohet njeri, çfarë përgjigje do më jepni ju? Rrezikojmë që të shkojmë deri në Qershor me karantinë pas orës 17:30?

Ogerta Manastirliu: Do të vlerësohet hap pas hapi. Do të shohim në datë 11 Maj si vlerësimin e parë të fazës së parë që do të na japi ne një panoramë të situatës epidemike. 

Covid-19 i pranishëm që në Janar? Si përgjigjet Manastirliu

Ditët e fundit në Shqipëri është krijuar një debat në lidhje se kur ka hyrë Covid-19 në Shqipëri.

Disa mjekë pretendojnë se infeksionet kanë qenë të pranishme që në Janar të këtij viti dhe jo në Mars, atëherë kur u raportuan rastet e para.

Ministrja Ogerta Manastirliu deklaroi këtë të hënë se nuk ka asnjë provë shkencore që Covid-19 të ketë qenë i pranishëm në Shqipëri që në fillim të vitit.

“Mund t’ju them që Komiteti i Ekspertëve që përbëhet nga ekspertë, epidemiologë, mjekë që kanë ndjekur prej fillimit shfaqen e sëmundjes ecurinë dhe se si është realizuar investigimi epidemiologjik në Shqipëri, nuk ka asnjë të dhënë shkencore deri më tani për ekzistencën e Covid-19 në muajin Janar. Jo nuk ka asnjë evidencë shkencore, po e përsëris dhe njëherë, shkencore të bazuar mbi një evidencë epidemiologjike dhe jo mbi vështrime skanerësh”, tha Manastirliu.

Ministrja paraqiti një grafik, sipas të cilit, sëmundjet respiratore kanë ardhur në ulje krahasuar me vitet e tjera.

Manastirliu i kthen përgjigje akuzave të Berishës: Më vjen turp kur e dëgjoj

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu i ka kthyer përgjigje akuzave të ish-kryeminstrit Sali Berisha, sipas të cilit qeveria ka blerë maska për mjekët 8 mijë lekë të vjetra ndërkohë që kushtojnë vetëm 3 mijë lekë.

Ajo tha se akuzat nuk janë të vërteta, por shpifje. Gjithashtu ajo shpjegoi se qeveria nuk ka zhvilluar tendera sekretë, ndryshe nga ç’pretendohet nga opozita.

“Sa turp më vjen kur e dëgjoj. Më jen aq turp që ky njeri ka drejtuar vendin për shumë e shumë vite. Është një akuzë e shëmtuar. Dua të them se nuk ka tendera sekretë. Tenderat, të gjithë procedurat janë bazuar në VKM dhe janë procedura ligjore që bazohen në interesa thelbësore të shtetit. Janë në fletoren Zyrtare. Ua kemi treguar me shifra”.

Ministrja u shpreh se kjo çështje është në dorën e drejtësisë dhe nuk do që ta komentojë më tej.

“Nuk dua ta komentoj më gjatë sepse e kam thënë që kur është ngritur kjo akuzë që është tërësisht shpifje që është tashmë çështje e prokurorisë. Nuk është 8 mijë lekë, është shpifje, është shpifje dhe këtë do ta provojnë organet e drejjtësisë. Këta që flasin në mënyrë të papërgjegjshme do të mbajnë përgjegjësi. Sa kohë që është një gënjeshtër dhe shpifje e kam thënë që në ditën e parë që të vijë në organet e drejtësisë dhe ta hetojë”. /tvklan.al