Të ftuar në studio: Ogerta Manastirliu, Dritan Ulqinaku, Juli Xhokaxhi, Arjan Harxhi dhe Fatos Hakorja.

Ministrja: Familjarët e të infektuarve me koronavirus, të vetëkarantinuar

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tregoi këtë të hënë se ka nisur gjurmimi i personave që mund të kenë pasur kontakt me dy personat e infektuar me koronavirus në Shqipëri.

Manastirliu ishte e ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ku u shpreh se bëhet fjalë për një familje të madhe

“Ata janë një familje e madhe dhe është ngritur alarmi nga sistemi shëndetësor për të bërë të gjithë hartëzimin e kontakteve. Kërkon një punë e madhe. Është një listë dinamike, ka filluar me 14 persona që kanë qenë rrethi i parë. Janë duke dalë analizat. Puna ka filluar që mbrëmë. Fillojmë me kontaktet e ngushta, ku probabiliteti është më i madh dhe më pas zgjerohemi. Një përgjigje do ta kemi brenda mesnatës. Familjarët janë të vetëkarantinuar në një karantinë të detyruar në banesën e tyre, me një patrullë dhe është marrë konfirmimi për të mos patur akses jashtë. Nëse dalin shkojnë në karantinën shtetërore”, tha Manastirliu.

Ministrja tregoi se lokalit në zotërim të familjes i është bërë dezinfektimi i duhur. Ajo tregoi edhe dinamikën se si u kuptua që babë e bir ishin me koronavirus.

“Dy rastet babai dhe i biri janë paraqitur në një spital privat dhe janë drejtuar menjëherë të telefonojnë në numrin 127. Kishin temperaturë, kishin diarre, këputje muskujsh. Ata kanë telefonuar në numrin 127 dhe urgjenca ka vajtur tek ta. Kemi marrë tamponët. Kontakti ka qenë totalisht i mbrojtur sepse kur shkohet në spital janë marrë masat. Paraqitja në numrin e telefonit ka ngritur alertin në këtë numër dhe urgjenca është paraqitur në banesën e tyre. Ata kanë qenë në shtëpi, kanë pritur derisa kanë dalë analizat. Pas analizave janë marrë në telefon”, tha ministrja.

Shqiptari në Amerikë: Nëse dy njerëz kanë virusin, patjetër që e kanë edhe të tjerë

Armir Harris, një biznesmen shqiptar, i cili jeton në Amerikë dhe merret atje me transportimin e njerëzve që kanë qenë në karantinë në Kinë tregoi për emisionin “Opinion” se situata është e vështirë.

Sipas tij, virusi mbijeton për orë edhe në materiale. Ai theksoi se nëse dy njerëz e kanë virusin, patjetër që janë infektuar edhe të tjerë, por nuk janë gjetur.

“Kjo situatë është e vështirë se simptomat nuk tregohen për ditë. Virusi mbijeton në materiale për orë. Nëse në Shqipëri dy njerëz e kanë virusin, s’ka mënyrë që janë vetëm ata të dy. Patjetër që e kanë dhe të tjerë edhe nuk janë gjetur”, tha Harris.

Harris tregoi se autoritetet amerikane i ndryshojnë ditë për ditë planet për luftën ndaj COVID-19, për shkak se mësojnë gjëra të reja për sëmundjen.

“Është një virus shumë i zgjuar”, tha ai.

Harris u shpreh se ka patur raste në Amerikë që nuk janë infektuar edhe përse kanë qenë në “zonat e kuqe”.

“Kemi pasur shumë që nuk janë infektuar. Kanë shumë që nuk kanë simptoma. Nuk kuptohen që kanë virusin apo jo”, tha ai.

Mjeku: Të mbash maskë në publik më shumë prish punë se sa mbron

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan mbrëmjen e sotme është diskutuar për koronavirusin, pas dy rasteve të evidentuara zyrtarisht në Shqipëri.

Është diskutuar shumë për shqetësimin që kanë qytetarët për të mbajtur maska si mënyrë parandaluese.

Mirëpo, specialistët e fushës kanë deklaruar disa herë që qytetarët nuk është e nevojshme t’i përdorin, përveç personelit mjekësor dhe atyre pacientëve që janë të infektuar.

I ftuar në studio, mjeku infeksionit Arjan Harxhi tha se mbajtja e maskës në publik nga qytetarët shkakton dëm më të madh, se sa parandalimi nga infeksioni.

“Mbajtja e maskës në publik më shumë prish punë se sa mbron. Prish punë sepse është pamundur që në jetën e përditshme të mbash maskën. Probaliteti që ti të përballesh me dikë tjetër në jetën e përditshme është shumë i vogël. Kurse një personel mjekësor e ka gjatë gjithë kohës”, u shpreh Arjan Harxhi.

Manastirliu i përgjigjet Berishës: Të mos bëhet politikë me virusin

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se në spitalin e infektivit ku janë të sëmurët me koronavirus ka edhe 100 të sëmurë të tjerë me sëmundje të tjera infektive. Sipas Berishës, ky është një akt i papërgjegjshëm që kërcënon jetën e pacientëve të shtruar dhe për këtë akuzonte kryeministrin Edi Rama dhe ministren Manastirliu.

“Të sëmurët me koronavirus i shtrojnë në Spitalin Infektiv ku janë të shtruar mbi 100 të sëmurë me sëmundje të tjera infektive. Pasi deklaruan ditë më parë se kanë gati Spitalin Infektiv me 130 shtretër për rastet me koronavirus, rezulton se këta të sëmurë po shtrohen vërtet në Spitalin e Sëmundjeve Infektive, por ai është plot me të sëmurë me sëmundje të tjera infektive. Ky është një akt i papërgjegjshëm kriminal që kërcënon në mënyrën më serioze jetën e të sëmurëve të shtruar me sëmundje të tjera në atë spital dhe përhapjen me shpejtësi të epidemisë. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë vendim tejet të rrezikshëm për të sëmurët në spital dhe mbarë shoqërinë. Për këtë qëllim është urgjente lirimi i njërit prej spitaleve të Qarkut të Tiranës dhe përdorimi i tij ekskluzivisht për të sëmurët me koronavirus”, shkruante Sali Berisha në Facebook.

Ogerta Manastirliu nga emisioni “Opinion” ku ishte e ftuar këtë të hënë mohoi akuzat e ish-kryeministrit. Sipas saj, vendimet në shëndetësi merren nga ekspertët ndërsa theksoi se nuk duhet bërë politikë me virusin.

“Nuk është e vërtetë ajo që thotë zoti Berisha. Vendimet në shëndetësi nuk merren më nga politika. Vendimet në shëndetësi merren nga ekspertët. Ekspertët e Komitetit Shtetëror Teknik të cilët kanë marrë të gjitha masat për planin e veprimit në kuadër të parandalimit, kontrollit dhe mbrojtjes nga koronavirusit. Janë vendim të komitetit. Ministria e Shëndetësisë vetëm vepron. Në këtë situatë që ka nevojë për shumë ekspertë, nuk ka nevojë të bëhet politikë me virusin”, tha ministrja e cila shtoi plani i qeverisë është i mirëstudiuar për të mirën e qytetarëve.

Ndërkohë mjeku Arjan Harxhu sqaroi se Spitali Infektiv është boshatisur dhe është vendosur në dispozicion të të sëmurëve me koronavirus.

“Nuk ka të sëmurë të tjerë në Spitalin Infektiv. Shërbimi është evakuuar. Kati i parë ka qenë i evakuuar ishte gati, tani është boshatisur i gjithi”, tha ai.

Mjeku Pëllumb Pipero flet për 4 rastet e reja me koronavirus në Shqipëri

Mjeku Pëllumb Pipero ka folur në një lidhje telefonike me emisionin “Opinion” në Tv Klan për 4 rastet e reja me koronavirus që u zyrtarizuan mbrëmjen e sotme, duke e çuar në 6 numrin total të të infektuarve në vendin tonë.

Mjeku Pipero konfirmoi që 3 nga të infektuarit janë familjarët të dy pacientëve të parë babë e bir të prekur me koronavirus. Ndërsa fëmijët e kësaj familje kanë rezultuar negativë nga analizat.

Unë nuk kam dijeni të saktë sepse rastet kanë qenë persona të kontaktit. Në dijeninë time janë 3. Nuk kam njoftim për rastin e katërt. Janë testuar të gjithë, 3 janë pozitiv. Në dijeninë time 3 raste kanë rezultuar pozitivë”, u shpreh mjeku Pëllumb Pipero. /tvklan.al