Të ftuar në Opinion: Astrit Patozi, Fatbardh Kadilli, Agron Shehaj dhe Arben Ristani. Në lidhje direkte Ermal Hasimja, Françeska Muço, Dorian Matlija dhe Mira Pogaçi.

Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj deklarojnë në “Opinion” se nuk do të kandidojnë për kryetar të PD

Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj, dy nga figurat më të përfolura si kandidatura për kryetar të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 22 Majit të kësaj force politike, kanë konfirmuar për emisionin “Opinion” se nuk do të jenë në listën e kandidatëve.

Blendi Fevziu- Fatbardh Kadillit: Të të prezantoj si kandidat i përjetshëm për kryetar?

Fatbardh Kadilli: Nga sfida nuk heq dorë kurrë, por në këtë rast nuk ka garë.

Blendi Fevziu: Si nuk ka garë, nuk do të marrësh pjesë në këto zgjedhje?

Fatbardh Kadilli: Jo, në këto zgjedhje jo.

Blendi Fevziu: Por më ke thënë se do të marr pjesë në studio?

Fatbardh Kadilli: Të kam thënë se mbetem gjithmonë i vendosur që sfidën për ndryshimin dhe drejtimin e PD-së të mos heq dorë kurrë.

Blendi Fevziu: Nuk do të jesh kandidat për kryetar?

Fatbardh Kadilli: Në këtë rast jo sepse nuk ka garë.

Blendi Fevziu: Pra, më 22 Maj nuk do të kandidosh?

Fatbardh Kadilli: Jo, nuk do të jem në garë në datën 22 Maj.

Blendi Fevziu- Agron Shehajt: Do të kandidosh kësaj here?

Agron Shehaj: Jo.

Blendi Fevziu: Nuk kandidon as ti? E vendosur?

Agron Shehaj: Po, po e vendosur.

Patozi: PD me Berishën kryetar është solide në opozitë, por pa perspektivë për t’u bërë e madhe

Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike Astrit Patozi i sugjeron Sali Berishës që në pikën ku ndodhet aktualisht, të vazhdojë përpara garën e tij për në krye të partisë.

I ftuar në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, Patozi u shpreh se Berisha nuk duhet të tërhiqet në këtë pikë.

Tani që po flasim unë Sali Berishës i sugjeroj që të vazhdojë, ai duhet ta çojë deri në fund tani se nuk ka më kuptim tani që të kthehet. Ai nëse tërhiqet tani dhe e lë, ai kostum nuk i bie askujt tjetër dhe PD gremiset edhe më keq nëse tërhiqet tani”.

Por si do të jetë Partia Demokratike nëse do të ketë kryetar Sali Berishën? Patozi mendon se do të jetë më luftarake në opozitë, por nuk do të ketë perspektivë për të marrë pushtetin.

“Çfarë është Partia Demokratike me Sali Berishën kryetar? Për mua është një parti më e vogël, më e vjetër, më pa ide, por mund të jetë më luftarake dhe më solide në opozitë dhe pa asnjë perspektivë që të bëhet më e madhe. Është më solide sepse është më e mbledhur. Puna është që nuk zmadhohet dot. I dha shenjat në kuvend. Mungesa e 35 deputetëve është një alarm shumë i madh. Kjo është e vetmja parti që për 10 vjet ka ekzekutuar të gjithë elitën politike të vetën”, u shpreh Astrit Patozi.

“I gatshëm të tërhiqem nga çdo garë në parti”, Shehaj-Kadillit: Nuk po na bën ndonjë nder të madh

Deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj dhe anëtari i PD-së Fatbardh Kadilli janë përfshirë në një debat mes tyre mbi çështjen e kryetarit të ri të kësaj force politike.

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kadilli është shprehur se është i gatshëm të tërhiqet nga çdo garë në parti, madje dhe nga çdo funksion pasi sipas tij më me rëndësi është çlirimi i partisë.

Nga ana tjetër, Shehaj i është drejtuar se me këtë akt, nuk po i bën PD ndonjë nder të madh duke nxitur më pas reagimin e ashpër të Kadillit.

Agron Shehaj: Mentaliteti është ky që duhet të iki ai që të na bëjë vendin, të fitojmë ne.

Fatbardh Kadilli: Jo të fitojmë o zotëri, nuk thashë të fitojmë.

Agron Shehaj: Si mund t’i thuash ti, ai ka marrë 70 për qind të votave të demokratëve, ti thua: Ik tani, të bëhem unë.

Fatbardh Kadilli: Jo unë, ti po deshe kërkoje ashtu. Dhe njëherë mos deformo fjalët të lutem! Jam i gatshëm të tërhiqem nga çdolloj gare në parti, madje dhe nga çdo funksion, mjafton që të çlirohet partia.

Agron Shehaj: Nuk po na bën ndonjë nder të madh. Nuk është se ike ti dhe tani u çliruam, ka vend për të tjerët.

Fatbardh Kadilli: Nder të kemi bërë ty. Të lutem më me kujdes kur flet me mua! Po deklaroj se nuk e kam personale, ashtu siç po tenton ta përdorësh ti, por e kam për partinë sepse më dhimbset kjo parti më shumë.

Politikani i parë shqiptar në Ballkan që vizitoi Ukrainën në luftë: Ju tregoj rrugën se si shkova

Talat Xhaferi, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, është i pari politikan me etni shqiptare nga Ballkani Perëndimor që ka vizituar Ukrainën gjatë luftës.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Xhaferi shpjegoi të gjithë rrugëtimin e tij nga Shkupi drejt Ukrainës.

Ai thotë se nga kufiri në hyrje të Ukrainës deri në Kiev rrugëtimi është bërë me tren me linjë speciale hekurudhore për delegacionet.

“Atje kam qenë si kryetar i Parlamentit për të shprehur dhe mbështetje personale dhe institucionale popullit të Ukrainës në këto kushte lufte. Edhe desha të shkoja dhe na ftuan. Nisma është e bazuar në ftesën e përgjithshme të kryetarit të Kuvendit të Ukrainës, kryetarëve të Parlamenteve të Europës.

Kam komunikuar me ambasadën ukrainase në Shkup dhe kam shprehur dëshirën që vendimin unë dua të shkoj. Unë jam shqiptari i parë në gjithë rajonin e Ballkanit dhe për momentin i vetmi. Kemi bërë veçoritë që duhen organizative. Është komunikuar me Parlamentin ukrainas. Janë dhënë udhëzimet që çfarë rruge ndiqet. Është bërë udhëtimi për Vienë nga Varshava, me makinë deri në kufi dhe prej aty me linjë speciale hekurudhore e vendosur enkas për çështjet e delegacioneve. Ishin të ndërmarra të gjitha masat e sigurisë”, u shpreh Talat Xhaferi.

Xhaferi flet për vizitën me Zelenskyn në Kiev: Ishte i qetë, nuk rrezatonte asnjë lloj shqetësimi

Talat Xhaferi, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut ka treguar më me detaje takimin me presidentin ukrainas, Zelensky.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Xhaferi foli për anën emocionale të Zelenskyt duke e cilësuar si një person shumë të qëndrueshëm dhe të qetë në vendimmarrje, i cili sipas kryetarit të parlamentit të RMV-së nuk rrezatonte asnjë shqetësim.

Talat Xhaferi: Takimi me presidentin Zelensky fillimisht nuk ishte i konfirmuar për arsye sigurie. Takimi i parë ishte me përfaqësuesit e parlamentit, na u bashkangjit në udhëtim dhe kryetari i parlamentit. Vëzhguam situatën në Bucha, prej aty jemi kthyer në Kiev. Kongresi kishte për qëllim çështjen jo vetëm atë të luftës, por parashikimet se çfarë duhej bërë pas luftës. Bëhej vlerësimi në luftë, në njerëz dhe vlerësimet e duhura.

Blendi Fevziu: Si dukej Zelensky?

Talat Xhaferi: Tregonte që ke të bësh me një person të qëndrueshëm dhe të qetë në vendimmarrje, nuk rezatonte asnjë lloj shqetësimi, alarmi. Në konktestin e situatës, është e nevojshme që udhëheqësia të reflektojë qëndrueshmëri dhe që populli të ketë besimin e duhur. Ai i plotësonte të gjitha këto elemente.

Blendi Fevziu: Patët ndonjë moment frikë?

Talat Xhaferi: Ajo menaxhohet kur bëhet planifikimi për të shkuar në atë lloj zone, frika ekziston në çdo qenie. Kur bëhet planifikimi, kjo është e kontrolluar./tvklan.al