Opinion – Seriali Berisha-Basha, episodi dyert e blinduara!




Opinion – Seriali Berisha-Basha, episodi dyert e blinduara!

Autori: Blendi Fevziu

20:49 06/01/2022

Të ftuar: Agron Shehaj, Armand Shkullaku, Floriana Garo, Redi Shehu, Preç Zogaj dhe Robert Rakipllari.

Hekurat e trashë të salduar në selinë e PD-së, publikohen fotot në “Opinion”

Nga brenda selisë së Partisë Demokratike janë publikuar këtë të enjte foto se si është blinduar dera kryesore ku ka hekura të trashë të salduar.

“Ka hekura të trashë të salduar. Do shohim pastaj me Breçanin çfarë force përballojnë këto hekura, çfarë trysnie, cilat janë armët që mund t’i hapin. Edhe zgavra e ashensorit është salduar me hekura. Nuk kuptohet një pyetje. Pse gjithë kjo përplasje për selinë? Sepse një parti politike nuk e bën selia, por mbështetja e anëtarëve të saj”, tha Fevziu gjatë emisionit “Opinion”.

Po ashtu edhe hyrja qendrore e PD ka arritur të filmohet, ku dera hyrëse prej druri është blinduar me një panel hekur tjetër i ngjashëm me atë të kasafortave të rëndësishme të bankave.

Në rrjetet sociale është publikuar një foto tjetër nga zëdhënësja e Komisionit të Rithemelimit, Floriana Garo, ku shfaqen disa persona të maskuar.

Floriana Garo: Sigurisht që ne nuk duam ta tregojmë se kush e ka shpërndarë foton, por mund të them që foto ka ardhur nga brenda dhe një nga personat e atjeshëm e kanë treguar foton.

Blendi Fevziu: Jeni të sigurt që janë të armatosur?

Floriana Garo: Ne shohim që janë të maskuar dhe që duket që ka diçka të dyshimtë. Janë brenda selisë. Është brenda selisë në dhomën e pritjes në katin e dytë.

Blendi Fevziu: I identifikoni dot personat?

Floriana Garo: Jo, unë nuk mund t’i identifikoj. Desha të theksoj që kjo foto është marrë sot sepse është aluduar që është marrë vite më parë, por është e sotme.

Protesta para PD, gazetari: Policia ka plan masash. Në terren edhe shërbimet inteligjente

Gazetari Eni Ferhati thotë se policia ka një plan masash për ditën e shtunë, kur pritet që të organizohet dhe protesta para selisë blu e thirrur nga ish-Kryeministri Sali Berisha. Por çfarë parashikon ky plan masash? Ferhati thotë se policia nuk do të marrë në mbrojtje godinën, por do të ketë prezentë në terren me forca të shtuara, kjo edhe sepse selia e PD ndodhet pranë Parlamentit.

“Ditën e sotme në polici ka mbërritur një njoftim nga ana e zotit Flamur Noka në cilësinë e një organizatori të tubimit të së shtunës, në orën 12:00 para selisë së PD. Policia ka marrë një njoftim zyrtar për atë që do të ndodhë… Bëhet fjalë për një plan masash, i cili është ndërmarrë nga policia. Duhet ta ndajmë këtë, Policia nuk do të marrë në mbrojtje godinën. Polici do të jetë prezentë në terren me forca të shtuara, pranë selisë së PD. Kjo lidhet edhe me faktin se pranë selisë së PD ndodhet dhe një institucion i rëndësisë së veçantë, siç është parlamenti. Policia, sipas të gjithë të dhënave do të ndërhyjë vetëm në momentin kur do të kemi të bëjmë më një vepër penale, që do të kryhet qoftë nga ana e tubuesve, qoftë nga personat që mund të mbrojnë selinë e PD”.

Po ashtu, në Opinion, gazetari tha se të shtunën do të ketë edhe angazhim të shërbimeve inteligjente.

“Pa dashur që t’i jap zë teorive konspirative, por jemi para faktit që kemi një angazhim edhe të shërbimeve inteligjente. E them këtë për shkak se ka faktorë të tjerë të jashtëm që mund të jenë të interesuar për situata destabiliteti në Shqipëri dhe që bën të mundur edhe përfshirjen e shërbimeve inteligjente”.

Ndërsa gazetarja Etleva Deliu tha se janë marrë masa që në rast evakuimi të Lulzim Bashës, kjo të bëhet nga dera e pasme.

“Mesa mësova janë marrë masat brenda selisë që nëse do ketë ndonjë plan evakuimi të përdoret dera e pasme, sepse deri tani për tunel poshtë, aty nuk kemi informacion të ketë…”/tvklan.al













Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

20:49 06/01/2022