Të ftuar: Redi Shehu, Blendi Salaj, Fitim Zekthi, Julian Zyla dhe Bruna Çifligu.

Mjeku Mezini: Terapia që u përdor për Trump ishte e tepruar

Mjeku pneumolog Arjan Mezini në një lidhje direkte në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka folur për Donald Trump dhe infektimin me COVID-19.

Mezini u shpreh se tek Trump një nga faktorët që ndikoi negativisht është mbipesha. “Tek presidenti Trump është një faktor që është mbipesha. Tek këta persona komplikacionet barazohen me komplikacionet që kanë diabet”, tha Mezini.

Më tej mjeku ka folur dhe për kurën që ka përdorur presidenti dhe tha se janë përdorur ilaçe eksperimentale, një terapi për pacientë në gjendje të rëndë.

Nga mediat është bërë me dije se janë përdorur disa ilaçe për Presidentin Trump, u përdorën disa ilaçe eksperimentale. Terapia është për një pacientë të rëndë”, u shpreh mjeku.

Sipas Mezinit “terapia që është publikuar në media është një terapi e tepëruar që është përdorur kundër Presidentit Trump”.

Në fund ai foli dhe për rimëkëmbjen e presidentit dhe bëri një parashikim se për 14 ditë Trump do të rikthehet në fushatë. “Me aq sa shoh, duket se për 10 apo 14 ditë do të jetë sërish në fushatë në gjendje të mirë shëndetësore”, përfundoi Mezini.

Gazetari i VOA sqaron çfarë ndodh nëse Trump nuk është në gjendje për debatin presidencial

Gazetari i Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi, ka folur për situatën shëndetësore dhe politike të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili ditët e fundit u konfirmua i infektuar me Covid-19.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Ikonomi u shpreh se mjeku i Trump tha sot se Presidenti i SHBA është në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërsa javët në vijim pritet që t’i rikthehet fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale.

“Mjeku i Trump sot dha një mesazh optimist për të. Ai tha se Trump është jashtëzakonisht mirë. Sot në mëngjes një ekip mjekësh u takua me Presidentin dhe tha se Presidenti kaloi një natë mjaft të mirë. Dhe kjo nënkupton që ai mund ta fillojë fushatën qysh javës tjetër. Trump ka një tjetër dinamikë në fushatat e tij. Shpreson që këto 72 orë që ka humbur në fushatë do të jetë në gjendje t’i kapë shumë shpejt. Nuk ka diskutim që ata që votuan në 2016 do të votojnë për të. Është fjala për ata që janë të lëkundur”.

Por çfarë do të ndodhë me debatet presidenciale? Gazetari Ikonomi shprehet se këtë do ta vendosë Komisioni Presidencial i Debateve.

“Debatet presidenciale varen nga Komisioni Presidencial i Debateve. Nëse Presidenti nuk do të jetë në gjendje që të marrë pjesë, kjo do të thotë se komisioni mund ta shtyjë debatin e 15 Tetorit ose ta bëjë atë online. Kjo do të përbënte problem për Presidentin ose për të dy sepse nuk do të jenë në gjendje ta ndërpresin njëri-tjetrin kaq shpesh”.

Nëse njëri nga kandidatët, Donald Trump apo Joe Biden, do të kontestojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, atë do ta vendosin institucionet.

“Në Amerikë nuk ka zgjidhje tjetër përveç institucioneve, përfundon në Gjykatën e Lartë. Nëse dhe kësaj radhe përfundon kështu, njëri kandidat ka plotësisht të drejtë t’i kontestojë. Edhe nëse Presidenti bën presion në njëfarë kuptimi që të mos ketë manipulime të votave”.  

Gazetari tregon live si votohet me postë për Presidentin e Amerikës

Më 3 Nëntor 2020 do të mbahen zgjedhjet e presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në garë përballë njëri-tjetrit janë Presidenti aktual Donald Trump dhe rivali Joe Biden.

Risi në këto zgjedhje do të jetë votimi me postë, jo për shkak të kësaj mënyre votimi, por për shkak të pandemisë dhe numrit të madh të qytetarëve që pritet të aplikojnë këtë metodë.

Vetë Presidenti Trump e ka kritikuar publikisht votimin me postë, me argumentimin se lë hapësira për manipulim.

Por si është realisht votimi me postë në SHBA? Gazetari i Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi, ka treguar për emisionin “Opinion” në Tv Klan si është fleta e votimit për zgjedhjet presidenciale. Një të tillë, gazetari Ikonomi e ka në shtëpi dhe do të dërgoja me postë.

Kjo është një votë tipike për distriktin e Columbi ku unë banoj, e Uashingtonit, ku janë 6 kandidatë presidencialë, mes tyre Donald Trump dhe Joe Biden, pastaj këta janë kandidatë lokalë në kolonat e tjera. Shumë e thjeshtë, mbush një nga këto elipset për kandidatin që do me bojë të zezë, e fut në një lloj fletëpalosje për të mos u dukur emri i personit, dhe gjithë këtë e fut në një zarf të madh. E firmos zarfin këtu, vë dhe datën, e mbyll dhe e hedh në postë. Kaq është, shumë e thjeshtë. Vetëm se ka një gjë, që shumë njerëz do bëjnë gabime. Rreth 20% e gabimeve që bëhen, kanë të bëjnë me mosfirmosjen e zarfit. Kjo e bën ta pavlefshme. Kësaj radhe do ketë shumë më tepër njerëz që do të votojnë me post. Deri tani kanë votuar 4 milionë njerëz me postë”, është shprehur gazetari Ilir Ikonomi.

Shqiptarja që është pjesë e fushatës së Trump: Para se të sëmurej ishte i lodhur, u shokuam të gjithë

Evi Kokalari, sipërmarrësja shqiptare që është pjesë e fushatës së Donald Trump, ka treguar momentet e fundit të Presidentit para se të shtrohej në spital.

Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kokalari është shprehur se Trump në takimin e fundit publik kishte pak lodhje.

Kishte shenja lodhje faktikisht. Unë i tregova një miku që nuk ishte në mitingun e fundit dhe i thash që kishte lodhje. Ai gjithmonë kur futet në sallë elektrizon të gjithë, por atë ditë nuk ndodhi. Trump atë ditë ishte me energji të ulët dhe filloi të merrte pyetje nga salla, nuk ndihej shumë mirë. Isha në rresht të parë, e pash nga afër çdo moment dhe nuk mu duk mirë”, ka shqiptarja që është pjesë e fushatës së Trump.

Ajo tregoi dhe gjendjen në kampin e fushatës së Trump, duke thënë se tani janë të gjithë të qetë dhe optimistë për shëndetin e Presidentit. “Ditën e parë të gjithë ishim të shokuar, pasi COVID ka kompliakcione në moshën e Trump”, u shpreh Kokalari.

Më tej shqiptarja që është pjesë e fushatës së Presidentit të SHBA, u shpreh se Trump është shumë i fortë dhe i shëndetshëm, ndaj mendohet se ai do rimëkëmbet shpejt.

Trump është një njeri i fortë, ha shëndetshëm, flet tre deri në 4 orë në ditë. Kishim frikë për Trump, po ai është shumë i fortë fizikisht”, tha Kokalari. /tvklan.al