Të ftuar në Opinion: Baton Haxhiu, Preç Zogaj, Aleksandër Frangaj dhe Armand Shkullaku.

Frangaj: Basha është i ikur, PD ose duhet të bashkohet ose nuk vjen dot në pushtet

Humbja e PD në zgjedhjet për 6 bashkitë në vend, për Aleksandër Frangaj tregon se kryedemokrati Lulzim Basha është i larguar tashmë nga drejtimi i kësaj force politike.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, drejtori i Tv Klan tha se Partia Demokratike duhet të bashkohet.

Në të kundërt, sipas tij, PD nuk do të fitojë dot përpara Kryeministrit Edi Rama.

Aleksandër Frangaj: Në momentin që janë dy gjysma, askush prej kandidatëve, votuesve, elektoratit nuk motivohet të bëj fushatë e të shkoj të votoj se e di që dy gjysmat nuk e mundin dot Edi Ramën.

Blendi Fevziu: Atëherë si do bëhet zgjidhja?

Aleksandër Frangaj: Sot partia e Lulit, pjesa e mbetur…

Blendi Fevziu: Basha e ka thënë sot ose me mua ose me Berishën…

Aleksandër Frangaj: Basha sot po luan rolin e LSI-së së dikurshme që rrëzoi nga pushteti Fatos Nanon.

Blendi Fevziu: Ai thotë o mua o këtu do ju vij Berisha, nuk e sheh mundësinë e një të zgjedhuri të tretë.

Aleksandër Frangaj: Tani Basha është i ikur Blend, mund të rrijë. Kjo është çështje negociatash, nuk zgjidhet sonte. Problemi është kjo parti o duhet të bashkohet ose nuk vjen dot kurrë në pushtet. Ata të bashkuar me shumë forca të tjera aleate dhe nuk e mundën Ramën, por dy gjysma si do ta mundin. Në zgjedhjet e ardhshme Edi Rama nuk do dali të bëj fushat do nxjerr shefen e kabinetit. Nuk ka për të dalë, do merret me çështjet ndërkombëtare. Me këtë situatë politike në opozitë keni Vali Bizhgën, udhëheqëse të fushatës.

Baton Haxhiu: Nuk e kam takuar Lulzim Bashën; Aleksandër Frangaj: Do të nxjerr videon nesër

Drejtori i Tv Klan Aleksandër Frangaj thotë se Baton Haxhiu ka këshilluar gabim kryedemokratin Lulzim Basha. Gjatë debatit në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, Baton Haxhiu tha se nuk e ka takuar Lulzim Bashën, por Frangaj u kundërpërgjigj duke thënë se për këtë disponon video.

Aleksandër Frangaj: Pranoje që e ke këshilluar gabim.

Baton Haxhiu: Kë?

Aleksandër Frangaj: Lulin!

Baton Haxhiu: Asnjëherë nuk e kam takuar Lul Bashën.

Aleksandër Frangaj: E ke takuar.

Baton Haxhiu: Kur?

Aleksandër Frangaj: Je i filmuar.

Blendi Fevziu: Po çfarë rëndësie ka dhe po e ke takuar.

Baton Haxhiu: Kurrë, ju e takoni. Kurrë, hiç.

Aleksandër Frangaj: Fol e shif nga kamera.

Baton Haxhiu: Nga cila të duash kamera.

Aleksandër Frangaj: Do të nxjerr video nesër.

Baton Haxhiu: Herën e fundit para 16 muajsh e kam takuar në shtëpi të tij edhe kam pirë kafe. Kjo ka qenë hera e fundit dhe ka qenë para zgjedhjeve.

Frangaj – Haxhiut: Mos na fyej inteligjencën, Luli merr vendime të gabuara e fajin e ka Shkullaku!

Në emisionin “Opinion”, drejtori i Tv Klan, Aleksandër Frangaj sëbashku me Armand Shkullakun dhe Baton Haxhiun kanë komentuar rezultatet e zgjedhjeve të 6 Marsit. Në një moment, Frangaj i është drejtuar Baton Haxhiut me fjalët:  Mos na fyej inteligjencën, Luli merr vendime të gabuara dhe fajin e ka Shkullaku!

Baton Haxhiu: Kam folur me dhjetra herë në këtë studio, kam thënë se nuk i fiton zgjedhjet kurrë për arsye se kur i humb të gjitha bashkitë dhe meqenëse e ka ndërtuar narracionin…

Armand Shkullaku: O Baton se unë po të merrem me narracionet e tua, mbarojmë nesër në mëngjes. O zotëri, ne kemi këtë rezultat të zgjedhjeve. Ti thua se Basha, nuk ka humbur, por e kam rrënuar unë me Sandrin, a e kupton çfarë po thua apo jo?!

Baton Haxhiu: Po shembull e mora.

Aleksandër Frangaj: Po kush e mori vendimin e mandateve?

Armand Shkullaku: Ti që ke qenë me Ramën deri më 25 Prill, ke ndihmuar Lul Bashën, ne të dy e paskemi rrënuar. Ne që donim që më 25 Prill të fitonte Lul Basha, ne e paskemi rrënuar.

Baton Haxhiu: 4 muaj ka pasur fushatë zgjedhore Sali Berisha.

Armand Shkullaku: Pse s’doli dhe Luli?

Baton Haxhiu: Gabim që nuk ka bërë fushatë, gabim që nuk ka bërë betejë.

Aleksandër Frangaj: Po çfarë t’i bëjmë atij? Ai gabim këtu, gabim atje. Gabim që dogji mandatet, gabim që la bashkitë, gabim që bojkotoi zgjedhjet, gabim që është i paaftë, që është i pazoti, që nuk del në takim me popullin. Gabimin e paska Shkullaku, gabimin e ka Shkullaku, po ai a ka ndonjë gabim?! Ai a bën ndonjë punë? A vlen për ndonjë gjë ai? E gjithë bota qenka fajtor për Lulin, po Luli a është i zoti të bëjë ndonjë gjë?!

Baton Haxhiu: Gabimet i ka marrë të gabuara, të thashë.

Aleksandër Frangaj: Po mirë, Luli merr vendime të gabuara dhe fajin e ka Shkullaku?! Mos na fyej inteligjencën!

Fevziu dhe Baton Haxhiu përplasen për Lulzim Bashën: Kam shkelur etikën time profesionale

Blendi Fevziu dhe Baton Haxhiu kanë debatuar në studion e Opinion në Tv Klan për situatën në Partinë Demokratike, që në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit nuk fitoi në asnjë bashki.

Haxhiu tha se Basha “u vra” si lider dhe përmendi disa emra, mes të cilëve edhe Fevziun.

Por ky i fundit reagoi dhe nuk pranoi këtë deklaratë, duke thënë se për të mbrojtur Bashën ka shkelur edhe etikën profesionale.

Aleksandër Frangaj: Kush është lideri?

Baton Haxhiu: Jo s’ka lider Partia Demokratike.

Blendi Fevziu: Si s’ka? 

Baton Haxhiu: E “vranë”.

Aleksandër Frangaj: A është Luli?

Blendi Fevziu: Kush e vrau Baton?

Baton Haxhiu: Të gjithë. Ti, Shkullaku, Fevzo, Sali Berisha, Edi Rama.

Blendi Fevziu: Baton, ti s’ke këtë të drejtë dhe s’mund të ma thuash mua, sepse unë, dhe po ta them sot, ka pasur momente që kam shkelur etikën time profesionale për të mbrojtur Lulzim Bashën deri më 25 Prill. Dhe ty s’të takon të ma thuash këtë mua dhe s’ke të drejtë të ma thuash. Pas 9 Shtatorit nuk e kam bërë. Pas 9 Shtatorit kam pasur emision. Unë në datë 27 Prill kam dalë publikisht kam thënë se Lulzim Basha në bazë të rregullave të demokracisë duhet të japë dorëheqjen. E kam thënë Preç këtu? Gjithmonë ku ka qenë i kam qëndruar kësaj teze. Pas datës 9 ke ardhur ti qe e ke mbrojtur, ai që e ka sulmuar është bërë emision normal. Se këtë nuk mund ta thuash sepse të jap shembuj sa të duash dhe nuk po hyj në shembuj më konkret. Ty s’të takon kjo.

Baton Haxhiu: Po pse?

Blendi Fevziu: Jo s’mund të ma thuash mua, sepse unë kam vendosur këtu në fakt ky ka vendosur të heqi sondazhe që tregonin se si do të ishte rezultati i zgjedhjeve për të favorizuar opozitën. Jo pra rri tani sepse këtë nuk mund ta thuash.

Baton Haxhiu: Po pse?

Blendi Fevziu: Sepse ta dhashë shembull konkret. Një shëmbull konkret. Jo s’mund ta thotë këtë. Nuk mund të vish e të lëshosh fjalë si të duash. Sepse po ta them edhe një herë në këtë studio kanë qënë gjithmonë palët të barabartë. Nuk ka qënë ndonjëherë njëri më shumë se tjetri. Fjalën e kanë pasur të gjithë. Po të them edhe një herë ti nuk mund ta thuash këtë.

Aleksandër Frangaj: Lulzim Basha nuk është dot lider dhe ka qenë i paaftë të drejtojë PD

Drejtori i Përgjithshëm i Tv Klan, Aleksandër Frangaj, thotë se zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit në 6 bashki të vendit treguan se kryedemokrati Lulzim Basha nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në këtë detyrë.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Frangaj theksoi se Basha nuk është lider, ndërsa deklaratën e tij se nuk ka humbur asnjë garë e konsideron fyerje për qytetarët.

6 Marsi tha, Lul Basha nuk është dot lider, 6 Marsi provoi që ai nuk mund të vazhdojë dot më kryetar i Partisë Demokratike. 6 Marsi kërkon domosdoshmërisht që opozita të ribashkohet, opozita të rithemelohet. Është skandal, është papërgjegjshmëri, nuk besoj që edhe kundërshtarët e PD të jenë të lumtur për këtë masakër që ka ndodhur në atë parti, nuk besoj, edhe kundërshtari më i madh Edi Rama që të jetë i lumtur që e ka sot opozitën të çarë edhe në rezultatet më skandaloze të këtyre 30 viteve. Si do ndodhë? Është çështje për t’u diskutuar. Nuk është skandal i madh rezultati i djeshëm. Skandali më i madh është ajo që e kam përjetuar sapo jam zgjuar nga gjumit sot, sapo e kisha televizorin ndezur te Klan News, hapa sytë dhe shoh Lulzim Bashën që bënte mbledhje apo pinte kafe me arsimtarët. Ndërkohë që vazhdonte numërimi në 5 bashkitë e tjera, ai pinte kafe dhe diskutonte për strategjinë e arsimit në Shqipëri. E preka veten a jam zgjuar a jam akoma në gjumë. Është të tallesh, është të fyesh inteligjencën e çdo shqiptari normali, por dhe një njeriu që ka bërë të paktën 4 klasë shkollë, të dalësh e të thuash që unë nuk kam humbur asnjë palë zgjedhje”, tha Frangaj.

Spahia: Dera jonë do të jetë e hapur për të gjithë ata demokratë që kanë humbur rrugën

Në një lidhje Skype në emisionin “Opinion”, kryetari i zgjedhur nga qytetarët i Koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Bardh Spahia për Bashkinë e Shkodrës është shprehur se qëllimi i tyre është të bashkojnë demokratët e vërtetë.

Bardh Spahia: Padyshim ka qenë një garë e fortë, që kishte edhe të panjohurat e veta sepse ishte hera e parë që garonin dy kandidatë të qendrës së djathtë. Objektivi kryesor ishte përfaqësuesi i Edi Ramës, edhe pse përfaqësuesi i Bashës u percepetua si një përfaqësues i Ramës. Kam bindjen se në zgjedhjet e ardhshme do të shkojmë më kompakt.

Blendi Fevziu: Si do të bëheni kompakt?

Bardh Spahia: Do të jeta bashkimi i të gjithë demokratëve të Shkodrës nën siglën e PD së vërtetë. Besoj se është kuptuar sot se kush është opozita e vërtetë.

Blendi Fevziu: Por është një opozitë e pamjaftueshme?

Bardh Spahia: Ne na del një punë e jashtëzakonshme, bashkimi i PD. Unë iu drejtova atyre demokratëve që kanë humbur rrugën, të na bashkohen dhe të fokusohemi tek objektivi që ne kemi.

Blendi Fevziu: Cila do të jetë e ardhmja e PD, që konkurroi në dy drejtime të veçanta?

Bardh Spahia: Unë besoj se e njëjta gjë do të ndodhë me shumicën e bashkive. Sot e tutje kemi një realitet tjetër. Demokratët kanë kuptuar se cila është e djathta reale. Do të ketë patjetër reflektim nga drejtuesit, ish-kupola e PD. Kam besimin që disa prej deputetëve do të kenë kurajon të reflektojnë ashtu si duhet rezultatin e sotëm. Shumica e demokratëve mbështesin Rithemelimin.

Blendi Fevziu: Si do të jetë ky proces?

Bardh Spahia: Të realizojmë një proces bashkimi, dera jonë do të jetë e hapur për të bashkuar të gjithë ata demokratë që kanë humbur rrugën.

Fitorja e PS në Durrës, Emirjana Sako: Jemi parti e organizuar, rol pati edhe përçarja e PD

Kryebashkiakja socialiste e Durrësit Emirjana Sako e cila fitoi sërish edhe në zgjedhjet e 6 Marsit, tha se fitorja e PS ka ardhur si pasojë e punës dhe organizimit të strukturave në terren.

Në një lidhje direkte për emisionin Opinion në Tv Klan, ajo u shpreh se rol në fitoren e PS në Durrës ka luajtur edhe çarja e Partisë Demokratike.

“Rezultati i Durrësit është shumë i mirë. Kemi pasur rreth 58% si PS dhe që një diferencë shumë të thellë me dy kandidatët të marrë së bashku. PS është një parti shumë e organizuar dhe kemi pasur mundësi të kishim mundësi të kishim rezultatet e kësaj pune. Ka pasur dhe një rol kjo çarje po diferenca që ka Bashkia e Durrësit me PS me dy kandidatët e tjerë është tejet e madhe, janë mbi 11 mijë vota.

Në këto zgjedhje kemi pasur rezultat thuajse pozitiv. Në qoftë se e krahasoj me zgjedhjet e 2021, PD ka pasur 2 apo 3 zona ku ka pasur rezultat më të mirë.

Është një vit i shkurtër, prioriteti që do kemi mbetet programi i rindërtimit dhe fillimi i projekteve të tjera të mëdha”, tha ndër të tjera Emirjana Sako. /tvklan.al