Manastirliu flet me shifra, sa testime mund të kryejë Shqipëria

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaron me përgjegjësi se vendi ynë i ka marrë të gjitha masat për të kryer testimet e nevojshme ndaj qytetarëve që dyshohen të infektuar nga koronavirusi COVID-19.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Manastirliu u pyet konkretisht sa teste ka Shqipëria, duke iu referuar edhe deklaratave të Lulzim Bashës për të rritur numrin e testimeve.

Ogerta Manastirliu: Mund t’ju them me plot përgjegjësi që Shqipëria i ka marrë masat në vazhdimësi dhe ka siguruar të gjithë testet e nevojshme për të realizuar testimet për persona të cilët janë të dyshuar të gjithë kontaktet e tyre të afërta apo kontaktet e e dyta dhe të treta për të diagnostikuar nëse janë apo jo me COVID.

Blendi Fevziu: Sa teste kemi konkretisht? A keni një shifër?

Ogerta Manastirliu: Testet janë të mjaftueshme. Nëse do t’ju thoja sot një shifër që edhe mund t’ju a them, por në vazhdimësi ne furnizohemi dhe kemi rritje të stokut. Edhe sot kanë ardhur kite të reja, janë 2 mijë. 4 mijë është lidhur kontrata për të ardhur, 10 mijë po bëhet procedura, 20 mijë nga OBSH. Pra, kitet janë në vazhdimësi. Por edhe kontrata përsa i përket 1 mijë kiteve në QSUT është gati dhe fillon procesimi i testeve dhe në QSUT. 

Pse po humbin jetën të gjithë personat që futen në intubim

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi këtë të martë se mjekët dhe infermierët janë duke bërë një punë heroike. Ajo iu përgjigj në “Opinion” pyetjes së gazetarit Fevziu se pse në vendin tonë, çdo person që ka përfunduar në intubim ka humbur jetën.

Sipas ministres, kjo ka ndodhur për shkak të sëmundjeve bashkëshoqëruese që pacientët kanë pasur. Manastirliu sqaroi se ndaj pacientëve ndiqen të njëjtat protokolle mjekimi si në vendet e tjera të botës.

Blendi Fevziu: Në Shqipëri çdo person që është intubuar ka përfunduar me vdekje. Pra nuk kemi asnjë person që nga instubimi të jetë rikuperuar. Pse po ndodh kjo vdekje 100% e atyre që hyjnë në respirator?

Ogerta Manastirliu: Duhet të presim fundin e luftës për të bërë bilancet. Mjekët tanë punojnë me të njëjtat kushte siç punojnë mjekët në botë sa i përket terapive intensive. Pacientët që futen në respirator trajtohen me të gjithë protokollin që sot trajtojnë në botë. Dua të them që nga pikëpamja e barnave dhe mjeteve çdo gjë është e kolauduar si në të gjithë vendet e tjera.

Blendi Fevziu: I intubojnë vonë? I intubojnë me vonesë? Si?

Ogerta Manastirliu: Ajo që mund t‘ju them është që puna e mjekëve dhe infermierëve është heroike. Kam besimin maksimal që bëjnë më të mirën. Nga analizat që kemi sa i përket fataliteteve në reanimacion janë sëmundjet bashkëshoqëruese që kanë përfunduar në fatalitet. Kanë qenë sëmundjet që kanë pasur duke filluar nga ato kardiake, diabeti etj.

Manastirliu: Nuk mund ta themi sot se kur do të zbutet situata

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u shpreh këtë të mërkurë se është shumë herët për të folur se kur do të zbresin rastet e të prekurve me Covid-19.

Gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan, ministrja u shpreh se masat kanë dhënë efekte pozitive.

“Nuk mundet dot të japim një përgjigje definitive, por jemi duke vajtur në një kurbë që do të jetë e qëndrueshme dhe nuk mund të themi dot sot se kur do të fillojë zbritja, por mund të themi që masat që kemi marrë kanë dhënë efektet e veta dhe kemi një situatë të qëndrueshme. Nuk mund të flasim sot kur do të ketë një zbutje të situatës sepse situata është shumë dinamike”.

Ministrja deklaroi se së shpejti do të nisë edhe një testim i ri ndaj popullsisë, i quajtur testi imunologjik.

Sipas saj, ky test do të vlerësojë se sa është i mbrojtur popullata ndaj virusit. Testi është duke u përgatitur dhe nuk ka dalë ende tha ministrja.  

“Jemi gati për ta filluar këtë test të ri dhe është në ndihmë të testit që bëhet me PCR. Ky nuk është test që përcakton nëse ti ke imunitet ndaj virusit. Ajo që ne presim është testi imunologjik që do të vlerësojë më pas mbrojtjen e popullatës ndaj virusit. Ky test nuk ka dalë dhe është duke i vlerësuar. Ky bëhet me kampionë të ndryshme të popullatës, që kanë qenë të ekspozuar ndaj virusit, për të vlerësuar më pas mbrojtjen ndaj virusit”.

Mjeku shqiptar rrëfen si i shpëtoi koronavirusit: 48 orët e para ishin…

Mes personave të prekur nga koronavirusi nëpër botë ka edhe shumë shqiptarë.

Një ndër ta është edhe mjeku Adrian Fandi. Mjeku shqiptar, i cili jeton dhe punon në Britaninë e Madhe ka rrëfyer në emisionin “Opinion” eksperiencën e tij.

Ai u shpreh se në ditën e parë që është shtruar në spital ka marrë 8 litra oksigjen.

Ndërkohë rrëfeu se u përpoq t’i qëndronte sa më larg intubimit, mjet që e ka përdorur me dhjetëra herë për të shpëtuar jetën e pacientëve të tij në të shkuarën.

“Më shumë se pozitiv kam qenë i sëmurë sepse pozitivitet është thjeshtë një test laboratorik, për mua nuk ka rëndësi, ke bërë testin apo nuk ke bërë testin. Për mua ka rëndësi që nuk e ndjen veten mirë. Nëse numëroni me litrat e oksigjenit që ka marrë Borisi (kryeministri britanik) unë në ditën e parë 1 Prill u shtrova në spital me 8 litra oksigjen. Për 48 orët e para e shikoja atë tubin e oksigjenit që të mos shkonte më shumë se 8 litra se do haja tubin. Tubin nuk e desha sepse e kam përdorur në punën time me dhjetëra herë kur kam shpëtuar jetë njerëzish, por kur e shikoja që afrohej tek vetja ime atëherë thashë jo. Bëra forca, familja më dha forcë dhe arrita të shpëtoj”, tha mjeku.

Fandi rrëfeu se momentet më të vështira kanë qenë 48 orët e para.

“Të gjithë kanë frikë se është normale. 48 orët e para ishin ato më të vështirat që e shikoje veten që nuk ecje as përpara as mbrapa. Unë çohesha me syrin pozitiv që jam njësoj që dje, nuk jam bërë më keq”, tha mjeku shqiptar./tvklan.al